Hakim bin Hizami si shembull për të penduarit nga mëkatet
Shpeshherë na rastis të lexojmë dhe dëgjojmë rrëfime të atyre që janë penduar, madje jo rrallë edhe drejtpërdrejtë prej tyre. Një gjë që vërehet, e që është për shqetësim dhe që rrezikon të ardhmen e tyre në fe, është mos shkëputja e tërësishme nga e kaluara dhe jo vetëm kaq. I gjen tek evokojnë kujtime nga kjo e kaluar e keqe me mallëngjim. Sikur vetëm me trup janë në Islam ndërsa me shpirt, mendje e dëshira ende janë atje, tek e kaluara e keqe.
Kjo gjë është e rrezikshme. Një i penduar duhet të ndiejë keqardhje për të kaluarën e tij. Mëkatet që i ka bërë duhet t’i mbulojë, sikur që nuk duhet të shpalos të kaluarën e tij, që të mos jetë sprovë për të dhe as për të tjerët. Sahabiu i nderuar Hakim bin Hizami [radijAll-llahu anhu] kur pranoi Islamin vendosi që çdo punë të mirë që e bëri në të kaluarën ta bënte edhe në Islam. Ishte dorëdhënës dhe nuk la kontribut që kishte bërë në të kaluarën pa e bërë edhe në Islam.
Ky është shembulli që na duhet. Hakimi jo vetëm që u shkëput nga e kaluara e keqe (pabesimi) porse deshi që edhe çdo të mirë humane që ka bërë në të kaluarën, ta bëjë edhe në Islam, që të fitojë shpërblimin. Pra, përmirësim i të kaluarës dhe investim në Islam, gjegjësisht në forcimin dhe mëkëmbjen e shpirtit dhe trupit në këtë fe.