Të nderuar vëllezër besimtarë!
Sahabiu i nderuar, Xhundub bin Abdullahu r.a., duke evokuar kujtime nga koha me Pejgamberin ﷺ rrëfen se si, ai bashkë me shokët kur ishin ende adoleshentë, kishin mësuar imanin së pari për ta mësuar më pas Kur’anin…(Ibën Maxheh, 61.)
Ky rrëfim ka një rëndësi të madhe edukative. Ai shpalos konceptin për edukimin e mirëfilltë ose thënë më mirë metodologjinë e formimit të duhur të brezave të rinj. Përkushtimi fillimisht për besimin, që është kryevlerë, na tregon se fokusi ynë në formimin e brezave të rinj duhet të jetë para së gjithash në aspektin shpirtëror, moral e human.
Çështja e vlerave, në një botë me zhvillim të frikshëm teknologjik, po bëhet gjithnjë e më e nevojshme. Dija (informacioni) pa edukatë (vlera) mund të shndërrohet në rrezik pasojat e të cilit janë të paparashikueshme ndërsa bashkëveprimi ndërmjet tyre mund të sjell breza të cilëve ua sheh hajrin njerëzimi për shekuj të tërë.
Kjo edhe është arsyeja pse sot, në hytben e kësaj xhumaje, me lejen e Allahut, do të flasim për rëndësinë e formimit edukativ dhe arsimor të brezave të rinj.
Myslimanë të dashur!
[Lidhja midis edukimit dhe arsimit]
Në mësimet fetare, çelës i suksesit në çdo aspekt qëndron drejtpeshimi i gjërave, baraspeshimi i tyre dhe dhënia përparësi ose prioritet gjërave më të rëndësishme. Ne nuk duam edukim pa arsimim dhe as arsimim pa edukim sepse nuk bëjnë njëra pa tjetrën, sepse nuk mund të edukohet ai që nuk mëson. Si mund të ketë dikush sjellje të mira nëse nuk e di vlerën e tyre?!
Për këtë arsye gjejmë Kuranin fisnik tek bën këtë ndërlidhje të bukur ndërmjet dijes dhe vlerave. Për shembull, në kaptinën bekare, ajeti 194, Allahu i lartësuar thotë:
﴿ وَاتَّقُوا اللَّهَ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ مَعَ الْمُتَّقِينَ ﴿١٩٤﴾
“…Frikësojuni Allahut dhe dijeni se Allahu është me ata që ruhen nga të këqijat.”
Dija se Allahu është me ata që ruhen nga rënia në mëkate, të devotshmit pra, ndikon në forcimin e besimtarit në këtë rrugë, në nxitjen dhe motivimin e tij për t’i shtuar të mirat.
Ruajtja nga mëkatet ndikon në dije, respektivisht është mënyrë se si përfitohet dija. Allahu i lartësuar thotë:
﴿ وَاتَّقُوا اللَّهَ ۖ وَيُعَلِّمُكُمُ اللَّهُ﴾
“…prandaj ruajuni Allahut! Allahu ju mëson ju…” [Bekare: 282]
Dija e mirëfilltë duhet të prodhojë efekte edukative, respektivisht duke e njohur Allahun, duke njohur pasojat e veprave, besimtari duhet që të ketë vepra të mira. Këtu qëndron arsyeja pse shkollarët myslimanë kanë konstatuar se dija vjen para veprës. Imam Buhariu në Sahihun e tij ka një kapitull të cilin e ka titulluar ‘Dija para veprës’ për të na treguar se qëllimi i dijes është vepra.
Pejgamberi Muhamed ﷺ i dha një ditë një këshillë një sahabiu të nderuar, Ibën Abbasit r.a., duke i thënë:
يَا غُلَامُ، إِنِّي أُعَلِّمُكَ كَلِمَاتٍ، احْفَظِ اللهَ يَحْفَظْكَ، احْفَظِ اللهَ تَجِدْهُ تُجَاهَكَ، إِذَا سَأَلْتَ فَاسْأَلِ اللهَ، وَإِذَا اسْتَعَنْتَ فَاسْتَعِنْ بِاللهِ، وَاعْلَمْ أَنَّ الْأُمَّةَ لَوِ اجْتَمَعَتْ عَلَى أَنْ يَنْفَعُوكَ بِشَيْءٍ، لَمْ يَنْفَعُوكَ إِلَّا بِشَيْءٍ قَدْ كَتَبَهُ اللهُ لَكَ، وَلَوِ اجْتَمَعُوا عَلَى أَنْ يَضُرُّوكَ بِشَيْءٍ، لَمْ يَضُرُّوكَ إِلَّا بِشَيْءٍ قَدْ كَتَبَهُ اللهُ عَلَيْكَ، رُفِعَتِ الْأَقْلَامُ وَجَفَّتِ الصُّحُفُ
“Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty! Ruaje Allahun, që ta kesh pranë! Kur të lypësh, lypi Allahut, e, kur të kërkosh ndihmë, kërko nga Allahu! Gjithashtu, dije se, po qe se të gjithë njerëzit do të mblidheshin për të të bërë mirë, nuk do të mund të të bënin mirë, pos asaj që ta ka caktuar Allahu, dhe anasjellas, nëse bashkohen për të të bërë dëm, nuk do të mund të të dëmtonin, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu. Tashmë lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë.”
Me këto këshilla, Pejgamberi ﷺ nuk synonte t’i ofronte dije teorike këtij sahabiu të cilat nuk kanë ndonjë prani në jetën e tij shpirtërore a materiale, por dije dhe informacione që e formojnë në çdo aspekt, që e bëjnë të jetojë me nder e krenari.
Dija e vërtetë patjetër se do të reflektojë në sjellje. Në Reudatu el-ukala përmendet se dikush e kishte fyer dijetarin e mirënjohur, Vekië bin Xherrahun, ndërsa ai nuk i ishte përgjigjur fare provokimit të tij. A nuk do t’i përgjigjesh?! – i thanë me habi. E përse e kemi mësuar dijen atëherë?!- ua ktheu.
Pra, dija e vërtetë dhe e dobishme çon tek sjelljet e mira.
Xhematlinj të nderuar!
[Mësuesit edukatorë dhe nevoja e edukimit të mirëfilltë]
Në histori të civilizimit islam gjejmë përkushtimin e madh të shoqërisë myslimane për mësuesin dhe vlerat e tij edukative. I dërgonin fëmijët tek mësuesit që dalloheshin edhe për edukatë. Imam Maliku ishte, përveç tjerash, edhe fryt i një mësuesi me vlera të larta morale – Rebiut. Ai rrëfen për vete e thotë: Nëna ma vendoste çallmën në kokë dhe më thoshte: Shko tek mësuesi Rebi dhe merr nga edukata e tij para se të marrësh nga dija e tij! [Tertib el-medarik, 1/119]
Edukimi nuk është çështje e thjeshtë. Informacionet mund të merren me lehtësi, madje në kohën tonë teknologjia e ka lehtësuar tejmase këtë, por edukimi mbetet sfidë. Fenomenet negative që shohim sot tek brezat e rinj janë dëshmi, përveç tjerash, edhe e çalimit në fushën e edukimit. Në formim, fokusimi vetëm në një aspekt dëmton aspektin tjetër. Shpërfillja e aspektit edukativ ndikon që veset e liga ta dominojnë njeriun dhe për pasojë të bëhet i dëmshëm, ose dijen ta përdorë për qëllime të ulëta. Brendësia e njeriut është arenë ndërmjet të mirës dhe të keqes. Allahu i lartësuar thotë:
﴿ وَنَفْسٍ وَمَا سَوَّاهَا ﴿٧﴾ فَأَلْهَمَهَا فُجُورَهَا وَتَقْوَاهَا ﴿٨﴾ قَدْ أَفْلَحَ مَن زَكَّاهَا ﴿٩﴾ وَقَدْ خَابَ مَن دَسَّاهَا ﴿١٠﴾
“Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, 8. duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! 9. Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, 10. ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” [Shems: 7-10]
Ibën Kajimi, duke iu referuar këtyre ajeteve, ka shpalosur disa detaje të nefsit: “Në nefs (shpirt, brendësi të njeriut) ka nga mendjemadhësia e djallit, zilia e Kabilit që vrau vëllain, kryeneçësia e Adit, tirania e Themudit…” Pra, nëse nuk ka edukim të mirëfilltë, atëherë këto prirje për të keq do ta dominojnë shpirtin e njeriut dhe për pasojë do ta mohojë Zotin, do të vret, do të vjedh, do të bëjë padrejtësi e çdo të ligë tjetër.
[Mesazhi]
Vëllezër të nderuar!
Formimi edukativ dhe shkencor i brezave të rinj është shpresë për një të ardhme më të mirë. Edukimi i mirëfilltë ndikon që dija dhe njohuritë të përdorën në interes dhe dobi të njerëzimit dhe botës përreth. Duke marrë parasysh zhvillimet teknologjike në njërën anë dhe degradimin moral që shohim çdo ditë e më shumë në shoqëri, nevoja për tu bërë bashkë për të mirën e përgjithshme është e madhe. Ne vazhdojmë të kërkojmë përfshirjen e edukimit fetar në kurrikulat shkollore. Besojmë se kësaj shoqërie do t’i sillte vetëm të mira. Trashëgimia më e mirë që një brez mund t’i lërë brezit në ardhje është edukimi dhe formimi i plotë edukativ dhe shkencor.




