Hadithi: 1
PESË SHTYLLAT E ISLAMIT
|
Ibn Omeri [All-llahu qoftë i kënaqur me të dy] transmeton se I Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Islami është ngritur mbi pesë (shtylla): deklarata se nuk ka zot përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguar i All-llahut, falja e namazit, dhënia e Zekatit, haxhi dhe agjërimi i Ramazanit.»
|
Hadithi: 2
BESIMI QË TË FUT NË XHENNET
|
Ubade [All-llahu qoftë i kënaqur me të] transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Kush dëshmon se nuk ka zot përveç All-llahut, i Cili është i vetëm dhe nuk ka shok, se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij, se Isai është robi, i Dërguari i Tij, fjala e Tij e hedhur tek Merjemja dhe (është) shpirt prej Tij, se Xhenneti është i vërtetë dhe se Xhehennemi është i vërtetë, All-llahu do ta fus në Xhennet pavarësisht veprave që ka bërë.»
Një transmetues ka shtuar edhe këto fjalë: «(do ta fus në Xhennet) nga cila të do prej tetë dyerve të Xhennetit.»
|
Hadithi: 3
DEGËT E BESIMIT
|
Ebu Hurejre [All-llahu qoftë i kënaqur me të] transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Besimi ndahet në gjashtëdhjetë e ca degë, e edhe turpi është degë e besimit.»
|
Hadithi: 4
MËNYRAT MË TË MIRA TË MANIFESTIMIT TË ISLAMIT
|
Abdullah bin Amri transmeton se një njeri e pyeti Profetin [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të]:
Cili Islam është më i miri?
Tha: «Të ushqesh (njerëzit me) ushqim dhe të përshëndesësh atë që njeh dhe atë që nuk njeh.»
|
Hadithi: 5
ËMBËLSIA E BESIMIT
|
Enesi transmeton se i Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Kush i posedon tre gjëra, ai do ta shijojë ëmbëlsinë e besimit:
- që All-llahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur tek Ai se çdo gjë tjetër,
- që ta duaje njeriun jo për tjetër vetëm se për All-llah, dhe
që të urrejë të kthehet në femohim (pabesim) sikur që urren të hidhet në zjarr.»
|
Hadithi: 6
DASHURIA PËR PROFETIN SI IMAZH I KOMPLETIMIT TË BESIMIT
|
Enesi transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Nuk ka besuar ndonjëri prej jush përderisa të mos jam tek ai më i dashur s fëmija, prindi dhe njerëzit në përgjithësi.»
|
Hadithi: 7
DIMENSIONET E DASHURISË NDËRMJET BESIMTARËVE
|
Enesi transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Nuk ka besuar ndonjëri prej jush përderisa për vëllanë të mos dojë atë që do për vete.»
|
Hadithi: 8
MIRËSJELLJA DHE ETIKA SI PJESË TË BESIMIT
|
Ebu Hurejre [All-llahu qoftë i kënaqur me të] transmeton se i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Kush beson All-llahun dhe Ditën e Fundit, le të mos i bëjë keq fqinjit të tij! Kush beson All-llahun dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin e tij! Dhe, kush beson All-llahun dhe Ditën e Fundit, le të flet mirë ose le të heshtë!»
|
Hadithi: 9
CILËSITË E MYNAFIKUT
|
Abdullah bin Amri transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Kush i posedon katër cilësi, ai është hipokrit i thekur (kulluar) ndërsa kush ka një prej këtyre cilësive, ai (konsiderohet se) ka një cilësi të hipokrizisë derisa ta largojë atë: kur t’i lihet diç në amanet (mirëbesim), tradhton, kur të flet gënjen, kur bën marrëveshje, e thyen atë dhe kur të armiqësohet, shpërthen (nuk përmbahet).»
|
Hadithi: 10
DASHURIA PËR ENSARËT SI SHENJË E BESIMIT
|
Enesi transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Shenjë e besimit është dashuria për Ensarët ndërsa shenjë e hipokrizisë është urrejtja e Ensarëve.»
|
Hadithi: 11
TRE VEPRAT MË TË MIRA
|
Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ishte pyetur:
Cila është vepra më e mirë?
Ai kishte thënë: «Besim në All-llahun dhe të Dërguarin e Tij.»
Pastaj çfarë ?- u pyet prapë.
Tha: «Xhihadi në Rrugën e All-llahut.»
Pastaj çfarë?- u pyet.
Tha: «Haxh i pranuar.»
|
Hadithi: 12
TRE MËKATET TË MËDHA
|
Abdullah bin Mes’udi thotë ta ketë pyetur Profetin [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të]: Cili mëkat është më i madhi tek All-llahu?
Tha: «T’i bësh All-llahut shok ndërsa Ai të ka krijuar.»
Thashë: Ky vërtetë mëkat i madh, po pastaj cili?- e pyeta.
Tha: «Të mbysësh fëmijën tënd nga frika që të hajë me ty.»
Pastaj cili- e pyeta.
Tha: «Të bësh amoralitet me gruan e fqinjit tënd.»
|
Hadithi: 13
MALLKIMI DHE SHARJA E PRINDËRVE SI MËKATE TË MËDHA
|
Abdullah bin Amri transmeton se i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Prej mëkateve më të mëdha është që njeriu të mallkojë prindërit e tij.»
O i Dërguari i All-llahut, si i mallkon njeriu prindërit e tij?- e pyetën.
Tha: «Ia shanë babanë dikujt e ai ia shanë banë këtij. Po kështu ia shanë nënën dikujt.»
|
Hadithi: 14
NUK I PËRKET MYSLIMANËVE AI QË I LUFTON MYSLIMANËT
|
Abdullah bin Umeri transmeton se i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Kush bartë armë kundër nesh, nuk është prej nesh.»
|
Hadithi: 15
FEJA NDALON VAJTIMIN PËR TË VDEKURIN
|
Abdullah bin Mes’udi [All-llahu qoftë i kënaqur me të] transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Nuk është prej nesh kush godet fytyrën, shqyen rrobat dhe lutet me lutje të injorancës (vajton).»
|
Hadithi: 16
BARTËSI I FJALËVE NUK HYN NË XHENNET
|
Hudhejfe transmeton ta ketë dëgjuar Profetin [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] duke thënë: «Në Xhennet nuk do të hyjë bartësi i fjalëve.»
|
Hadithi: 17
VETËVRASJA MËKAT I MADH
|
Xhundub bin Abdullahu transmeton se i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Në popujt para jush ishte një njeri, që kishte (marrë) një plagë, të cilën nuk e duronte dot. Kështu, mori një thikë dhe këputi dorën e tij (të plagosur) me të. Gjaku nuk iu ndal derisa vdiq. All-llahu i Madhëruar tha: ‘Robi im ma parapriu me veten e tij (e përshpejtoi vdekjen), kështu që ia ndalova Xhennetin.’.»
|
Hadithi: 18
SHUMËFISHIMI I SHPËRBLIMIT PËR VEPRËN NË ISLAM
|
Ebu Hurejre [All-llahu qoftë i kënaqur me të] transmeton se i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Nëse ndonjëri prej jush e jetëson Islamin mirë në praktikën e tij, atëherë shpërblimi për çdo vepër të mirë do t’i shumëfishohet nga dhjetë e deri në shtatëqind sosh ndërsa për çdo mëkat do t’i shkruhet vetëm një mëkat.»
|
Hadithi: 19
IKJA NGA PËRGJEGJËSIA SI IKJE NGA XHENNETI
|
Ma’kil bin Jesari rrëfen se Ubejd bin Zijadi e kishte vizituar në sëmundjen, prej të cilës edhe vdiq. Ma’kili i tha: Do ta rrëfej një hadith që e kam dëgjuar nga i Dërguari i All-llahut: «Nuk do ta gjejë erën e Xhennetit robi, të cilit All-llahu ia ka ngarkuar përkujdesjen për ndonjë grup qytetarësh ndërsa ai nuk i ka këshilluar ata.»
|
Hadithi: 20
DASHURIA E PROFETIT PËR UMMETIN E TIJ
|
Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Çdo Profet ka në dispozicion një lutje. Unë, nëse do All-llahu, kam dëshirë që ta ruaj lutjen time që, në Ditën e Kiametit, të jetë ndërmjetësim për ummetin tim.»
|
Hadithi: 21
HIGJIENA PERSONALE SI NATYRSHMËRI
|
Ebu Hurejre transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Natyrshmëria është në pesë gjëra apo pesë gjëra janë pjesë e natyrshmërisë: sunetia (rrethprerja), mënjanimi i qimeve nga vendet e turpshme, ndukja e sqetullave, prerja e thonjve dhe shkurtimi i mustaqeve.»
|
Hadithi: 22
PËRKUJDESJA MATERIALE PËR FAMILJEN SI MËNYRË E FITIMIT TË SEVAPEVE
|
Ebu Mis’ud El-Ensariu transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Nëse njeriu bën një shpenzim për familjen e tij ndërsa llogarit në të (që të shpërblehet tek Zoti për të), i llogaritet lëmoshë.»
|
Hadithi: 23
MOS NËNVLERËSONI ASNJË VEPËR PËR TU RUAJTUR NGA ZJARRIT
|
Adijj bin Hatimi [All-llahu qoftë i kënaqur me të] thotë ta ketë dëgjuar të Dërguarin e All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] duke thënë: «Frikësojuni zjarrit të Xhehennemit qoftë edhe (me dhënien për bamirësi të një) gjysmë hurme.»
|
Hadithi: 24
DORA QË JEP MË E MIRË SE DORA QË MERR
|
Ibn Umeri transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] kishte thënë duke qenë në minber ndërsa kishte përmendur lëmoshën, nderin (ruajtjen nga shtrirja e dorës) dhe lypjen: «Dora e lartë është më e mirë se dora e ulët, sepse dora e lartë jep ndërsa dora e ulët është ajo që kërkon.»
|
Hadithi: 25
DITURIA SI SHENJË E DASHURISË SË ALL-LLAHUT NDAJ ROBIT, ROLI I PROFETIT DHE GRUPI I SHPËTUAR
|
Muavije thotë ta ketë dëgjuar Profetin [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] të ketë thënë: «Kujt t’ia do të mirën All-llahu, do ta bëjë ta kuptojë fenë. Unë jam vetëm ndarës ndërsa All-llahu është Ai që jep. Ky ummet do të vazhdojë ta ruajë fenë e All-llahut duke mos e dëmtuar (zmbrapsur) askush që e kundërshton derisa të vijë kiameti.»
|
Hadithi: 26
PUNA HALLALL NUK DUHET NËNVLERËSUAR
|
Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Që dikush ta ngarkojë në shpinë një bandë (pako) me dru është më mirë se t’ia shtrijë dorën dikujt, i jep apo jo.»
|
Hadithi: 27
PASURIA E VËRTETË ËSHTË PASURIA E SHPIRTIT
|
Ebu Hurejre transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Nuk është pasuri të kesh mall të shumtë; pasuri është pasuria e shpirtit.»
|
Hadithi: 28
OBLIGIMET E MYSLIMANIT NDAJ MYSLIMANIT
|
Ebu Hurejre transmeton ta ketë dëgjuar të Dërguarin e All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] duke thënë: «Obligimet e myslimanit ndaj myslimanit janë pesë: kthimi i përshëndetjes (selamit), vizita e të sëmurit, përcjellja e xhenazes, përgjigja në ftesë dhe dëshirimi (lutja për) mëshirë atij që teshtin.»
|
Hadithi: 29
SHEMBULLI NDËRMJET PROFETIT TONË DHE PROFETËVE TJERË
|
Xhabir bin Abdullah transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Shembull im dhe shembulli i Profetëve para meje është sikur (shembulli i një) njeriu që ka ndërtuar një shtëpi, të cilën e ka përfunduar dhe bërë për mrekulli, me përjashtim të një pjese të një tulle (në një qoshe të saj). Njerëzit hynin në të dhe mahniteshin (nga bukuria) e thoshin (nga keqardhja për tullën e papërfunduar ): po të mos ishte kjo pjesë e tullës (e papërfunduar, bukuria do të ishte edhe më e madhe).»
|
Hadithi: 30
TË VRAZHDIN NUK E DO ALL-LLAHU
|
Xherir bin Abdullahu transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet.»
|
Hadithi: 31
MBAJTJA E LIDHJEVE FAMILJARE ZGJAT JETËN
|
Enës bin Maliku [All-llahu qoftë i kënaqur me të] transmeton ta ketë dëgjuar të Dërguarin e All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] duke thënë: «Kë e gëzon shtimi i pasurisë apo zgjatja e jetës, le t’i mbajë lidhjet familjare!»
|
Hadithi: 32
INTERPRETIMI I KËRKUAR I SPROVËS
|
Aisheja [All-llahu qoftë i kënaqur me të], gruaja e Profetit [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të], ka thënë: Ka thënë i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të]: «Nuk ka fatkeqësi që e godet myslimanin, e që All-llahu të mos i shlyen mëkate me të, madje edhe atëherë kur të dëmtohet nga gjembi.»
|
Hadithi: 33
PADREJTËSIA DO TË KETË FUND TË KEQ
|
Abdullah bin Umeri [All-llahu qoftë i kënaqur me të dy] transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Padrejtësia do të jetë errësira në Ditën e Kiametit.»
|
Hadithi: 34
PAJTIMI NDËRMJET NJERËZVE
|
Ummu Kulthum bint Ukbe transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] duke thënë: «Nuk është gënjeshtar i që pajton njerëzit; i përcjellë fjalët e mira apo flet të mirën.»
|
Hadithi: 35
DOMETHËNIA E FORCËS DHE FUQISË SË VËRTETË
|
Ebu Hurejre [All-llahu qoftë i kënaqur me të] transmeton se i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «I fuqishmi nuk njihet me mundjen (e njerëzve); i fuqishëm është ai që përmban veten gjatë hidhërimit.»
|
Hadithi: 36
NGUSHËLLIMI PËR VDEKJEN E FËMIJËVE
|
Ebu Hurejre [All-llahu qoftë i kënaqur me të] transmeton se i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Nuk ndodhë që një myslimani t’i vdesin tre fëmijë e të hyjë në zjarre, me përjashtim të betimit të bërë (se secili njeri ka për t’iu afruar zjarrit).»
|
Hadithi: 37
DASHURIA PËR NJERËZIT E MIRË
|
Ebu Musai transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ishte pyetur: Njeriu i do disa njerëz por nuk është takuar me ta (si do të jetë puna në botën tjetër)?
Tha: «Njeriu do të jetë me ata që i do me atë që e do!»
|
Hadithi: 38 DASHURIA DHE URREJTJA PËR TU TAKUAR ME ALL-LLAHUN
|
Ubade bin Samiti transmeton se Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Kush e do takimin me All-llahun, edhe All-llahu e do takimin me të. Dhe, kush e urren takimin me All-llahun, edhe All-llahu e urren takimin me të.»
|
Hadithi: 39
LUTJA PËR DUNJA DHE AHIRET
|
Enesi transmeton e thotë: Duaja që më së shumti e thoshte Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka qenë: «O All-llahu im! Zoti ynë, na jep të mira në dynja dhe të mira në ahiret dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit.»
|
Hadithi: 40
LUTJEN NUK DUHET BRAKTISUR
|
Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Do t’i plotësohet ndonjërit prej jush lutja përderisa nuk ngutet e të thotë: ‘U luta por nuk mu pranua!’.»
|
Hadithi: 41
MËSHIRA E ALL-LLAHUT
|
Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Kur All-llahu i krijoi krijesat, në Librin e Tij, që gjendet tek Ai, mbi Arshi, shkroi: ‘Mëshira Ime ka tejkaluar hidhërimin Tim!’.»
|
Hadithi: 42
QË TË JEMI FALËNDERUES E MIRËNJOHËS
|
Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: «Nëse dikush prej jush shikon në atë që është favorizuar më shumë në pasuri dhe fizik, atëherë le të shikojë edhe në atë që është nën të (më keq se ai). »
|