Salih Shennat
Përdorimi i rrjeteve sociale në mënyrë të duhur dhe racionale është mirësi që nuk mund të injorohet. Mundësitë që të ofrojnë për të qenë në lidhje me njerëz, për të shkëmbyer informacione dhe për tu njoftuar rreth ngjarjeve të ndryshme janë dyer të fitimit të shpërblimeve. Megjithëkëtë, përdorimi i tyre duhet bërë në mënyrë të kontrolluar. Sot, fatkeqësisht, qoftë edhe për gjëra të lejuara e të mira, përdorimi është duke u bërë në formë të shthurur, duke bërë që të krijohet një lloj varësie ndaj tyre, veçmas ndaj whatsapp-it.
Kur lexojmë biografitë e të parëve tanë dhe raportet e tyre me Kur’anin, respektivisht leximin e tij komplet brenda tre ditëve, ndalemi dhe mundohemi të gjejmë një justifikim ngushëllues për gjendjen tonë: “Po koha e tyre ka pasur bereqet!”
Mirë, po a nuk është kjo kohë që ka qenë edhe dhe atëherë?!
A nuk i ka pasur ora gjashtëdhjetë minuta dhe minuta gjashtëdhjetë sekonda?!
Nuk e vë në dyshim për asnjë çast se koha e tyre ka pasur bereqet dhe se ky element i saj është prej gjërave me të cilat All-llahu i ndihmon robërit e Tij, vetëm se tek të parët ka një element tjetër që i bën të dallojnë prej nesh. Është lidhja e tyre me Kur’anin, dashuria e tyre për të. Ata nuk e lëshonin kurrë Kur’anin prej dore. Thuajse ai ishte i ngjitur për duarve të tyre, tamam sikur që sot telefonat tonë na janë ngjitur për dore. Vazhdimisht shikojmë në ta, në mesazhet apo letrat që na janë dërguar, duke mos ndier lodhje dhe as monotoni prej tij, duke kaluar kështu orë të tëra pa e vënë re fare...
A nuk mund të themi se e kemi hiperbolizuar paksa rolin e këtyre mjeteve dhe se jemi duke i përdorur në kurriz dhe dëm të gjërave tjera?!
Sëmuret dikush ndërsa ne e vizitojmë nëpërmjet whatsapp-it: ‘Pastrim, inshaAll-llah!’- i shkruajmë. Martohet miku ndërsa ne e urojmë nëpërmjet whatsapp-it: ‘Urime, Zoti iu bekoftë martesën dhe jetën martesore!’ Vdes ndonjë i afërm ndërsa ne ngushëllimet ia shprehim miljes nëpërmjet whatsapp-it: ‘Zoti iu dhëntë durim dhe iu shpërbleftë për humbjen e të afërmit tuaj!’
Nuk shihemi kohë të gjatë me të afërmit sepse lidhjet i mbajmë nëpërmjet whatsapp-it. Kështu, vizitat, urimet, ngushëllimet dhe mbajtja e lidhjeve familjare kryhen vetëm nëpërmjet whatsapp-it.
Mos thuaj se e kam tepruar me këto fjalë. Thjesht, pyete veten se kur e ke vizituar një të sëmurë, kur e ke vizituar një vëlla për hir të All-llahut, kur ke qenë tek halla apo tek tezja?
Mbase shumica do të përgjigjemi: Kam qenë për vizitë në Bajramin e kaluar.
Akoma më keq se kjo është se ne mbajmë lidhjet në whatsapp vetëm me ata që përdorin këtë program ndërsa me të tjerë as vizita dhe as mesazhe. Sikur whatsapp-i po na vë standarde të shoqërisë dhe miqësisë: kush ka whatsapp është miku im, kush nuk ka, nuk është miku im.
Shihni se çfarë shpërblimesh kemi humbur për shkak të whatsapp-it.
Ka thënë Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]: “Kush e viziton një të sëmurë apo ndonjë vëlla për hir të All-llahut, do ta thërret një thirrës: qofsh i lumtur dhe të qoftë e lumtur ecja! Ke bërë gati një shtëpi në Xhennet!” [Shënon Tirmidhiu ndërsa Albani e konsideron hasen.]
Në një hadith tjetër shpjegohet vlera e vizitës për hir të All-llahut. Një njeri kishte marrë rrugë të vizitoj një vëlla në fe në një vendbanim tjetër. Gjatë rrugës Zoti ia dërgon një engjëll i cili i thotë: Kah je nisur?
Dua ta vizitoj një vëlla në këtë vendbanim- iu përgjigj.
A ke ndonjë interes që pret nga kjo vizitë?- e pyeti.
Jo, përveçqë e dua për hir të All-llahut – iu përgjigj njeriu.
Atëherë engjëlli e informoi për punën e tij dhe i tha: Unë jam i dërguar prej All-llahut tek ti që të të përgëzoj se ashtu sikur që ti e do atë, All-llahu të do ty. [Shënon Muslimi]
Interneti nuk e zëvendëson qëndrimin me shoqëri, mesazhet nuk i zëvendësojnë vizitat, zemrat që i dërgon në mesazhe nuk e zëvendësojnë dashurinë dhe lulet e whatsapp-it nuk kanë aromë. Kështu shpeshto qëndrimin me njerëz të mirë, sepse ata janë sikur aroma e mirë (shembulli i shokut të mirë është sikur shembulli i miskut -hadith), vizitoji dhe përfito prej tyre (...a të të ndjek që të mësoj prej teje – ajet: el-Kehf: 66), sakrifiko për këtë shoqëri (qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje – ajet: el-Kehf: 28)..
Mos i jep whatssapp-it hapësirë më shumë se që meriton dhe mos mendo se ai zëvendëson vizitat e të sëmurëve, mbajtjen e lidhjeve familjare, vizitat e miqve dhe pjesëmarrjen në gëzimet e gostitë e tyre.
Burimi: http://www.alukah.net/sharia/0/106989/