Dashuria për Allahun duhet të jetë para çdo gjëje tjetër. Askush dhe asgjë, kushdo qoftë apo çfarëdo qoftë, nuk ka përparësi ndaj Allahut. “Thuaj (o i dërguar): “Në qoftë se etërit tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se All-llahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa All-llahu të sjellë vendimin e Tij. All-llahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur.” [Et-Teube: 24]
Dashuria për Allahun është mënyrë për ta shijuar ëmbëlsinë e besimit. Dashuria për Allahun nuk është fjalë që thuhet por vepër që shihet e reflekton. Ta duash Allahun d.t.th. ta duash fenë e Tij, të Dërguarin e Tij, besimtarët e Tij. “Thuaj: Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu të ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” [Ali Imran: 31]; “O ju që besuat! Kush largohet prej nga feja e vet (i bën dëm vetes) s’ka dyshim se All-llahu do të sjellë një popull që Ai e do atë (popull) dhe ata e duan Atë (Zotin), (një popull) që është modest e i butë ndaj besimtarëve,...” [El-Maide: 54] Dashuria për Allahun nuk mund të realizohet në qoftë se nuk i ngel besnik fjalës dhe urdhrave të Tij. ‘Nuk është shenjë e dashurisë që të duash atë që i Dashuri urren.’ Jahja bin Muadhi ka thënë: ‘Nuk është korrekt ai që pretendon dashurinë e Allahut ndërsa nuk respekton kufijtë e Tij!’
Dashuria për Allahun nënkupton që të sakrifikosh për Të, ta adhurosh. Malik bin Dinari ka thënë: ‘Zemra që e do Allahun dëshiron të qëndrojë (në adhurim) për Allahun.’ Dashuria për Allahun nënkupton që tërë atë që bën, ta bësh për ta fituar dashurinë e Tij. “Dashuria Ime pashmangshëm është për ata që duhen për hir Timin, vizitohen për hir Timin, shpenzojnë për hir Timin, mbajnë lidhjet me njëri tjetrin për hir Timin.”
Dashuria për Allahun nënkupton të pranosh tërë atë që të vjen prej Tij. Është shenjë e dashurisë së Allahut që ku ta do dikë, ta sprovojë. Fudajl bin Ijjadi ka thënë: ‘Kur Allahu ta dojë robin, ia shton brengat, e kur ta urrejë, ia zgjeron dynjanë.’
Dashuria për Allahun nënkupton që të mjaftosh me të dhe të mos i përgjërohesh askujt. Dhu-n-Nuni ka thënë: ‘Thuaji atij që e shfaq dashurinë për Allahun: ‘mos e përul veten para askujt tjetër pos Tij!’, sepse prej shenjave të atij që e do Allahun është që të mos shfaq nevojë për askënd tjetër pos Allahut.’
Dashuria e kulluar për Allahun është shkak edhe për përfitimin e dashurisë së të gjitha krijesave. “Kur Allahu ta dojë ndonjë rob, e thërret Xhibrilin dhe i thotë: Unë e dua filanin, andaj duaje edhe ti! Xhibrili e do. Pastaj Xhibrili i thërret banorët e qiellit dhe iu thotë: Allahu e do filanin, andaj duajeni edhe ju! Edhe ata e duan. Pastaj, gjen pranim (dashuri e respekt) edhe tek banorët e tokës.”
Dashuria për Allahun është shkak për përfitim të mbrojtjes dhe sigurisë së Allahut. “Kush ma shqetëson një të dashur, do t’i shpall luftë!...”- ka thënë Allahu.
Porosia: ‘Nuk është çudi dashuria ime për Ty ndërsa unë jam rob i varfër e kam nevojë për Ty: çudi është me dashurinë Tënde, Zoti im, ndërsa Ti je Sunduesi Fuqiplotë!’