RREZIKU I DEGJENERIMIT MORAL
DHE PROFIL I THIRRËSVE NË DEGJENERIM
Rëndësia e vlerave morale për individin dhe shoqërinë
Njeriu, ndryshe nga krijesat tjera, është më kompleks sa i përket prirjeve dhe dëshirave apo pasioneve që ka. Për shkak se përbëhet nga aspekti fizik dhe shpirtëror disa filozofë e kanë definuar si qytetar që jeton në dy botë. Po kështu kanë nënvizuar dhe një veçori tjetër të tij, atë se ai nuk është plotësisht shoqëror por as individualist, pra është në mes tyre, prandaj njeriu ka nevojë për moral në mënyrë që karakteri i tij të jetë i udhëhequr nga arsyeja, jo epshi, dhe që të veprojë në përputhje me privilegjin që i ka bërë Zoti si krijesa më e dalluar, e jo të veprojë si i shthurur.
Kjo nënkupton se morali ka rëndësi për individin dhe shoqërinë dhe se një shoqëri mund të funksionojë mbarë vetëm në saje të moralit të mirë dhe të mirëfilltë. Morali është sekreti i ekzistimit të popujve dhe qytetërimeve. Shpërfillja e moralit është shkak për shthurje e kaos shoqëror, sikur që është alarm për shkatërrim të shpejtë të një shoqërie.
Popujt, në fakt, ekzistojnë për aq kohë sa moral të kenë
E kur moralin ta kenë humbur më nuk do të jenë
E që morali të ketë kuptimin dhe fuqinë që duhet ta ketë, kushtëzohet të jetë i lidhur me besim. Konceptet për moralin që nuk kanë për bazë besimin janë të mangëta. Për këtë shkak shesin për moral antivlerat ndërsa nuk kursehen të luftojnë çdo vlerë të mirëfilltë. Janë të sojit të njerëzve të cilët janë përshkruar në ajetin kur’anor:
﴿ وَإِذَا تَوَلَّى سَعَى فِي الْأَرْضِ لِيُفْسِدَ فِيهَا وَيُهْلِكَ الْحَرْثَ وَالنَّسْلَ وَاللَّهُ لا يُحِبُّ الْفَسَادَ ﴾
“E, kur largohet, përpiqet të bëjë të këqija në tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do shkatërrimin.” [Bekare: 205]
Shthurja dhe degjenerimi imazhe të disfatës shpirtërore dhe robërisë
Për këtë shkak, feja degradimin moral e ka luftuar shumë. E ka klasifikuar si mëkat të madh dhe e ka radhitur përkrah mëkateve të mëdha, madje më të mëdhatë, e sa për argument shih klasifikimin e imoralitetit si njërin ndër shtatë mëkatet shkatërruese, sikur që ka treguar se profili i përsosur i një besimtari nuk realizohet pa mos realizuar moralin. Allahu i madhëruar duke i përshkuar besimtarët e sinqertë thotë:
﴿ وَالَّذِينَ لَا يَدْعُونَ مَعَ اللَّهِ إِلَٰهًا آخَرَ وَلَا يَقْتُلُونَ النَّفْسَ الَّتِي حَرَّمَ اللَّهُ إِلَّا بِالْحَقِّ وَلَا يَزْنُونَ ﴾
“Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri…” [Furkan: 68]
Pra, ashtu siç e ruajmë besimin nga shirku, e ruajmë moralin nga shthurja e degjenerimi. Degjenerimi që sot shohim, edhe pse thirret në vlera, nuk ka të bëjë asgjë me të. Më qartë, thirren në lirinë e të shprehurit e vepruarit, por nuk kanë të bëjnë asgjë me lirinë. Shthurja nuk përkon me lirinë por me robërinë fizike e shpirtërore. Liria nënkupton nderin ndërsa shthurja robërinë, madje edhe fizike. Dëshmi për këtë kemi rastin kur një zonjë, Hind bint Utbe, erdhi ta pranonte Islamin në prani të Pejgamberit ﷺ. Me rastin e besatimit, përveç tjerash, iu është kërkuar që ta ruajnë nderin dhe të mos tradhtojnë moralisht. Kur Hindi e dëgjoi këtë e tha një fjalë e cila është mësim i madh moral: “O i Dërguari i Allahut, pse a po ndodhka që gruaja e lirë të bëjë imoralitet?!”[1]
Rreziku i mëkateve dhe legjitimimit të tyre
Nga këtu, liritë e këtilla feja i konsideron çoroditje dhe për më tepër shenja të fundit të botës. Enes bin Maliku r.a., përcjell se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
إِنَّ مِنْ أَشْرَاطِ السَّاعَةِ: أَنْ يُرْفَعَ العِلْمُ، وَيَثْبُتَ الجَهْلُ، وَيُشْرَبَ الخَمْرُ، وَيَظْهَرَ الزِّنَا
“Ndër shenjat paralajmëruese të kiametit janë ngritja e dijes, forcimi (përjetësimi) i injorancës, konsumimi i (hapur i) rakisë dhe përhapja e zinasë.”[2]
Dhe jo vetëm. Shenja janë edhe përpjekjet për t’i legjitimuar ato. Në Sahihun e Buhariut qëndron hadithi (nr. 5590) që e dëshmon këtë.
لَيَكُونَنَّ مِنْ أُمَّتِي أَقْوَامٌ، يَسْتَحِلُّونَ الحِرَ وَالحَرِيرَ، وَالخَمْرَ وَالمَعَازِفَ
“Në mesin e ymetit tim do të ketë njerëz që do ta lejojnë imoralitetin, mëndafshin, rakinë dhe veglat muzikore…”
Kjo gjendje është vërtet për të na shqetësuar sepse përhapja e të këqijave deri në këtë nivel kur edhe legjitimohen është shkak për prishje të rendit dhe rregullit shoqëror e qe besa edhe për dënim kolektiv. Allahu i madhëruar thotë:
﴿ ظَهَرَ الْفَسَادُ فِي الْبَرِّ وَالْبَحْرِ بِمَا كَسَبَتْ أَيْدِي النَّاسِ ﴾
“Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve…” [Rrum: 41]
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
لَمْ تَظْهَرِ الْفَاحِشَةُ فِي قَوْمٍ قَطُّ، حَتَّى يُعْلِنُوا بِهَا، إِلَّا فَشَا فِيهِمُ الطَّاعُونُ، وَالْأَوْجَاعُ الَّتِي لَمْ تَكُنْ مَضَتْ فِي أَسْلَافِهِمُ الَّذِينَ مَضَوْا
“…Nuk ndodhë të përhapet imoraliteti publikisht në mesin e një populli e të mos përhapen n mesin e tyre murtaja dhe sëmundje për të cilat të parët e tyre nuk kanë pasur njohuri…” [3]
Profil i promotorëve të shthurjes
Këto janë disa nga pasojat e legjitimimit të shthurjes. Tani na mbetet të njoftohemi me personalitetin e këtyre që duan përhapjen e shthurjes në mesin tonë. Nuk do të përmendim emra por do t’i referohemi fjalës së Allahut të madhëruar për t’i kuptuar thellësisht se kush janë këta promotorë të së keqes. Allahu i madhëruar thotë:
﴿ إِنَّ الَّذِينَ يُحِبُّونَ أَن تَشِيعَ الْفَاحِشَةُ فِي الَّذِينَ آمَنُوا لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ ۚ وَاللَّهُ يَعْلَمُ وَأَنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ ﴿١٩﴾
“Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini.” [Nur: 19]
Dijetarët myslimanë, duke iu referuar kuptimeve të këtij ajeti, kanë arritur të na ofrojnë imazhe të cilat portretizojnë këta provues të së keqes:
- Këta “…që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët…” janë hipokritë;
- Duke qenë se “…duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët…” tregon se këtë punë e bëjnë me pasion;
- Ajeti i përmend ata që i ofrojnë mbështetje morale të këqijave edhe pse nuk janë pjesëmarrës aktivë në to. Tash paramendoni çfarë dënimi ka për ata që direkt janë të angazhuar me përhapjen e këtyre të këqijave;
- Duke qenë se i përhapin të këqijat në mesin e besimtarëve, konsiderohen mashtrues, njerëz që ua duan të keqen besimtarëve dhe që nëpërkëmbin nderin e tyre;
- Targetgrup kanë besimtarët ose të ndershmit dhe të ndershmet (sinonim për të martuarit), pra familjen;
- Të keqen nuk e kanë personale. Kërkojnë të mos iu përzihemi në punët e tyre ndërsa ata na përzihen neve në punë tona dhe kërkojnë që të këqijat e tyre t’i përhapin në mesin tonë;
- Janë ekstremistë dhe të dhunshëm. E shihni se si na etiketojnë neve kur ne çohemi dhe flasim për moralin e mirëfilltë. Kështu ka ndodhur historikisht[4].
Çfarë duhet të bëjmë që t’i shpëtojmë shthurjes dhe të shthururve?
Çfarë duhet të bëjmë që t’i shpëtojmë shthurjes dhe të shthururve?
- Forcimin e besimit. Zaglul Nexhar, një shkencëtar mysliman me nam botëror, thotë se degradimi i vlerave të moralit ndodhë si shkak i botëkuptimeve të gabuara të besimit. Kur nuk besohet Zoti, nuk kihet frikë prej asgjëje, prandaj njeriu shndërrohet në krijesën më të rrezikshme në planet.
- Bojkotimi shpirtëror e fizik i të këqijave dhe të këqijve
- Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, duke filluar nga familja, miqtë, shokët e shoqëria mbarë.
Këto tri gjëra paraqesin një trekëndësh që dobëson pushtetin e të keqes dhe shthurjes dhe garantojnë jetëgjatësi të njerëzimit dhe civilizimit të mirëfilltë.
[1] Shih: Ibën Kajim el Xheuzije, Zad el mead, (Bejrut: Muesesetu err rrisale – Kuvajt: Mektebetu el menar el islamije, ed. 27, 1994), 5/686. Ndryshe vargu i transmetuesve të hadithit është i dobët.
[2] Buhariu, nr. 80; Muslimi, nr. 2671.
[3] Ibën Maxheh, nr. 4019. Albani e konsideron hadith hasen.
[4] Shih rastin e Lutit a.s., me popullin e vet. Kur’ani: A’rafë: 82; Neml; 56.





