Dr. Abdullah el Hatir
Çfarë synojmë me shërim?
Kur’ani dhe Sunneti posedojnë ilaç për shërimin e pikëllimit dhe brengave, sidomos nëse ato janë shkaktuar nga faktorë të jashtëm. Ky është imazh i mëshirës së All-llahut të Madhëruar me robërit e Tij, ngase Kur’anin e bëri shërim dhe mëshirë për besimtarët, ndërsa këtyre të fundit nuk iu mbetet gjë tjetër pos të kthehen kah Kur’ani dhe Sunneti i Pejgamberit [alejhiselam] që të shpëtojnë e të ngadhënjejnë me lumturi dhe prehje shpirtërore në të dy botët.
1. Besimi
Besimi ka ndikim të madh në ruajtjen dhe shërimin nga brengat dhe problemet e ndryshme. Fjalën ‘besim’ e dëgjojmë shpesh por të paktë jemi ata që kuptojmë esencën, reflektimet dhe rezultatet e tij.
Besimi lë gjurmë të thella në ndjenjat dhe sjelljet e njeriut ndërsa ne do prezantojmë disa aspekte të tij dhe të gjurmëve të tij në ruajtjen dhe mbrojtjen nga pikëllimi si dhe shërimin prej tij.
1.1 Kadaja dhe Kaderi (Caktimet paraprake të All-llahut të Madhëruar)
Besimi ynë në këto caktime të All-llahut të Madhëruar nga pengon nga pikëllimi i madh. Tirmidhiu transmeton nga Pejgamberi [alejhiselam] ka thënë: «...dhe dije se sikur i tërë ummeti të bëheshin bashkë për të të bërë ndonjë të mirë nuk do të mundnin po të mos e ketë shkruar për ty atë All-llahu. Po kështu, (edhe) sikur të bëheshin bashkë për të dëmtuar diç, nuk do ia arrinin qëllimit po të mos e ketë shkruar atë All-llahu për ty.»
Kur njeriu të bindet se gjërat janë të caktuara prej All-llahut të Madhëruar, ai nuk brengoset shumë. Si të pikëllohet kur e di se njerëzit që i ka përreth nuk mund t’i bëjnë dëm dhe as dobi pa caktim të All-llahut të Madhëruar?! Atëherë përse ky ankth? Përse ky pikëllim i madh?
1.2. Besimi në Ditën e Llogarisë
Ai që beson në Ditën e Llogarisë, e di se nga kjo dynja nuk ka të mira të përhershme. Kur ta humb ndonjë të dashur e di se do e takojë në Ahiret. Kur besimtari të humbas diç nga kjo botë, ai nuk pikëllohet ngase e di se kjo botë, në raport me ahiretin, nuk vlen asgjë. Besimtari gjithnjë e përkujton fjalën e Pejgamberit [alejhiselam]: «Sikur dynjaja të vlente tek All-llahu vetëm sa një krah mushkonje, askujt që mohon All-llahun nuk do t’i jepte as një gllënjkë ujë për të pirë.» (Transmeton Tirmidhiu.)
1.3. Besimi në emrat dhe cilësitë e All-llahut të Madhëruar
Disa mendojnë se besimi në emrat dhe cilësitë e All-llahut të Madhëruar është çështje teorike e besimit pa patur ndonjë ndikim a gjurmë në jetën dhe sjelljet e besimtarit. Si shkak i këtij botëkuptimi të gabuar, ata nuk përfitojnë nga besimi i tyre atë që do të duhej përfituar.
Besimi në këto gjëra nuk është vetëm teorik, formal, verbal. Ai ka një ndikim të madh tek njeriu. Besimtari që beson se All-llahu i Madhëruar është Sundues, beson se Ai ka të drejtë në dhënie dhe privim. Ai që beson se All-llahu i Madhëruar është i Urtë, e kupton apo jo urtësinë e ndonjë gjëje, beson se ajo ka urtësi. Ky pranon ngjarjet dhe ndodhitë si diç që në to patjetër fshihet një e mirë nga All-llahu i Madhëruar, ngase, edhe pse nuk mund ta zbuloj urtësinë ai për momentin, ajo zbulohet në të ardhmen gjithsesi.
1.4. Botëkuptimi i besimtarit për sprovat dhe pikëllimet
Botëkuptimi i fatkeqësive tek myslimani është i veçantë dhe meriton të shkruhet me ngjyrë ari, derisa tek të tjerët kjo domethënie është e shtrembëruar dhe si rezultat iu sjell jete të vështirë e të papërballueshme. Besimtari beson se sprovat mund të jenë edhe si shenjë e dashurisë së All-llahut të Madhëruar për njeriun. A nuk ka thënë Pejgamberi [alejhiselam]: « Nëse All-llahu i Madhëruar e do një grup njerëzish, i sprovon.» (Transmeton Imam Ahmedi. Shiko: Sahihu’l xhamii’s sagir, 1702.)
Po kështu beson se sprovimi është në përputhje me nivelin e besimit, duke përkujtuar hadithin: «Njerëzit që më së shumti sprovohen janë pejgamberët, pastaj të mirët pastaj shkallë-shkallë.» (Transmeton Taberaniu. Shiko: Sahihu’l xhamii’s sagir, 1003.)
Sa herë që niveli i besimit rritet, aq herë edhe sprovat shtohen. Këtë e dëshmon edhe hadithi tjetër: « Nëse është i fortë në fe, sprova i ashpërsohet, ndryshe, sprovohet sipas nivelit të fetarizmit të tij.»
Besimtari po kështu beson se me t’u sprovuar me fatkeqësi, ai do të shpërblehet. Pejgamberi [alejhiselam] ka thënë: «Nuk ndodhë të goditet besimtari nga ndonjë lodhje, mundim, brenge, pikëllim, shqetësim, brenge, madje edhe ferra që i hyn në këmbë, e që All-llahu të mos ia falë me të mëkatet.»
Nëse besimtari e beson këtë, atëherë ai ndihet i qetë me besimin e tij në All-llahun e Madhëruar, kurse mbështetja në Të dhe nënshtrimin Atij vetëm sa i rrënjosen edhe më thellë në zemër.
Po si do të kishte qenë puna që tërë kësaj ai t’ia shtonte edhe durimin? Padyshim se do të shpërblehej shumë. Thotë All-llahu:
﴿ إِنَّمَا يُوَفَّى الصَّابِرُونَ أَجْرَهُم بِغَيْرِ حِسَابٍ ﴾
«... ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!»
[Kur’ani: Ez Zumer, 10.]
Myslimani, çfarëdo që të jetë gjendja e tij, është fitimtar. Muslimi transmeton se Pejgamberi [alejhiselam] ka thënë: «Çudi është puna e besimtari, tërë çështja e tij është në favor për të dhe për askënd tjetër pos tij. Nëse privilegjohet me ndonjë të mirë, falënderon, e kjo është mirë për të. Nëse sprovohet me ndonjë fatkeqësi, duron, e kjo është mirë për të.»
Çudi është puna e besimtari, tërë çështja e tij është në favor për të dhe për askënd tjetër pos tij. Nëse privilegjohet me ndonjë të mirë, falënderon, e kjo është mirë për të. Nëse sprovohet me ndonjë fatkeqësi, duron, e kjo është mirë për të”.
Pra, botëkuptimi ynë për sprovën është i veçantë.
2. Devotshmëria dhe veprat e mira
Devotshmëria dhe vepra e mire padyshim se ruajnë besimtarin nga pikëllimi, brengosja dhe ankthi. Thotë All-llahu i Madhëruar:
﴿مَنْ عَمِلَ صَالِحًا مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَىٰ وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَلَنُحْيِيَنَّهُ حَيَاةً طَيِّبَةً ۖ وَلَنَجْزِيَنَّهُمْ أَجْرَهُم بِأَحْسَنِ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ﴾
«Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.»
[Kur’ani: En Nahl, 97.]
Atëherë ç’është jeta e mire?
A nuk është lumturia dhe qetësia?
Po për Zotin, tërë ata që kërkojnë lumturinë dhe tërë ata që imagjinojnë jetën e mirë nuk do ta shijojnë as atë dhe as këtë pa punuar vepra të mira. Ka thënë Ibrahim b. Ed’hemi: “Për Zotin, ne jemi duke jetuar një jetë të begatshme që po të dinin mbretërit dhe bijtë e tyre për të, do të na luftonin me shpatë (që ta kenë-përvetësojnë atë).”
Pra, kjo është dhuntia e besimit dhe qetësisë. Është lumturia e vërtetë, të cilën shumë njerëz nuk e kanë gjetur.
3. Lutja, madhërimi dhe namazi
Duaja ka që është mbrojtëse por ka që është edhe shëruese, siç është p.sh. hadithi: « O Zoti im, kërkoj të më mbrosh nga brenga dhe pikëllimi, dobësia dhe përtacia, koprracia dhe frika, nga mundja prej borxhit (borxhi i madh) dhe nga mposhtja e njerëzve.» (Transmetojnë Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.)
Ai që beson në këtë dhe hadithe tjera të ngjashme, kur të goditet me ndonjë sprovë, e lexon atë dhe All-llahu i Madhëruar ia largon pikëllimin dhe brengën. All-llahu i Madhëruar i drejtohet Muhammedit [alejhiselam] që nga fjalët e pabesimtarëve qe mërzitur shumë:
﴿ وَلَقَدْ نَعْلَمُ أَنَّكَ يَضِيقُ صَدْرُكَ بِمَا يَقُولُونَ فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَكُن مِّنَ السَّاجِدِينَ وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ ﴾
«Ne dimë mirë se ti ngushtohesh shpirtërisht për atë që thonë ata. 98. Po ti madhëroje me falënderime Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur). 99. Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja).»
[Kur’ani: El Hixhr, 97-99]
Pra, madhërimi i All-llahut është çelës i rrugëdaljeve dhe zgjidhjeve të problemeve.
4. Shikimi në ata që janë sprovuar edhe më shumë dhe mendimi i gjendjeve edhe më të këqija
Kjo është një praktikë e psikologëve, të cilën para tyre e përdori Pejgamberi, [alejhiselam]. Habbab b. el Eretti kur kishte parë sahabët tek vuanin në Mekke, kishte shkuar tek Pejgamberi [alejhiselam] i cili qëndronte nën hijen e Qabesë, dhe i tha: «A nuk po e lut All-llahun e Madhëruar të na ndihmojë? A nuk po lutesh për ne? Pejgamberi [alejhiselam] i tha: Para jush (në kohët e mëhershme) merrej njeriu, i hapej një gropë në tokë ku vendosej dhe me një sharrë të hekurt i ndahej mishi nga ashti por kjo nuk e largonte prej fesë së tij. Pasha All-llahun! All-llahu do ta plotësojë këtë fe derisa kalorësi (ai që udhëton me ndonjë kafshe) të ecë nga San’aja e deri në Hadramevt dhe të mos ketë frikë askënd përveç All-llahut dhe ujkut për delet e tij. Ju po nguteni pak.» (Transmeton Buhariu.)
Kjo është mënyrë psikike e të shëruarit. Nëse takohesh me ndonjë njeri të sprovuar, përkujtoja njerëzit që janë sprovuar edhe më shumë se ai. Nëse dikujt, p.sh., i ka vdekur babai në aksident trafiku, thuaji se ka familje të tëra që kanë pësuar në aksidente të tilla. Apo thuaji se edhe pse iu ka vdekur babai, ju materialisht qëndroni mirë, ndërsa familja e filanit kanë mbetur pas vdekjes së tij shumë keq.
Kjo d.t.th. se kur njeriu të goditet me ndonjë fatkeqësi, duhet të marrë mësim nga ata që gjendjen e kanë edhe më keq se ai dhe të thotë: Falënderuar qoftë All-llahu! Unë mirë jam.
I varfri shikon atë që është edhe më i varfër…
5. Realizmi në këndvështrimin e jetës dhe largimi nga përsosmëria përrallore – idealizmi
Disa njerëz brengosen ngase mendojnë gabimisht. Të mendosh: “Unë nuk mund të jam i lumtur përderisa njerëzit pranë meje të mos jenë të kënaqur me mua”, “Nuk mund të ndihem i qetë përderisa nëpunësit e mi, të gjithë, të mos janë të kënaqur me mua” - është gabim dhe, realisht, diç e pamundur. Patjetër se do të ketë njerëz që nuk do të ndahen të kënaqur me ty. Sikur njeriu të jetonte me parimin se është e pamundur kënaqja e tërë njerëzve, ai do të jetonte i qete dhe pa brenga. Hoxha AbduRrahman es Sa’dijj në librin El vesail el mufide lil hajati’s seideh, në koment të hadithit: «Besimtari nuk e urren besimtaren; nëse nuk i pëlqen ndonjë tipar i saj, i pëlqen tjetri.» (Transmeton Muslimi), thotë: Ky hadith udhëzon për (mirë)sjellje me gruan, të afërmin, shokun dhe tërë ata që ke lidhje me ta. Duhet ta bindësh veten se ata patjetër se kanë ndonjë të metë që ti e urren por kur ta gjesh këtë krahasoje me gjërat që ti i ke obligim. Thënë më qartë, krahasoje me gjërat që e mbajnë gjallë lidhjen mes jush duke mos shikuar të metat ngase konsiderata ndaj mirësive mban gjallë shoqërinë dhe lidhjet si dhe arrihet qetësia…
6. Opinioni i mirë
Aspektet pozitive gjithnjë duhet t’iu paraprijnë atyre negative. Njeriu që vetëm ndanë mendime të këqija për njerëz, pikërisht ai është ai që vuan. P.sh.: Një njeri kalon pranë një tjetri dhe nuk i jep selam. Ky tjetri mbetet i hutuar dhe i pikëlluar: Përse nuk më përshëndeti? Sigurisht se më urren. Kështu ai fillon të supozojë dhe të jetojë në një gjendje të tillë me ditë të tëra. Sikur t’i ikte këtij mendimi ndoshta do të ndihej i qetë dhe do të mendonte: “Po ai nuk më pa, ndryshe do të më jepte selam”, e gjëra tjera që zhdukin supozimin dhe pjellën e tij: pikëllimin. Mu për këtë ka thënë All-llahu i Madhëruar:
﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اجْتَنِبُوا كَثِيرًا مِّنَ الظَّنِّ إِنَّ بَعْضَ الظَّنِّ إِثْمٌ ﴾
«O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat...»
[Kur’ani: El Huxhurat, 12]
Ky largim nga supozimet është për të mirën tonë, ndryshe, neve jemi ata që qetësohemi nëse mendojmë mirë, duke mos harruar këtu se mendimi i mirë nënkupton mashtrimin apo tradhtinë e personit që supozon për të. Omeri [radijAllahu anhu] ka thënë: “Unë nuk jam tradhtar (mashtrues, njeri që nuk ka një qëndrim), por as tradhtari nuk më mashtron dot.”
Myslimani nuk është intrigant dhe as nuk tradhton njerëzit por as nuk tradhtohet ngase është vigjilent…
7. Trajtimi i arrogancës së tjerëve
Njerëzit ndodhë të të shqetësojnë me fjalët e tyre të liga por ti duhet ta dish se kjo i dëmton ata e jo ty, përveç nëse e preokupon veten me fjalët e tyre, që më pas do të ndëshkohesh me ngushtim shpirtëror. Po braktise këtë, do jetosh i lumtur ngase Pejgamberi, [alejhiselam] ka thënë: «A e dini kush është i falimentuar (muflis)?” (As’habët) Thanë: “I falimentuar te ne është ai i cili nuk ka as para e as mall”. Tha: “I falimentuar i ummetit tim është ai që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, me agjërim, me zekat, por njëkohësisht ai ka sharë atë, ka shpifë këtë, ka ngrënë pasurinë e atij, ka derdhur gjakun e këtij, ka rrahë tjetrin, atëherë i jepen këtij e atij (atyre që i ka dëmtuar) prej të mirave të tij dhe nëse harxhohen mirësitë e tij para se t'u paguhen borxhet, atëherë do të merren prej mëkateve të tyre dhe do t'i ngarkohen këtij, pastaj edhe ky do të hedhet në zjarr.» (Transmeton Muslimi.)
Pra, ai qe më merr për goje, më shanë dhe flet keq për mua, ai në të vërtetë më dhuron veprat e tij të mira. All-llahu e shpërbleftë! Më duhet të të falënderoj për këtë!
Nëse dikush të thotë diç të keqe, ik prej tij dhe lëre ashtu ngase ai do të pikëllohet. A nuk thotë All-llahu:
﴿ قُلْ مُوتُوا بِغَيْظِكُمْ﴾
«...Thuaju: “Vdisni me atë mllef tuajin!”...»
[Kur’ani: Ali Imran, 119]
8. Shpresa
Dera e shpresës është e hapur. Kështu largohet pikëllimi dhe mërzia nga njeriu. Le të përkujtojmë fjalën e All-llahut të Madhëruar:
﴿ فَإِنَّ مَعَ الْعُسْرِ يُسْرًا ﴿٥﴾ إِنَّ مَعَ الْعُسْرِ يُسْرًا ﴾
«E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi. 6. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi.»
[Kur’ani: Esh Sherh, 5-6]
Kjo do të thotë se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi, siç na mëson All-llahu:
﴿سَيَجْعَلُ اللَّـهُ بَعْدَ عُسْرٍ يُسْرًا﴾
«...mirëpo pas vështirësisë All-llahu sjell çlirim (begati).»
[Kur’ani: Et Talak, 7]
Sa herë që gjërat të të ashpërsohen, dije se zgjidhja është afër!
Përshtati në shqip: Dr. Sedat Islami
Artikulli është botuar në Drita Islame, nr. 50, shkurt 2016.