Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
EVOLUIMI I PREDIKIMIT FETAR NGA AI TRADICIONAL NË ONLINE

EVOLUIMI I PREDIKIMIT FETAR NGA AI TRADICIONAL NË ONLINE

 

Sedat ISLAMI, Ph.D.

 

ABSTRAKT

Ekziston një debat i hershëm përkitazi me atë se çfarë mund të klasifikohet si mjet i predikimit fetar e çfarë jo. Disa nga shkollarët myslimanë mendojnë se mjetet e predikimit duhet të jenë puro tradicionale, derisa të tjerë, duke marrë në konsideratë realitetin e ri, që përbën një mal me mundësi për përcjelljen e mesazhit fetar, kanë miratuar transformimin e predikimit fetar, respektivisht kanë përvetësuar si mjete predikimi edhe mjetet bashkëkohore të komunikimit. Por nuk janë vetëm mundësitë ato që karakterizojnë këto mjete, janë edhe sfidat. Ky punim, me theks të veçantë, merret me sfidat e transformimit të predikimit fetar dhe nevojën e mbikëqyrjes së rreptë të tij, në mënyrë që të mos degradojë dhe lajthisë në interpretime të shthurura. Nisur nga këtu, punimi ka rëndësi të veçantë sepse ofron një model të zhvillimit të predikimit fetar online në mediat kosovare, përshkruan kriteret dhe etikën që duhet përfillur si dhe ofron një mori rregullash metodologjike përkitazi me sfidat dhe mënyrën e trajtimit të tyre. Problematikat bazë që trajton punimi janë tre: e para flet për debatin për mjetet moderne të predikimit, e dyta merret me përparësitë dhe mundësitë që ofrojnë mediat online, ndërsa problematika e tretë ekskluzivisht merret me sfidat e predikimit online në Kosovë. Të gjeturat e punimit konfirmojnë, përveç tjerash, nevojën imediate të përkushtimit institucional dhe ndërinstitucional për predikimin fetar online.

 

Fjalët kyçe: predikimi fetar online, mediat online, mediat fetare, sfidat e predikimit, modelet e predikimit.

 


 


HYRJE

 

Predikimi, në esencë, nënkupton informimin. Të predikosh d.t.th. të thërrasësh tjetrin, t’ia përcjellësh mesazhin fetar, t’ia kumtosh porositë fetare, të propagandosh për fenë.[1] Për këtë shkak, predikimi nuk mund të paramendohet pa predikuesin, si burim informimi, audiencën, si target-grup të këtij informimi, dhe mjetet, si elemente me të cilat predikuesi depërton tek audienca. Duke qenë se prej tyre varet jo vetëm përcjellja e mesazhit, por në masë të madhe edhe pranimi i tij, atëherë feja iu ka kushtuar rëndësi të veçantë. Në tekstet fetare gjejmë porosi të shumta që na mësojnë si ta bëjmë përcjelljen e mesazhit në format më të mira të mundshme. Në Kur’an qëndron: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!...” [Kur’ani: 16: 125.];[2]...o Musa! 41. Unë të kam zgjedhur ty për Vete. 42. Shkoni ti dhe vëllai yt me mrekullitë e Mia dhe mos reshtni së përmenduri Mua! 43. Shkoni te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë! 44. Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet!”.” [Kur’ani: 20: 40-44.] Profeti Muhammed (a.s.) po kështu i ka kushtuar rëndësi përcjelljes së fjalëve të tij, saqë lutej: “Allahu ia ndriçoftë fytyrën atij që dëgjon fjalën time dhe ia përcjell të tjerëve më pas!...[3] Sikur që rekomandonte: “Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos irritoni![4]

Nga këtu, dijetarët myslimanë paralel me përkushtimin për fenë, janë përkushtuar edhe për mjetet dhe mënyrat e kumtimit të saj. Pozita e fesë dhe shenjtëria e mësimeve të saja nuk lejojnë që të mos përzgjidhen mjetet. Rrjedhimisht, për predikim kanë miratuar vetëm ato mjete që kanë qenë të njohura e aplikuara tradicionalisht.

Me kalimin e kohës, janë shfaqur mjete të reja të informimit, të cilat ofrojnë mundësi të shumta të përcjelljes së mesazhit fetar tek një audiencë edhe më e gjerë. Janë mediat online (interneti dhe rrjetet sociale me theks të veçantë), ato që na e kanë tkurrur botën në, jo një fshat, por në një ekran të vogël të telefonit, duke na ofruar mundësi por edhe duke na sfiduar në fushën e informimit.  Përballë këtij ndryshimi të madh në botën e (mjeteve të) komunikimit, ka lindur nevoja që të rishikohet mundësia e bartjes së mesazhit fetar edhe nëpërmjet tyre, respektivisht të rishqyrtohet koncepti për mjetet dhe mundësia e aplikimit të tij në mjetet moderne?

Së këndejmi, ky studim merr përsipër t’i gjej përgjigje tre pyetjeve, të cilat njëherësh janë edhe boshte të këtij studimi:

1)      Çfarë nënkupton tradicionalizmi i mjeteve?

2)      Cila është mundësia e predikimit në mediat online?

3)      Cilat janë sfidat e predikimit në mediat online dhe si t’i qasemi atyre?

Studimi ka rëndësi të veçantë pasi që predikimit fetar i ofron një platformë zhvillimi në mediat online, duke i përshkruar rrugët e depërtimit, fushat e aplikimit, dobitë e shfrytëzimit, dhe sfidat dhe pengesat e aplikimit në mediat online. Studimi edhe pse, gjeografikisht, është i fokusuar në terrenin kosovar, teorikisht nuk ka kufij. Si problematikë, vazhdon të konsolidohet dhe përditësohet (bëhet update) vazhdimisht, kështu që, nga kjo perspektivë, ky studim është një kontribut modest në avancimin dhe çuarjen përpara të predikimit fetar në përgjithësi. 


 


I. MJETET E PREDIKIMIT FETAR NDËRMJET TRADICIONALES DHE BASHKËKOHORES

 

Debati për aplikimin e mjeteve bashkëkohore në predikim sot konsiderohet i tejkaluar. Është realiteti i ri ai që nuk ka lënë hapësirë për të diskutuar, ose, thënë më mirë, që debatin për përdorimin e këtyre mjeteve e ka zhvendosur në një stad të ri, në atë të mënyrës së përdorimit dhe përfitimit prej tyre. Në fakt, edhe atëherë kur ka ekzistuar ky debat, më shumë ka qenë formal se sa përmbajtjesor. Pikat në vazhdim do ta provojnë këtë.       

 

I.1. Çfarë nënkuptojmë me mjete të predikimit të fesë?

Mjetet janë njëra prej katër diagonaleve që përbëjnë strukturën e predikimit. Këto diagonale (shtylla, baza) janë: predikuesi, audienca, tema e predikimit, dhe mjetet dhe mënyrat e predikimit.  Dr. Bejanuni, mjetet e predikimit i përkufizon si “gjëra, materiale e morale, me anën e të cilave predikuesi aplikon metodat e predikimit.”[5] Krahas kësaj, Megdheviu përkujton se aplikimi i këtyre mjeteve duhet të bëhet “në mënyrë të ligjshme dhe të shëndoshë.”[6]

Në vija të trasha, mjetet e predikimit ndahen në: mjetet bazë të predikimit, me të cilat synohen mjetet e miratuara tekstualisht nga Kur’ani dhe Sunneti dhe të aplikuara nga Profeti Muhammed (a.s.) dhe shokët e tij, dhe, të tjera vartëse, të cilat diktohen nga koha e rrethanat, si mjetet bashkëkohore të komunikimit, etj.[7]      

Që këto mjete të jenë të miratuara fetarisht, duhet, para së gjithash: të mos ndeshen me parimet bazë të fesë, të përputhen me nivelin intelektual të audiencës, të jenë të përzgjedhura, etj. [8] 

 

I.2. Kuptimi tradicional i mjeteve dhe sa (s)përputhet ai me mjetet moderne?

Tradicional konsiderohet një mjet që ka miratim të drejtpërdrejtë fetar dhe që është aplikuar nga Profeti Muhammed (a.s.) dhe shokët e tij. Si shembuj këtu mund të përmendim ligjërimin e së premtes (hytben), dialogun, polemikën, shkresat, delegacionet, etj. Disa shkollarë myslimanë kanë kërkuar me ngulm që në predikim të fokusohemi vetëm tek këto mjetet; të tjerë, siç shënon dr. Ibrahimi, janë treguar liberalë, duke miratuar çdo mjet të dobishëm, derisa të tretë kanë miratuar në parim mjetet bashkëkohore por kanë shtuar kërkesën e islamizimit të tyre. [9] 

Nëse shqyrtojmë mjetet, do të vërejmë se miratimi i mjeteve bashkëkohore nuk bëhet në kurriz të mjeteve tradicionale, nuk i tjetërson ato e lëre më t’i eliminojë fare. Disa prej tyre, siç është p.sh. hytbeja, ngelin edhe strukturalisht siç kanë qenë, derisa të tjera, evoluojnë në kuptim të zhvillimit më të madh e aplikimit më të gjerë. Ta zëmë, dialogu, në të kaluarën ka qenë i reduktuar kryesisht në takim fizik, sot i njëjti mjet mund të aplikohet pa patur nevojë të takimit fizik. Kështu, mund të thuhet se mjetet bashkëkohore në fakt janë mjete ndihmëse dhe asistuese të mjeteve tradicionale. Nëse deri dje, hytbeja (ligjërata) e së premtes është përcjellë vetëm nga audienca e pranishme në xhami, sot mund të përcillet nga një audiencë e pakufizuar në numër dhe vend. Për këtë shkak, dr. Abdul Kerimi në librin e tij kushtuar debatit për mjetet, pasi që shpjegon aspektin e kërkuar tradicional të tyre, nënvizon se ai, megjithatë, nuk nënkupton mohimin e mjeteve të reja, përderisa këto të fundit nuk ndeshen me parimet bazë të fesë.[10]       

Se mjetet e reja duhen përvetësuar në fushën e predikimit, përveç nevojës ë kohës,[11] flasin edhe disa fakte me rëndësi.

1)      Dr. El-Muhammedi konsideron se mjetet janë ixhtihadijje (jo detyrimisht të caktuara me tekst/pra jo detyrimisht tradicionale). Këtë mendim për mjetet, sipas tij, e kanë shumica e dijetarëve myslimanë.[12]

2)      Dr. Bejanuni mendon se mjetet, parimisht, i përkasin gjërave të lejuara përderisa nuk ekziston argument që i ndalon ato: “Çdo mjet për të cilin nuk ka tekst fetar, për lejim ose ndalim, konsiderohet i lejuar, për shkak se, parimisht, gjërat janë të lejuara, dhe, rrjedhimisht, predikuesit i lihet në dispozicion përdorimi i tyre...[13]

3)      Krahas kësaj, dr. Bejanuni përmend edhe karakteristikën evolutive të mjeteve, që nënkupton se nuk janë statike, të pandryshueshme, porse ato zhvillohen dhe përtërihen varësisht nga koha dhe zhvillimi i material e shkencor i shoqërisë.[14]  Dr. El-Muhammedi këtë e justifikon me vet natyrën e dy referencave kryesore të Islamit, Kur’anit dhe Sunnetit, që janë marrë me problemet e kohës, që, në mënyrë të heshtur, na udhëzojnë të kemi parasysh këtë element çdoherë, pra universalizmin kohor, duke hapëruar çdoherë me kohën. [15]

4)      Dr. Jusri, duke iu referuar sfondit global të audiencës, e cila, në terminologji të Shkencës së Predikimit, ndahet në: audiencë e predikimit (ummetu ed-da’veh), në të cilën bëjnë pjesë të gjithë njerëzit, dhe audiencë e pasuesve (ummetu el-ixhabeh), ku bëjnë pjesë vetëm myslimanët, konsideron se ne jemi të detyruar, jo vetëm të pranojmë por edhe të gjurmojmë për çdo mjet të ligjshëm për ta përcjellë mesazhin tek audienca.[16]  

5)      Duke qenë se mjetet bashkëkohore kanë karakteristika të caktuara, që mund të përdoren për të mirë dhe të keq, ose të kenë hallall e haram –siç terminologjikisht nënvizohen, atëherë lind nevoja e islamizimit të mjeteve. Pra, përvetësimit për shfrytëzim të pastër dhe të dobishëm.[17]

 

I.3. Konkludim 

Realiteti i ri tregon se debati përkitazi me mjetet e kumtimit të fesë është i tejkaluar. E pranuam apo jo, ne jemi përballë një ndryshimi të madh, të cilin, jo vetëm që duhet ta pranojmë, por edhe të bashkëveprojmë me të. Mjetet klasike ose tradicionale nuk janë të mjaftueshme për të përcjellë mesazhin. Audienca është zgjeruar dhe nevoja e depërtimit tek ata ka diktuar nevojën e përvetësimit të mjeteve të reja. Megjithëkëtë, transformimi nuk ka anuluar mjetet klasike; ai vetëm ka zgjeruar gamën e mjeteve të përcjelljes së mesazhit apo edhe ka siguruar një mundësi të re për vet përcjelljen e mjeteve klasike tek audienca e gjerë.

Së këndejmi, “sot, askush, individ apo institucion qoftë, nuk falet për mosshfrytëzim të këtyre mjeteve moderne.[18] 


 


II. PËRPARËSITË E PREDIKIMIT ONLINE

 

Përdorimi i internetit ka shënuar rritje të madhe në tërë botën. Shifra e përdoruesve të internetit sipas statistikave të ITU-së është mbi tre miliardë. Në pesë vitet në vijim, kjo shifër (2014) pritet të rritet për 1.5 miliardë.[19] Edhe në Kosovë, përdorimi i internetit është në rritje. Sipas një raporti të publikuar në vitin 2013 nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës, STIKK, në Kosovë përdoruesit e internetit në nivel republike janë 76.6%,[20] shifër kjo që sipas disave shihet si më e madhja në rajon. Madje, si karakteristikë, është se në zonat rurale përdorimi i internetit është 77.7 për qind kurse në zonat urbane 75 për qind.[21]

Kjo nënkupton se mediat online janë një mundësi e përkryer edhe se ato ofrojnë atë që nuk e ofrojnë mjetet klasike. Interneti është duke u konsideruar si një përbindësh që po përpin mjetet tjera të komunikimit, dhe, me gjasë, ai mund të jetë media e vetme e së ardhmes. [22]

Nga kjo perspektivë, këto mundësi të reja, studiuesi i mirënjohur mysliman, Dr. Xhafer Shejh Idris, i sheh, jo vetëm si të dobishme e të lejuara, edhe si një imazh konkret i paralajmërimit profetik për afrimin e kohës dhe vendeve.[23]

 

II.1. Shembuj të mundësive që ofrojnë mediat online

Në vazhdim do të përmend disa mundësi shtesë që ofrojnë mediat online për predikim: 

1)       

Qasja e lehtë, e lirë, e shpejtë dhe e pakufizuar

-          Një predikues mund të arrijë fare lehtë dhe shpejtë tek një audiencë e madhe njerëzish, pa patur nevojë të ketë takim fizik me ta, ta pret ditën e xhuma për hytbe, të bëjë shpenzime materiale, etj. Këtë mund ta bëjë nga shtëpia e tij, zyra apo edhe duke qenë në natyrë/ambient të hapur. Kështu, porosia fetare për t’ia përcjellë njerëzimit mbarë ;mesazhin islam bëhet gjithnjë e më e mundur.[24]

-          Me këto mjete mundësohet përcjellja direkt e mjeteve tradicionale. Tashmë ka disa predikues të njohur që hytbet i transmetojnë live me telefonat e mençur, diçka që ka zëvendësuar TV dhe i ofrohet një audience shumë më të madhe. 

-          Me këto mjete mund të depërtohet edhe atje ku fizikisht nuk mund të depërtojë predikuesi ose nuk mund t’i dërgojë materialet e shtypura (librat, revistat, gazetat).  

-          Duke qenë se përdorues të internetit janë në masë të madhe intelektualët dhe akademikët, atëherë interneti na jep një mundësi që të jemi më pranë tyre dhe të diskutojmë me ta rreth fesë.

-          Qasja e femrës në predikim. Mjetet bashkëkohore të komunikimit ofrojnë hapësirë të mjaftueshme për predikimin e femrës dhe përhapjen e dijes dhe këshillave të saj.   

2)       

Ofrimi i predikimit në forma të shumta

Forma se si prezantohet një material ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në kuptimin dhe memorizimin e tij. Në internet një material mund të ofrohet me pamje, zë dhe tekst,[25] diçka që garanton pranim dhe sukses më të madh se të materialeve që ofrohen vetëm në një formë. Se sa rëndësi ka kjo në përcjelljen e mesazhit flet fakti se 98% e njohurive që i fiton njeriu, i fiton nga shqisat e dëgjimit dhe shikimit. Informacionet e fituara nga dëgjimi dhe shikimi ruhen për 55% më shumë se ato të fituara thjesht nga leximi.[26]

 

II.2. Fusha të mundshme të aplikimit të internetit në predikim

1)       

Themelimi i faqeve informative fetare. Këto faqe mund të jenë faqe për tekste (tema) fetare, faqe në facebook, mund të jenë llogari në youtube ku ngarkohen materialet në video.

2)       

Themelimi i librarive digjitale. Ka libra që janë botuar më parë, revista që janë nxjerrë për një kohë e janë ndaluar së botuari. Sikur ato t’i skanonim dhe t’i publikojmë do të kishte dobi të mëdha.

3)       

Themelimi i faqeve të veçanta për pyetje-përgjigje

4)       

Themelimi i TV-ve dhe radiove online. Sipas statistikave, 40% e frekuentuesve të internetit përcjellin TV online ndërsa 23% radion.[27]

5)       

Themelimi i blogjeve private të predikuesve. Në këto blogje, predikuesi mund të publikojë punimet e tij, të shkruaj tekste e mesazhe të shkurtra, të kontaktojë me lexuesit nëpërmjet rubrikës së komentimit në artikuj, etj.

6)       

Përhapja e mirësive të Islamit. Islami disponon me mirësi të shumta, të cilat janë mundësi e artë e përfitimit të zemrave të njerëzve të ndryshëm. Një ndër këto është edhe toleranca. Këto bëhen edhe më bindëse nëse ua prezantojmë nëpërmjet figurave të tyre.[28]

Në këtë aspekt mund të futen edhe materialet që prezantojnë aspekte shkencore të fesë. [29]  Nëse e kemi parasysh se përdorues të internetit në masën më të madhe është shtresa e arsimuar e shoqërisë, atëherë prezantimi i fesë nëpërmjet kësaj dritareje do të ishte shumë i dobishëm..

7)       

Dialogu dhe trajtimi i dyshimeve në konceptet fetare.[30] Detyrimisht, duhet të jetë brenda suazave të kërkuara fetarisht, pra të synojë të vërtetën me dashamirësi, ndryshe, ndalohet.[31] Dialogu mund të përdoret për flakjen e dyshimeve rreth koncepteve të ndryshme të fesë. duke qenë kështu, ai mund të zhvillohet me besimtarë myslimanë, pro edhe me të tjerë.

8)       

Edukimi në distancë.[32] Tashmë mundësia e përfitimit nga institucione e dijetarë të ndryshëm është më e madhe se kurdoherë më parë. Trajnimet dhe edukimi online janë mundësi që ofrohen, madje edhe të certifikuara. Këtë mundësi duhet ta shfrytëzojnë institucionet e arsimit fetar.     

9)       

Përdorimi i artit për predikim. Në ekipet predikuese bashkëkohore, vend duhet të kenë edhe regjisorët dhe aktorët.[33] Duke qenë se kemi edhe audiencë fëmijësh, duhet të përdorim edhe artin e animuar, që mesazhi të shkojë edhe tek ata.[34]

10)   

Shkëmbimi i përvojave me predikues tjerë. Përvoja konsiderohet referencë me rëndësi në predikim. Mediat online i japin mundësinë predikuesve të përfitojnë nga njëri tjetri dhe të shkëmbejnë  përvojat e tyre. [35]

 


 


III. SFIDAT E MEDIAVE ONLINE: KU KEMI ÇALUAR DHE ÇFARË DUHET TË BËJMË?

 

Me gjithë mundësitë që ofron interneti, ai vazhdon të jetë i neglizhuar për predikim fetar.[36] Në ndërkohë që përdorimi i internetit shënon rritje astronomike, tek ne mungojnë platforma serioze dhe institucionale të predikimit online. Kjo shpërfillje ka pasojat e veta, pasi që, disa prej mundësive të mediave online në fakt janë thikë me dy tehe: mund edhe përdoren për të keq. Pastaj, vet natyra e medias online, që si mjet përditëson mundësitë dhe shërbimet pothuajse çdo ditë, është sfidë në vete, sepse kërkon hapërim me të. Në shumë prej punimeve që kemi konsultuar rreth shfrytëzimit të internetit, shpjegimet që ofrohen janë të vjetërsuara, madje disa edhe janë jashtë mode.    

 

III.1. Ofrimi i shërbimeve fetare në internet

Ndonëse jo në nivel të kënaqshëm, ekzistojnë faqe fetare që merren me predikimin fetar. Këto faqe, ose janë:

-          faqe private të predikuesve,

-          faqe të themeluara nga disa predikues,

-          faqe të themeluara dhe mirëmbajtura nga aktivistë fetarë,

-          portale informative me ngjyrim fetar,

-          faqe të institucioneve fetare.

Disa prej këtyre faqeve nuk i kanë mbijetuar kohës. Kanë qenë të hapura për një kohë, ndoshta në fillim kanë qenë edhe shumë premtuese, por me kalimin e kohës, për shkaqe të ndryshme, janë mbyllur. Të tjera kanë materiale por larg çdo niveli të kërkuar dhe lar përmbushjes së nevojave të besimtarëve. Të treta janë private dhe përveç produktit fetar e shkencor të predikuesit nuk përmbajnë materiale tjera. Disa predikues janë më shumë konsumues se kontribuues në mediat online, derisa të tjerë, kanë angazhim por nëpërmjet ndonjë vullnetari i cili mirëmban faqen ose llogarinë e tij. Kjo paraqet problem në vete pasi që angazhimi nuk është jetëgjatë dhe jo rrallë edhe i papërgjegjshëm dhe jo me dije të predikuesit.

Kjo flet vetvetiu se predikimi fetar nuk guxon të tkurret në angazhim vullnetar por institucional. Fatkeqësisht, institucionet fetare (këshillat lokal të BI-së) janë larg çdo suksesi në fushën e predikimit online. Disa nuk kanë asnjë gjurmë në mediat online derisa të tjerë kanë uebfaqe dhe angazhime serioze. Vlen të veçohet si shembull Këshilli lokal i Bashkësisë Islame në Gjakovë, në menaxhim të të cilit është portali (http://www.islamgjakova.net/), i cili përmban materiale të kënaqshme, përditësohet shpesh me materiale të reja dhe i cili ka angazhim edhe në FB. Këshilla të tjerë (natyrisht, pa përgjithësime) kanë faqe dhe llogari në FB por që mirëmbahen vullnetarisht dhe që zakonisht shërbejnë për njoftime për veprimtari fetare. Sigurisht, barra kryesore për këtë, bie mbi qendrën, e cila, nisur nga detyrimi kryesor që ka, duhet të iniciojë veprimtarinë fetare në këto media dhe të menaxhojë atë. Interneti, siç e përshkuan E. Maigret, është një përbindësh që përpin mjetet tjera të komunikimit, [37] andaj duhet vënë strategji përkatëse për shfrytëzimin e tij.[38] Siç na këshillon El Hexheri, askush prej nesh nuk justifikohet për mos shfrytëzim të këtyre mjeteve, e sigurisht, në këtë kontekst, më së paku institucionet fetare.[39]  Na duhet një vizion i ri për metodat klasike, një strategji e cila na garanton futjen e sigurt në këtë oqean të pafund të mundësive e sfidave. AbduRrahman Atijje e përshkuan me pak fjalë këtë vizion e thotë: Bashkimi me botën dhe hapërimi me zhvillimin e saj kërkon një vizion të ri për botëkuptimet e vjetra, të cilat kanë humbur fuqinë ose efektin për të ndërtuar ura me kulturën globale duke mos u shkrirë dhe as tjetërsuar identitetin.”[40]

 

III.2. Ballafaqimi me sfidat e predikimit në internet

III.2.1. Sfidat fetare

Ky vizion dhe kjo strategji duhet vënë sa më parë për shkak të degradimit të predikimit fetar online. Njerëz të papërgjegjshëm, që fshihen prapa identiteve të rreme e qëllimeve të këqija, janë duke propaganduar ide që bien ndesh me mësimet e mirëfillta islame. Në shqip mund të gjesh llogari të disa lëvizjeve fetare, si p.sh. lëvizjeve ahmedite, kadijanite, shiite, që propagandojnë idetë e tyre në rrjete sociale. Po kështu, edhe radikalizmi fetar rrugë kryesore ka internetin, e me theks të veçantë rrjetet sociale. Mediat online janë edhe mundësi indoktrinimi. Kjo si shkak i lidhjes virtuale dhe jo fizike të audiencës me predikuesit, që është problem në vete. [41] Se si ndodhë kjo, e shpjegon bukur Velid Huvejrini, i cili thotë: “Shpërthimi informativ nëpërmjet mjeteve të internetit si dhe lehtësia e qasjes në to nëpërmjet motorëve të kërkimit dhe mjeteve sociale të komunikimit solli dembelizëm akademik dhe ftohje të lidhjeve të këtij brezi me dijetarët dhe studiuesit seriozë. Kjo solli për rrjedhojë një konstrukt intelektual të brishtë, i cili mund të kontrollohej dhe ndryshohej shumë shpesh.”[42]

Kjo na detyron që veprimtarinë fetare në internet, e me theks të veçantë në rrjetet sociale, ta menaxhojmë më seriozisht. Natyrisht, është e pamundur të menaxhohet çdo aktivitete, për shkak se nuk është mundësia që na ofron media online, por është prania jonë më e madhe, si institucione:

-          duke angazhuar ekipe predikuesish profesionalë që në mënyrë ekskluzive të merren me këto media, si dhe

-          duke bashkëpunuar me institucione relevante që të nxirren ligje që normojnë angazhimin privat në këtë mjete, ajo që mund të bëjmë. Më fjalë tjera, të nxirren ligje që kufizojnë lirinë e shprehjes dhe veprimit, kufizim ky që –siç thotë D. Wolton[43]- nuk do të përbënte vrasje të lirisë së shprehjes por ruajtje të saj.

Idetë fetare paraqesin sfidë edhe nga një perspektivë tjetër, jo detyrimisht radikale. Interneti është arë e papërpunuar ku komunitetet fetare paraqesin idetë e veta dhe mundohen të fitojnë ithtarë sa më shumë të jetë e mundur. Madje konvertimet fetare mund të bëhen edhe lojë e rrezikshme që mund të prish tolerancën fetare. kështu, nëse ne nuk kryejmë detyrën tonë, ne kemi rrezikuar komunitetin në një farë forme.[44]

III.2.2. Sfidat morale

Interneti paraqet sfidë të madhe sa i përket aspektit moral. Shohim gjeneratat e reja më pak të edukuara dhe me më pak etikë karshi të tjerëve. Materializmi dhe individualizmi, jo që janë përhapur,[45] por pothuajse kanë dominuar imazhin shoqëror. Mendimtari i njohur mysliman, Muhammed Gazali, këtë indoktrinim ideologjik e quante, jo shpëlarje, por fëlliqje të trurit. 

 

III.3. Përgatitja e profesionale e predikuesve

Nëse kemi parasysh natyrën e këtyre mjeteve dhe karakteristikat e tyre, do të kuptojmë se ato duan një përgatitje, qoftë në kuptim të përdorimit,[46] qoftë në kuptim të materialit predikues. Interneti është fushë e re për shumë predikues[47], andaj duhet përgatitur më parë për të. Po kështu, audienca e internetit nuk është ajo e xhamisë. Audienca e mediave online është anonime,[48] e përzier, e papërcaktuar, e shpërndarë, e larmishme, [49]  që nënkupton se jo të gjithëve mund t’i drejtohesh me një gjuhë, me një logjikë, me një temë. Tërë kjo parashtron nevojën e trajnimit dhe përgatitjes së predikuesve se si të trajtojnë audiencën e këtillë dhe cilat metodat t’i përdorin në prezantimin e fesë.   

Studiues të mirëfilltë kanë kërkuar që gjatë shtjellimit të temave fetare në internet, fokusi të jetë në gjërat në vijim:

1)      Të ruajë maksimalisht nivelin intelektual të audiencës.

2)      Të fokusohet në çështjet që kanë të bëjnë me kredon/besimin, pasi që ato janë më të rëndësishmet. Trajtimin e temave të këtilla duhet ta bëjë në formë të përgjithshme, duke shmangur aspektet akademike ose ato që janë objekt diskutimi tek studiuesit.

3)      Të trajtojë aspektet shkencore të fesë, në mënyrë që për elitën intelektuale të jenë të pranueshme. Në fakt, është kërkuar që të respektohen metodat bazë të kumtimit të fesë: urtësia, këshilla e mirë dhe dialogu,[50] e të cilat përfshijnë të gjitha shtresat e audiencës. 

4)      Të trajtojë aspekte të moralit dhe virtyteve fetare, gjëra këto që kanë filluar të zhduken në shoqërinë e epokës digjitale.

5)      Materialet e përgatitura me tekst të mos jenë të rënduara me çështje që i përkasin sferës akademike si dhe të mos kenë gabime gjuhësore pasi që këto mund t’i irritojnë njerëzit. Po kështu, duhet të jenë të shkurtra dhe të ofruara në formate të ndryshme: tekst, audio, video, imazhe, etj. Kjo nënkupton se predikimi në këto media duhet të jetë ekipor.

6)      Në dialog me të tjerët, të rrahën vetëm temat e pranuara fetarisht, pra të iket prej temave që janë të padobishme. Predikuesi patjetër duhet të ketë informacione të bollshme për temat që diskutohen. [51]

7)      Rezervimi i orareve të caktuara ditore ose javore për pyetje dhe përgjigje. Me këtë rast, predikuesi duhet të ruajë etikën, të mos ndikohet nga provokimet e mundshme, të jep përgjigje duke iu referuar burimeve të besueshme. Mund të ndiqet praktika e disa portaleve që pranojnë pyetje në një kohë të caktuar dhe më pas japin përgjigjet me shkrim.

8)      Me rastin e nxjerrjes së fetvave, duhet të kihen parasysh rrethanat dhe koha, respektivisht, krahas kuptimit të thellë të tekstit fetar, duhet kuptuar edhe mënyrën e aplikimit të tekstit në praktikë. Pra, nuk mjafton vetëm aspekti teorik por edhe ai praktik, gjegjësisht të kuptuarit e aktualitetit dhe të kuptuarit e asaj që duhet bërë në këtë aktualitet. [52]

9)      Për të qenë sa më efektiv në predikim, predikuesi duhet të ketë edhe përgatitje të shkencave jofetare.[53]

10)  Bashkëdyzimi i mjeteve tradicionale me këto moderne, duke transmetuar live ligjëratat e xhamisë si dhe duke tentuar fuqizimin e lidhjes fizike të audiencës me predikuesin.


 


PËRFUNDIM

 

Predikimi fetar në internet, ndonëse nuk ka pengesa juridike fetare, ende është në nivele të pakënaqshme. Përkundër mundësive që ofrojnë, mediat online janë ende të pashfrytëzuara për këto qëllime, dhe këtë, si nga institucionet fetare, si nga predikuesit.  Të gjeturat e këtij studimi konfirmojnë nevojën për:

1)      angazhimin institucional në predikim, duke vënë strategji konkrete dhe duke formuar ekipe predikuesish, në mënyrë që shkëputja fizike nga predikuesi në xhami, audiencës të mos i mundësojë lidhje virtuale me propagandues qëllimkëqij. Hoxhën ta ketë në xhami por edhe në internet. 

2)      luftimin e propagandave dhe ideve të gabuara në mediat online.

3)      përgatitjen profesionale të predikuesve. Institucionet fetare dhe arsimore duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të nxjerrin predikues të kualifikuar edhe për predikim në mediat online.  


 

Literatura:

 

Atijje, AbduRrahman, El-hitab ed-dinijj ve-l-i’lam, (Siri: Dar El Euzai, 2010.).

Buhariu, Muhammed bin Ismail, Sahih El-Buhari, (Bejrut: Dar tavk en-nexhah, 2001), verifikues: Muhammed Zuhejr Nasir El-Nasir.

Dominique Wolton, Të shpëtojmë komunikimin, (Tiranë: Papirus, 2009.), përktheu: Saverina Pasho.

El Abd El Kerim, AbduSelam bin Burxhes, El-huxhexh el-kavijjeh ala enne vesail ed-da’veti tevkifijjeh, (Kajro: Dar el-furkan, 2011)

El-Bejanuni, Ebu El-Fet’h, El-Me’dhal ila Ilmi-d-Da’veh, (Bejrut: Muessesetu err-rrisaleh, 2011).

El-Estal, AbduLatif Mustafa Ahmed, Mura-atu ahvali el-meduvine fi dav’i es-sunneti en-nebevijjeh, (Gazza: Universiteti islamik, 2008).

El-Huvejrini, Velid, Shndërrimi i islamistëve nga flakët e shtatorit tek pranvera e revoltave, (Shkup: NUN, 2016), përktheu: Enklid Pelari.

El-Magdhevi, AbduRrahim bin Muhammed, Vesail ed-Da’veh, (Rijad: Dar Ishbilija, 2000).

Eric Maigret, Sociologjia e komunikimit dhe mediave, (Tiranë: Papirus, 2010.), përktheu: Blerta Hyska.

Francis Balle, Mediat dhe shoqëritë, (Tiranë: Papirus, 2011.), përkthyen T. Nakuçi, S. Pasho dhe M. Marku.

Grup autorësh, El-muslimune fi muvaxheheti el-betth-thi el-mubashir, (Rijad: Dar Tuvejk, 2000, ed. 2.).

Hamud bin Ahmed Ruhajli, Asnafu-l-meduvine ve kejfijjetu da’vetihim, (Medinë: Mektebetu el-ulum ve-l-hikem; Damask: Dar el-ulum ve-l-hikem, 2003, ed. 2.).

Herefi, Muhammed Ali, Kadaja sahineh tuekkidu ealete el-Islam dinën alemijjen julebbi regabat el-fitreti el-insanijjeh, (Kajro: Dar el-i’tisam, p.v.b.).

Ibn Maxhe, Abdullah bin Muhammed Jezid El Kazvini, Sunen Ibn Maxheh, (Kajro: Dar ihja el-kutub el-arabijjeh, p.v.b.), verifikoi dhe plotësoi me shënime: Muhammed Fuad Abdul Baki.

Ibrahim, Ibrahim Nurejn, Fikhu ed-da’veti ila Allahi teala (Rijad: Mektebetu err-rrushd, 2007).

Joseph R. Dominick, Dinamika e komunikimit masiv – media në periudhën digjitale, (Tiranë: UET Press, 2010.), përkthyen: Bashkim Gjergji dhe Rrapo Zguro.

Jusri, Muhammed, Mealim fi Usuli ed-Da’veh, (Rijad: Mexhel-letu el-bejan, 2003).

Jusuf Kardavi, Thekafetu ed-daijeti, (Bejrut: Muessesetu err-rrisaleh, 2001.).

Mahmud, Ali Abdul Halim, Fikhu ed-Da’veh, (Mensure: Dar el-Vefa, 1991, ed. 3.).

Mervan Kuxhuk, Athar el-fidju ve el-telefizjun ala el-ferdi ve-l-muxhteme, (Rijad: Mektebetu el-keuther, 1997).

Morina, Qemajl, Glosar i nocioneve fetare, (Prishtinë: Fakulteti i Studimeve Islame, 2010).

Sabag, Bessam, Kabesat min ed-da’veti ve-d-duat, (Damask: Dar el-beshair, 2011).

Sherif Hamdan Raxhih Hexhari, Kavaid ed-da’veti el-islamijjeh, (Medine Munevvere: privat, 1995).

Uthman AbduRrahim Kumejhi, Meajir el-xheudeti fi el-mendhuemti ed-da’vijjeti – kiraetun nakdijjetun fi meajir xheudeti ed-daijeti, (Bruksel: Itqan, 2015).

 



[1] Shih: Qemajl Morina, Glosar i nocioneve fetare, (Prishtinë: Fakulteti i Studimeve Islame, 2010), fq. 38.

[2] Përkthimi i kuptimeve të Kur’anit është huazuar nga përkthimi i Pro. Hasan Nahit, botuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam në Tiranë, 2011.

[3] Ibn Maxhe, Sunen Ibn Maxheh, (Kajro: Dar ihja el-kutub el-arabijjeh, p.v.b.), verifikoi dhe plotësoi me shënime: Muhammed Fuad Abdul Baki, nr. 230, 1/84.

[4] Buhariu, Sahih El-Buhari, (Bejrut: Dar tavk en-nexhah, 2001), verifikues: Muhammed Zuhejr Nasir El-Nasir, nr. 69, 1/25.

[5] Ebu El-Fet’h El-Bejanuni, El-Me’dhal ila Ilmi-d-Da’veh, (Bejrut: Muessesetu err-rrisaleh, 2011), fq. 282.

[6] AbduRrahim bin Muhammed El-Magdhevi, Vesail ed-Da’veh, (Rijad: Dar Ishbilija, 2000), fq. 20.

[7] Po aty, fq. 20.

[8] Muhammed Jusri, Mealim fi Usuli ed-Da’veh, (Rijad: Mexhel-letu el-bejan, 2003), f. 77.

[9] Ibrahim Nurejn Ibrahim, Fikhu ed-da’veti ila Allahi teala (Rijad: Mektebetu err-rrushd, 2007), fq. 192.

[10] AbduSelam bin Burxhes El Abd El Kerim, El-huxhexh el-kavijjeh ala enne vesail ed-da’veti tevkifijjeh, (Kajro: Dar el-furkan, 2011), fq. 71.

[11] Ahmed Ebu Zejd, Minhaxhu ed-Da’veh, (Revista Da’vetu-l-Hakk: v. 23, nr. 135, r. Evvel 1414), fq. 143. 

[12] Dr. Ahmed Selman Ubejd El-Muhammedi, Tatvir vesail ed-da’veh fi dav’i el-muvakebeti el-asrijjeti li-l-fikri el-islamijj, në: Revista e Universitetit Islam të Enbarit, vëll: 4, nr. 15, nisan 2013, fq. 537.

[13] Ebu El-Fet’h El-Bejanuni, El-Me’dhal ila Ilmi-d-Da’veh, vep. e cit, fq. 290.

[14] Po aty, fq. 340.

[15] Dr. Ahmed Selman Ubejd El-Muhammedi, Tatvir vesail ed-da’veh fi dav’i el-muvakebeti el-asrijjeti li-l-fikri el-islamijj, vep. e cit., fq. 541-542.

[16] Muhammed Jusri, Mealim fi Usuli ed-Da’veh, vep. e cit., f. 77.

[17] Ibrahim Nurejn Ibrahim, Fikhu ed-da’veti ila Allahi teala, vep. e cit., fq. 192.

[18] Sherif Hamdan Raxhih Hexhari, Kavaid ed-da’veti el-islamijjeh, (Medine Munevvere: privat, 1995), fq. 478.

[22] Eric Maigret, Sociologjia e komunikimit dhe mediave, (Tiranë: Papirus, 2010.), përktheu: Blerta Hyska, fq. 301. 

[23] http://www.jaafaridris.com, 11.10.2017. Në një prej thënieve të sakta profetike, qëndron se, në kuadër të shenjave të vogla paralajmëruese për fundin e botës është edhe ‘afrimi i kohës’ (ar. tekarub ez-zeman). Me këtë kuptim e kanë shpjeguar edhe të tjerë, si Bin Bazi, etj.

[24] Bessam Sabag, Kabesat min ed-da’veti ve-d-duat, (Damask: Dar el-beshair, 2011), fq. 246.; Muhammed Jusri, Mealim fi Usuli ed-Da’veh, vep. e cit., f. 58-59.

[25] Eric Maigret, Sociologjia e komunikimit dhe mediave, vep. e cit., fq. 300. 

[26] Grup autorësh, El-muslimune fi muvaxheheti el-betth-thi el-mubashir, (Rijad: Dar Tuvejk, 2000), fq. 7-8.

[27] Joseph R. Dominick, Dinamika e komunikimit masiv – media në periudhën digjitale, (Tiranë: UET Press, 2010.), përkthyen: Bashkim Gjergji dhe Rrapo Zguro, fq. 425.

[28] P.sh. Gustav le Bon, duke folur për tolerancën islame, thotë: “Në ajetet e cituara më parë, pamë se niveli i tolerancës së Muhammedit me çifutët dhe të krishterët ka qenë jashtëzakonisht i madh. Atë nuk e ka predikuar askush para tij,...” Robertsoni thotë: “Janë myslimanët ata që kanë bashkëdyzuar xhelozinë për fenë me tolerancën karshi ithtarëve të feve tjera. Ata, me gjithë dëshirën e flaktë për ta përhapur fenë, të tjerët i kanë lënë të lirë ta mbajnë fenë e tyre.”. Muhammed Ali Herefi, Kadaja sahineh tuekkidu ealete el-Islam dinën alemijjen julebbi regabat el-fitreti el-insanijjeh, (Kajro: Dar el-i’tisam, p.v.b.), fq. 22.

[29] Dr. Ahmed Selman Ubejd El-Muhammedi, Tatvir vesail ed-da’veh fi dav’i el-muvakebeti el-asrijjeti li-l-fikri el-islamijj, vep. e cit., fq. 537.

[30] AbduRrahim bin Muhammed El-Magdhevi, Vesail ed-Da’veh, vep. e cit., fq. 91-92.

[31] Ali Abdul Halim Mahmud, Fikhu ed-Da’veh, (Mensure: Dar el-Vefa, 1991, ed. 3.), 1/181.

[32] Grup autorësh, El-muslimune fi muvaxheheti el-betth-thi el-mubashir, (vep. e cit., fq. 18-19.

[33] Bessam Sabag, Kabesat min ed-da’veti ve-d-duat, vep. e cit., fq. 249.

[34] AbduLatif Mustafa Ahmed El-Estal, Mura-atu ahvali el-meduvine fi dav’i es-sunneti en-nebevijjeh, (Gazza: Universiteti islamik, 2008), fq. 148.

[35] Grup autorësh, El-muslimune fi muvaxheheti el-betth-thi el-mubashir, vep. e cit., fq. 7-8.

[36] Dr. Ahmed Selman Ubejd El-Muhammedi, Tatvir vesail ed-da’veh fi dav’i el-muvakebeti el-asrijjeti li-l-fikri el-islamijj, vep. e cit., fq. 562

[37] Eric Maigret, Sociologjia e komunikimit dhe mediave, vep. e cit., fq. 301. 

[38] Velid El-Huvejrini, Shndërrimi i islamistëve nga flakët e shtatorit tek pranvera e revoltave, (Shkup: NUN, 2016), përktheu: Enklid Pelari, fq. 32-33.

[39] Sherif Hamdan Raxhih Hexhari, Kavaid ed-da’veti el-islamijjeh, vep. e cit, fq. 478.

[40] AbduRrahman Atijje, El-hitab ed-dinijj ve-l-i’lam, (Siri: Dar El Euzai, 2010.), fq. 40.

[41] Grup autorësh, El-muslimune fi muvaxheheti el-betth-thi el-mubashir, vep. e cit., fq. 41.

[42] Velid El-Huvejrini, Shndërrimi i islamistëve nga flakët e shtatorit tek pranvera e revoltave, (Shkup: NUN, 2016), përktheu: Enklid Pelari, fq. 32-33.

[43] Dominique Wolton, Të shpëtojmë komunikimin, (Tiranë: Papirus, 2009.), përktheu: Saverina Pasho, fq. 122.

[44] Mervan Kuxhuk, Athar el-fidju ve el-telefizjun ala el-ferdi ve-l-muxhteme, (Rijad: Mektebetu el-keuther, 1997), fq. 22.

[45] Dr. Ahmed Selman Ubejd El-Muhammedi, Tatvir vesail ed-da’veh fi dav’i el-muvakebeti el-asrijjeti li-l-fikri el-islamijj, vep. e cit., fq. 548.

[46] Uthman AbduRrahim Kumejhi, Meajir el-xheudeti fi el-mendhuemti ed-da’vijjeti – kiraetun nakdijjetun fi meajir xheudeti ed-daijeti, (Bruksel: Itqan, 2015), fq. 60.

[47] AbduRrahim bin Muhammed El-Magdhevi, Vesail ed-Da’veh, vep. e cit., fq. 90.

[48] Joseph R. Dominick, Dinamika e komunikimit masiv – media në periudhën digjitale, vep. e cit., fq. 425.

[49] Francis Balle, Mediat dhe shoqëritë, (Tiranë: Papirus, 2011.), përkthyen T. Nakuçi, S. Pasho dhe M. Marku, fq. 17.

[50] Hamud bin Ahmed Ruhajli, Asnafu-l-meduvine ve kejfijjetu da’vetihim, (Medinë: Mektebetu el-ulum ve-l-hikem; Damask: Dar el-ulum ve-l-hikem, 2003, ed. 2.), fq. 56.

[51] Mervan Kuxhuk, Athar el-fidju ve el-telefizjun ala el-ferdi ve-l-muxhteme, (Rijad: Mektebetu el-keuther, 1997), fq. 10.

[52] Muhammed Jusri, Mealim fi Usuli ed-Da’veh, vep. e cit., f. 58-59.

[53] Jusuf Kardavi, Thekafetu ed-daijeti, (Bejrut: Muessesetu err-rrisaleh, 2001.), fq. 132.

 


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013