Të nderuar vëllezër besimtarë,
[DUKURIA E PROSTITUCIONIT DUKURI QË VRET]
Ndër dukuritë e shumta negative që kanë ngulfatur shoqërinë tonë është edhe dukuria e prostitucionit. Është një dukuri që po paraqet probleme serioze për individin, familjen dhe shoqërinë në përgjithësi. Kjo na obligon të gjithëve që mos rrimë duarkryq karshi saj, por ta luftojmë secili nga mundësia, roli dhe funksioni që kemi. Ndryshe, ne rrezikojmë që të përfshihemi nga pasojat e saj. Është ligj i All-llahut që kur të heshtet e keqja, dëmi i saj t’i përfshijë të gjithë, edhe ata që nuk kanë bërë drejtpërdrejtë mëkatin. Thotë All-llahu:
«Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk i godet vetëm ata që bënë mizori prej jush, (por edhe të mirët), dhe ta dini se All-llahu është ndëshkues i rreptë.» [Kur’ani: El-Enfalë: 25]
Pra, nuk dënohen vetëm të këqijtë, por edhe ata që kanë heshtur karshi të keqes. I Dërguari i All-llahut, siç qëndron në hadithin e Zejnebes, kishte thënë se njerëzit do të shkatërrohen kur të përhapet e keqja, edhe nëse në mesin e tyre ka njerëz të mirë. [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.]
Format se si mund të manifestohet ky dënim hyjnor janë të ndryshme, por, si më kryesorja, që vërteton edhe faktin se rreziku përfshin tërë shoqërinë, është përhapja e sëmundjeve që nuk kanë qenë të njohura më parë, siç është HIV (Sida) sot, prej të cilës nuk rrezikohen vetëm ata që ushtrojnë prostitucionin, por e tërë shoqëria.
Pikërisht për këtë shkak, të gjithë ne nga pozita dhe perspektiva që kemi: individë, prindër, edukatorë, mësues, profesorë, hoxhallarë, policë, politikanë, duhet të japim kontributin tonë që kjo dukuri që vret të mos gjejë hapësirë në shoqërinë tonë. Si një kontribut yni konkret është edhe kjo hutbe që mbahet në të gjitha xhamitë tona për vetëdijesimin karshi rrezikut të dukurisë në fjalë.
Të dashur xhematlinj,
[POZITA E NDERIT NË FE]
Islami është një fe që nderit dhe ruajtjes së tij i ka kushtuar rëndësi të madhe. Në Kur’an, All-llahu i Madhërishëm, duke folur për tiparet e besimtarëve të sinqertë, veçon edhe tiparin e ruajtjes së nderit:
«Dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime).» [Kur’ani: El-Mu’minunë: 6]
Shkelja e nderit konsiderohet mëkat i madh. I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] duke folur për ata që shkelin nderin e vet, pra bëjnë prostitucion, ka thënë: “Nuk ndodhë që njeriu të bëjë zina (prostitucion) e që gjatë aktit të jetë besimtar...” [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.] Siç kanë shpjeguar dijetarët, ai që bën këtë akt të shëmtuar, ka iman të gjymtuar, jo të plotë.
Ky mëkat bëhet edhe më i madh kur prek edhe aspekte tjera, si p.sh. kur ushtrohet me ndonjë të afërme, fqinje, etj. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ibni Mes’udi se ai e kishte pyetur të Dërguarin e All-llahut për mëkatet më të mëdha, për çka, në një vijë me idhujtarinë dhe mbytjen e fëmijëve e kishte radhitur edhe çnderimin e fqinjit, respektivisht zinanë (amoralitetin) me gruan e tij.
Ky mëkat bëhet më i shëmtuar edhe atëherë kur të ushtrohet në formë rrjetesh e grupesh kriminale, siç është sot trafikimi me qenie të gjalla. Nderi dhe morali shiten për pak para. Dukuria bëhet akoma më shqetësuese është kur marrim vesh se ata që do të duhet ta luftojnë ndodhë që të jenë edhe vet pjesë e këtyre bandave dhe rrjeteve trafikuese. Për këtë shkak, feja, si autoritet të veçantë, ka bërë ndërgjegjen. Për ta kuptuar më mirë do t’i referohemi një thënie profetike, në të cilën qëndron se një djalosh kishte kërkuar leje nga i Dërguari i All-llahut që të ushtronte marrëdhënie të paligjshme me femra të huaja. I Dërguari i All-llahut deshi fillimisht ta edukonte, jo ta dënonte, dhe këtë duke iu drejtua kësaj pike thellë në shpirt.
A pranon që dikush ta bëjë këtë me nënën tënde?- e pyeti.
Jo –iu përgjigj.
As njerëzit nuk duan që dikush dua çnderojë nënat –ia ktheu i Dërguari i All-llahut.
Pastaj e pyeti nëse pranonte një gjë të tillë për vajzën, gruan, hallën dhe tezen e tij, dhe në të gjitha rastet përgjigja ishte negative.
Kështu, nëse nuk do që të tjerët ta çnderojnë nënën, vajzën, motrën, hallën, tezen, as ti mos ua çndero atyre ato. [Transmeton Ahmedi.]
Kjo është pyetja që duhet tua parashtrojmë trafikantëve: a dëshironi që gratë, vajzat, motrat dhe të afërmet tuaja të trafikohen? Nëse jo, atëherë mos çnderoni as nënat, bijat, motrat dhe të afërmet e të tjerëve. Përkujtoni dënimin që All-llahu iu jep para se tua jep ligji e shteti:
«Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër...» [Kur’ani: En-Nur: 19]
Të dashur vëllezër,
[SI TA LUFTOJMË KËTË DUKURI?]
Si ta luftojmë këtë dukuri?
Çfarë angazhimi mund të japim si individë?
1. Përkushtimi për familjen
Konsiderojmë se angazhimi më i rëndësishëm është që t’i përkushtohemi familjes dhe edukimit të saj. Ndonjëherë po gabojmë kur tërë angazhimin tonë për familje po e kanalizojmë vetëm për tua siguruar të mirat materiale. Familja ka nevojë për edukim më shumë se për sigurimin e bukës. Anashkalimi i edukimit të familjes paraqet një prej mëkateve të mëdha. I Dërguari i All-llahut ka treguar se njeriu që nuk përkujdeset për nderin e familjes është dejjuz, njeri që All-llahu nuk e mëshiron në botën tjetër.
Të dashur vëllezër,
Që të mos jemi dejjuzë, ne duhet të interesohemi për bijtë dhe bijat tona se:
- me kë dalin e me kë shoqërohen,
- sa kalojnë kohë pranë kompjuterit, TV-së, çfarë shkruajnë e postojnë në rrjete sociale,
- sa mësojnë, çfarë mësojnë, sa janë të rregullt në mësime...
Duhet të vëmë një kontroll brenda familjes, të mos ua shesim edukimin serialeve në të cilat tema kryesore është shkatërrimi i moralit familjar: tradhtia bashkëshortore, divorci, shtatzënitë e jashtëligjshme, etj. Të përkujtojmë urdhrin hyjnor:
«O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri...» [Kur’ani: El-Tahrim: 6]
2. Kultivimi i moralit fetar
Mbikëqyrja fetare është, fillimisht, mbikëqyrje shpirtërore. Ne e edukojmë individin që t’ia ketë frikën All-llahut, respektivisht t’i shmanget ndalesave edhe atëherë kur njerëzit nuk e shohin ose ligji nuk e kap.
3. Vetëdijesimi për pasojat e kësaj dukurie
Të vetëdijesohemi për pasojat e këtij zakoni të shëmtuar, sepse sa më shumë që të dimë për to, aq më shumë do t’i largohemi këtij zakoni. Në vazhdim do të përmendim disa prej këtyre pasojave:
- Humbja e nderit,
- Humbja e respektit në mesin e njerëzve,
- Stresi, depresioni dhe dëshpërimi që godasin laviret e lavirët,
- Shkëputja e lidhjeve familjare, pasi që të pandershmin nuk e do askush,
- Armiqësia ndërmjet familjeve e fiseve,
- Fëmijët e paligjshëm,
- Shkatërrimi i shoqërisë. Ka thënë sahabiu i nderuar Ibni Mes’udi: “Nuk ndodhë të përhapen ne mesin e një vendi kamata dhe prostitucioni e të mos lejoje Allahu shkatërrimin e tyre.” Një prej formave se si mund të ndodhë ky shkatërrim është dhe përhapja e sëmundjeve të rrezikshme, siç shpjeguam më lartë.
Për fund,
Të dashur vëllezër,
Të jemi syçelë karshi kësaj dukurie që vret. Të mos nënvlerësojmë rolin tonë në luftimin e saj. Të fillojmë me ruajtjen e vetes sonë nga çdo gjë që na çon në këtë dukuri, siç na mëson Kur’ani [Kur’ani: El-Isra: 32], si: shikimi në gjërat e ndaluara, kontaktet me femrat e huaja, etj; të kujdesemi për familjen dhe edukimi e tyre, dhe të përkujtojmë se kjo dukuri mund të na e rrezikojë besimin, të na shkatërrojë si shoqëri në këtë botë dhe të na shkaktojë dënim të madh në botën tjetër.