Të nderuar vëllezër besimtarë!
Një nga dukuritë negative që në shoqërinë tonë po shënon rritje është edhe dukuria e konsumimit të lëndëve narkotike. Është një dukuri e rrezikshme, e cila po prek shtresën më të ndjeshme të shoqërisë, të rinjtë e moshës 22-35 vjeç. Janë ndërmarrë nisma e hapa të shumtë e të ndryshëm për luftimin e kësaj dukurie por në teren nuk shihet ndonjë rezultat konkret. Tek mungesa e këtyre rezultateve ka çuar, përveç tjerash, edhe anashkalimi i elementit fetar si faktor i mundshëm në luftimin e saj. Ne, me lejen e All-llahut, në këtë hutbe, do të mundohemi të argumentojmë rolin dhe rëndësinë e fesë në luftimin e kësaj dukurie.
Të respektuar xhematlinj!
[NORMA E FESË PËR KONSUMIMIN E LËNDËVE NARKOTIKE]
Lëndët narkotike bëjnë pjesë në kuadër të gjërave që feja ia ndalon besimtarit konsumimin e tyre. Ato, përveç që hyjnë në kuadër të të këqijave të përgjithshme, me theks të veçantë bëjnë pjesë në kuadër të lëndëve dehëse, që njeriut ia humbasin vetëdijen/kujtesën, andaj janë të ndaluara. Siç qëndron në hadith autentik, Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Çdo gjë që të deh është e ndaluar (haram).” [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.]
All-llahu i Madhëruar pijet dehëse i ka klasifikuara në kuadër të veprave të ndyta të djallit me të cilat i mashtron njerëzit dhe i bën të lajthisin nga e vërteta. Thotë All-llahu:
﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّمَا الْخَمْرُ وَالْمَيْسِرُ وَالْأَنصَابُ وَالْأَزْلَامُ رِجْسٌ مِّنْ عَمَلِ الشَّيْطَانِ فَاجْتَنِبُوهُ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ﴾
“O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni!” [El-Maide: 90]
Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] duke na folur për rrezikun e madh të alkoolit thotë se njeriu që e konsumon atë gjatë kohës së konsumimit nuk është besimtar me besim të plotë (Buhariu dhe Muslimi).
Lëndët narkotike, jo vetëm që hyjnë në kuadër të pijeve alkoolike, por ato janë dhe më të rrezikshme. Dr. Vehbe Zuhajli thotë se lëndët narkotike, për shkak të shkatërrimit të vlerave morale, janë edhe më të dëmshme se sa lëndët dehëse. Ato janë të ndaluara për shkak të këtij dëmi të sigurt që shkaktohet. [El-Fikhu el-islamijj ve edil-letuhu, 7/5512)
Siç mund të shohim, pasojat e kësaj dukurie janë ato që përcaktojnë normën fetare për të. Për tu bindur edhe më shumë, do të përmendim disa prej këtyre pasojave:
1) Pasojat fizike dhe psikike:
Konsumimi i këtyre lëndëve dëmton shëndetin fizik dhe psikik të njeriut. Lëndët narkotike krijojnë varësi tek konsumuesi duke e bërë atë që të rrënohet moralisht e fizikisht. Jo rrallëherë shohim në media imazhe trishtuese të tyre. Vazhdimi me konsumimin e këtyre lëndëve çon edhe në vdekje të parakohshme.
2) Pasojat shoqërore:
Varësia e krijuar nga lëndët narkotike e bën individin që në radhë të parë të ketë raporte të këqija me familjen e tij, me prindërit, ta shkatërrojë jetën bashkëshortore, të bëhet i rrezikshëm, të vjedh e plaçkitë vetëm e vetëm që të sigurojë dozat e lëndëve të caktuara.
3) Pasojat fetare:
Përhapja e dukurive negative në shoqëri dënohet fetarisht. Përveç masave ndëshkuese që parashihen për të tillët sipas jurisprudencës islame, të tilltë në botën tjetër janë të privuar nga mirësitë e All-llahut të përgatitura në Xhennet për robërit e Tij besimtarë.
Të dashur vëllezër!
[SHKAQET E PËRHAPJES SË KËSAJ DUKURIE]
Mbrapa kësaj dukurie qëndrojnë disa shkaqe, ndër të cilat, si më kryesore ekspertë të studimeve shoqërore kanë rritur t’i identifikojnë:
1) Shoqëria e keqe
2) Shthurja e rendit familjar
3) Mospërkushtimi i prindërve për fëmijët
4) Mungesa e njohurive të mjaftueshme për pasojat e kësaj dukurie
5) Dobësimi i motivit fetar
6) Papunësia, veçmas në radhët e të rinjve
7) Pasuria, luksi dhe shfrenimi
[SI TA SHËROJMË KËTË DUKURI?]
Tek evidentimi i këtyre shkaqeve qëndron edhe sekreti i luftimit të kësaj dukurie. Nuk ka shkak të cituar sipër që feja nuk e ka trajtuar dhe, marrja në konsideratë e këshillave fetare, çrrënjosë këtë dukuri. Për të dëshmuar, do t’i referohemi tre prej këtyre shkaqeve, që si të thuash janë përmbledhëse në një ose formë tjetër edhe të shkaqeve tjera:
1) Shoqëria e keqe
Shoqëria kanë ndikim të madh në përcaktimin e rrugës që ndjek njeriu. Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] na ka mësuar se njeriu ndikohet shumë prej sjelljeve të shoqërisë aq sa ai gjykohet sipas tyre: “Njeriu vlerësohet sipas moralit të mikut të tij andaj shikoni se kë po e zini për mik.” Për këtë shkak, siç qëndron edhe në Kur’an (El-Kehf: 18:28) besimtari duhet të shoqërohet vetëm me ata që janë në rrugën e All-llahut.
2) Familja e shkatërruar
Shkaku i dytë është mos përgjegjësia e familjes. Kjo ndodhë në dy rrafshe:
- Shkatërrimi i familjes, respektivisht ndarja e prindërve, ku fëmijët më pas mbesin pa përkujdesje prindërore, këshilla e edukim, dhe
- Anashkalimi i edukimit të fëmijëve nga prindërit.
Që të dy këto gjëra feja i ka ndaluar dhe na ka urdhëruar që t’ia kemi frikën All-llahut për familjet tona, respektivisht edukimin e tyre (Kur’ani: Et-Tahrim: 66:6). Këtë përgjegjësi në shumë raste na e ka kujtuar edhe i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem].
3) Motivi fetar
Zhveshja nga edukimi fetar ka bërë që njerëzit duke mos pasur frikë All-llahun për veprimet e tyre të mos kursehen nga asnjë e keqe, veçmas tash kur sistemi shoqëror është më i korruptuar e prishur se kurrë më parë. Sikur t’i jepej hapësirë edukimit fetar, kjo dhe shumë dukuri tjera, nuk do të ishin kaq shumë të pranishme në mesin tonë. Kjo për shkak se feja na mëson se:
- nëse njerëzit nuk të shohin, të sheh All-llahu,
- nëse fsheh veprime nga njerëzit, nuk mund t’i fshehësh nga All-llahu,
- nëse i ikën dënimit nga autoritetet, nuk mund t’i ikësh dënimit të All-llahut,
- tek All-llahu do të merresh në pyetje për shëndetin tënd,
- tek All-llahu do të merresh në pyetje për pasurinë tënde,
- nëse mendon të kthehesh, pendohesh, feja të jep hapësirë...
Feja ka një instrument të edukimit që përbëhet nga inkurajimi dhe frikësimi, i cili ka një efekt magjik në edukim. Në disa prej këtyre elementeve aluduam edhe ne më lartë.
Të dashur vëllezër!
Për fund, do të doja t’i kthehemi elementit fetar prapë që të shohim historikisht ndikimin e tij. Meqë konstatuam se lëndët narkotike klasifikohen si lëndë dehëse, atëherë, do të shohim se si arriti Kur’ani të çrrënjosë dukurinë e konsumimit të alkoolit në shoqërinë e hershme islame. Ishte traditë e arabëve që ta konsumonin rakinë dhe ta ruanin në shtëpitë e tyre. Kur erdhi Islami, shpalli filozofinë e lejimit dhe të ndalimit, sipas të cilës çdo gjë e mirë lejohet dhe çdo gjë e dëmshme ndalohet. Natyrshëm, alkooli hynte në ndalesa. Megjithëkëtë, All-llahu, siç cituam edhe më lartë, ua kujtoi besimtarëve edhe pasojat dhe dëmet e alkoolit, se ai ishte vepër e djallit, se i largonte nga rruga e drejtë, se i privonte nga mirësitë e Tij, gjëra këto që ndikuan aq shumë saqë ndalimi përfundimtar u bë me një urdhër të përbërë jo më shumë se tre fjalë:
﴿فَهَلْ أَنتُم مُّنتَهُونَ﴾
“...Prandaj, a po hiqni dorë?” [El-Maide: 91]
Historia ka dëshmuar se ky ajet apo urdhër kur’anor kishte ndikuar aq shumë saqë njerëzit edhe pse kishin gotën në dorë e hidhnin atë. Fakti se All-llahu ka thënë se duhet braktisur pijet alkoolike, mjaftoi që ata ta braktisnin atë, pa pyetur nëse iu lejohej edhe një pjesë që e kishin në gotë ose pa diskutuar se a mund të përdorej në raste të caktuara.
Pra, një fjalë e All-llahut, dhe alkooli mbaroi.
Me fjalën e All-llahut dhe këshillat e të Dërguari të Tij mund të largojmë edhe shumë dukuri tjera, në këtë rast edhe lëndët narkotike.