Dr. Sedat ISLAMI
IBNU MAXHEH DHE SUNENI I TIJ
(Punim i botuar në Zani i Naltë, nr. 15, 2016)
Rezyme
Një nga dijetarët që ka zënë vend në historinë e shkencave islame është edhe Ibnu Maxheh. Kontributi i tij, megjithëse i shtrirë në disa fusha fetare, gjurmë të thella ka lënë në hadith. Ibnu Maxheh është autor i Sunenit, njërit prej gjashtë librave bazë të thënieve profetike apo haditheve siç njihen në terminologjinë përkatëse. Ky punim mëton të hedhë dritë mbi biografinë e autorit, në njërën anë, dhe përshkrimin studimor të veprës së tij, në anën tjetër. Rëndësia e tij qëndron në faktin se lexuesin shqiptar e njofton ndoshta për herë të parë në këtë format me këtë kolos dije dhe këtë vepër madhështore.
Fjalët kyçe: Ibnu Maxheh, Sunen, hadith, thënie profetike, dijetarë myslimanë.
Hyrje
Hadithi prezanton korpusin e madh të fjalëve, veprave dhe miratimeve të Profetit [sal-laA-llahu alejhi ve sel-lem]. Hadithi, si burim fetar, zë pozitë të lakmueshme në fe. Pas Kur’anit, vjen si burimi më kryesor për fenë. Madje, hadithi, si burim i fesë, është lloj tjetër i vahjit (shpalljes hyjnore). Fjalët që ka thënë Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] nuk janë fjalë të tij, janë shpallje. Këtë e ka sqaruar edhe Kur’ani. “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, 4. por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.” [En-Nexhm: 3-4] Dhe këtu qëndron pikërisht arsyeja pse hadithi ose sunnetishihet si sinonim i Kur’anit.
Në fillim hadithet janë përcjellë në formë narracionesh dhe gojëdhënashnga njëri tek tjetri për tu standardizuar më pas me rregulla dhe kritere të cilat garantojnë transmetimin e saktë të tyre. Mbi bazën e këtyre rregullave dhe kritereve hadithet janë kodifikuar në libra dhe koleksione, ndër të cilat, gjashtë janë si më kryesoret dhe më të rëndësishmet. Fjala është për Sahihët e Buhariut dhe Muslimit si dhe Sunenet e Ebu Davudit, Tirmidhiut, Nesaiut dhe IbnuMaxhes.
Duke iu referuar kësaj pozite, këto libra kanë gëzuar një tretman ndryshe nga librat dhe koleksionet tjera të hadithit. Përgjatë gjithë historisë islame (duke përfshirë dhe kohën tonë), ato kanë qenë objekt studimi tek dijetarë dhe studiues të ndryshëm. Janë shpjeguar e komentuar, janë trajtuar nga këndvështrimi të ndryshme shkencore e kritike, kanë qenë tema hulumtimi për punime magjistraturash dhe doktoratash, dhe janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.
Ky punim mëton të hedhë dritë mbi njërin prej këtyre veprave bazë, Sunenin e IbnuMaxhes. Jam fokusuar në dy pika kryesore:
1) Kam bërë një biografi të shkurtër por përmbledhëse të autorit, dhe
2) Kam trajtuar Sunenin nga aspekti deskpritiv dhe analitik. Pra, nuk kam mjaftuar vetëm me përshkrimin e tij por jam marrë edhe me kritikën pro dhe kundër që është dhënë për këtë libër.
Kam përshtypjen se punimi do të jetë në interes të lexuesve shqipfolës dhe do të ngjallë kureshtjen e tyre për tu njoftuar edhe më shumë me thesarin tonë shkencor e akademik ndërsa unë e lus All-llahun dhe i përgjërohem që të më falë për çdo gabim apo lëshim, profesional apo teknik qoftë.
1. NJOFTIM ME IBNI MAXHEN
1.1. EMRI DHE PREJARDHJA
Quhet Ebu Abdullah Muhammed bin Jezid Ibni Maxheh ElKazvini. Njihet me emrin Ibni Maxheh sipas ofiqit të babait të tij, Jezidit. Rrjedh nga Kishvini (në persisht) ose Kazvini (në arabisht).
Ka lindur në vitin 209 h. (824 g.) në Kazvin, qytet ky që sot gjendet 100 mile në pjesën veriperëndimore të Teheranit. Në veri të tij ndodhet deti që ka marrë emrin sipas tij, Deti Kazvin. Qyteti është çliruar nga sahabiu i nderuar ElBera bin Azib në kohën e Uthman bin Affanit [radijAll-llahu anhuma] në vitin 24 sipas hixhretit.
1.2. KËRKIMI I DITURISË
Ibni Maxheh ka lindur dhe është rritur në një familje të përkushtuar për dijen. Këtë më së miri e dëshmon fakti se nga familja e tij kanë dalë edhe bijë tjerë që janë dalluar për dijet fetare, si vëllezërit e tij Ebu Bekri, Ebu Abdullahu dhe Ebu Muhammedi. Sigurisht, një ambient i këtillë është një mbështetje dhe motivim i madh për kërkimin e dijes. Ka qenë prej atyre që janë zgjeruar (përkushtuar shumë) në kërkimin e dijes. Ibni Maxheh do të merr rrugë për kërkimin e dijes në Rijj (Ray, Iran), Nisabur (Nishapur, Iran), Irak, Sham, Egjipt dhe Hixhaz (më saktë Mekkë dhe Medinë). Sipas asaj që kanë llogaritur disa biografë, Ibni Maxheh ka marrë dije nga 310 dijetarë.
1.3. VEPRIMTARIA E IBNI MAXHES
Ibni Maxheh, përveç mësimdhënies, u angazhua edhe me shkrime. Shkoi disa vepra madhore, ndër të cilat edhe Suneni. Më konkretisht, shkoi tre vepra:
1) Tefsir (komentar) të Kur’anit, i cili, për fat të keq, nuk i mbijetoi kohës. Ka gjasa që të ketë qenë viktimë e shkatërrimeve të Timurlenkut në Damask, ngase dijetarë, si Dhehbiu dhe Ibni Kethtiri, thonë ta kenë patur në dorë.
2) Sunenin, për të cilin do të bëjmë fjalë pak më gjerësisht në këtë hyrje, dhe
3) Et Tarih (Historia), në të cilën vepër ka përmbledhur histori personalitetesh e vendesh që nga koha e Sahabeve [radijAll-llahu anhum] e deri në kohën e tij.
Një libër tjetër që i atribuohet Ibni Maxhes është dhe libri Tarihu-l-Hulefa (Historia e Halifëve). Libri është botuar në vitin 1979 nga Akademia e Gjuhës Arabe në Damask me verifikim shkencor të hoxhës Muhammed Mutië. Ky libër nuk është përmendur në shumicën e burimeve të biografisë së Ibni Maxhes. Hoxha Es’adTejm në librin Ilmtabekatel-muhaddithine mohon që ky libër të jetë i Ibni Maxhes. Ai akuzon kontrollorin shkencor se ia ka atribuuar librin Ibni Maxhes pasi sipas tij në këtë gjeneratë (ar. tabekah) të hadithologëve nuk ka tjetër që ka emrin Muhammed bin Jezid. Ky argument është jo i saktë. Më pas sjell dëshmi që provojnë se libri nuk është i Ibni Maxhes. Fjala është për disa transmetues, si Abbad bin Abbad, i cili ka vdekur në vitin 180 h., dhe Hejthem bin Abdijj, që ka vdekur në vitin 207 h., ndërsa Ibni Maxheh ka lindur në vitin 209 h., ose 29 vite pas vdekjes së Abbadit dhe dy vite pas vdekjes së Hejthemit. Hoxha Es’ad Tejmi mendon se autor i librit është Muhammed bin Jezidi nga Kufa, mësuesi i Buhariut.
1.4. PËR PERSONALITETIN E IBNI MAXHES
Ibni Maxheh ka gëzuar famë dhe autoritet të madh. E kanë vlerësuar dijetarë të shumtë. Ibn AbdulHadi e vlerëson si dijetar të madh e thotë: ‘Është hafidhi i madh, komentuesi i Kur’anit...’
Ibni Kethiri duke folur për personalitetin e tij nuk kursehet nga lavdet ndërsa duke iu referuar librit dhe përmbajtjes së tij thotë se ajo e dëshmon diturinë e tij dhe fetarinë e tij – mbajtjen për Sunnetin në çdo gjë. Ibni Hal-likani duke folur për të thotë: ‘Është hafidhi i njohur, ka qenë imam në hadith, njohës i shkencave të hadithit dhe gjërave që lidhen me të.’ Ibni Ethiri ndanë po kështu fjalë miradije e thotë: ‘Ka qenë i mençur, imam dhe dijetar.’ Ibn AbdulHadi e përshkruan me këto fjalë personalitetin e Ibni Maxhes: ‘Hafidhi i madh, komentuesi Ebu Abdullah Kazvini.’ Ka thënë po kështu: ‘Ka qenë Ibni Maxheh hafidh, kritik i sinqertë dhe (dijetar) me dije të gjerë.’ HafidhMizzi e përshkruan si autor të Sunenit dhe të librave tjerë të dobishëm ndërsa Dhehebiu e përshkruan si dijetar të cilit i referohet.
1.5. VDEKJA
Ibni Maxheh ka vdekur më 22 ramazan 273 h., (887 g.).ky mendim merret si më i sakte ndryshe ka mendime se ka vdekur në vitin 275 h.
2. SUNENI I IBNI MAXHES
2.1. RRETH SUNENIT TË IBNI MAXHES
Suneni është njëri ndër tre librat që ka shkruar Ibni Maxhe, falë të cilit, pas suksesit dhe bekimit prej All-llahut, të cilit ka arritur të hyjë në historinë e dijetarëve myslimanë.
Sunenet janë libra, të cilat radhitjen dhe sistemimin e haditheve e bëjnë sipas kapitujve të fikhut. Suneni i Ibni Maxhes, i cili quhet ‘Sunen ElMustafa [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]’ (apo edhe Musned por më pak njihet me këtë emër), përveç këtyre kapitujve, ka përfshirë dhe kapituj tjerë që bëjnë fjalë për Sprovat (e kohës së fundit ose ar. Elfiten), Asketizmin (ar. Ezzuhd). Po kështu, librit i ka bërë një parathënie, të cilin e ka ndarë në kapituj, ku ka folur për sunnetin, akiden (kredon, besimin), dijen dhe çështjen që akne të bëjnë me të. Disa studiues Sunenin, për shkak të kësaj përmbajtjeje, e shohin më afër xhevamiëve (Sahihut të Buhariut, Muslimit, etj) sesa Suneneve.
Në llogaritjen e Muhammed FuadAbdulBaki, Suneni i Ibni Maxhes ka 4341 hadithe.
Për herë të parë, Suneni i Ibni Maxhes ka filluar të llogaritet si njëri prej gjashtë librave të saktë të hadithit nga dijetari Ebu-l-Fadl Ibn Tahir në librin e tij Atrafelkutubes-sittedheShuruateleimmeties-sitteti dhe më pas nga Abdul Gani Makdisiu në librin e tij Elkemalfia’mali-rr-rrixhal.
Suneni tek ne është transmetuar nëpërmjet disa nxënësve të tij, si: Ebu-l-Hasen Kattani, Muhammed bin Isa ElEbherijj Ebu Bekir dhe Sulejman bin JezidElKazvini.
2.2. METODOLOGJIA E IBNI MAXHES NË SUNEN
1) Metodologjia që Ibni Maxheh ka ndjekur në Sunenin e tij dallon prej metodologjive të autorëve të pesë librave tjerë të hadithit. Ndryshe prej tyre, Ibni Maxhe nuk ka vënë kritere të forta për pranimin e haditheve. Si pasojë, libri ka shumë hadithe të dobëta, në mesin e të cilave edhe të trilluara (meuduah). Ibn ElXheuzijj numëron 34 (tridhjetekatër) hadithe të trilluara ndërsa tek Albani kjo shifër ngritët në 39 (tridhjetenëntë) hadithe.
2) Zakonisht nuk përmend dobësitë e haditheve. I sjell ato ashtu siç janë pa aluduar se janë të këtilla ose atilla. Këtë e bën fare pak.
3) Ibni Maxheh përmend shumë pak ose fare hiq thënie të sahabeve [radijAll-llahu anhum] dhe tabiinëve [rahimehumullah].
4) Nuk përsërit hadithet brenda të njëjtit kapitull. Ai, në fakt, ka ndjekur rrugën e shkurtimit sa i përket haditheve. Ka sjellë rrugët e transmetimit të haditheve në një vend dh nuk i ka përsëritur në vendin tjetër. Versionin e shkurtuar të rrugëve të transmetimit e aplikon në këtë mënyrë:
- lidhjen ndërmjet transmetuesve e bën me pjesën lidhëse ‘dhe’ dhe jo me shprehjen ‘na ka treguar’ (ar. haddethena).
- në rast se dy rrugë transmetimi takohen tek një transmetues atëherë ai bën shkurtimin e rrugës së dytë, gjegjësisht pjesë së saj deri tek transmetuesi në fjalë, për të vazhduar me pjesën tjetër ku ndryshon nga rruga ose mënyra e parë e transmetimit. Këtë e bën nëpërmjet transferimit (ar. tahvil) për çka simbolizon me shkronjën ‘h’ (ar. Ø).
- Në rast të përsëritjes së senedit (vargut të transmetuesve) ose metnit (tekstit) të hadithit, Ibni Maxheh përmend një pesë të tyre ndërsa për pjesën tjetër vetëm aludon. Pra nuk e përmend përsëritjen e plotë as të senedit dhe as të metnit.
5) Ndonjëherë ka dhënë shënime për domethëniet e fjalëve të panjohura të haditheve e ndonjëherë jo. Po kështu, në raste të caktuara, ka dhënë shpjegime edhe për vet domethënien e hadithit, e cila nuk ka qenë krejtësisht e qartë nga teksti.
6) Ka paraprirë përmendjen e hadithit të abroguar ndaj atij abrogues ka e sinjalizuar këtë fare.
7) Për shkak të mos vënies së kushteve për pranimin e hadithit, nuk i është përmbajtur (të paktën jo gjithmonë) ndonjë rregulli për të vënë së pari hadithet e sakta pastaj ato më pak të sakta. Ndodhë që brenda kapitullit të ketë vetëm një hadith dhe ai të jetë i dobët (siç do të shohim gjatë shpjegimit të Parathënies).
8) Në përpilimin e titujve të kapitujve ka ndjekur metodologjinë:
- e vënies së titujve të qartë, që nënkupton se titulli drejtpërdrejtë aludon domethënien e kapitullit dhe jo se lexuesi ka nevojë që të meditojë rreth asaj se çfarë synohet me të në kapitullin përkatës.
- Ka vënë edhe tituj jo të drejtpërdrejtë por që më pas janë përkufizuar nga hadithet që ka sjellë në kapitull.
2.3. KRITIKA PËR SUNENIN E IBNI MAXHES
Ibni Maxheh ka transmetuar prej atyre që jo vetëm që janë vlerësuar nga hadithologët si transmetues të dobët por edhe të akuzuar për gënjeshtra dhe vjedhje të haditheve. Kjo metodologji e tij ka marrë kritika negative nga dijetarët. Ibn Ethiri ka thënë: Libri i tij është i dobishëm dhe me interes të fortë në fikh por ka hadithe shumë të dobëta dhe tjera të urryera (munker). HafidhMizzi mendon se shumica e haditheve me të cilat është veçuar Ibni Maxheh nga pesë librat tjerë janë të dobëta. Shkaku i saj, siç thotë Dhehebiu, librit i është ulur vlera. Dhjetarët janë pothuaj unanim sa i përket asaj se, të paktën, ky libër është nën vlerën e pesë librave tjerë. Ndoshta kjo ka bërë që dijetarët e gjeneratave të mëhershme dhe të tanishme e kanë marrë me rezervë. Imam Neveviu nuk e ka llogaritur fare si libër të gjashtë në këtë koleksion të përmbledhjeve të sakta të haditheve, derisa të tjerë në vend të tij e kanë llogaritur Sunenin e Darimiut apo Muvettanë e Imam Malikut. Së këndejmi, thënia e Ebu Zur’as për Sunenin se kinse ka shumë pak hadithe daife (të dobëta)është marrë me rezerva (është dyshuar ta ketë thënë ai), ngase hadithet e pasakta janë afër shifrës njëmijë.
Megjithëkëtë, Suneni ka edhe aspektet pozitive.
1) Ebu Zur’ah e shihte si një ndër librat më të mirë të haditheve ose më të mirë se shumicën e librave të hadithit. Ebu-l-KasimRafiu thoshte se huffadhëtSunenin e Ibni Maxhes e krahasojnë me dy sahihët (Buhariun dhe Muslimin), sunenet e Ebu Davudit dhe Nesaiut, si dhe argumentojnë me hadithet e tij.
2) Ai ka marrë lëvdata sa i përket strukturimit dhe sistemimit perfekt të kapitujve dhe nënkapitujve. Ka emëruar kapitujt e librit me tituj që janë të shkurtër, por kuptimplotë. Suneni ka 37 libra me gjithsej 1515 kapituj. Mbase këtu mund të jetë dhe shkaku që dijetarët e kanë llogaritur si librin e gjashtë, ngase Dr. MustafaSibai thotë se për shkak të vlerave që ka në fikh, e që në këtë rast nuk mund të interpretohet ndryshe vetëm se në bazë të këtyre nënkapitujve dhe haditheve shtesë që ka sjellë në krahasim me pesë librat tjera, siç do të përmendim në pikën në vazhdim.
3) Suneni po kështu ka merita për hadithet të cilat nuk janë në pesë librat tjera, e të cilat 1339 (njëmijetreqindetridhjetenëntë) hadithe. Këto hadithe, siç përmendin disa studiues, kanë bërë që ai të jetë në listën e gjashtë librave, e jo Muvettai i Imam Malikut.
Prej këtyre haditheve:
- 428 (katërqindenjëzetetetë) janë sahiha (autentike),
- 199 (njëqindenëntëdhjetenëntë) janë hasen, dhe
- 613 (gjashtëqindetrembëdhjetë) janë daife, të urryera (munker) dhe të rreme (trilluara - meuduah).
Siç mund të vërehet, nga kalkulimi i mësipërm janë vetëm 1240 hadithe. Kjo ngase AhmedUmerHashim (autori të cilit i jemi referuar) është mbështetur tek Muhammed FuadAbdulBaki ndërsa me gjasë gabimisht i ka ikur edhe përmendja e 99 (nëntëdhjetenëntë) haditheve të cilat ky i fundit i cilëson si të urryera (munker) dhe të shpifura. Në fakt, ai i ka përmendur, si normë, por jo edhe si shifër.
Shuajb Arnauti ka bërë një kalkulim tjetër. Ai thotë se bazuar në punën e tyre shumë profesionale që kanë bërë në verifikimin e këtij libri, del se hadithet me të cilat është veçuar Ibni Maxheh prej pesë librave tjerë janë 1213 (njëmijedyqindetrembëdhjetë) hadithe, prej të cilave:
- 98 (nëntëdhjetetetë) hadithe janë me sened autentik,
- 113 (njëqindetrembëdhjetë) janë autentike për shkak të haditheve mutabiiat
- 219 (dyqindenëntëmbëdhjetë) ngritën në autentike me dëshmi,
- 58 (pesëdhjetetetë) janë me senede hasen,
- 42 (dyzetedy) janë hasen me mutabiiate,
- 65 (gjashtëdhjetepesë) janë hasen me dëshmi (shevahid),
- 6 (gjashtë) janë me mundësi të të qenit hasen,
- 7 (shtatë) i ka sjellë si merfua ndërsa ne –thotë Shejh Shuajbi- i kemi vlerësuar si autentike por si meukufeh,
- 4 (katër) janë hadithe mursel,
- 384 (treqindetetëdhjetekatër) janë të dobëta,
- 184 (njëqindetetëdhjetekatër) janë shumë të dobëta,
- 1 (një) hadith është shadh-dh
- 21 (njëzetenjë) hadithe janë munker dhe të shpifura (meuduah), dhe
- 11 (njëmbëdhjetë) hadithe që nuk iu kemi dhënë normë të prerë.
Nga kjo del se hadithet e sakta (sahihah dhe haseneh) janë afërsisht 600 (gjashtëqind) hadithe ose gati gjysma e haditheve me të cilat është veçuar Ibni Maxheh. Kjo -thotë Shejh Shuajbi- demanton thënien se shumica e haditheve me të cilat është veçuar Ibni Maxheh janë të dobëta.
4) Ka bërë përsëritjen e haditheve brenda një kapitulli për të shpjeguar dobi të senedit (vargut të transmetuesve të hadithit) dhe shtesave të teksteve të haditheve si dhe për të forcuar me dëshmi (transmetime) hadithin në senedin e të cilit ka dobësi.
5) Nuk ka përmendur fare hadithe mevkufeh dhe maktuuah (thënie të Sahabeve dhe fetva të tabiinëve).
6) Në disa hadithe, për shkak të udhëtimeve të tij të shumta për kërkimin e dijes, ka bërë një ngritje në sened, duke mos patur ndërmjet tij dhe të Dërguarit të All-llahut [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] më shumë se tre veta. Disa hadithologë i kanë mbledhur këto hadithe në një vëllim por shumica e tyre janë nga transmetues të papranuar, pra janë të dobëta. Madje në mesin e tyre ka dhe një hadith të shpifur që flet për (kinse) vlerën e Kazvinit.
2.4. KOMENTARË TË SUNENIT TË IBNI MAXHES DHE PUNIME RRETH TIJ
Suneni i Ibni Maxhes ka gëzuar dhe vazhdon të gëzojë respekt të veçantë. Ai ka qenë objekt studimi për dijetarë të shumtë. Disa janë përkujdesur për të shpjeguar domethëniet e haditheve ndërsa të tjerë kanë trajtuar aspekte të ndryshme të tij nga këndvështrimi i shkencor i hadithit. Në vazhdim do të prezantojmë disa prej këtyre punimeve:
1) Abdu-l-LatifBagdadiu ka shkruar një komentar bukur të gjerë të Sunenit. Ai është përmendur në Elerbeune et-tibbijjeh të Birzalit. Është botuar për herë të parë në Marok, e pastaj në Bejrut më 1405 h.
2) Elerbeune et-tibbijjeh të Birzalit, i cili nga libri paraprak ka nxjerrë dyzet hadithe me komentimin e tyre. Hadithet kanë të bëjnë me mjekësi.
3) Imami Alauddin Mugultaj ka shpjeguar në një vëllim një pjesë të haditheve, të cilin e ka quajtur ‘ElI’lamubi-Sunnetihi alejhisselam.’
4) SiraxhuddinUmer bin Ali bin Mulekkini ka komentuar shtesat e Sunenit në tetë vëllime, të cilat i ka titulluar ‘Ma temessuilejhiel-haxhetuala Suneni Ibni Maxheh.’
5) Muhammed bin Musa bin Isa bin Ali Ebu-l-Beka Ed Demirijj ka bërë komentimin e Sunenit në pesë vëllime por nuk e ka kompletuar. E ka titulluar ‘Ed dibaxhetufisherhi Suneni Ibni Maxheh.’
6) Busajri ka përmbledhur në një vëllim të gjitha hadithet me të cilat është veçuar Ibni Maxheh nga pesë librat tjera. Punimin e tij e ka titulluar ‘Misbahu-z-zuxhaxhetifizevaidi Ibni Maxheh.’ Është botuar në Bejrut (1402 h.) dhe në Kajro (1403 h.).
7) Ibrahim bin Muhammed bin Halil i njohur si Sibt Ibn Axhemi i ka bërë disa shënime dhe shpjegime Sunenit.
8) Muhammed bin Muhammed bin Muhammed ShemsuddinElMisrijj ka bërë një version të shkurtuar të Sunenit të cilin e ka emërtuar ‘Elgujuth eth-thexh-xhaxhehfimuhtesari Ibni Maxheh’, të cilin më pas e ka komentuar dhe e ka titulluar ‘Ed dibaxhetu li-teudihimuntehabi Ibni Maxheh.’
9) Sujuti i ka bërë disa shënime haditheve të Sunenit të cilat i ka përmbledhur dhe i ka titulluar ‘Misbahu-z-zuxhaxheh.’
10) Dijetari i madh, Sindi, ka bërë një koment, i cili njihet si Hashijetu-s-Sindi.
11) Hadithologu i njohur Dihlevi ka bërë një komentar të shkurtuar të cilin e ka quajtur ‘Inxhahul-haxheh.’
12) Fahru-l-Hasen bin AbduRrahmanElKenkuhi ka një komentar, të cilit ia ka bashkëngjitur dy komentarët Inxhahu-l-haxheh dhe Misbahu-z-zuxhaxheh.
13) Imam Dhehebiu ka bërë një libër rreth transmetuesve të Sunenit të Ibni Maxhes të cilin e ka titulluar ‘Elmuxherr-rridfirixhali Suneni Ibni Maxheh.’ Libri është botuar më 1988 në Rijad nga shtëpia botuese Err-rrajeh.
14) Muhammed AbduRreshid ka shkruar një libër rreth jetës dhe veprës së Ibni Maxhes, të cilin e ka titulluar: ‘El Imam Ibnu Maxheh ve kitabuhu Es Sunen.’ Libri është botuar nga Mektebuelmatbuuatielarabijjeti nën përkujdesjen shkencore të AbdulFettah Ebu Guddeh.
15) Muhammed bin Rexheb bin Abdu-l-AlEz-Zubejri ka bërë një komentim të cilin e ka emërtuar: ‘Ma ted’uilejhi-l-haxhehala Suneni Ibni Maxheh’.Libri është dorëshkrim. Një kopje e tij ruhet në Kajro, në Dar el-kutubel-misrijjeh me nr. 2424, ndërsa një kopje tjetër në Berlin.
16) Safa-udavviiAhmedElAdevi ka bërë një koment të cilin e ka quajtur ‘Ihdau-d-dibaxhetibisherhi Suneni Ibni Maxheh.’ Libri është botuar Dar ElJekin në Mensure të Egjiptit.
17) Komentar nga Muhammed AleviEl-Hajdarabadi. Komentari quhet Miftahu-l-haxhehsherhu Suneni Ibni Maxheh.
18) Komentar nga Sa’ududdinHarithi.
19) Jafadavi ka bërë një koment, që është botuar më 2001 në Bahrejn.
20) Muhammed AhsenNanuvtevi. Është komentim në gjuhën persiane.
21) Në gjuhën urdu është bërë një koment nga Vehiduzzman.
22) Muhammed MuntekaKeshnaviKumsvi ka një koment të quajtur ‘El-kevakibel-vehhaxhehbisherhi Suneni Ibni Maxheh.’ Libri është botuar më 1409 h., nga Dar el-kutubel-arabijjeh në Bejrut.
23) Komentim i bërë nga Ali bin Abdullah bin Ni’meteEl-EnsariEl-BelensiEl-Endelusi.
24) Koment nga Ali bin Sulejman DimneteEl-Buxhmava Magrebi. ‘Nurumisbahi-z-zuxhaxhetiala Suneni Ibni Maxheh.’ Libri është botuar në Kajro nga MatbatuEl-Vehbi, më 1294 h. Është version i shkurtuar i Sujutit.
25) Komentim nga Muhammed bin Ali bin Adem bin Musa me titull Mesharikul-envari-l-vehhaxheh vemetaliu el-esrari-l-vehhaxheh fi sherhi Suneni Ibni maxheh. Autori është bashkëkohor.
26) Nën përkujdesjen e Raid bin EbiAlefeh janë botuar në një libër dyvëllimësh komentarët e Sujutit (Misbahu-z-zuxhaxheh), Sindiut (Nihajetu-l-haxhehfisherhi Suneni Ibni Maxheh), Dihleviut (Inxhahu-l-haxheh), Busajrit (Misbahu-z-zuxhaxhetifizevaidi Ibni Maxheh), Kenkuhit (Ma jelikuminhil-li-l-lugat ve sherhi-l-mushkilat), Nu’manit (Muhtesar ma temessuilejhi-haxhetu limën jutaliu Sunen Ibni Maxheh), të cilin e ka titulluar ‘Shuruh Suneni Ibni Maxheh.’ Libri është botuar nga Bejtu-l-efkar ed-deulijjeh më 2007 në Rijad (A. Saudite) dhe Amman (Jordani).
27) Është botuar me verifikim shkencor të haditheve nga Muhammed Nasiruddin Albani.
28) Është botuar me verifikim shkencor të haditheve nga Shuajb Arnauti me një grup studiuesish.
29) Është botuar me verifikim shkencor të haditheve nga Besh-sharAvvadMa’rufi.
30) Është botuar me verifikim shkencor të haditheve nga Muhammed FuadAbdulBaki.
Sigurisht, ka dhe punime tjera të shumta. Në kohën tonë vërehen edhe punime të formatit audio dhe video, pra shpjegime në formë ligjëratash që i janë bërë Sunenit ose disa pjesëve të caktuara të tij.
Përfundim
Si përmbledhje të disa prej mësimeve më të rëndësishme të këtij punimi do të veçoja:
1) Afirmimin për pozitën e IbnuMaxhes prej dijetari të madh të hadithit,
2) Konfirmimin për pozitën e Sunenit dhe vlerat e tij si një ndër librat bazë të hadithit, dhe
3) Justifikimin si të drejtë të rangimit të Sunenit në mesin e gjashtë librave të sakta të haditheve
Ndërsa si rekomandime do t’i propozoja institucioneve tona fetaro-arsimore që në kurrikulat e tyre të përfshijnë studimin e metodologjive të autorëve dhe librave të shquara të trashëgimisë islame, të cilat paraqesin vlerat e qytetërimit tonë. Po kështu do t’i rekomandoja institucioneve përgjegjëse për veprimtarinë fetare që në programet e tyre të parashohin publikimin e këtyre veprave, duke i rishikuar ato që janë botuar për t’i botuar me shënime dhe shpjegime që lexuesit ia lehtësojnë kuptimin si dhe duke përkthyer e botuar ato që nuk janë përkthyer deri më tani.
Falënderimi në fillim e mbarim i takon vetëm All-llahut, Zotit të botëve!