Dr. Muhammed bin Lutfi Es-Sabag
Fatkeqësisht, shumë minbere (foltore) të myslimanëve kanë marrë tatëpjetën. Kjo ndodhë si pasojë e ngecjes dhe pasivitetit, në njërën anë, dhe bërbëlitjes dhe pamaturisë, në anën tjetër. Si pasojë e kësaj, edhe Hutbeja e Xhumasë është zhveshur nga fuqia ndikuese, kështu që ka përfunduar si një instrument që më nuk po mund ta kryen detyrën e tij siç duhet e kërkohet. Dhe kjo, për fat të keq, në shumicën e vendeve të botës islame. Dhe kjo nuk është vetëm problematikë, pro edhe fatkeqësi. Kjo do të duhej të tingëllonte si një alarm në veshët e zotërinjve tanë, dijetarë dhe mendimtarë, që punën e Hutbes ta trajtojnë me urtësi, maturi dhe seriozitet, ta studiojnë dhe të japin mendimin e tyre. Ndërsa organet ekzekutive do të duhej të ndiheshin të detyruar që ta zbatojnë në praktikë konstatimin që dijetarët dhe mendimtarët e japin për humben.
Ajo që do të ishte si një hap ose kontribut konkret është organizimi dhe mbajtja e kurseve trajnuese për ligjëruesit e rinj, të cilëve do t’iu mësohej mënyra më e mirë e ligjërimit, si në përmbajtje, ashtu edhe në demonstrim. Do t’iu lehtësohej qasja në mjetet e hutbes (do të pajiseshin me libra dhe materiale përkatëse), do të ushtroheshin për të ligjëruar, do të punohej për të zgjeruar diapazonin intelektual dhe kulturor të ligjëruesit, duke ia mundësuar njohjen e asaj që ndodhë përreth tij, në vend dhe botë. Kjo do të mund të realizohej nëpërmjet organizimit të seminareve shkencore dhe takimeve periodike me karakter intelektual. Gjithsesi, pjesëmarrës do të duhej të ishin ata që iu është ngarkuar kjo detyrë. Do të duhej të përzgjedhur ata që dallohen për sinqeritetin e tyre në besim dhe vepra. Për të qenë sa më frytdhënëse, seminaret dhe takimet do të duhej të parashohin pjesëmarrjen edhe të ligjëruesve të dalluar dhe të oratorëve, të cilët do të rrëfenin për përvojat eh eksperiencën e tyre, sikur që do të mbanin live ndonjë ligjëratë para auditoriumit apo do të emitohen pjesë të incizuara të ligjëratave të tyre.
Por, kjo nuk është e tëra. Kjo që përmendëm nuk mjafton për ta zgjidhur këtë problem. Institucionet fetare që merren me organizimin e jetës fetare do të duhej të kishin në kuadër të tyre pedagogë dhe kontrollorë, të cilët do të bënin vlerësimin e ligjërimit të Hutabave (mbajtësve të hutbes), të cilin më pas, në formë raporti, do t’ia adresonin institucionit përkatës. P.sh. Ministria e Arsimit dhe Edukimit dhe ministri tjera kanë organ të veçantë –inspektoratin, që është një nga organet më të rëndësishme. Detyrë primare e inspektorëve mbetet që të vëzhgojnë punën e nëpunësve si dhe të asistojnë me këshilla dhe ndihmesa ligjore për kryerjen e detyrave me sa më shumë efikasitet. Për këtë shkak, inspektorët marrin pjesë në zhvillimin e procesit mësimor të mësuesve dhe profesorëve, për të bërë më pas vlerësimin për lëndën e shtjelluar dhe mënyrën e shtjellimit. Për mësuesit dhe profesorët e avancuar, ndajnë mirënjohje, që të nxisin dhe stimulojnë dhe më shumë ata, ndërsa për neglizhentët japin vërejtje dhe sugjerime, në mënyrë që gabimet të mos përsëriten dhe vigjilenca dhe përgjegjësia për kryerjen e detyrës të jenë në nivele më të larta. E, nëse nevoja e dikton që disiplinimi i mësimdhënësve të bëhet edhe me masa ndëshkuese konkrete, atëherë e bëjnë dhe këtë, gjegjësisht ua propozojnë autoriteteve përkatëse. Ajo që dua tët hem është se kontrollimi i mësuesve që iu servojnë nxënësve informata jo të sakta nuk është më shumë i nevojshëm se kontrollimi i atyre që xhematit i servojnë informacioneve të gabuara për fenë dhe ligjin e All-llahut. Kjo shkakton masivizimin e rolit të Hutbes dhe shëmtimin e imazhit të Islamit por edhe të vet ligjëruesve.
Si mund të vazhdojë si ligjërues ai që nuk mund ta citojë nj ajet apo hadith pa gabuar?!
Si mund të vazhdojë si ligjërues ai që nuk mund të bëjë dallimin ndërmjet një hadith të vërtetë dhe një tjetri të shpifur e të trilluar?!
Si mund të vazhdojë së ligjëruari ai që flet për një temë të caktuar ndërsa nuk ka njohuri të bollshme në të, duke çaluar kështu dhe bërë-thënë atë që në fakt ia zbeh bukurinë dhe madhështinë kësaj feje?!
Si mund të lejohet të vazhdojë së ligjëruari ai që zgjatë hutben e tij një orë ose më shumë, duke i bllokuar njerëzit, duke llomotitur e belbëzuar, duke kaluar nga tema në temë, duke përdorur terme e shprehje të pakuptueshme?! Përse nuk përgatitet për hutben e tij?! Përse nuk e shkruan atë por vazhdon me këtë avaz e me këtë improvizim ndërsa nuk është i denjë dhe meritor (nuk ka dijen dhe shkathtësitë) për ta bërë?!
Si mund të lejohet të vazhdojë të mbajë hutbe ai që lexon hutbe nga arkivat, hutbe që ndoshta janë shkruar para shekujsh, duke mos lënë pikë dhe presje pa lexuar, duke trajtuar tema që nuk përkojnë me kohën dhe rrethanat e vendit dhe shoqërisë ku jeton?!
Nuk mohohet se ligjërimi është talent dhe dhunti, por nëse përcjellët me dituri dhe gdhendet me ushtrime, atëherë përfitimi prej tij bëhet më i lehtë dhe më i shumtë. Ndryshe, nëse i ngarkuari me mbajtjen e hutbes nuk ka talent dhe shkathtësi, atëherë nuk duhet të manovrojë apo eksperimentojë me hutben, sepse ai, para së gjithash, nuk do t’i bëjë nder vetes, pastaj do ta dëmtojë rëndë imazhin e kauzës, do të dhunojë dëgjuesit, do të zbeh rolin e hutbes si dhe do të krijojë një hendek ndërmjet hatibit (ligjëruesit) (qoftë ky edhe) të suksesshëm dhe komunitetit besimtar (për shkak të humbjes së besueshmërisë së hatibit si personalitet shoqëror). Hatibit para se të ngjitet në minber duhet përvetësojë njohuritë dhe shkathtësitë që i mungojnë. Le t’i konsultojë dijetarët dhe ekspertët përkatës. Le t’i konsultojë po kështu edhe hutbet e shkruara të cilat kanë një nivel të lartë përmbajtje, për shkak se mund të përfitojë shumë prej tyre, qoftë në përvetësim të njohurive, qoftë në përvetësim të metodologjive, të cilat kanë efektet e tyre tek masa – audienca, përmirësojnë gjërat e shtrembëruara dhe prezantojnë imazhin dhe mendimin islam në mënyrë të bukur dhe origjinale ashtu siç janë.
Ligjërimi në kohën tonë ka shënuar zhvillim të madh dhe të rëndësishëm. Ka ligjërues që kanë përvetësuar oratorinë dhe retorikën në mënyrë të përsosur, si në rrafshin fetar, si në atë politik. I mbetet për detyrë institucioneve përgjegjëse që pozitat e rëndësishme, siç janë minberet e myslimanëve, tua dorëzojnë atyre që kanë kualifikimet e duhura. Po kështu duhet urgjent të organizojnë departamente që merren me inspektimin e Hutabave (ligjëruesve), të cilët do të rikthejnë gjallërinë e hutbes. Kam shpresë se ky organ vëzhgues dhe inspektues do ta përmirësonte dukshëm këtë gjendje aspak të mirë në të cilën jemi dhe për të cilën folëm.
All-llahu na dhëntë suksese!
Burimi: http://www.alukah.net/sharia/0/71425/
Përshtati në shqip: Dr. Sedat Islami
Shih për më shumë: El-bejan ve-t-tebjin (1/257-362); Ujun el-ahbar (2/231-251); El-ikd el-ferid (4/57-156).