FETARIA E SAHABEVE [All-llahu qoftë i kënaqur me ta]
Dr. Ihab Burhem
Sahabet [radijAll-llahu anhum] dallonin ndërmjet vete në shkallë të ndryshme sa i përket dijes dhe të kuptuarit të Kur’anit, Sunnetit dhe përpjekjes (ixhtihadit) për përfitim të normave fetare. Dallonin po kështu në shkallë, ndonjëherë me diferencë goxha të madhe, edhe sa i përket fetarisë dhe zbatimit praktik të fesë dhe ritualeve të saj. Prej tyre kishte që nuk pranonin gjërat ndryshe vetëm se si janë urdhëruar fillimisht, në kohën kur të tjerë kishte që anonin kah lehtësimet, (të tjerët) që i përmbaheshin kuptimit sipërfaqësor të teksteve dhe të tjerë që thelloheshin në shpirtin dhe përmbajtjen e teksteve. Sa për ilustrim, sahabiu i ndritur, dijetari dhe adhuruesi i përkushtuar, Abdullah bin Omeri [radijAll-llahu anhuma] ishte nga ata që shfaqnin shtrëngim në zbatimin e shumë çështjeve fetare, gjë për çka nuk kishte edhe pëlqimin e sahabeve tjerë [radijAll-llahu anhum]. P.sh.
- kur merrte abdes, pastronte sytë edhe brenda me ujë
- kur i jepte kokës mes’h, atëherë veshët i veçonte me prekje të re me ujë duke mos mjaftuar me ujin me të cilin kishte prekur kokën
- nuk hynte në banjo publike dhe nuk lejonte një gjë të tillë, e nëse hynte, pastrohej duke llogaritur se ka hyrë në vend të papastër
- kur merrte tejemmum, duarve iu mëshonte për toke dy herë, një herë për fytyrën e herën tjetër për duart dhe atë duke i pastruar deri në bërryla,
- kur puthte fëmijët e tij, atëherë e lante gojën e pastaj falej,
- kur e bënte tavafin, shtyhej me njerëz që ta puthte gurin e zi aq sa edhe këmbët i gjakoseshin,
..dhe tërë këtë nga kureshtja për ta pasuar Sunnetin dhe për të ndjekur gjurmët e Profetit [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem].
E ndryshe nga Abdullah bin Omeri ka qenë Abdullah bin Abbasi [radijAll-llahu anhum], i cili anonte kah lehtësimet dhe jepte fetva apo predikonte lehtësimet, duke e kundërshtuar kështu Ibn Omerin në çështjet në të cilat ai nuk bënte lehtësime. Më qartë, Ibni Abbasi:
- hynte në banjë publike (hammam)
- tejemmumin e kryente duke i rënë tokës vetëm një herë,
- fëmijët i afronte afër vetes, i quante me emra të bukur (borzilok i ëmbël), i puthte ndërsa nuk mendonte se kjo ndikonte në abdesin e tij
- nuk e puthte gurin e zi në mënyrë që të mos lëndohej por as të mos lëndonte të tjerët (duke u shtyrë).
Është e sigurt se ne nuk kemi dëgjuar dhe nuk kemi lexuar që ndonjëri prej tyre ta ketë përçmuar, kritikuar apo shpallur për të gabuar qëndrimin e tij. Nuk është transmetuar se Ibn Omeri [radijAll-llahu anhuma] ka nënvlerësuar Ibni Abbasin [radijAll-llahu anhuma] apo e ka përshkruar –për shkak të zbatimit të lehtësimeve- me mangësi, mungesë serioziteti dhe shpërfillje. As Ibni Abbasi nuk e përshkroi si ekstrem Ibni Omerin dhe as që i tha ndonjë prej atyre nofkave e tipareve me të cilat etiketohen ekstremistët dhe radikalistët.
Ndryshe nga koha jonë, ne nuk kemi dëgjuar që ndonjëri prej tyre [Sahabeve] ta ketë akuzuar tjetrin për nijet jo të pastër, për mungesë sinqeriteti, korrektësie, dashurie dhe vetëmohimi për fenë. Çështja është komplet jashtë tërë kësaj. Feja e Zotit kishte vend për të gjithë (kështu interpretohej) dhe përfshinte të gjitha përpjekjet e tyre që, kuptohet, përputheshin me rregullat dhe bazat e përgjithshme.
Po kështu ne nuk dëgjuar të jenë grupuar sahabet rreth ndonjërit prej sahabeve dhe ta braktisin tjetrin, apo të shfaqin fanatizëm për fetvanë, mendimin dhe opinionin (ixhtihadin) e njërit ndaj të tjerëve e lëre më të ndahen në grupe për shkak të kësaj. Ishin vëllezër të dashur ndërmjet vet që çmonin njëri tjetrin dhe justifikonin e arsyetonin.
Jo detyrimisht, siç mendojnë disa, shtrëngimi i gjërave dhe veprimi sipas normës fillestare të tyre (ose braktisja e lehtësimeve) nënkupton devotshmërinë, pastërtinë dhe sinqeritetin dhe se besimtari i tillë është ai që lavdërohet, sikur, në anën tjetër, që marrja e lehtësimeve nuk është mangësi dhe shpërfillje në raport me urdhrat e Zotit, për çka besimtari qortohet e kritikohet. Çështja është më e gjerë se këta dy parametra. Ajo që duhet ta nënvizojmë këtu si të rëndësishme është se këto përpjekje (opinione) dhe kjo fetari nuk i nënshtrohen teorisë dhe rregullit të urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja me kuptim të asaj që lehtësimet nuk janë e keqja që duhet të ndalohet dhe që besimtari duhet të detyrohet ta bëjë të kundërtën e tyre, sikur që zbatimi i fjalëpërfjalshëm i urdhrave nuk nënkupton të mirën e vetme që duhet bërë pos të cilës nuk ka tjetër dhe që, rrjedhimisht, duhet kundërshtuar çdokënd që vepron ndryshe. Sahabet [radijAll-llahu anhum] këtë e kuptonin në mënyrë të përsosur dhe e dinin se e tëra ishte brenda suazave të opinionit, diversitetit dhe -rrjedhimisht- edhe fetarisë së lejuar. Ata po kështu e dinin se kurdoherë që dilet jashtë këtyre suazave apo kornizave duhet t’i drejtohen kundërshtarit me këshillë, ndalim nga veprimi i gabuar dhe udhëzim, mu ashtu siç, si rast ilustrues, ka ndodhur në rrëfimin e Ebu Derdasë dhe Selmanin [radijAll-llahu anhuma], dy sahabeve që u vëllazëruan nga Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]. Selmani një ditë e vizitoi Ebu Derdanë dhe e pa Ummu Derdanë të veshur me disa rroba të vjetra.
Ç’është me ty, çfarë është kjo gjendje?- e pyeti Selmani.
I tha: Vëllai yt Ebu Derdaja e ka braktisur dynjanë, nuk ndien nevojë për të (nuk më afrohet).
Pastaj erdhi Ebu Dardaja dhe ia përgatiti Selmanit një ushqim dhe i tha: Ha se unë nuk ha ngase jam agjërueshëm.
Unë nuk do të ha pa ngrënë edhe ti –ia ktheu Selmani.
Ebu Derda ngrëni bukë bashkë me të.
Në mbrëmje Ebu Derda u ngrit që të falet.
Selmani tha: Fli!
U ngrit prapë, e Selmani prapë i tha: Fli!
Kur afroi fundi i natës, Selmani i tha: Çohu tash! -dhe u falën bashkë.
Pastaj Selmani i tha: Ti ke detyrim ndaj Zotit tënd, detyrim ndaj vetes dhe detyrim ndaj gruas sate, kështu që jepja të drejtën (përmbush detyrimin ndaj) secilit që meriton.
Ebu Derdaja shkoi tek Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] dhe i rrëfeu për rastin ndërsa Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] i tha: “Të vërtetën e ka thënë Selmani!” [Buhariu]
Burimi: http://www.msf-online.com/?p=5098
Përshtati në shqip: Dr. Sedat Islami