Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
RRETH “THIRRJES” SË BASHKËSISË ISLAME TË KOSOVËS PËR TË SHKUAR NË SIRI – LEXIM NË HUTBEN E SHAMIT

Nuk është hera e parë që Bashkësia Islame e Kosovës akuzohet për kinse thirrje indirekte për të bërë xhihad në Siri. Shkas është një hutbe e para disa viteve (2012), në të cilën Bashkësia Islame e Kosovës, duke u nisur nga humanizmi, feja dhe historia (përpjekjet për liri) flet për vlerat e tokës së bekuar Shamit dhe sugjeron imamët që të mbledhin ndihma materiale për popullatën në Siri. Nisma dhe aktivitete të këtilla, Bashkësia Islame ka ndërmarrë edhe më parë dhe më pas. Si shembuj, do të veçoja cunamin në Indonezi (2004) dhe vërshimet katastrofale në Maqedoni këtë vit (2016), ku Bashkësia Islame, në xhamitë e saj, mblodhi ndihma materiale dhe ua dërgoi të prekurve nga fatkeqësitë. 

Solidariteti me të shtypurit dhe të prekurit nga fatkeqësitë është moral islam i rrënjosur në shoqërinë islame që nga dita e parë e mesazhit islam në tokë. Po kështu, është një element që bashkon njerëzit, pavarësisht bindjeve dhe besimeve të tyre. Muhammedi [Lavdërimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të!], kur evokonte kujtime nga e kaluara, një marrëveshje të njohur si Aleanca e Fudulit, në të cilën qe vendosur të përkraheshin të shtypurit, e veçonte si kujtim të bukur dhe, përkundër dhunës dhe zullumit të madh që i ishte bërë nga mekkasit në njërën anë dhe faktit se ata vazhdonin të ishin idhujtarë ende, në anën tjetër, ai shprehte gatishmërinë për të marrë pjesë prapë në forume, aleanca e thirrje të tilla. “Kam qenë i pranishëm me xhaxhallarët e mi në shtëpinë e Abdullah bin Xhed’anit kur u bë një marrëveshje, të cilën nuk do ta ndërroja (prishja) qoftë edhe për pasuritë më të mëdha!”- shprehej ai.[1]  

Madje, ai shprehte haptazi dëshirën se do të merrte pjesë edhe tani si Profet nëse do t’i bëhej një ftesë e tillë: “...Po të thirrem edhe sot për një nismë të tillë, do t’i përgjigjesha!”[2]

Kështu, parimisht, solidarizimi është akt human, të cilin e ka aprovuar fuqishëm Islami dhe, rrjedhimisht, nuk është e drejtë të akuzohet BIK-u për përkrahje të grupeve kryengritëse në Siri vetëm pse ka shprehur anën humane dhe njerëzore për popullin e shtypur dhe të dhunuar të Sirisë. Kjo anë humane ndoshta nuk do t’i vihej në pikëpyetje sikur këta njerëz të shtypur të mos ishin myslimanë. Pastaj, nëse do të duhej të hulumtohej për nxitësin e parë, konsideroj se para BIK-ut, do të duhej akuzuar shtetin e Kosovës, që, duke u thirrur në motive humane dhe në mbështetje të së drejtës universale për liri të popujve, pati ofruar mbështetje shtetërore për opozitën siriane, të cilët madje kanë vizituar Kosovën dhe janë pritur nga Enver Hoxha, atëkohë (dhe tani) ministër i jashtëm i Kosovës.

Në mënyrë që të mos manipulohet më me opinionin për këtë temë, në vijim do të merrem pak edhe me atë nëse hutbeja në fjalë paraqet provë bindëse për thirrjen e BIK-ut për të shkuar në Siri. Fillimisht, do të trajtoj aspektin fetar të saj dhe interpretimet tendencioze që i janë bërë, ndërsa më pas, do të evidentoj aspektet humane të thirrjeve që janë bërë në këtë hutbe.  

1) Toka e shenjtë e Shamit dhe mbështetja e grupeve kryengritëse

Shami është një emërtim që përfshin disa shtete, si: Sirinë, Libanin, Palestinën, Jordaninë dhe disa pjesë të Arabisë Saudite dhe Turqisë. Vlera e këtyre vendeve është vërtetuar me tekste autentike,[3] mu ashtu siç janë përshkruar në hutbe. Këto vlera janë pjesë e fesë, të cilat nuk ndryshojnë pavarësisht rrethanave. Pra, tash që në Siri ka konflikt, nuk mund t’i mohojmë këto tekste, sikur që vazhdimi me citimin e tyre nuk nënkupton mbështetje për grupet kryengritëse. Më kujtohet, para më shumë se një viti, në një takim për ekstremizmin, një nga hoxhallarët “opozitar” i qe referuar pikërisht kësaj hutbeje për ta akuzuar BIK-un për kinse nxitje të terrorizmit. Si replikë pata parashtruar këtë pyetje, e cila mendoj se arrin më së miri ta shpjegoj problematikën në fjalë. Pyetja ishte kjo: “Çka nëse ISIS do të paraqitej në Mekkë dhe Medinë, a do të nënkuptonte të folurit për vlerën e Mekkës dhe Medinës thirrje për të mbështetur ISIS-in?!”

Sigurisht se jo. Po kështu as të folurit për vlerën e Shamit nuk paraqet mbështetje për grupe të caktuara.     

2) Thirrjet “terroriste” të hutbes në fjalë

Nëse ndalemi dhe analizojmë tekstin e hutbes, do të shohim se të gjitha thirrjet janë humane dhe se në to bëhet fjalë për solidarizim e jo mobilizim. Jan dëshmi nga vet teksti:

“...2. Obligimi ynë në drejtim të myslimanëve në Siri.

S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër në Fe dhe ata i lidh lidhja më e fortë që ekziston, lidhja e besimit dhe e fesë...Pra obligim i prerë për të gjithë besimtarët është që vëllezërve besimtarë tu dilet në ndihmë sipas mundësive ekzistuese dhe kompetencave përkatëse. Por janë disa gjëra të përgjithshme për të gjithë besimtarët pavarësisht pozitës dhe gjendjes që janë në të:

1. Besimtari t’i gëzohet gëzimeve të vëllezërve të tij besimtarë dhe të mërzitet për mërzit e tyre në përgjithësi.

2. Duaja-lutja e besimtarëve njëri për tjetrin, mjet ky i cili për fat të keq është duke u nënçmuar me të madhe nga ana e një pjese të madhe të besimtarëve...Andaj është obligim i pa tjetërsuar për çdo besimtar që të lutet për vëllezërit e tij të cilët janë në vatrat e krizës dhe në gjendje të keqe siç është çështja me vëllezërit e tonë në Siri. Të bëjmë dua sa më shumë për ta. Ti shfrytëzojmë të gjitha kohët e volitshme për pranim, të lutemi për ta që Allahu ti shpëtoj ata vëllezër tanë nga ai diktator- xhelat, t’i gëzoj me liri e çlirim, e tiranin-zullumqarin ta poshtëroj duke u dhënë fitore muslimanëve.

3. Të kontribuoi materialisht në rast nevoje siç qëndron puna me vëllezërit tanë në Siri, të cilët kanë nevojë tepër të madhe dha janë të privuar edhe nga kafshata e gojës dhe gerçama e ujit, ve la havle ve la kuvete il-la bil-lah.

E sadaka është një ibadet i kërkuar në vazhdimësi nga muslimanët e sidomos në raste të veçanta kur nevoja është imediate dhe urgjente, siç është ky rast...E në këtë iniciativë humanitare, të iniciuar nga Bashkësia Islame e Republikës sonë, është obligimi ynë që t’i përgjigjemi vëllezër sa më shumë...Në fund lusim Allahun fuqiplotë që vëllezërit tonë t’i liroj sa me parë, diktatorin e tyre ta poshtëroj e ta shkatërroj, t’i kthehet qetësia e rehatia atij vendi të bekuar populli i të cilit vazhdimisht ka kontribuar për neve. Mos të harrojmë se atje kemi së paku 15 mijë shqiptarë të shpërngulur në fillimin e shekullit të kaluar nga vise të ndryshme tonat, të cilët gjetën prehje e strehë që nga atëherë dhe ku se e kësaj dite gëzojnë respektin e duhur në mesin e atij populli. Po ashtu edhe kur ne e patëm luftën e zullumin më herët nuk mungoj ndihma e tyre.”

Në fillim të tekstit bëhet thirrje për t’i dalë në ndihmë vëllezërve myslimanë, me të cilët na lidhë feja. Ndihma e nënvizuar është ndihmë sipas mundësive dhe kompetencave, ose ndihmë që është zbërthyer në pikat në vazhdim, e të cilat janë ndihma materiale, duke grumbulluar të holla për ta, dhe ndihmë shpirtërore, duke u lutur për ta.

Së këndejmi, është e pavend që thirrjet humane për tu solidarizuar materialisht dhe shpirtërisht me popullin sirian të interpretohen si thirrje për t’iu bashkuar ISIS-it.

 



[1] Transmetojnë Imam Ahmedi në Musned dhe Buhariu në Edebu-l-Mufred. Albani konsideron se hadithi është autentik. Shih: Sahihu-l-Edebi-l-Mufred, 213 dhe Sahihu-l-xhami, 3717.

[2] Shih: Ibn Hisham, Abdul Melik. (1955) Es-siretu en-nebevijjetu li-Ibni Hisham. Ed. 2. V. shkencor: Mustafa Seka dhe të tjerë. Egjipt: Mektebetu ve matbaatu Mustafa el-Babi el-Halebi ve evladuhu. 1/134. Shih edhe: Mubarekfuri, Safijurr Rrahman. (2004) Nektari i vulosur i Xhennetit. Përktheu: Muhamed Ilaz Dolaku. Prishtinë: Komiteti i Bashkuar Suadit – Ndihmë Kosovës. F. 66.

[3] Disa nga këto hadithe janë transmetuar nga Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Imam Ahmedi, Taberaniu në El-Mu’xhem el-kebir, Hakimi, Ibn Asakiri në Tarihu Dimeshk, si dhe janë vërtetuar nga Albani dhe Shuajb Arnauti.


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013