Të dashur vëllezër!
Java që po lëmë pas u karakterizua për dhunë ndaj femrave. Ndonëse tash e sa ditë ka një kampanjë për vetëdijesimin shoqëror kundër dhunës ndaj femrave, pikërisht këto ditë u shuan dy jetë femrash[1]. Shkaqet që çuan drejt këtyre akteve makabre janë prej më të ndryshmeve. Po kështu edhe përhapja gjithnjë e më e madhe e këtij fenomeni është për shqetësim. Këto shkaqe dhe kjo përhapje janë një alarm që duhet të na bëjë të gjithëve të reagojmë nga pozita dhe mundësitë që kemi. Nga perspektiva fetare, konsiderojmë se mund të japim shumë në vetëdijesimin e shoqërisë dhe në mobilizimin e tyre për të luftuar fenomenet negative çfarëdo qofshin ato. Kjo hytbe që do ta mbajmë sot është një hap konkret në këtë drejtim.
Të nderuar besimtarë!
Keqtrajtimi i femrave është një fenomen që ka shoqëruar njerëzimin përgjatë gjithë historisë. Format e keqtrajtimit të saj kanë qenë vërtetë të tmerrshme. Është paragjykuar fillimisht për tu çnjerëzuar vijimisht. Është akuzuar për çdo të keqe prandaj edhe është shtruar brutalitet ndaj saj. Është varrosur edhe për së gjalli. Kjo gjendje ka vazhduar deri kur Allahu i madhëruar e dërgoi Muhamedin ﷺ për pejgamber. Ndryshimet që ndodhën ishin të dukshme, të prekshme. Këto ndryshime i përshkruar Omeri r.a., i cili thotë: “Në periudhën e xhahilijet, gratë nuk i llogarisnim për asgjë derisa Allahu nuk shpalli për to ato që shpalli (urdhrat për mirësjellje me gratë) dhe nuk ua ndau të drejtat që ua ndau (për të shpenzuar për to, ndarë trashëgiminë, etj.)…”[2]
Këtë ndryshim e kanë vënë re edhe akademikë jomyslimanë, të cilët kanë shprehur konsideratën e tyre të lartë për Islamin dhe meritat e tij në këtë drejtim. Gustav le Bon ka thënë: “Meritat e Islamit për femrën nuk janë thjesht në ngritjen e pozitës së saj. Jo, duhet shtuar (e shpjeguar) se Islami është feja e parë që e ka bërë këtë.”
Pra, Islami nuk është thjesht në radhën e reformuesve sa i përket të drejtave të femrave por është reformatori i parë. Duke u fokusuar në mënyrën se si duhet trajtuar bashkëshortja dhe si gjykohet dhuna ndaj saj do të mundohemi ta dëshmojmë këtë meritë islame dhe njëkohësisht ta përcjellim si mesazh tek institucionet tona që elementi fetar të merret në konsideratë ndërsa punohet në eliminimin e këtyre dhe dukurive tjera negative në shoqëri.
Të respektuar xhematlinj!
Cili është vlerësimi islam për gruan?
Nëse ndalemi dhe analizojmë thellë tekstet kur’anore dhe pejgamberike, do të gjejmë se Islami e ka vlerësuar shumë gruan, e ka nderuar atë dhe e ka ngritur në pozitë e cila është për tu lakmuar.
- Vlerësimi për të dhe punën e saj
﴿فَاسْتَجَابَ لَهُمْ رَبُّهُمْ أَنِّي لَا أُضِيعُ عَمَلَ عَامِلٍ مِّنكُم مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَىٰ ﴿١٩٥﴾
“Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër.” [Al Imran: 195]
- Cilësimi i saj si adresë prehjeje e qetësie, lumturie e gëzimi
﴿وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِّتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةً وَرَحْمَةً إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَاتٍ لِّقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ ﴿٢١﴾
“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” [Rrum: 21]
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
أربعٌ من السعادةِ: المرأةُ الصالحةُ، والمسكنُ الواسعُ، والجارُ الصالحُ، والمركبُ الهنيءُ
“Katër gjëra janë që e bëjnë të lumtur njeriun: gruaja e ndershme, shtëpia e gjerë, fqinji i ndershëm dhe mjeti komod i udhëtimi…” [3]
- Trajtimi i saj si kriter dhe standard vlerësimi për vlerat e burrit
Allahu i madhëruar na ka urdhëruar që gruan ta trajtojmë në mënyrë të ndershme.
﴿وَعَاشِرُوهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ ﴿١٩﴾
“…Jetoni e silluni mirë me to!…” [Nisa: 19]
Ndërsa Pejgamberi ﷺ na ka treguar se në fakt forma se si e trajtojmë gruan flet për nivelin tonë burrëror.
خيرُكُم خَيرُكُم لأَهْلِهِ
“Më i miri ndër ju është më i mirësjellshmi me gruan e vet…” [4]
Këto ishin vetëm disa aspekte për ta dëshmuar kujdesin islam për gruan dhe trajtimin e dinjitetshëm të saj ndryshe tekstet me këtë tematikë janë shumë më shumë.
Besimtarë të nderuar!
Cili është gjykimi islam për dhunën ndaj gruas?
Islami ka ndërmarra hapa të rëndësishëm në evitimin e dhunës dhe në sigurimin e jetëgjatësisë martesore mbi baza të respektit. Këtë e ka bërë duke na mësuar që gjëja më me vlerë që mund të ketë një grua është nderi dhe vlerat e saja. Mund të ketë ndonjë gjë e cila mund ta zbeh dashurinë e burrit karshi gruas, p.sh. dukja e saj, veçmas me kalimin e kohës kur gruaja mund të plaket dhe ta humbasë bukurinë që e kishte dikur. Në raste të këqija, kjo çon në dhunë, psikike e fizike. Islami është kundër trajtimit të këtillë të gruas. Nëse dukja fizike e saj nuk e mban gjallë dashurinë, Islami kërkon të shikojmë në cilësi tjera. Morali i saj, fetaria e saj, respekti i saj, përkujdesja për fëmijët, dituria dhe niveli i saj intelektual, e shumë e shumë gjëra tjera janë shpëtuese të martesës por edhe faktorë që ndikojnë në vazhdimësinë e jetës martesore mbi baza të respektit. Pejgamberi ﷺ ka thënë:
لَا يَفْرَكْ مُؤْمِنٌ مُؤْمِنَةً، إنْ كَرِهَ منها خُلُقًا رَضِيَ منها آخَرَ
“Besimtari nuk e urren tërësisht besimtaren (gruan); nëse nuk i pëlqen një moral i saj, i pëlqen tjetri.”[5]
Pejgamberi ﷺ ka konsideruar se keqtrajtimi i gruas vetëm pse ajo nuk ka mundësi të mbrohet, pse është e dobët fizikisht, është gabim. Në një hadith ka thënë:
اللَّهمَّ إنِّي أحرِّجُ حقَّ الضَّعيفينِ: اليتيمِ، والمرأَةِ
“Allahu im, unë i shpall të pacenueshme të drejtat e dy të dobëtëve: jetimit dhe gruas.”[6]
Siç kanë shpjeguar dijetarët, Pejgamberi ﷺ i ka përshkruar jetimin dhe gruan si “të dobët” për shkak të pamundësisë së tyre për tu vetëmbrojtur dhe jo vetëm. E ka bërë edhe për ta bërë vërejtjen dhe qortimin më të ashpër sepse sa herë që dikush është i dobët dhe nuk ka mundësi të mbrohet, përkujdesja e Allahut ndaj tij është më e madhe.
Abdul Aziz Tarifi duke iu referuar këtij hadithi ka thënë: “Padrejtësia ndaj gruas tek Allahu gjykohet si mëkat më i madh se padrejtësia ndaj mashkullit sepse ndihma e Allahut dhe mbështetja e Tij për të dobëtin është në varësi të mundësisë që ka për ta mbrojtur veten…”
Po i pyes këta të mjerë: çfarë nëse viktimat tuaja nuk kanë askënd tjetër pos Allahut: nuk kanë prindër, vëllezër, familjarë, a nuk keni frikë hakmarrjen e Zotit? Çfarë nëse janë lutur kundër jush dhe Allahu i Gjithëfuqishëm, siç na ka mësuar Vet Ai iu ka thënë: “Pasha krenarinë dhe madhërinë Time, do të ndihmoj qoftë edhe pas një kohe![7]”
Islami nxit që mosmarrëveshjet ndërmjet burrit dhe gruas të zgjidhen me mirëkuptim. Nëse ata të dy nuk ia dalin t’i zgjidhin problemet, atëherë ndërhyjnë familjet por vetëm për t’i zgjidhur problemet, jo për t’i komplikuar. Për këtë shkak, Allahu i madhëruar na mëson:
﴿ وَإِنْ خِفْتُمْ شِقَاقَ بَيْنِهِمَا فَابْعَثُوا حَكَمًا مِّنْ أَهْلِهِ وَحَكَمًا مِّنْ أَهْلِهَا ﴿٣٥﴾
“Nëse i druheni ndarjes midis burrit e gruas, atëherë caktoni një ndërmjetës nga ana e burrit dhe një nga ana e gruas…” [Nisa: 35]
Pra, nuk është dhuna e aq më pak vrasja ajo që zgjidh problemet. Në Islam, o respekt të ndërsjellë, o ndarje me mirëkuptim. Allahu i madhëruar thotë:
﴿ وَأَخَذْنَ مِنكُم مِّيثَاقًا غَلِيظًا ﴿٢١﴾
“…dhe kur ato kanë marrë nga ju besë të fortë?” [Nisa: 21]
Në koment të këtij ajeti, Imam Taberiu ka thënë: “Besa e përmendur dhe e synuar në këtë ajet ka të bëjë me premtimin e marrë gjatë kurorëzimit se o do ta mbajë me mirësjellje, o do ta lëshojë me mirësjellje…”[8]
Nga këtu, dhuna ndaj gruas është mëkat pasojat e të cilit do t’i vuajë kryesi.
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Siç mund të shohim, meritat e Islamit për respektimin e gruas dhe ndalimin e padrejtësisë ndaj saj janë të mëdha. Konstatimet se Islami ka hedhur hapin e parë në drejtim të respektimit të gruas janë më se të vërteta. Do të doja që këtë hytbe ta përmbyll me fjalët të cilat Pejgamberi ﷺ ua tha besimtarëve në haxhin lamtumirës:
اسْتَوْصُوا بالنِّسَاءِ خَيْرًا
“Silluni mirë me gratë!”[9]
[1] Më 25 nëntor 2022 vritet një grua 63 vjeçare nga burri i saj 70 vjeçar. Më 30 nëntor 2022 vritet një grua shtatzënë në oborrin e QKUK nga ish-burri i saj.
[2] Buhariu, nr. 4913.
[3] Hadithin e shënon Ibën Hibbani në Sahih. Shuajb Arnauti konsideron se hadithi është i saktë. Po kështu edhe Albani në Sahihu-t-Tergib, nr. 2576.
[4] Hadith i saktë. Shih: Sahihu-t-Tirmidhij, nr. 3895.
[5] Muslimi, nr. 1469.
[6] Hadithin e shënojnë Ibën Maxheh, Nesiau dhe Ahmedi. Albani në Sahihu Ibni Maxheh, nr. 2982, e konsideron hadith hasen.
[7] Hadith i saktë. Shih: Sahih el-Xhami, nr. 117.
[8] Tefsiri i Taberiut, 6/546.
[9] Buhariu, nr. 5185; Muslimi, nr. 1468.




