Akide
Islam
Tefsir
Hadith
Dave
Histori islame
Orientalizem
Kulture dhe civilizim
Avancim personal
Hutbe
Tregime
TRE MËSIME PËR FENË VËSHTRUAR NGA NDODHIA E ISRASË DHE MIRAXHIT
TRE MËSIME PËR FENË VËSHTRUAR NGA NDODHIA E ISRASË DHE MIRAXHIT – hutbe
Hyrje
Të dashur vëllezër!
Ndërkohë që muaji rexheb është muaj i shenjtë, ai përkon gjithashtu edhe me një ngjarje të rëndësishme të historisë së Islamit. Fjala është për ngjarjen apo ndodhinë e Israsë dhe Miraxhit, rëndësia e të cilës mund të matet si për nga koha kur ka ndodhur, si për nga mësimet dhe mesazhet që përçon. Israja dhe Miraxhi ndodhën duke qenë Profeti Muhammed ﷺ ende në Mekkë, respektivisht atëherë i kishte vdekur gruaja, Hatixheja, e cila ishte njeriu i parë që i kishte besuar, dhe xhaxhai, Ebu Talibi, i cili i kishte siguruar mbrojtje ani pse nuk i kishte besuar. Vdekja e tyre e goditi rëndë ndërsa All-llahu i madhëruar për t’ia bërë me dije se e ka mbrojtjen e Tij, e mori në këtë udhëtim qiellor. Ndërsa sa i përket mësimeve, ato janë të shumta dhe të ripërtërishme, pra mësime që nuk sosen kurrë.
Kjo nënkupton se ndodhia e Israsë dhe Miraxhit nuk duhet të lexohet si rrëfim fantastik ose si diçka e kaluar –histori, që nuk ka të bëjë me ne dhe kohën tonë. Përkundrazi, çdoherë dhe në çdo kohë ka diç që mund të nxirret e përfitohet nga kjo ndodhi. Ndryshe, po të mos kishte këtë rëndësi të përjetshme, All-llahu nuk do ta sillte në Kur’an dhe aq më pak nuk do ta emërtonte një kaptinë të tërë me emrin e saj.
Xhematlinj të respektuar!
Hutbeja jonë e sotme në fokus ka disa mësime që nxirren dhe përfitohen nga kjo ndodhi. Në fakt, janë tre mësime që kanë të bëjnë me esencën dhe konceptet e fesë.Për t’i kuptuar më mirë këto mësime, na duhet më parë ta rikujtojmë ngjarjen: kur ndodhi, si ndodhi, me kë u takua Profeti Muhammed ﷺ dhe çfarë iu kumtua, si u prit ky lajm në mesin e besimtarëve dhe jobesimtarëve, etj.
Përshkrimi i ndodhisë së Israsë dhe Miraxhit
Të dashur vëllezër!
Udhëtimi i Israsë dhe Miraxhit ka ndodhur në vitin e dhjetë të pejgamberisë.[1]Israja dhe Miraxhi është një udhëtim dypjesësh i kryer në të njëjtën kohë. Israja është udhëtim tokësor nga Mekka në Palestinë ndërsa Miraxhi është udhëtimi qiellor nga Palestina për tek All-llahu i Madhëruar. Thotë All-llahu:
“Qoftë lavdëruar Ai; i pastër është Ai nga të metat – i cili, në një çast të një nate, e ka bartë robin e Tij (Muhammedin) nga Tempulli i shenjtë (Mekka) në Tempullin e largët (Jerusalemi), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’ia dëftuar atij disa nga dokumentet Tona. Ai (Perëndia), me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.” [El-Isra: 1]
Resulullahu ﷺ e ka përjetuar Isra’në si udhëtim të vërtetë trupor, që ka filluar në Mesxhidul Haram në Mekë e ka mbaruar në Bejtu-l-Mukaddes. Ka udhëtuar në Burak (mjet me të cilin Muhammedi është ngjitur në qiell) me përcjelljen e Xhibrilit. Ka mbërritur në Kuddus ku është falur në xhami me Pejgamberët e tjerë e ky është bërë imam i tyre, ndërsa Burakun e ka lidhur në hallkën e derës së xhamisë. Pas namazit, doli ndërsa Xhibrili ia solli një ene me verë dhe një tjetër me qumësht. E zgjodhi qumështin, ndërsa Xhibrili i tha: E zgjodhe natyrshmërinë. Atë natë ndodh ngritja e Resulullahut nga Bejtu-l-Mukaddesi në qiellin e parë, e nën udhëheqjen e Xhibrilit i cili e shpie në katet e hapësirës së panjohur të Allahut. Aty takon Ademin...Prej aty, Resulullahu ﷺ ngritet në qiellin e dytë, ku...takon Jahjanë, të birin e Zekerijas, dhe Isanë, të birin e Merjemes...Pas kësaj, pason ngritja në qiellin e tretë ku takohet me Jusufin....Pastaj ngrihet në qiellin e katërt, ku takohet me Idrisin...Prej aty ngrihet në qiellin e pestë, ku takohet me Harunin...Pastaj ngrihet në qiellin e gjashtë, ku takohet me Musain...Pastaj kalon në qiellin e shtatë. Aty takon Ibrahimin...e prej aty në horizontin më të lartë të Allahut. Afrohet shumë afër Allahut të Madhëruar e të Lartësuar, pastaj iu afrua e u lëshua afër, aq afër sa dy harqe apo më afër. Dhe i shpalli robit të vet atë që ia shpalli. Këtu i caktohet falja prej pesëdhjetë namazesh ditore. Pastaj Resulullahu ﷺ niset të kthehet. Kur kalon pranë Musait, ky e pyet: “Çfarë të është urdhëruar?” Përgjigjet: “Pesëdhjetë namaze në ditë.” Musai i thotë: “Ummeti yt nuk mund ta zbatojë këtë. Kthehu te Zoti yt dhe lute që t’ia lehtësojë ummetit tënd.” Resulullahu kthehet derisa numri bie në pesë ndërsa shpërblimi ngelë në pesëdhjetë namaze...[2]
Mësimi i parë: ESENCA E FESË HYJNORE
1) Aspekti metafizik i fesë ose besimi në të fshehtën - gajbin
Udhëtimi i Miraxhit (nga Palestina në qiell) prezanton elementin metafizik të fesë ose besimin në gajb që është shtyllë prej shtyllave të besimit. Më konkretisht është besimi në botën tjetër – ahiret. Si element është shumë sfidues sepse duhet besuar në atë që nuk e përthekojnë shqisat tua. Që nga fillimi kur Profeti Muhammed ﷺ nisi të predikonte fenë, ky aspekt ka qenë objekt përgënjeshtrimi nga idhujtarët. Ata, siç i përshkuan Kur’ani, ishin materialistë (natyralistë), besonin në atë që ua shihte syri dhe ua prekte dora. Ndërsa sa i përket botës tjetër, e konsideronin të kotë.[3]Megjithëqë All-llahu iu solli argumente logjike për ringjalljen, ata prapë nuk besuan, përkundrazi, këtë rast e panë si një mundësi për të ngjallë dyshime në mesin e ithtarëve të Profetit Muhammed ﷺdhe rrjedhimisht për ta përgënjeshtruar atë. Shkuan tek Ebu Bekri [All-llahu qoftë i kënaqur me të!] duke menduar se po arritën t’ia largojnë shokun dhe pasuesin më besnik, do ta kenë më të lehtë ta mundin atë. Shkuan por u thyen keq sepse tek Ebu Bekrin gjetën imanin më të fortë se malet. Ai ua tha këtë fjalë: Po unë i besoj edhe për diç më të madhe se kjo,...i besoj për lajmin e qiellit që i vjen mëngjes e mbrëmje.[4] Për këtë mori ofiqin siddik – vërtetëdashësi.
Të nderuar vëllezër!
Një njeri nuk mund të jetë besimtar përderisa të mos besojë në gajb- në të fshehtën. All-llahu na ka mësuar:
“Elif, Lam, Mim. (1) Ky libër, është i padyshimtë, udhëzues për të gjithë ata që i druajnë dënimit të Perëndisë. (2) të cilët u besojnë gjërave të padukshme dhe bëjnë namaz dhe japin nga ajo që Ju kemi dhënë.” (El-Bekare: 1-3)
2) Detyrimet fetare
Në udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit u obligua namazi, për të na treguar se feja ka detyra dhe obligime. Të jesh pjesëtar i fesë nuk dëshmohet vetëm me zemër, por edhe me vepra, dhe, përzgjedhja e namazit në mesin e detyrimeve tjera, sa flet për mirësinë dhe sevapin e faljes së namazit, flet edhe për rrezikun e braktisjes së tij. Namazi është shtyllë e fesë dhe braktisja e tij nënkupton rrënimin e fesë. Së këndejmi, justifikimi i mos faljes së namazit me “zemër të mirë” është i papranueshëm. Kjo sepse me mos falje po u rrënuaka feja. Profeti Muhammed ﷺ ka thënë: “Ndërmjet njeriut dhe mosbesimit është braktisja e namazit.”[5]
Mësimi i dytë: RESPEKTIMI I PROFETËVE
Në udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit, Profeti Muhammed ﷺ doli Imam i të gjithë profetëve. Kjo, flet për besimin tonë që duhet të kemi karshi profetëve. Neve na është kërkuar që të besojmë në të gjithë profetët. Nuk lejohet dhe nuk pranohet të besohet njëri e të mohohet tjetri. All-llahu na ka treguar në Kur’an se të gjithë profetët besojnë në të gjithë profetët:
“Pejgamberi beson në atë që i është shpallur (Kur’ani) nga Zoti i tij, dhe besimtarët; - të gjithë ata besojnë Perëndinë, engjëjt e Tij, Librat e Tij dhe pejgamberëve të Tij: “Na nuk e dallojmë asnjërin nga pejgamberët e Tij”....” (El-Bekare: 285)
Besimtarët, duke përfshirë këtu Muhammedin ﷺ si prijës të tyre, besojnë në të gjithë profetët duke mos bërë dallime. Mohimi i një profeti është mohim i të gjithë profetëve dhe rrjedhimisht njeriun e nxjerr nga feja. Profetët, që të gjithë, janë të dërguar prej All-llahut, dhe si të tillë, në parimet bazë janë të unifikuar derisa në parimet tjera sekondare ndryshojnë. Këtë lidhje dhe ndarje, Profeti Muhammed ﷺ e shpjegon si lidhjen e fëmijëve që kanë një baba dhe nëna të ndryshme.[6] Nga këtu, muslimani nuk guxon t’i mendojë Isanë, Musanë, Sulejmanin, Davudin, si profetë të huaj.Kështu është dashur të veprojë edhe një i krishterë dhe një çifut: Muhammedin ﷺ të mos e shohin si të huaj, sepse kështu do ta fitonin një profet pa e humbur një tjetër. Ndryshe, nëse nuk e besojnë Profetin e fundit, ata në fakt kanë humbur të gjithë profetët.
Mësimi i tretë: HALLALLI DHE HARAMI NË ISLAM
1) Koncepti mbi të cilin lejohet dhe ndalohet
Konceptin për hallallin dhe haramin nëpërmjet kësaj ndodhie mund ta gjejmë tek momenti kur Xhibrili i ofron Profetit Muhammed ﷺ qumësht dhe verë. Profeti ﷺ zgjodhi qumështin ndërsa e refuzoi verën. Xhibrili i tha se kishte bërë të duhurën dhe se kishte zgjedhur të natyrshëm. Kjo nënkupton se ajo që ka lejuar Islami është e natyrshme derisa ajo që e ka ndaluar është e dëmshme dhe e refuzuar. Bëjeni një krahasim ndërmjet qumështit dhe verës: qumështi ruan dhe kultivon shëndetin ndërsa vera humb kujtesën dhe dëmton shëndetin. Kështu është puna me çdo të lejuar dhe ndaluar: ajo që është e mirë dhe e dobishme, lejohet, ndërsa tjera të dëmshme dhe të këqija, ndalohen. Këtë na e ka shpjeguar All-llahu në Kur’an:
“...ua lejon të mirat, e ua ndalon të këqijat...” (El-A’rafë: 157)
2) Alternativa hallall
Prej mirësive të All-llahut ndaj nesh është se nuk ka ndaluar gjë e të mos lejojë tjera nga vet lloji. Rast konkret kemi këtë në ndodhin e Israsë: qumështin dhe veren. Zoti e lejoi qumështin dhe qindra pije tjera ndërsa e ndaloi verën dhe rakinë. Për këtë shkak, nuk ka arsye për të bërë mëkat.
Përfundim
Të dashur vëllezër!
Ndodhitë dhe ngjarjet në jetën e Muhammedit ﷺ nuk janë të rastësishme. Secila prej tyre ka rëndësinë dhe mësimet e saja. Ato na shërbejnë gjatë gjithë jetës, andaj duhet bërë përpjekje që t’i shndërrojmë në udhërrëfyes dhe udhëzues, ndryshe nuk do të përfitojmë prej tyre.
[1]Në fakt, ka mendime të ndryshme për sa i përket vitit të ndodhjes. Shih: Nektari i vulosur i Xhennetit, fq. 163-164.
[2] Shih: Nektari i vulosur i Xhennetit, fq. 164-165.
[3]Shih kaptinën El-Xhathije, ajetet 24-26: “E, ata thonë: “Ekziston vetëm jeta e kësaj bote, vdesim (shumë si fëmijë) dhe jetojmë (një kohë), e vetëm koha na shkatërron”. Ata, për këtë, nuk kanë kurrfarë dijenie, ata, vetëm parafytyrojnë ashtu. (24) E, kur t’ju tregohen atyre ajetet Tona të qarta, ata nuk kanë tjetër shprehje, pos fjalës së tyre: “Ringjallni të parët tanë, nëse e thoni të vërtetën!” (25) Thuaju (atyre): “Perëndia ju ngjallë (u jep jetën), pastaj ju vdes, e mandej do t’ju tubojë në Ditën e Kiametit, në këtë nuk ka kurrfarë dyshimi, por (këtë) shumica e njerëzve nuk e dinë”.”
[4]E transmeton Hakimi ndërsa Albani e konsideron autentik.
[6] Fjala është për hadithin: “...Profetët janë sikur vëllezërit nga babai: nënat i kanë të ndryshme ndërsa babanë e përbashkët.” Albani në Sahihu-l-Xhami, nr. 1452, e konsideron autentik.