Muhammed bin Ismail, i njohur si Imam Buhariu, konsiderohet njëri ndër dijetarët më të mëdhenj të të gjitha kohëve të hadithit. Libri i tij, i njohur më shumë sipas emrit të tij ‘Sahihu i Buhariut’, është libri më i besueshëm i haditheve. Ka lindur në vitin 194/801 në Buhara, një vend që sot shtrihet në Uzbekistan.
Babai i vdiq herët kështu që e tërë barra e rritjes dhe edukimit ra mbi supet e së ëmës. Dallohej për zgjuarsinë e rrallë. Që herët mësoi Kur’anin përmendësh, sikur që mësoi shkenca fetare dhe memorizoi mijëra hadithe. Sigurisht, krahas faktorëve tjerë, në këtë ka ndikuar edhe klima shkencore e Buharës, e cila atëbotë ishte qendër e dijes.
Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, bashkë me nënën dhe vëllanë, Ahmedin, shkuan për të kryer haxhin. Buhariu do të ndalej në Mekkë për gjashtë vite e më pas do të merrte udhë për të vizituar qendrat e dijeve islame për përfitim të dijes. Është transmetuar se nuk ka shënuar asnjë hadith pa mos marrë abdes më parë dhe pa mos i falur dy rekate namaz. Metodologjia e tij dhe kriteret e vëna për pranimin e hadithit, librit të tij i dhanë besueshmëri të lartë dhe rrjedhimisht pranim nga dijetarët e mëdhenj, si p.sh. Imam Ahmedi.
Buhariu është autor edhe i disa veprave tjera, që arrijnë në njëzet sosh, e të cilat janë me vlerë të madhe, si: Edebu-l-mufred, Et-tarih el-kebir, Et-Tarih es-sagir, etj.
Për shkak të refuzimit të tij që t’ia mësonte fëmijët Kryetarit të Buharasë, ai u largua me dhunë prej vendit të vet. Imam Buhariu refuzonte që të veçonte fëmijët e tij me dije ndërsa të tjerët jo, madje kishte thënë fjalën që ka ngel mësim për gjeneratat pas tij për vlerën dhe pozitën që duhet t’i kushtojnë e japin dijes: ‘Unë nuk e nënçmoj diturinë dhe nuk ua çoj njerëzve te dyert.’ Kështu, i përzënë, në një fshat të Samarkandit, në vitin 256/869, gjen vdekjen.
Allahu e pastë mëshiruar!
|