Rrëfen Muhammed Gazali [All-llahu e mëshiroftë!]:
I thashë një njeriu që kishte bërë shprehi konsumimin e alkoolit: A nuk do të pendohesh tek All-llahu?
Më shikoi me një shikim prej një njeriu të dëshpëruar ndërsa sytë iu mbushën me lot. A nuk do të lutesh për mua?!- ma ktheu.
Kjo përgjigje e tij më preku thellë në zemër. U ndala dhe mendova për një çast: Lotët e tij janë shprehje e ndjenjave të tij se sa shumë ka gabuar në raport me All-llahun dhe se sa keq ndihet që e ka kundërshtuar Atë. Po ashtu ato reflektojnë gatishmërinë e tij për tu penduar, për tu rikthyer tek All-llahu. Ai është besimtar me bindje të plotë por i sprovuar, ai kërkon shpëtimin dhe mua më kërkon të jam një ndihmës i tij në këtë drejtim.
Thashë në vete: O Zot, gjendja ime mund të jetë sikur e këtij njeriu e mbase edhe më e keqe. E vërtetë, unë nuk kam konsumuar kurrë alkool, sepse jam rritur në një ambient që nuk ka lejuar dukuri të këtilla, por ndoshta kam konsumuar alkoolin e gafletit (shkujdesjes) duke më bërë të paedukatë karshi Zotit tim dhe duke më bërë të harroj shumë nga obligimet e mia karshi Tij.
Ai qante për gjendjen e tij ndërsa unë dhe shokët e mia nuk qajmë për gjendjen tonë. Mbase jemi të mashtruar. Mos mendo se All-llahu të zgjodhi në rrugën e tij për shkak të ndonjë tipari apo ndonjë adhurimi, jo, është thjeshtë mëshirë e Tij ndaj teje, andaj edhe ka mundësi të të privojë prej saj kur të dojë këtë, kështu që bëhu i vëmendshëm, mos u mashtro me gjendjen tënde dhe as me adhurimin tënd, dhe mos shiko me përbuzje ata që kanë lajthitur sepse po të mos ishte mëshira e All-llahut, edhe ti do të ishe pjesë e skuadrës së tyre.
Mos guxo të mendosh se vendosmëria në fe është një nga të arriturat tua, jo, është mirësi nga All-llahu dhe asgjë tjetër!
(përkthim)