Nëse do të studionim jetët e dijetarëve të mëdhenj të ummetit, do të vërenim se prapa punës kolosale të tyre qëndron një vullnet më i madh se malet, një qëllim i kthjelltë sa loti, një gatishmëri dhe sakrificë e pashembullt. Kështu me pak fjalë ishte edhe Jahja bin Jahja El-Lejthi, dijetari që na përcolli Muvettanë e Imam Malikut.
Ishte i huaj në Medinë. Kishte ardhur nga Andaluzia të mësonte nga dijetari më i madh i kohës, Imam Maliku.
Një ditë duke qenë në xhami në ligjëratën e Imamit, erdhi lajmi se një elefant kishte ardhur në Medinë. Studentët që për elefantin kishin lexuar në Kur’an dhe që nuk kishin parë kurrë një të tillë sepse vendet e tyre nuk janë të njohura për elefantë, u ngritën dhe shkuan për ta parë elefantin. Ishte i vetmi Jahja që ngeli në klasë (xhami). Imamit i bëri përshtypje shumë kjo.
Po ti, nuk do të shkosh ta shohësh elefantin? – i drejtua Imami.
Unë kam ardhur ta shoh Malikun, jo për elefantin – iu përgjigj Jahja.
Kjo gjë e fascinoi Imam Malikun, i cili jo vetëm që e nderoi dhe i dha pozitë në mesin e nxënësve të tij porse filloi ta thërriste ‘I mençuri i Andaluzisë.’
Kështu kanë qenë të mençurit tanë.
Dituria ka qenë gjëja më e çmueshme tek ata, andaj edhe kanë lënë gjurmë të këtilla të pashlyeshme. Është Jahja ai që ka përcjellë tek ne Muvettanë e Imam Malikut. Këto gjurmë janë vepër e mirë rrjedhëse, prej të cilës përfitojnë gjerë në mbarim të kësaj bote.
Referenca: Esh-Shirazi, Ebu Is’hak Ibrahim bin Ali. (1970). Tabekat el-Fukaha. Tahkik: Ihsan Ababs. Bejrut: Dar err-rraid el-arabijj. F. 152-153.