Opens in a new tab

“Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë...” — Kur'an, Jusuf 12:108

Hadithe, Lutje, Reflektime • 26 Oct 2026

PËRSE DUHET TË LUTEMI PËR QËNDRUESHMËRI NË TË VËRTETËN?

Hoxhë Dr. Sedat Islami
Hoxhë Dr. Sedat IslamiDoktor i Shkencave Islame
PËRSE DUHET TË LUTEMI PËR QËNDRUESHMËRI NË TË VËRTETËN?

HYRJE

Koha në të cilën po jetojmë karakterizohet për sprova nga më të ndryshmet. Janë sprova, në kuptimin individual, si: dhënia pas dynjasë, luksit, etj., por edhe në kuptimin kolektiv, si ymet. Janë sprova që kanë rrezik të madh për fenë. Dikush i tha një dijetari se jemi në kohën kur mbajtja e fesë është si mbajtja e gacës në dorë ndërsa dijetari i tha se kam frikë që jemi në kohën kur njeriu ngryset si mysliman e gdhin si jomysliman, siç përshkruhet në hadithe. Prandaj në kohë të këtilla, ruajtja e fesë, ka rëndësi më të madhe se çdo gjë tjetër. Pikërisht për këtë arsye, Profeti Muhamed ﷺ na ka porositur që, në kohën kur të tjerët të jepen pas grumbullimit të arit e të argjendit, ne të lutemi që Allahu të na mbajë të udhëzuar. Sot, në hytben e kësaj xhumaje, do tua prezantoj një këshillë profetike, respektivisht një pjesë të saj, që konspiroj se ka rëndësi të veçantë. Sheddad bin Eusi, r.a., transmeton se Profeti Muhamed ﷺ i ka thënë:

يا شدَّادُ بنُ أوسٍ  إذا رأيتَ النَّاسَ قد اكتنزوا الذَّهبَ والفضَّةَ؛ فاكنِز هؤلاء الكلماتِ : اللَّهمَّ  إنِّي أسألُك الثَّباتَ في الأمرِ ، والعزيمةَ على الرُّشدِ…

“O Shedad bin Eusi! Kur të shohësh njerëzit tek depozitojnë arin dhe argjendin, ti depozitoji këto fjalë: Zoti im, të lus për qëndrueshmëri në (çdo gjë, e veçmas në) fe dhe vendosmëri në rrugën e drejtë…”[1] Hadithi vazhdon por ne kemi përzgjedhur për shpjegim vetëm këtë pjesën e parë të tij.

Rëndësia e kësaj këshille profetike qëndron në dy aspekte:

E para, vet Profeti Muhamed ﷺ e ka përsëritur këtë lutje, madje në namaz, pra në adhurimin më të rëndësishëm, dhe

E dyta, sepse udhëzimi është përshkruar si thesar, pra ashtu siç pasuria është thesar, po kështu edhe udhëzimi është thesar, vetëm se është thesar që nuk mbaron kurrë. Allahu i madhëruar duke na ofruar një krahasim ndërmjet tyre thotë:

﴿ الْمَالُ وَالْبَنُونَ زِينَةُ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا ۖ وَالْبَاقِيَاتُ الصَّالِحَاتُ خَيْرٌ عِندَ رَبِّكَ ثَوَابًا وَخَيْرٌ أَمَلًا ‎﴿٤٦﴾‏

“Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote. Por veprat e mira që mbeten përherë, janë më të mira te Zoti yt sa i përket shpërblimit dhe, janë më të mira sa i përket shpresës (për shpëtim).” [Kehf: 46]

 

LUTJA PËR QËNDRUESHMËRI DHE STABILITET NË FE SIPAS KUR’ANIT

Qëndrueshmëria e përmendur në këtë lutje profetike nënkupton qëndrueshmërinë dhe stabilitetin në çdo gjë, por veçmas në çështje fetare. Ose më saktë, synohet formimi ynë personal dhe shpirtëror, duke na bërë të atillë që, përballë sprovave, çfarëdo qofshin ato, të mos pësojmë disfatë. Është çështje pra me rëndësi prandaj ne gjejmë se, jo vetëm hadithet janë ato që na thërrasin për lutje të këtilla por edhe Kur’ani. Allahu na ka treguar se i forcon besimtarët me fjalën e së vërtetës në këtë dhe botën tjetër (Ibrahim: 26), sikur që na ka përmendur lutje të besimtarëve për këtë qëndrueshmëri:

﴿ رَبَّنَا لا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا وَهَبْ لَنَا مِنْ لَدُنْكَ رَحْمَةً إِنَّكَ أَنْتَ الْوَهَّابُ ﴾

“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!” [Al Imran: 8]

 

PËRSE TË LUTEMI PËR STABILITET DHE QËNDRUESHMËRI NË FE?

Tani, le të kthehemi dhe të mësojmë se përse duhet ta lusim Allahun për të qenë të pathyeshëm në fe? Cilat janë arsyet?

  • Përhapja e shumtë e sprovave

Arsye kryesore pse ne duhet të lutemi për të qëndruar në të vërtetën, në fe pra, është përhapja e shumtë e sprovave dhe gjëra që favorizojnë të keqen dhe degjenerimin. Është kohë kur gjëra mjegullohen dhe, mu ashtu siç në mjegull nuk mund të shohim rrugën, po kështu në sprova nuk mund ta shohim të vërtetën. Njerëzit mbesin të hutuar dhe nuk dinë nga t’ia mbajnë prandaj Profeti Muhamed ﷺ na ka tërhequr vërejtjen që në kohë të sprovave të jemi shumë të kujdesshëm sepse ndodhë që njeriu ta shet fenë për pakgjë.

بَادِرُوا بِالْأَعْمَالِ فِتَنًا كَقِطَعِ اللَّيْلِ الْمُظْلِمِ يُصْبِحُ الرَّجُلُ مُؤْمِنًا وَيُمْسِي كَافِرًا أَوْ يُمْسِي مُؤْمِنًا وَيُصْبِحُ كَافِرًا يَبِيعُ دِينَهُ بِعَرَضٍ مِنْ الدُّنْيا

“Nxitoni me vepra të mira para se të vijnë sprova, sikur pjesët e errëta të natës, kur njeriu gdhin si mysliman e ngryset si jomysliman, apo ngryset si mysliman e gdhin si jomysliman, e shet fenë për pakgjë nga dynjaja.”[2]

Këto sprova, siç janë përshkruar, janë kur gjërat pështjellin dhe nuk dihet se haku apo e vërteta me kë është. Prandaj, thirremi për vepra të mira, për lutje, për mësim të fesë, që këto sprova, që nuk kalohen ndryshe vetëm se me pjekuri të lartë fetare, t’i tejkalojmë duke kërkuar ndihmën dhe mbrojtjen e Zotit.

  • Dhënia e njerëzve pas dynjasë

Nga shenjat dhe treguesit e sprovave dhe rreziqeve për aspektin fetare të besimtarit është dhënia pas luksit. Profeti Muhamed ﷺ na ka treguar se nuk është varfëria ajo që ka frikë për ne por dhënia pas dynjasë e cila na bën gafilë e të shkujdesur ndaj të vërtetave.

﴿ أَلْهَاكُمُ التَّكَاثُرُ ‎﴿١﴾‏ حَتَّىٰ زُرْتُمُ الْمَقَابِرَ ‎﴿٢﴾

“Ju ka hutuar rivaliteti për të shtuar, 2. derisa të shkoni në varre.” [Tekathur: 1-2] Pra, tanimë nuk është problemi se a kemi por se a kemi më shumë se filani, se ai e se ky. Prandaj, kjo na bën ta harrojmë aspektin fetar e shpirtëror.

  • Kampanjat antiislame

Arsye tjetër pse aspektit fetar duhet t’i kushtojmë rëndësi dhe të lutemi që Allahu të na mbajë në rrugën e drejtë janë edhe kampanjat kundër fesë dhe fetarëve. Sot edhe elementi më i thjesht i fetarisë i pengon. A nuk i gjykojnë për ekstremistë ata që mbajnë mjekre? A nuk i gjykojnë për ekstremiste ato që mbajnë shami? A nuk i konsiderojnë xhamitë, ku flasim për Zotin, moralin, edukatën, si vende të prapambetjes?! Për këtë arsye, Profeti Muhamed ﷺ na ka lajmëruar për këtë kohë dhe na ka porositur që t’i mbahemi fesë, pavarësisht se cilat do të jenë sprovat.

بَدَأَ الإِسْلامُ غَرِيبًا ، وَسَيَعُودُ كَمَا بَدَأَ غَرِيبًا ، فَطُوبَى لِلْغُرَبَاءِ

“Islami ka filluar si garib [i huaj, me pak njerëz] dhe ashtu edhe do të kthehet prapë, por lum për gurebatë!”[3] Pra, Islami do të sprovohet dhe njerëzit që do t’i mbahen fesë do të jenë në rënie, prandaj lum për ata njerëz që i mbahen fesë kur të tjerët e lëshojnë atë!

  • Për shkak se vlerësimi bëhet sipas përfundimit

Në hadithe të Profetit Muhamed ﷺ na bëhet me dije se, puna e besimtarit vlerësohet sipas përfundimit, jo sipas fillimit, prandaj, po, njeriu mund të jetë besimtar dhe i udhëzuar e në fund të devijojë e lajthisë, siç edhe shohim e dëgjojmë. Allahu na ruajttë!

PËRMBLEDHJA DHE MESAZHI

Siç mund ta shohim, ecja në rrugën e Zotit ka sprovat dhe rreziqet e saja, për të cilat besimtari duhet të jetë i vetëdijshëm dhe, krahas dijes fetare, për të vazhduar këtë rrugë i pathyer, duhet edhe të lutet. Ne po e përmbyllim këtë këshillë me një lutje që Allahu të na i forcojë zemrat në rrugën e Tij.

يَا مُقَلِّبَ القُلُوبِ ثَبِّت قَلْبِي عَلَى دِينِكَ

Zoti im, Ti që i rrotullon zemrat, forcoje zemrën time në rrugën Tënde! [4]

[1] Këtë hadith Nasirudin Albani në Essilsiletu essahihah, nr. 3228, e ka saktësuar, ndërsa Shuajb Arnauti në redaktimin e Musnedit e ka vlerësuar si hadith hasen.

 

[2] Muslimi, nr. 118.

[3] Muslimi, nr. 145.

[4] Tirmidhiu, nr. 3522.