Ky titull është tekst i shkëputur nga tregimi i një besimtari që krenohet me All-llahun.
Tavus bin Kejsani, që ka qenë nga transmetuesit e Buhariut dhe Muslimit, rrëfen për një besimtar asket dhe të vobektë nga Jemeni, i cili kishte ardhur të bënte Umren në Mekkë. Duke bërë tavafin, rroba e tij u përthur me armën e njërit prej ushtarëve, e cila i ra Haxh-xhaxhit, pushtetarit të padrejtë.
Haxh-xhaxhi e ndali dhe e pyeti:
Kush je ti?
Jam mysliman- iu përgjigj.
Prej nga je?- e pyeti prapë.
Jam nga Jemeni – iu përgjigj.
Haxh-xhaxhi, duke qenë se e kishte vëllain, Muhammed bin Jusufin, mëkëmbës në Jemen, e pyeti për të: Si e kam vëllain?
E kam lënë të shëndoshë, të trashë dhe barkmadh – iu përgjigj.
Ore, nuk po të pyes për shëndetin por për drejtësinë e tij- iu drejtua Haxh-xhaxhi.
E kam lënë injorant, të papërvojë dhe zullumqar- u përgjigj.
Po ti a nuk e di se ai është vëllai im?!- e pyeti Haxh-xhaxhi.
E ti kush je?- e pyeti asketi.
Jam Haxh-xhaxh bin Jusufi- u përgjigj.
A mendon ti se ai është më shumë krenar me ty se që unë jam me All-llahun?!- i tha Haxh-xhaxhit.
Nuk më mbeti qime floku në kokë pa u ngritur – rrëfen Tavusi.
Haxh-xhaxhi e la të lirë.