Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
DEVOTSHMËRIA

 

Devotshmëria është urdhër i Allahut drejtuar besimtarëve: “O ju që besuat, kini frikë All-llahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!” [Ali Imran: 102]

Devotshmëria është pajisja më e mirë e rrugëtimit për në ahiret dhe gjëja më e mirë që ruajmë e deponojmë për veten tonë. Allahu ka thënë: “...Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes keni dronë Time.” [El-Bekare: 197]; “O ju që besuat, frikësojuni All-llahut dhe le të shikojë çdonjëri se çka ka bërë për nesër. Dhe frikësojuni All-llahut! S’ka dyshim se All-llahu është i Njoftuar për atë që punoni!” [El-Hashr: 18]

Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Ke frikë Allahun kudo që të jesh!...”[1]

Por, çfarë në të vërtetë nënkupton devotshmëria? Si manifestohet ajo? Cila është esenca e saj?

Devotshmëria nënkupton të përfillësh fjalën e Zotit duke çuar në vend urdhrat dhe duke iu shmangur ndalesave.  Takvaja ose devotshmëria është lëvizje, veprim.  Aliu ka thënë: “Devotshmëria është të kesh frikë prej Allahut, të veprosh sipas Kur’anit, të kënaqesh me pak dhe të përgatitësh për udhëtimin në Ahiret.”[2]  Takvaja nuk është formalitet, që shprehet në mënyrë verbale dhe demonstrohet në mënyrë skenike. Takvaja, siç do të shprehej Talk bin Habibi, është ‘ta adhurosh Allahun, me dritë (udhëzim) prej Tij dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij, si dhe të braktisësh mëkatet për hir të Allahut, me dritë (udhëzim) prej Tij dhe duke u frikësuar nga ndëshkimi i Tij.’[3] Dijetarët kanë thënë: “Nuk është i frikësuar (devotshëm) ai që qanë e fshin lotët; i frikësuar është ai që braktisë atë që ka frikë se mund t’ia sjell dënimin.[4]

Devotshmëria është frikë, por jo e atillë që të bën të ikësh prej Allahut. Është frikë që të nxit të ikësh tek Allahu. Ebu-l-Kasim el-Hakimi ka thënë: “Kush ka frikë prej diç, ikën prej saj, ndërsa kush ka frikë Allahun, ikën tek Ai. [5] Është frikë e cila nënkupton vendosjen e një barriere ndërmjet teje dhe mëkatit, asaj që e hidhëron Allahun. Ibn Rexhebi ka thënë: “Devotshmëria në esencë nënkupton vendosjen e një barriere ndërmjet njeriut dhe asaj që ka frikë, e cila e ruan prej kësaj të fundit. Më konkretisht, devotshmëria e robit për Allahun nënkupton që adhurimet dhe shmangien/largimin nga mëkatet t’i vendosë si masë mbrojtëse ndërmjet tij dhe hidhërimit, zemërimit dhe ndëshkimit të Allahut.”[6]

Devotshmëria është imazh i pjekurisë, në përgjithësi, dhe i pjekurisë fetare dhe avancimit të madh në besim, në veçanti. Ebu Bekri ka thënë: “Mençuria më e madhe është devotshmëria, besnikëria (korrektësia, vërtetësia) më e madhe është amaneti (çuarja e tij në vend) dhe fjala më e rreme është tradhtia.[7]  Hasan Basriu ka thënë: “Devotshmëria vazhdon të edukojë besimtarin derisa ta bëjë t’i braktisë edhe shumë të lejuara nga frika e rënies në të ndaluarat.[8]

Devotshmëria nënkupton të nxitosh me vepra të mira, të përshpejtosh punët e mira, të mos zvarritësh asgjë nga punët e mira. Aliu [Allahu qoftë i kënaqur me të!] ka thënë: “O robërit e Allahut, kini frikë Allahun dhe përshpejtojani vdekjes me punët të mira, ngase ju nuk u krijuat së koti dhe nuk iu pa përgjegjësi që të bëni çfarë të doni.[9]

Devotshmëria është porosia e përcjellë gjeneratë pas gjenerate. Allahu ka thënë: “...Ne patëm sugjeruar atyre që iu pat dhënë libri para jush, e edhe juve që të keni frikë nga All-llahu....” [En-Nisa: 131]

Devotshmëria nënkupton të gjesh ngushëllim tek Allahu për gjërat që të ndodhin në jetë. Aliu ka thënë:

Pasha ty, njeriu nuk ka vlerë vetëm se me fenë e tij - andaj mos e braktis atë e të mbështetesh në familje e brezni,

Islami e ngriti Selmanin, persian, dhe e bëri krenar - ndërsa shirku e poshtëroi Ebu Lehebin, arab me nam[10]   

Ibn el-Kajjim ka thënë: “Nëse njerëzit ia dalin mbanë me dynjanë, ti fitoje Allahun, nëse at gëzohen me dynjanë, ti gëzohu me Allahun, nëse ata largojnë vetminë me shoqëri, ti largoje me Allahun.”[11]

Devotshmëria nënkupton të kesh në fokus Allahun çdoherë dhe për çdo gjë. Njerëzit shpeshherë janë të pavëmendshëm karshi kësaj të vërtete të hidhur. Ata, siç do të thoshte Ahmed Sheuki, ‘ruhen nga njëri tjetri në gjëra të imëta ndërsa nuk ruhen nga Allahu në mëkate të mëdha.’ Devotshmëria është kriter i vlerësimit të fetarisë së vërtetë të besimtarit. Imam Shafiu ka thënë: “Nëse e shihni njeriun duke ecur mbi ujë apo duke fluturuar në qiell mos i besoni dhe mos u mashtroni me të derisa punën e tij t’ia ekspozoni Kur’anit dhe Sunnetit (se a përputhet me to apo jo)!”[12]   

Mungesa e devotshmërisë nënkupton prishje të raporteve me Allahun. Dijetarët kanë numëruar disa pasoja që e godasin njeriun që lëshon rrugën e Allahut, ndër të cilat edhe privimin nga adhurimet. Në fakt, ky është dënimi më i madh në sytë e një besimtari. Pra, imazh i ndëshkimit të njeriut nga Allahu në këtë botë është edhe privimi nga adhurimet, gjegjësisht devotshmëria. Të parët tanë e kishin shprehi ta ngushëllonin tre ditë atë që nuk mund ta arrinte tekbirin fillestar me Imam ndërsa shtatë ditë atë që i kalonte tërësisht namazi me xhemat. Për pasojë, mungesa e devotshmërisë, zbulon njeriun dhe qëllimet e tij. Sa bukur ka thënë Imami Ibn el-Kajjim: “I lartësuar nga të metat është Allahu! Jashtë zbukurohesh me petkun e devotshmërisë ndërsa brendësia të kundërmon nga vera e epshit. Sa herë që e parfumos rrobën, të ndihet edhe era e verës prej brenda.”[13]

Devotshmëria reflekton në jetën shpirtërore dhe fizike të besimtarit. Abdullah bin Abbasi ka thënë: “Vepra e mirë shkëlqen në fytyrë, ndriçon zemrën, shton pasurinë, forcon trupin dhe përfiton dashurinë e njerëzve...Ndërsa mëkati errëson zemrën, nxin fytyrën, shkakton lodhje e plogështi, pakëson pasurinë dhe shkakton urrejtjen në zemrat e njerëzve.”[14] Ibn Tejmije ka thënë: “Nëse e zbukuron shpirtin, Allahu t’i zbukuron veprat.[15] Ibn el-Kajjim ka thënë: “Zemra sëmuret siç sëmuret trupi ndërsa shërimin e ka në pendim. Zemra ndryshket, siç ndryshken metalet, ndërsa pastrimin dhe shkëlqimin e ka me dhikr. Zemra zhvishet, siç zhvishet trupi, ndërsa stoli e ka devotshmërinë.”[16]  

Devotshmëria nuk është rrëfim fantastik apo imagjinar që nuk mund të jetësohet kurrë në praktikë. Ebu Hazimi ka thënë: “Kam takuar njerëz që, sa i përket adhurimit, ishin në atë nivel që më nuk pranon shtim.”[17]

Porosia: Ibn el-Mu’temir ka recituar:

Braktisi mëkatet, të voglat e të mëdhatë - Sepse kjo është devotshmëria

Bëhu në raport me to sikur udhëtari - që në tokën me gjemba kujdeset ku e vë këmbën[18]

 

 



[1] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e ka saktësuar në Sahihu-t-Tirmidhi, nr. 1618.

[2] Subul el-huda ve-rr-rreshad, /421.

[3] Sijeru A’lami-n-Nubela, 4/601.

[4] Err-rrisaletu el-kushejrijjetu, 1/253.

[5] Err-rrisaletu el-kushejrijjetu, 1/253.

[6] Xhamiu-l-ulum ve-l-hikem, 1/400.

[7] Bejhakiu, Es-Sunen el-Kubra, 6/574.

[8] Xhamiu-l-ulum ve-l-hikem, 1/209.

[9] Miftahu-l-efkar li-t-tehhubi li Dari-l-Karar, 1/228.

[10] Divanu Ali ibn Ebi Talib, fq. 15.

[11] El-fevaid, fq. 118.

[12] Keshfu ma elkahu iblis min el-behrexhi vet-telbis ala kalbi Davud bin Xherxhis, fq. 116.

[13] El-fevaid, fq. 92.

[14] Reudat el-muhibbine, fq. 441.

[15] Mexhmuu-l-fetava, 3/277.

[16] El-fevaid, fq. 98.

[17] Faslu-l-hitab fi-z-zuhdi ve-rr-rrekaik ve-l-adab, 7/99; 8/287; 9/399.

[18] Faslu-l-hitab fi-z-zuhdi ve-rr-rrekaik ve-l-adab, 5/8.


VIDEOS / YOUTUBE
Kthimi i te keqes me te mire vlere Dallimi ndermjet besimtarit dhe hipokritit ne keshillim Ruaje dhe duaje vellain tend Ajeti prezantues i Kuranit
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013