1.
Jo rrallë na ka rënë që të lexojmë në rrjete sociale apo të dëgjojmë në bashkëbisedime thënien e rahmetliut Nexhmettin Erbakan-it se ‘Myslimanët të cilët nuk interesohen për politikë, do të qeverisen nga politikanë që nuk interesohen për myslimanët.’ Me këtë tentohet të justifikohet pjesëmarrja në politikë, por jo vetëm. Më konkretisht, edhe veprimet dhe mënyra se si sillet dhe veprohet në politikë, e që nuk është fare islame. Në politikë ka ‘pazare politike, kompromise për interesa partiake, përpjekje për avancim dhe ngritje personale duke gjurmuar të metat e tjetrit, e bile edhe duke sharë, fyer e shpifur’, gjëra këto që po i hasim edhe tek myslimanët që duan të merren me politikë "në mënyrë që të politika të mos merret me ta."
Pyetja:
A kemi dëshmuar politikë islame, e cila:
- Është e dalluar për etikë të lartë,
- I jep përparësi interesit të përgjithshëm para interesit personal,
- Synon bashkimin,
- Jep shembullin e qeverisjes së mirë?
Përkundrazi. Kemi treguar se në politikë, ani pse kemi hyrë me këtë slogan, nuk dallojmë shumë për të mos thënë fare nga të tjerët. Me këtë nuk dua të përgjithësoj dhe nuk e apostrofoj individualisht askënd, por, vështruar nga gjendja reale, kështu na del.
- A nuk e patëm një parti e na u bënë pesë a gjashtë?!
- A nuk dolëm para publikut me oferta sikur ne jemi të vetmit shpëtimtarë?!
- A nuk dolëm publikisht të gjykojmë myslimanin tjetër, jo si dikush që ofron një alternativë ndryshe, por si dikush që nuk duhet pasuar për shkak të programit politik dhe asaj që supozohet e shihet si e dyshimtë?!
- A nuk promovuam idenë e uzurpimit të kauzës, se haku (e drejta dhe e vërteta) janë vetëm me dikë dhe jo me të tjerët?!
- A nuk dolëm me qëndrime që nuk janë në një vijë me bindjet e myslimanëve dhe kundër të cilave do të duhej ngritur zërin por ja që nuk ndodhi ashtu?!
Sigurisht se po. Madje, edhe më keq se kaq. Nëse analizojmë në hollësi gjendjen tonë do të gjejmë edhe shumë gjëra tjera që na bëjnë të ndihemi keq nga përfaqësimi ynë politik.
Për ta përmbyllur, personalisht e besoj për të vërtetë thënien e Erbakanit [All-llahu e mëshiroftë], por me dimensione më të gjëra se këto që na interpretohen praktikisht. Nëse menaxhimi me punët e shtetit dhe të shoqërisë nënkupton politikën, atëherë ne, nga perspektiva jonë islame, mund të japim shembullin më të mirë ngase kemi mësimet më të mira, moralin më të lartë, shëmbëlltyrat më të ndritura. Kush mund të krahasohet me Muhammedin [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] dhe mënyrën se si menaxhonte ai me punët e shtetit? “Nëse All-llahu dhe i Dërguari i Tij nuk ndajnë drejtësi, atëherë kush?!” – ishte moto e tij.
Së këndejmi, t’ia nënshtrojmë vizionet, idetë, qasjet dhe veprimet tona politike Islamit, në kuptim të etikës që duhet përvetësuar, kritereve që duhet përmbajtur, qëllimeve që duhet synuar. Kështu tek tjetri do të shihnim veten (sepse besimtarët janë si trup), tek objektivat bashkimin (sepse synojmë të njëjtat gjëra), ndërsa tek vizioni detyrën dhe rolin.