Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
PAQARTËSIA II: ISLAMI ËSHTË PËRHAPUR ME SHPATË

 

 

 

PAQARTËSIA II:

ISLAMI ËSHTË PËRHAPUR ME SHPATË

 

Paragjykuesit e Islamit kanë prekur edhe çështjen e përhapjes së tij duke hedhur akuza në adresë të Profetit për kinse ai e ka dashur derdhjen e gjakut, se Islami është përhapur me forcën e shpatës dhe se ithtarët e tij nuk e kanë përqafuar këtë fe nga vullneti por nga imponimi.

Këtë shpifje dhe akuzë qëllimkeqe e demantojnë Islami dhe mësimet e tij të pastra, nga njëra, anë dhe narracioni historik nga ana tjetër. Më konkretisht:

1) 

[Mëshira, e jo dhuna, karakterizon Islamin]

Islami, në esencë, është fe e mëshirës. Ky tipar i tij reflekton edhe në normat dhe ligjet e tij. Nuk ka urdhëresë a ndalesë në Islam e që në një ose formë tjetër nuk paraqet mëshirë për njerëzit. Për këtë shkak, mëshira ka zënë një vend shumë të lakmueshëm në Kur’an. Ajo bashkë me fjalët që rrjedhin prej saj është përmendur hiç më pak se 315 herë, duke e shtrirë mëshirën e Zotit në çdo gjë, madje edhe në raport me ata që e kanë mohuar Atë. Thotë Allahu:

﴿كَتَبَ رَبُّكُمْ عَلَىٰ نَفْسِهِ الرَّحْمَةَ

“...Zoti juaj ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën...” [El En’amë: 54.]

Allahu i Madhëruar e dërgoi Profetin Muhammed mëshirë dhe udhëzim për njerëzimin mbarë. Fjalët e tij reflektonin mëshirë gjithandej. Vet ai thoshte: “Kush nuk mëshiron (të tjerët), nuk mëshirohet!”;[1]Mëshirojini ata që janë në tokë, iu mëshiron Ai që është në qiell![2]

Kjo mëshirë nuk ka ngelë vetëm në fjalë dhe predikime. Ajo është jetësuar edhe në praktikë. Këtë e kanë dëshmuar edhe jomyslimanë objektivë, si Tomas Arnoldi, i cili thotë: ”Nëse i referohemi tolerancës së treguar nga myslimanët fitimtarë në raport me arabët e krishterë në shekullin e parë sipas hixhretit dhe shekujt vijues, me të drejtë do të konstatojmë se këto fise të krishtera që kanë përqafuar islamin, e kanë bërë me vullnet dhe liri të plotë të zgjedhjes. Vetë arabët e kohës sonë që bashkëjetojnë me komunitete myslimane janë dëshmi të kësaj tolerance.”[3]

2) 

[Lufta nuk ishte zgjidhja fillestare]

Profeti luftën e shihte si hapin e fundit që duhet ndërmarrë, për të mos thënë se nuk linte mundësi pa shfrytëzuar vetëm e vetëm që t’i shmangej asaj. Pastaj, lufta nuk është ligjësuar vetëm se atëherë kur keqtrajtimi ndaj besimtarëve pati kaluar kufijtë dhe kur tentativat për likuidimin fizik të Profetit në Mekkë dhe Medinë ishin shtuar. Vetëm kur ndodhën këto, erdhi leja për të luftuar. Allahu thotë:

﴿أُذِنَ لِلَّذِينَ يُقَاتَلُونَ بِأَنَّهُمْ ظُلِمُوا ۚ وَإِنَّ اللَّـهَ عَلَىٰ نَصْرِهِمْ لَقَدِيرٌ ﴿٣٩﴾ الَّذِينَ أُخْرِجُوا مِن دِيَارِهِم بِغَيْرِ حَقٍّ إِلَّا أَن يَقُولُوا رَبُّنَا اللَّـهُ ۗ وَلَوْلَا دَفْعُ اللَّـهِ النَّاسَ بَعْضَهُم بِبَعْضٍ لَّهُدِّمَتْ صَوَامِعُ وَبِيَعٌ وَصَلَوَاتٌ وَمَسَاجِدُ يُذْكَرُ فِيهَا اسْمُ اللَّـهِ كَثِيرًا ۗ وَلَيَنصُرَنَّ اللَّـهُ مَن يَنصُرُهُ ۗ إِنَّ اللَّـهَ لَقَوِيٌّ عَزِيزٌ﴾

Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi dhe, në të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm, që t’i ndihmojë 40. ata, që janë dëbuar nga vatrat e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: “Zoti ynë është Allahu.” Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” [El Haxh: 39-40]

Këtë rrugë të Profetit e ndoqën myslimanët në betejat që zhvilluan. Ata nuk kanë luftuar të gjithë idhujtarët, përkundrazi, ata i kanë luftuar vetëm kundërshtarët e armatosur- ushtarët. Profeti ua ka bërë me dije shokëve të vet se, para luftës, duhet ftuar njerëzit në fe, sepse Islami nuk e lejon mashtrimin dhe as tradhtinë. Kur Profeti e dërgoi Aliun (r.a.) në Hajber, e porositi: “Nisu avash-avash derisa të arrish në vendin e tyre, e kur të arrish, kumtojua atë që e kanë obligim (besimin), ngase, betohem në Allahun, që Allahu ta udhëzojë një njeri nëpërmjet teje, është më mirë për ty se devetë e kuqe (pasuria më me vlerë).[4]

Se myslimanët kishin këto parime dhe këto sjellje dëshmon edhe fakti se atyre, përkundër asaj që gjendeshin në mesin e jomyslimanëve në Etiopi, kurrë nuk iu shkoi ndërmend t’i luftonin jomyslimanët atje. Shto kësaj edhe faktet që duke qëndruar me ta ishin në dijeni për pikat e forta dhe të dobëta të tyre dhe, po të ishte lufta në Islam për të dominuar, plaçkitur e vjedhur, Etiopia do të ishte vendi i parë që do të luftohej nga myslimanët.[5]

3) 

[Dëshmia e kundërshtarëve]

Ata që e kanë luftuar Profetin , kanë dëshmuar për qëndrimin e tij në gjendje lufte dhe paqeje dhe, njëkohësisht, për qëllimet e tij. Ebu Sufjani që për dy dekada e luftoi, nuk mund t’i rezistonte të vërtetave, andaj i tha Profetit : “Të kam luftuar, ke qenë kundërshtar i mirë! Kam bërë paqe me ty, ke qenë paqësor i mirë![6]

4) 

[Konceptet islame e refuzojnë një gjë të tillë]

Islami disponon me një ligj të qartë dhe konciz përkitazi me lirinë e besimit, ligj ky që zë fill tek fjala e Allahut:

﴿لَا إِكْرَاهَ فِي الدِّينِ

S’ka detyrim në fe,...” [El Bekare: 256]

Këtë rregull e gjejmë të përkthyer përsosmërish në jetën e Profetit . As ai, as myslimanët pas tij, nuk kanë detyruar kurrë njeri që ta pranojë Islamin, sikur që nuk ka ndodhur të pranohet nga njerëzit si formë e shpëtimit nga vdekja apo ndëshkimi. Kjo gjë as logjikisht nuk mund të pranohet. Nëse myslimanët me veprimtarinë e tyre kanë qëllim kryesor botën tjetër,  atëherë çfarë vlere do të kishte që t’iu imponohet njerëzve feja kur dihet se imponimi është formalisht ndërsa në zemra ngel besimi që kanë pasur?!

Çështjen e pranimit ose jo të besimit, Islami e ka lidhur drejtpërdrejtë me besimin dhe miratimin shpirtëror të secilit individ. Allahu thotë:

﴿وَقُلِ الْحَقُّ مِن رَّبِّكُمْ ۖ فَمَن شَاءَ فَلْيُؤْمِن وَمَن شَاءَ فَلْيَكْفُرْ ۚ إِنَّا أَعْتَدْنَا لِلظَّالِمِينَ نَارًا أَحَاطَ بِهِمْ سُرَادِقُهَا ۚ وَإِن يَسْتَغِيثُوا يُغَاثُوا بِمَاءٍ كَالْمُهْلِ يَشْوِي الْوُجُوهَ ۚ بِئْسَ الشَّرَابُ وَسَاءَتْ مُرْتَفَقًا

Dhe thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë” Ne kemi përgatitur për mohuesit keqbërës një zjarr, që do t’i rrethojë nga të gjitha anët (si çadra). Nëse do të kërkojnë ndihmë, do t’u jepet një ujë si xehja e shkrirë, që do t’ua përcëllojë fytyrat. Sa pije e tmerrshme është ajo e sa strehim i keq është ai (zjarri)!” [El Kehf: 29]

Kur’ani na ka mësuar se detyrë e Profetit ka qenë të kumtojë, jo të kthejë njerëzit në fe. Thotë Allahu:

﴿فَإِنْ أَعْرَضُوا فَمَا أَرْسَلْنَاكَ عَلَيْهِمْ حَفِيظًا ۖ إِنْ عَلَيْكَ إِلَّا الْبَلَاغُ﴾

Nëse ata kthejnë kurrizin, dije se Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), si rojë për ata. Detyra jote është vetëm që të kumtosh...” [Esh Shura: 48]

Së këndejmi, bëhet e qartë se platforma islame refuzon kategorikisht t’i imponohet feja dikujt.[7]

Logjikisht, nëse dikujt do t’i imponohej diçka, në momentin e parë që do të gjente mundësinë, do të distancohej prej saj. Por kështu nuk ka ndodhur me ata që e kanë pranuar Islamin. Ata, jo që nuk e kanë braktisur, por e kanë mbrojtur dhe kanë sakrifikuar për të. Madje, statistikat tregojnë se numri i myslimanëve në botë është në rritje me gjithë propagandën që bëhet kundër tyre. Thomas Carlyle thotë: “Akuzimi i Profetit Muhammed se është mbështetur tek shpata për t’i bërë njerëzit t’i përgjigjen thirrjes së tij është absurditet që nuk ka asnjë kuptim...Ata që i besuan ndërsa nuk kishin mundësi të luftonin armiqtë e tij dhe të tyre, i besuan me bindje dhe sinqeritet. Ata iu ekspozuan luftës nga të tjerët para se vetë ta kishin mundësinë që t’i luftonin të tjerët. [8]

5) 

[Dëshmia e shifrave]

Nëse do të bënim një krahasim ndërmjet të vrarëve, myslimanë dhe jomyslimanë, në luftërat e kohës së Profetit Muhammed , dhe të vrarëve të luftërave në kohën tonë, do të mbeteshim të habitur. Në të gjitha betejat në të gjallë të Profetit ka pasur kaq të vrarë:

-          262 dëshmorë nga radhët e myslimanëve

-          1022 të rënë nga radhët e armiqve

...që gjithsej bëjnë 1284 të vrarë. Në mënyrë që të mos krijohet bindja e gabuar se ky numër i vogël i të vrarëve ka ardhur si rezultat i ushtrive të vogla, dua të nënvizoj këtu se kam llogaritur numrin e ushtarëve të të dyja taboreve në beteja dhe më pas jam munduar të nxjerrë përqindjen e të vrarëve sipas këtij numri të përgjithshëm të ushtarëve. Kam ngelë i fascinuar. Përqindja e dëshmorëve të rënë nga radhët e ushtrive myslimane është vetëm 1% ndërkohë që përqindja e të rënëve nga radhët e ushtrive jomyslimane në raport me shifrën e përgjithshme të tyre është 2%. Së këndejmi, mesatarja e të vrarëve nga të dyja taborët në raport me numrin e përgjithshëm është 1.5%.    

Kjo përqindje minimale e viktimave fatale të luftës në më shumë se 63 beteja (25 ose 27 beteja dhe 38 ekspedita)[9] është dëshmia më e fuqishme se derdhja e gjakut nuk ka qenë qëllim i luftërave të Profetit dhe as që janë karakterizuar ato me gjak.   

Që të kemi një imazh edhe më të qartë, kam bërë krahasim ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes, respektivisht ndërmjet statistikave të të vrarëve atëherë dhe tash në luftën e dytë botërore. Nga të gjeturat, kam ngelë i shokuar. Përqindja e të vrarëve është 351%. Shifrat nuk gënjejnë. Në lutën e dytë botërore kanë marrë pjesë 15,600,000 (pesëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind mijë) ushtarë ndërsa janë vrarë 54,800,000 (pesëdhjetekatër milion e tetëqind mijë) njerëz, ose trefishi i ushtrisë pjesëmarrëse. Shpjegimi i kësaj shifre trefish më të lartë se ajo e pjesëmarrësve – ushtarëve është se luftërat janë zhvilluar me synime të shfarosjes së civilëve dhe se aeroplanët bombardues kanë hedhur me mijëra tonelata bomba mbi fshatra dhe qytete duke vrarë kështu miliona e miliona, duke shkatërruar infrastrukturën, ekonominë dhe duke i lënë pa kulm mbi kokë të shpëtuarit e mundshëm. Sipas çdo parametri, lufta e dytë botërore ishte katastrofë njerëzore.  

Natyrisht, me këtë nuk mëtohet asnjëherë të tërhiqet paralele krahasimi ndërmjet Profetit Muhammed   dhe vëllezërve të tij Profetë (a.s.) me këta të tjerët, si tipi i Hitlerit, Musolinit, etj, që kanë shkatërruar e prishur çfarë iu ka dalë përpara, sepse të parët kanë qenë fanarë udhëzimi ndërsa këta të fundit shkatarraq e çrregullues, por qëllimi ishte ofrimi i një përgjigjeje praktike dhe konkrete për atë që akuzon Profetin e Mëshirës se ai e ka përhapur fenë nëpërmjet vrasjes dhe imponimit.

6) 

[Sekreti i përhapjes së Islamit fshihet në mësimet e tij]

Për të kuptuar të vërtetën e përhapjes së islamit, më lehtë se të bëjmë krahasime të statistikave, e kemi të shikojmë në hartën e botës sot, për tu bindur se shpata nuk ka pasur fuqinë kurrë që në këtë perimetër gjeografik kaq të madh ta përhapë Islamin. Sot, në vendet ku nuk ka pasur luftëra islame ose ka pasur fare pak, ekziston numri më i madh i myslimanëve në botë. Vende si Indonezia, India, Kina, vende të kontinentit afrikan (Saheli e Sahara...), ani pse nuk kanë përjetuar luftëra islame ose kanë përjetuar fare pak, sot numërojnë më shumë se 300,000,000 (treqind milionë) myslimanë. Ndoshta do të mund të thuhej për disa mijëra se kanë përqafuar fenë dhunshëm, por të thuhet për qindra miliona, këtë se kap mendja dot! E këto shifra nëse do, krahasoji me shifrat e myslimanëve në vendet ku fillimisht feja ka depërtuar nëpërmjet ushtrive myslimane, si Iraku, Shami, që shifrat e myslimanëve nuk kalojnë dhjetëra milionë sosh. E përveç kësaj, në këto vende ende ithtarë të feve tjera që akne preferuar të qëndrojnë në fenë e tyre të parë, si të krishterë, çifutë, idhujtarë e të tjerë të ngjashëm me ta.[10]

Në këtë të vërtetë ka aluduar edhe Gustav le Bon, i cili në librin ‘Civilizimi i arabëve’, duke folur për sekretin e suksesit të përhapjes së Islamit në kohën e Profetit Muhammed dhe kohët vijuese, thotë: “Historia ka vërtetuar se fetë nuk imponohen me forcë. Rrjedhimisht, as Islami nuk është përhapur me shpatë. Është përhapur vetëm me thirrje – predikim, dhe falë tij (predikimit) popujt që së fundmi kishin shtypur arabët, turqit dhe mongolët, e pranuan atë. Kur’ani arriti të përhapet në Indi, atje ku këmbë arabi nuk kishte shkelur kurrë përveç se si kalimtar, dhe të përqafohet nga pesëdhjetë milionë njerëz.[11] Apo edhe në Kinë, ku shifrat nuk janë hiq më të pakta, edhe pse në të kurrë arabët nuk zhvilluan luftëra për ta marrë ndonjë pjesë të saj.”[12]

Përkitazi me këtë flet edhe Tomas Arnoldi, i cili në librin e tij të njohur The spread of Islam in the world (Përhapja e Islamit në botë), thotë: “Teoria e përhapur për kinse shpatën si faktor kryesor i kalimit të njerëzve në Islam është larg çdo vërtetësie...Kredoja islame është ajo që parasheh tolerancën dhe lirinë e zhvillimit të jetës fetare për të gjithë ithtarët e feve tjera.”[13]

Përfundimisht, Islami nuk ka luftuar trupat, por zemrat, nuk ka pushtuar tokat, por shpirtrat, sepse, nëse shpata ka mundësi ta merr një shtet, nuk ka mundësi ta merr një zemër!



[1] Transmetojnë Buhariu, 5651, dhe Ebu Davudi, 5218.

[2] Transmeton Tirmidhiu, 1924, ndërsa Albani e ka saktësuar në Sahihu-l-Xhami, 3522.

[3] Arnold, Ed-Da’vetu ile-l-Islam, fq. 70.

[4] Transmetojnë Buhariu, nr. 2847, dhe Muslimi, nr. 2406.

[5] Ahmed Harfi, Semahat el Islam, fq. 148.

[6] Ibn Ethir, Usud el-Gabe, 3/11; Safediu, El vafi bi-l-vefehat, 1/2240.

[7] Shih: Mahmud Hamdi Zakzuk, Hakaik islamijje fi muvaxheheti hamelati-t-teshkik, fq. 33.

[8] T. Carlyle, El ebtal, fq. 71.

[9] Shih: Ibn Kethir, Es-Siretu en-Nebevijje, 4/432; Ibn Kajjim, Zadu-l-mead, 1/125; Ibn Hazm, Xhevamiu-s-Sire, 1/16.

[10] Abbas Mahmud El Akkad, Hakaik El Islam ve ebatil husumihi, fq. 169; 170. Natyrisht, sot shifra e myslimanëve në këto vende kalon shumëfish këtë numër. Vetëm në Indi, siç shpjegohet në fusnotën vijuese, shifrat kanë tejkaluar dyqind milionëshin.

[11] Sipas statistikave të vitit 2008, shifra e myslimanëve në Indi është 238 milionë.

[12] Gustav le Bon, Hadaretu-l-arab, fq. 128; 129.

[13] Tomas Arnold, Ed-Da’vetu ile-l-Islam, fq. 102.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013