Viti 2016 u hap, përveç lajmit të rikonfirmuar për protesta të opozitës kundër qeverisë, edhe me një lajm që ka karakter fetar. Fjala është për dëmtimin e varrezave katolike, por jo vetëm, në fshatin Romajë. U dëmtuan edhe varrezat myslimane. Të paktën kështu figuron në reagimin me shkrim të kryesisë së fshatit në fjalë. Ndërsa të menjëhershme qenë reagimet, të cilat, thënë të vërtetën, do të duhej të ishin të menjëhershme, por jo me këtë përmbajtje hipokrite, provokuese dhe me prapavijë dashakeqe.
Ndonëse askush nuk u deklarua se qëndron prapa kësaj vepre të shëmtuar, megjithëkëtë nuk munguan zëra që akuzojnë drejtpërdrejtë myslimanët për të. Për disa politikanë, gazetarë dhe analistë të gjithë myslimanët janë isis-ianë, andaj edhe nuk ndalen së klasifikuari ata si fajtorin kujdestar për gjithçka, madje edhe atëherë kur natyra vepron, siç po besohet të ketë ndodhur tash në dëmtimin e varrezave katolike sipas sqarimit të bërë nga kryesia e fshatit në fjalë.
- Çka tash nëse kjo që thotë Kryesia e fshatit në fjalë del të jetë e vërtetë?
- Cilat do të jenë reagimet e atyre që fajësojnë myslimanët për këtë vepër? A kanë forcë të marrin guximin dhe të dalin e të kërkojnë falje para qytetarëve se janë ngutur e kanë gabuar, apo do të vazhdojnë që ta fshehin urrejtjen dhe të përdorin për pretekste akte të këtilla të shëmtuara, autorë të të cilave mund të jenë vet ata?
- Cila do të jetë përgjegjësia e atyre gazetarëve që kanë marrë rolin e gjykatësit duke i akuzuar myslimanët për fajtorë kryesorë, pavarësisht se si i quajnë, ngase siç potencova, për disa prej tyre nuk ka asnjë dallim ndërmjet myslimanëve, të gjithë janë njësoj?
- A do të dalin të bëjnë një deklaratë sa për sy e faqe edhe për varrezat myslimane, pasi që në letrën e Kryesisë së fshatit potencohet që edhe varrezat myslimane janë dëmtuar?
- Apo nuk do ta bëjnë këtë për shkak se myslimanëve çfarëdo e keqe që t’iu thuhet e t’iu ndodhë nuk paraqet intolerancë e aq më pak shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Neve myslimanëve na mungon logjika e veprimit si komunitet. Do të duhej që organet tona fetare të ngrenë zërin e pse jo edhe paditë kundër atyre që tash e sa vite nuk ndalen së fyeri e shpifuri ndaj Islamit dhe myslimanëve. Kështu mbase do të frenoheshin sado pak.