Muhammed El-Haseni
SI TA LUAJMË ROLIN TONË NË NDËRTIMIN E BOTËS BASHKËKOHORE?
“Jeta ka ndryshuar, kështu që duhet të ndryshojmë edhe ne bashkë me të dhe t’ia përshtatim plotësisht rrethanave” – kjo është rezymeja e asaj që thonë (pretendojnë e thërrasin në të) predikuesit e reformizmit dhe vesternizimit të shoqërisë në kohën tonë.
Por, sa është i qëlluar ky pretendim dhe sa është e duhur kjo thirrje?
Teoria nuk kërkon përgjigje me “po” ose “jo”, kështu që, për të dhënë përgjigje me bindje dhe dije, më parë duhet studiuar atë.
Kur ne i hedhim një vështrim botës moderne, ose më konkretisht metropoleve botërore, bindemi për vërtetësinë e kësaj teorie, ngase shohim që bota ka përparuar shumë në të gjitha fushat. Gjendja jo që ka ndryshuar vetëm nga ajo që ka qenë para një ose më shumë shekujsh, por dinamika e madhe e zhvillimit ka bërë që dallimet të vërehen dukshëm edhe brenda dekadave.
Atëherë, si mund të qëndrojmë të ngurtë përpara këtij zhvillimi të dukshëm dhe të prekshëm?
Logjika, mendja, intuita dhe përvoja, që të gjitha këto përcaktojnë që të ndryshojmë qëndrim dhe të përshtatemi apo ecim e hapërojmë me këtë zhvillim të hovshëm në mënyrë që të mos e privojmë veten nga luksi dhe të mirat por edhe nga lehtësimet dhe mundësitë e shumta që sjell teknologjia dhe të cilat janë përhapur gjithandej nëpër botë. Kjo nënkupton se gjendja ekonomike dhe rrethanat materiale janë ato që i lindin idetë, prodhojnë teoritë dhe përcaktojnë kahet. Po kështu nënkupton se industria (teknologjia) është ajo që themelon qytetërimin dhe botëkuptimet, përcakton kahet dhe miraton qëllimet.
Kjo është filozofia në të cilën besuan perëndimi e lindja dhe për të cilën u pajtua shtresa intelektuale e botës, duke e shpallur madje si një të vërtetë absolute, e cila nuk pranon diskutim apo debat, madje të gjitha studime shkencore dhe lëvizjet ideore në perëndim janë ngritur mbi bazën e kësaj të “vërtete.”
Kjo teori nuk përputhet me të drejtën dhe të vërtetën në asnjë rrethanë dhe Islami e kundërshton atë fund e krye. Industria (teknologjia) në Islam nuk e përshtat jetën dhe nuk prodhon ide e teori. Janë këto të fundit ato që nënshtrojnë industrinë dhe e përshtatin si të duan. Qëllimet apo objektivat janë atë që thonë fjalën e fundit për të gjitha procedurat e jetës, pavarësisht llojit, vëllimit, fuqisë ekzekutive dhe ndikimit që mund të kenë. Vlera e industrisë në Islam është relative. Ajo pranohet për aq kohë sa i shërben interesave dhe nuk shkel në qëllime, teori e ide apo nuk i cenon ato, ndryshe, refuzohet dhe nuk pranohet. Kjo teori është shfaqur në ajetin kur’anor: “...Skllavja besimtare është më e mirë se pagania, edhe nëse kjo e fundit mund t’ju pëlqejë. Mos i martoni myslimanet me paganë, gjersa ata të bëhen besimtarë. Skllavi besimtar është më i mirë se pagani, edhe nëse ky i fundit mund t’ju pëlqejë. Ata ju thërrasin në zjarr, kurse Allahu, me mirësinë e Tij, ju thërret në Xhenet e falje (të gjynaheve)...” [El-Bekare: 221]
Me këtë merr fund përfundimisht miti i industrisë krijuese.
Akoma më qartë kjo teori kur’anore shprehet në ajetin tjetër: “Të pyesin ty për verën dhe kumarin. Thuaju: “Ato sjellin dëme të mëdha (gjynahe), por edhe dobi për njerëzit. Megjithatë, dëmi i tyre është më i madh se dobia”...” [El-Bekare: 219]
Vlerat dhe virtytet nuk ndryshojnë me ndryshim të teknologjisë dhe industrisë. Për atë që dëshiron ta ndihmojë një nevojtar, t’i del krah atij që i është bërë padrejtësi apo ta ushqejë një të varfër vetura dhe aeroplani nuk kanë ndonjë dallim, me përjashtim që me aeroplan mund ta përshpejtojë procedurën e ndihmës përkatëse. Ndërsa, nëse nuk ndihmon të tjerët dhe nuk ka ndjenja humane, atëherë vetura dhe aeroplani, e madje as raketat më të shpejta, nuk mund të zgjojnë apo ngjallin ndjenjat dhe shkaktojnë dhimbjen për të tjerët.
Ai që dëshiron të shkruajë për ndonjë temë të caktuar, motiv për këtë nuk mund të jetë lapsi dhe lloji i tij. një laps i një lloji të veçantë nuk do ta shtyjë të shkruajë për një temë të dobishme, sikur që një laps i thjeshtë nuk do ta pengojë që të shkruajë për temën përkatëse. Në konsideratë merret ideja në të cilën beson autori dhe tema që trajton, ndërsa lapsi, pavarësisht llojit e ngjyrës, pak ka rëndësi.
Ndodhë që disa njerëz të disponojnë me këto mjete por të kenë bindje e parime të ndryshme, kështu që as ato dhe as industria (teknologjia) nuk i bashkon rreth një kriteri apo parimi të caktuar. Këtë na e ka shpjeguar All-llahu kur thotë: “Ne i mbështesim të gjithë me dhuratat e Zotit tënd: edhe këta, edhe ata. Dhuratat e Zotit tënd nuk i mohohen askujt.” [El-Isra: 20]
Kjo nënkupton se këto mjete janë të lejuara dhe në dispozicion si për besimtarin, si për jobesimtarin, por ky i shfrytëzon për të mirë ndërsa tjetri për të keq. “Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?” Thuaj: “Ato janë për besimtarë (dhe të tjerët) në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të jenë vetëm për besimtarët...” [El-A’rafë: 32]
Industria (teknologjia) (teknologjia), nga format më të thjeshta deri tek ato më të sofistikuara të saj, nga industria (teknologjia) e lapsit e deri tek industria (teknologjia) e raketave dhe anijeve kozmike, nuk ka fuqinë që të themelojë një qytetërim, të ofrojë një shembull apo rekomandime. Ajo është mjet i shurdhër në dorën e atij që e bart ose përdor atë.
Pra, është njeriu ai që vendos për përdorimin e industrisë dhe jo kjo e fundit për njeriun. Së këndejmi, thënia se “jeta ka ndryshuar dhe edhe ne duhet të ndryshojmë që t’i përshtatemi trendit dhe kohës dhe të mos ngelim mbrapa” është thënie që nuk ka bazë në botën reale. Është magji e kësaj jete mburravece dhe plot fodullëk, jetë e shfrenuar dhe joshëse, të cilën Kur’ani e quan: “(...Skllavja besimtare është më e mirë se pagania) edhe nëse kjo e fundit mund t’ju pëlqejë....” [El-Bekare: 221]
Magjepsja me këtë qytetërim që e shohim në perëndim dhe i cili na shtyn ta imitojmë verbërisht, duke na bërë sehir syve se kinse këto makineri dhe kjo teknologji avancuese është ajo që e ka prodhuar këtë qytetërim ndërsa e kundërta është e vërtetë. Dynjaja nuk ndryshon nga jashtë kurrë, ajo ndryshon nga brendësia jonë së pari ndërsa më efektet e ndryshimit të thellë shpirtëror reflektojnë dhe në sfondin e jashtëm material. Thotë All-llahu i Madhëruar: “...Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete...” [Err-Rra’du: 11]
Jeta nuk ka ndryshuar që të kemi nevojë të ndryshojmë. Ne kemi nevojë vetëm të përmirësojmë botëkuptimet, idetë dhe qasjet tona, në mënyrë që këto mjete dhe këtë teknologji ta përdorim për dobi dhe interes tonin, ashtu sikur që të tjerët e (mund ta) përdorin për dobi dhe interes të tyre. Nëse armiqtë tanë e përdorin teknologjinë për të humbur dhe lajthitur të tjerët, për të shkaktuar çrregullime dhe shkatërrime në tokë, për të nxitur epshet dhe për të përhapur amoralitetin, atëherë ne ta përdorim për ndërtimin e një familje të shëndoshë, një shoqërie fisnike, një qeverie të drejtë.
Fatkeqësisht, ne në lindje interesohemi më shumë për mjetet dhe formalitetet sesa që interesohemi për shpirtin dhe esencën, për qëllimin dhe synimin, për mirësonin dhe mesazhin, dhe, për pasojë, në vend që ne të mbizotëronim me këto mjete dhe t’i shfrytëzonim siç duam ne, ato kanë filluar të na pushtojnë dhe të na diktojnë vullnetin e tyre. Shumë të rinj dhe të reja, intelektualë e mendimtarë, liderë e politologë, mendojnë se këto mjete relaksuese janë vet qytetërimi, kështu që kriteret e përcaktimit të asaj se çfarë është qytetërim e çfarë jo janë në bazë të shijeve personale. Disa qytetërim e llogarisin ngritjen e standardit jetësor: hotel i madh me shumë yje; të tjerë qytetërim llogarisin udhëtimin në Romë dhe Paris; të tretë modën dhe stilin e veshjes e llogarisin për qytetërim, edhe pse, në fakt, asnjëra nga gjërat që përmendëm nuk përfaqëson qytetërimin. Këto nuk janë tjetër veçse mjet në duart e njerëzve të qytetëruar, të cilat All-llahu i krijoi për njeriun dhe ia la në dispozicion që ta sheh se si vepron dhe si sillet ai. Thotë All-llahu: “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë;...” [El-Mulk: 2]; “Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë...” [El-Kasas: 77]
Nga kjo që shpjeguam, mund të konkludojmë se thirrja për të ndryshuar së bashku me kohën nuk është thirrje shkencore, nuk ka për bazë themel të qëndrueshëm dhe stabil, nuk është e çiltër, përkundrazi, ajo është sikur shumë gjëra tjera që i kemi eksportuar nga perëndimi pa menduar fare për to.
Nëse një markë e caktuar veture e bart një njeri në Londër apo Çikago deri tek një sallë vallëzimi apo pijetore rakie, kemi menduar me ose pavetëdije se kushdo që blen veturë të tillë duhet të shkojë patjetër atje ku shkuan anglezi apo amerikani. Nëse televizioni në perëndim emiton emisione të pahijshme, kemi menduar se kushdo që prodhon ose eksporton televizion, duhet të emitojë emisione të tilla. Sikur vetura nuk është prodhuar për tjetër veçse të të çoj në bar ose pijetore dhe televizioni nuk shërben për tjetër vetëm se për programe të pista dhe të pamoralshme. Kjo fatkeqësisht po përcjell të gjitha sferat e jetës. Ne nuk kemi eksportuar vetëm mjetet, por edhe qëllimet, programet, idetë, shpirtin dhe shijen. Kjo është fatkeqësia e madhe, kjo është katastrofa.
Kështu ka ngjarë edhe me edukimin.
Edukimi në çdo vend është mjet për udhëzimin e popullit drejt qëllimeve dhe aspiratave të caktuara, me shenja të qarta dhe imazhe të dukshme. Edukimi në vendet socialiste nuk është edukimi në vendet perëndimore (kapitaliste), madje edhe vet ndërmjet vendeve të të njëjtës qasje politike e filozofike ka dallim. Në Amerikë nuk është edukimi që është në Angli, në Kinë nuk është edukimi që është në Bashkimin Sovjetik (Rusinë e sotme), dhe kjo për shkak se secili shtet ka qëllimet, aspiratat, interesin dhe objektivat, për realizimin e të cilave përdortë gjitha instrumentet shtetërore duke përfshirë këtu edhe edukimin, sportin, artin, kinemanë, TV-në, etj. Ndërsa ne në lindje i eksportojmë këto programe edukative dhe material shkollor edukativ, duke i përkthyer shkronjë për shkronjë, pa shikuar fare nëse ato ndeshen me qëllimet tona të pastra islame, me etikën dhe moralin tonë të lartë, me interesat tona fetare. Kjo, vetvetiu, shkakton përplasje intelektuale dhe konflikt në baza fetare.
Kostoja e tërë kësaj gjendje të paqëndrueshme i faturohet perceptimit tonë të gabuar se teknologjia dhe zhvillimi material janë ato që ndryshojnë pikëpamjet e shoqërisë, që hapin horizontet e ideve, që dhurojnë teori te vlefshme.
Sado që të përvetësojmë mjete dhe shkaqe, prapë nevoja për autenticitet, studim të thelluar, zgjuarsi, vigjilencë, durim dhe gjakftohtësi për tu përballur me këtë vërshim të llahtarshëm që na vjen nga perëndimi, për të marrë atë që na duhet dhe për ta braktisur atë që nuk kemi nevojë ose dobi për të, për të përvetësuar mjetet dhe jo idetë, për të përvetësuar shkencat empirike dhe për t’i nënshtruar në dobi dhe interes të misionit tonë madhështor në të cilin kemi besuar dhe të cilin ia bartim njerëzimit, ngelet e madhe.
Kësisoj, ne do t’i ofrojmë botës moderne diç të re dhe gjithsesi të rëndësishme për sa i përket shkencës dhe kulturës, diç që është sigurisht më e mirë se idetë dhe sloganet (materialiste) bashkëkohore, diç që përmirëson kahen e njerëzimit prej fillimit në mënyrë që të ecë në rrugë të drejtë për një të gjatë, të cilën vetëm All-llahu e di!
Përtheu:
Dr. Sedat ISLAMI