Akide
Islam
Tefsir
Hadith
Dave
Histori islame
Orientalizem
Kulture dhe civilizim
Avancim personal
Hutbe
Tregime
SHPRESA NË KOHËN E NDRYSHIMEVE SHOQËRORE
SHPRESA NË KOHËN E NDRYSHIMEVE SHOQËRORE
Dr. Sedat ISLAMI
Hyrje
Në kohën e globalizmit shoqëritë kanë filluar të tjetërsohen. Ajo që dikur është parë si vlerë, virtyt dhe tipar, sot ose është zbehur është nuk ekziston fare. Mungesa e tyre vërehet në çdo shoqëri por më së shumti në ato konservative ose fetare siç kemi qenë ne. Megjithëkëtë, më shqetësuese se këto ndryshime ngel forma se si po trajtohen ato. Përhapja e frikës, pesimizmit, dëshpërimit, se nuk do të bëhet mirë, se çdo ditë e më shumë puna po vjen edhe më keq, se çdo herë e më shumë po i afrohemi kiametit e gjërat e këqija vetëm sa do të përshkallëzojnë, nuk janë tjetër vetëm se reklamë i bëhet të keqes, dhe jo vetëm. Ato janë nyja që ka shkaktuar ngecjen e zgjidhjes së këtyre problemeve. Angazhimi vetëm në përshkrimin e kësaj gjendje nuk është tjetër vetëm se humbje e shpresës për ndryshimin e saj.[1]
Këto ndryshime nuk janë fundi i botës. Ato janë vetëm njëra anë e monedhës. Ana tjetër, që është plot shpresë për ndryshim të kësaj gjendje, nuk po shprehet. Me lejen e Alalhut, sot, në këtë hutbe, do tua paraqesim këtë anën tjetër, e cila është motivuese dhe na prëfrocon shumë para sfidave dhe ndryshimeve të këtilla.
1.
Thyerja shpirtërore nuk është tipar i besimtarëve
Humbja e shpresës për ndryshim të mirë, për rikthim tek vlerat, për përmirësimin e shoqërisë, nuk është tipar i besimtarëve. Pavarësisht këtyre ndryshimeve shoqërore dhe dhimbjes që ndiejmë, nuk duhet të na mungojë forca që të merremi me këtë gjendje, të punojmë për ta ndryshuar, të shpresojmë se herët a vonë do të përmirësohet kjo shoqëri. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Aisheja [Allahu qoftë i kënaqur me të!] e cila e kishte pyetur të Dërguarin e Allahut [Paqja qoftë mbi të!] nëse kishte përjetuar ndonjë ditë më të rëndë se ajo e Betejës së Uhudit. I Dërguari i Allahut [Paqja qoftë mbi të!] i rrëfeu për ditën kur kishte kërkuar mbrojtjen Ibn Abd Jalil bin Abd Kulal ndërsa e pati refuzuar. Allahu ia kishte dërguar një engjëll të kodrave që, nëse Muhammedi [Paqja qoftë mbi të!] kërkonte, tua hidhte sipër kodrat, pra t’i mbyste. Përgjigja e Muhammedit [Paqja qoftë mbi të!] ishte jo vetëm përgjigje, por edhe mësim. Ai tha:
«Jo, kam shpresë që nga pasardhësit e tyre Allahu të sjell të atillë që e adhurojnë vetëm Atë dhe nuk i përshkruajnë shok në asgjë.»
Pra, pavarësisht që e refuzuan, madje në formë të vrazhdë, e përzunë dhe lënduan fizikisht, i Dërguari i Allahut [Paqja qoftë mbi të!] nuk humbi shpresën se një ditë pasardhësit e tyre do të bëhen myslimanë të devotshëm.
Ky është mësimi që na duhet në këtë kohë, ndryshe, nëse ne në raport me këtë gjendje mjaftojmë vetëm duke krekosur se ‘janë prishur njerëzit, kanë devijuar, e kanë lëshuar udhën e Zotit’, atëherë ne nuk kemi bërë gjë, përkundrazi rrezikojmë që të klasifikohemi në mesin e të këqijve. Më qartë, nëse ne vazhdojmë t’i akuzojmë njerëzit se kanë devijuar ndërsa nuk veprojmë asgjë për t’i përmirësuar, atëherë mund të kalojmë në një gjendje, jo vetëm individualiste, por edhe shfajësuese për veten tonë, kinse ne jemi të mirë, të devotshëm, ndërsa të tjerët janë të këqij, atëherë ne rrezikojmë të bëhemi më të shkatërruarit, më të prishurit, më të devijuarit. I Dërguari i Allahut [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë:
“Kur njeriu të thotë: ‘Janë shkatërruar njerëzit!’, atëherë ai është më i shkatërruari!”[2]
Imam Neveviu, duke e shpjeguar këtë hadith, nënvizon këtë detaj të rëndësishëm që e potencuam më lart. Thotë: “...I shkatërruar është ai që e thotë këtë fjalë nga mendjemadhësia, përbuzja e njerëzve dhe vlerësimi i veten e nënvlerësimi i tjerëve, ndryshe, nëse e thotë nga dhimbja shpirtërore, nga mërzia që gjen për shmangien e njerëzve nga rruga e drejtë, ai nuk konsiderohet i shkatërruar.”[3]
Hattabiu tregon edhe diçka tjetër që dëmton njeriun që nuk merret me përmirësimin e njerëzve por me përshkrimin e gjendjes së tyre. Thotë: ‘Njeriu do të vazhdojë të etiketojë njerëzit dhe tua përmend të këqijat e të thotë: janë prishur e shkatërruar njerëzit, derisa ai të bëhet vet i shkatërruari dhe me gjendjen më të prishur, për shkak të mëkatit që i ngarkohet si pasojë e përgojimit dhe shpifjes...’[4]
2.
Kriter për interpretim fetar të ndryshimit shoqëror
Në shumë tekste fetare është përshkruar ky ndryshimi shoqëror, respektivisht devijimi dhe lajthitja. Zubejr ibn Adijj rrëfen se kishin shkuar me një grup tek Enes ibn Malik, të cilit i ishin ankuar për vrazhdësinë e Haxh-xhaxhit, për çka ai iu kishte thënë: «Bëni durim ngase, derisa ta takoni Zotin tuaj (deri në Kiamet), ngase nuk ka kohë që vjen e që nuk është më e dëmshme se koha paraprake. E kam dëgjuar këtë nga Profeti juaj, paqja dhe bekimet qofshin mbi të!»[5]
I Dërguari i Allahut [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: «Kiameti nuk do të ndodhë pa u zhdukë dituria, pa u shumuar tërmetet, pa u afruar koha, pa u shfaqur fitnet, pa u shtuar herexhi, qe është vrasja, vrasja, si dhe pa u shtuar pasuria shumë!»[6]
Po kështu ka thënë: «Vërtetë, prej shenjave të Kiametit janë: ngritja e diturisë, vërtetimi (përforcimi) i injorancës, konsumimi i alkoolit si dhe shfaqja e prostitucionit.»[7] Në një hadith tjetër na sjell edhe këto imazhe: «Do t’iu vijë njerëzve një kohë kur njeriu nuk do të bezdiset se nga e merr pasurinë, hallall apo haram.»[8] «Do t’iu vijë njerëzve një kohë kur njeriu që mban fenë e vet do të jetë sikur ai që mban gacat në dorë.»[9]
Natyrisht, ka dhe shumë hadithe tjera në të cilat përshkruhet kjo gjendje, por ajo që është për keqardhje është keqkuptimi dhe më pas keqinterpretimi i këtyre teksteve. Ato nuk janë vetëm përshkruese pro edhe udhëzuese. Shejh AbduRrahman Sa’di duke shpjeguar hadithin e mbajtjes së fesë në kohë të këtyre ndryshimeve shoqërore thotë se ai ka dy kuptime:
Ta zëmë, nëse neve na jepen informacione në media për ndryshim të motit, për thatësi të madhe, atëherë çfarë kuptojmë ne nga ky përshkrim? Kuptojmë se duhet t’i shmangemi vapës së madhe në mesditë, të konsumojmë më shumë ujë, të freskohemi e kështu me radhë. Edhe këto tekste e kanë kuptim. Pra, na përshkruajnë dhe udhëzojnë njëkohësisht që t’i ruhemi atyre.
Nëse marrim një lajmërim se do të ketë vapë të madhe, atëherë vetvetiu e kuptojmë se duhet ti shmangemi diellit, duhet te konsumojmë ujë më tepër, duhet të ruhemi nga vapa. Kështu duhet vepruar edhe me tekstet fetare. Frikësimi me këtë gjendje nuk është bërë për tjetër vetëm se që të lëvizim për të ruajtur veten dhe për ta ndryshuar atë.
3.
Trashëgimtarët e virtyteve
Pavarësisht përmbysjes së vlerave dhe ndryshimit për të keq, jo të gjithë njerëzit kanë këtë përshkrim. Në Kur’an dhe Sunnet na është treguar se, përkundër këtyre ndryshimeve, një grup do të vazhdojnë të jenë jo vetëm me virtyte por edhe trashëgimtarët të virtyteve më të larta dhe më fisnike. Allahu ka thënë:
«Vallë! A nuk ka pasur njerëz të mençur te popujt para jush – të cilët pengonin ngatërresat në Tokë? Ka pasur vetëm disa prej tyre – që i shpëtuam Ne! e, ata që bënin zullum, ipeshin pas kënaqësive dhe ishin mëkatarë.» [Hud: 116]
Në koment të këtij ajeti është thënë: Nuk ka pasur popull në të cilin nuk kanë qenë disa pasues profetësh, të cilët kanë thirrur në udhëzim dhe kanë pasuar të vërtetën. Për këtë shkak, edhe neve, Allahu na ka urdhëruar që t’i urdhërojmë për të mirë dhe t’i ndalojmë nga e keqja.[11]
Pra, në vend se t’i përgojojmë se filani ka devijuar e po vepron kështu e ashtu, t’i thërrasim në fe dhe të përpiqemi për t’i udhëzuar. Kjo edhe është porosia e kësaj hutbeje. Allahu na përshkruan dy grupe njerëzish karshi një grupi të devijuar e thotë:
«(Kujtoje) kur disa prej tyre thanë: “Pse e këshilloni popullin, të cilin Perëndia do ta zhdukë ose do ta ndëshkojë me ndëshkim të ashpër?” (Këshilltarët) u përgjegjën: “Për t’u arsyetuar para Zotit tuaj dhe për t’i ruajtur ata nga mëkatet”.» [El-A’rafë: 164.]
Pra, t’i thërrasim njerëzit që t’i braktisin mëkatet dhe t’i kthehen fesë e vlerave për ta kryer obligimin tonë së pari karshi tyre dhe, së dyti, për t’i shpëtuar ata!
[1]Shih: Uvejs, Abdul Halim. (2006) El-muslimune min et-teb’ijjeti ve-l-fitneti ila el-kijadeti ve-t-temkin. Rijad: Mektebetu el-Ubejkan. Fq. 205.
[3] Nevevi, Jahja bin Sheref. (1392 h.) El-minhaxh sherhu Sahihi Muslim bin el-Haxhaxh. Ed. 2. Bejrut: Dar Ihjai et-turath el-arabij. 16/175.
[4] Xhelaluddin Sujuti, AbduRrahman bin Ebi Bekr. (1996) Ed-dibaxh ala Sahihi Muslim bin el-Haxhaxh. Verifikoi shkencërisht dhe plotësoi me shënime: Ebu Is'hak Huvejni. Arabi Saudite: Dar Ibn Affan li-n-neshri ve-t-teuzië. 5/545.
[9] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e konsideron autentik.
[10]Shih: Sa'di, AbduRrahman. (2002) Behxhetu kulubi-l-ebrar ve kurretu ujuni-l-ahjar fi sherhi xhevamiil ahbar. Verifikues shkencor: Abdul kerim bin resmi Al Ed-Derini. Rijad: Mektebetu Err-Rrushd. fq. 202.
[11]Shih: Ibn Kethir, Ismail bin Umer. (1999) Tefsiru el-Kur’ani el-Adhim. Ed. 2. Rijad: Dar Tajjibe li-n-neshri ve-t-teuzië. 4/360-361.; Sa’di, AbduRrahman. (2000) Tejsiru el-keri err-rrahman fi tefsiri Kelami-l-Mennan. Verifikues shkencor: AbduRrahman bin Mual-la Luvejhak. Bejrut: Muesssesetu-rr-Rrisale. Fq. 391.