Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
SISTEMI EKONOMIK NË ISLAM

SISTEMI EKONOMIK NË ISLAM

Dr. Abdul Nasir bin Haji Abdul Rani

 

1. SISTEMI EKONOMIK ISLAM DHE BAZA E TIJ IDEORE

Mundi i derdhur nga çdo njeri për t’i realizuar kushtet e jetesës, qoftë ushqim, pije, veshje, banim, apo çdo gjë tjetër, të domosdoshme për jetese, është tërësia, e cila quhet aktivitet ekonomik. Sistemi islam nuk njeh lirinë absolute në asnjë veprim, dhe rrjedhimisht as në atë ekonomik. Së këndejmi, janë paraparë rregulla, parime dhe norma legjislative, të cilat koordinojnë këtë aktivitet ne përputhshmëri me fenë islame dhe me shoqërinë, si dhe në konsensus të plotë me dobinë apo interesin, të cilin e realizon si për shoqëri po ashtu edhe për individ. Këto rregulla, dispozita dhe parime, te cilat organizojnë aktivitetin ekonomik te individit ne shoqëri, janë pikërisht ato, prej te cilave formohet sistemi ekonomik islam.

Sistemi ekonomik islam (SEI) për baze ideore ka akiden (kredon) islame, e cila ruan natyrshmërinë e njeriut dhe botëkuptimet e ndershme të moralit si dhe vërteton nevojën e patjetërsueshme për mbulimin e kërkesave të domosdoshme të individit për jetë.

Prej botëkuptimeve te kredos islame, të cilat kanë lidhshmëri me sistemin ekonomik islam janë:

1)      Tërë pasuria është e vetëm Allahut. Legjislacioni islam ka vërtetuar se pronar i vërtetë i këtij kozmosi është Allahu, dhe mu për këtë, sistemi ekonomik islam, pasurinë e njeriut e konsideron si përgjegjësi apo përkujdesje (hilafet) e dhënë nga Allahu, dhe e cila përgjegjësi (hilafet) është e lidhur ngushtë me urdhëresat dhe ndalesat e Allahut. Kur’ani tërhoqi vëmendjen për këtë realitet  e thotë: “Dhe jepuni nga pasuria që ua ka dhënë Allahu juve.” (Nur, 33) Po ashtu ka thënë: “Vetëm i Allahut është sundimi ndaj qiejve e tokës dhe çka ka në to. Ai është i plotfuqishëm për çdo send.” (Maide, 120) Në një vend tjetër ka thënë: “Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha Allahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në ditën e kijametit do t'u mbështillet në qafën e tyre. Allahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka, Allahu është i njohur mirë më atë që veproni.” (Ali Imran, 180)

2)      Pronësia formale i takon njeriut. Nëse tërë pasuria i takon Allahut, atëherë njeriu konsiderohet si kujdestar i saj në tokë, për të mirën e shoqërisë. Kur’ani e ka vërtetuar këtë kujdestari hyjnore dhënë njeriut e ka thënë: “Besoni Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe jepni nga ajo që Ai u bëri trashëgues në të, se ata që besuan prej jush dhanë për hir të Zotit, ata kanë shpërblim të madh.” (Hadid, 7)

3)      Allahu nënshtroi të gjitha krijesat në shërbim të njeriut. Islami lejoi që njeriu të ketë pronësinë formale, në mënyrë që të përfitojë dhe të ndërtohet bota nëpërmjet këtij sistemi, duke ua mundësuar edhe të tjerëve që të bashkëpunojnë me të, por assesi të mos dëmtojë të tjerët apo të ndjek metodat të paligjshme për përfitimin e saj. Pra, pronësia në Islam është e kushtëzuar dhe e lidhur ngushtë me urdhrat e Allahut, si p.sh urdhri për dhënien e zekatit të pasurisë. Thotë Allahu: “O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete vetëm symbyllas. E, dijeni se Allahu s'ka nevojë për ju, është i madhëruar.” (Bekare, 267) Kjo pronësi po ashtu është e lidhur ngushtë edhe me ndalesat, si ndalimi për luajtjen e kumarit, siç qëndron në Kur’an: “O ju që besuat, s'ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (Maide, 90)

4)      Pasuria është mjet dhe nuk është qëllim. Pasuria në Islam është mjet, për përfitim dhe ndërtim të tokës, ngase ajo është e destinuar nga Allahu për këtë qëllim, por nuk është qellim i jetës dhe kurrsesi nuk bën ta pengojë njeriun nga adhurimi për Zotin ose nga kryerja e ndonjë riti fetar, ngase jeta ka vlera me te mëdha sesa pasuria. Madje, në Islam njeriu han për të jetuar e nuk jeton për te ngrënë.

 

2. VEÇORITË E SISTEMIT EKONOMIK ISLAM

2.1. Veçoritë e përgjithshme:

1)      Ruajtja e natyrshmërisë se njeriut. SEI ruan edhe aspektin natyror te njeriut. Prej këtij aspekti është se ai pranon te drejtën e njeriut për pronësi dhe dëshirën e tij për pasuri, siç thotë Allahu: “Dhe ai është që shumë e do pasurinë.” (Adijat, 8), dhe: “Dhe pasurinë e doni së tepërmi.” (Fexhr, 20) Islami po ashtu pranon edhe sistemin e trashëgimisë, ngase njeriu është i lindur qe t’i doje fëmijët e tij dhe ka frike për ta nëse do t’i linte pa pasuri. Mu për këtë, Islami e ligjësoi trashëgiminë. Islami po ashtu ia lejon njeriut qe te dëfrehet me frytet e mundit te tij, brenda kornizave te lejuara.

2)      Ruajtja e domethënieve te moralit. SEI kujdes te veçante i kushton edhe botëkuptimeve morale, ngase shoqëria islame është e themeluar pikërisht mbi bazat e moralit, si: dashuria e ndërsjellë dhe bashkëpunimi. Thotë Allahu: “Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Kini dro dënimit të Allahut, se me të vërtetë Allahu është ndëshkues i fortë.” (Maide, 2)

3)      Miratimi i kërkesave individuale. Njeriu ka nevoja materiale, pa te cilat nuk mund ta zhvilloje normalisht jetën, si: nevoja për ushqim, pije, banim, veshje, etj. SEI ka vërtetuar domosdoshmërinë e përmbushjes se këtyre kërkesave për çdo njeri. Për realizimin e tyre caktoi mjete te ndryshme, qe nëse nuk bën pune njëra, atëherë i qasemi tjetrës. Prej tyre:

§  Islami stimulon për pune.

§  Qeverise i mbetet barre krijimi i kushteve për pune, madje nga arka shtetërore duhen ndihmuar ata qe dëshirojnë te punojnë por qëndrojnë dobët financiarisht.

§  Nëse njeriu nuk mund t’i përmbushë nevojat e tij, për shkak te ndonjë sëmundje ose pleqërisë se thelle, atëherë anëtarët tjerë te familjes duhet ta bartin këtë përgjegjësi.

§  Nëse i vjetri nuk gjen ndokënd qe shpenzon për te, atëherë duhet ndihmuar nga te ardhurat e zekatit.

§  Nëse nuk mjafton zekati, atëherë kërkesat e tij përmbushen nga burimet tjera te arkës shtetërore.

§  Nëse as arka e shtetit nuk posedon sasi te mjaftueshme, atëherë udhëheqësit i mbetet qe te caktoje masa (tatime) shtese ndaj te pasurve ne mënyrë qe te përmbushen kërkesat e nevojtareve. 

2.2. Veçoritë e veçanta

§  Është sistem i përkryer dhe i pavarur nga te tjerët.

§  Bën përputhjen ne mes interesave individuale dhe atyre te përgjithshme.

§  Realizon dobitë materiale dhe ato shpirtërore paralelisht.

 

3. PARIMET E PËRGJITHSHME NË SEI

SEI posedon një tërësi parimesh të përgjithshme, te cilat për baze kane kredon islame, natyrshmërinë e njeriut dhe dobinë apo interesin e përgjithshëm. Këto parime te përgjithshme mund t’i ndajmë në disa grupe kryesore, si:

3.1. Parimi mbi të drejtën e punës

Islami nxit për punë. Në Kur’an qëndron: “E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e Allahut, por edhe përmendeni shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim.” (Xhumuah, 10) Ndërsa Pejgamberi   ka thënë: “Askush nuk ka ngrënë ushqim më të mirë se atë që e ka fituar dora e vet.” Puna në islam përfshin dy domethënie:

1) Domethënien e gjerë të punës

Kjo përfshin te gjitha gjerat e dobishme, qe i bën njeriu. Këtu hyjnë edhe adhurimet. Thotë Allahu: “Dhe thuaj: "Veproni, Allahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i dërguari i Tij e besimtarët.” (Teube, 105) Po ashtu thotë: “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. 8. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” (Zelzele, 7-8) Çdo punë që bën njeriu, qoftë namaz, urdhërim për të mirë dhe ndalim nga e keqja, dhe të gjitha punët dhe aktivitet tjera për përfitime materiale, hyjnë në kuadër të kësaj domethënieje.

2) Domethënia e ngushtë e punës

Me këtë synohet vetëm aspekti ekonomik. Sheuki Dunja këtë e kishte definuar kështu: “Puna është derdhja e mundit dhe energjisë me qellim përfitimi, ne kuadër te rregullave legjislative.” Bazuar ne këtë definicion, puna ne islam duhet t‘i përmbajë këta faktorë:

§  Faktorin dobiprurës, si tregtia, mbjellja, zejtaria, etj, të cilat ushtrohen me qellim te përfitimit te pasurisë ne mënyrë te lejuar. Vlen te theksohet se ne islam vlera e njeriut nuk ulet nga asnjë pune, derisa ajo është e lejuar, ngase vlera e njeriut është ne baze te besimit dhe devotshmërisë se tij.

§  Faktori legjislativ. D.t.th.: ligjësimi i fushave dhe mjeteve pe përfitimin e pasurisë, ngase nëse njëra prej tyre nuk është lejuar fetarisht, atëherë fitimi konsideruar ilegal. P.sh.: puna e këngëtarit nuk është e lejuar dhe fitimi nga muzika është ilegal.

Punëtori, krahas përfitimit material, duhet ta kërkojë edhe shpërblimin në botën tjetër.

Prej mjeteve për stimulimin e punës është nxitja për të ndihmuar të varfrit, pastaj caktimi i një shpërblimi te madh për zekat, pra puna konsiderohet si një prej kushteve për arritjen e kënaqësisë së Allahut.

Sa i përket punës, ajo i lihet në dispozicion të lirë njeriut dhe mundësive të tij. Njeriu mund te ushtroje çdo detyre apo aktivitet ekonomik, pa detyrim apo dhune, me kusht qe kjo pune te mos sjelle dëme as për te dhe as për shoqërinë.

3.2. E drejta individuale për pronësi

Edhe pse Allahu është Pronari i vërtetë i pasurisë, megjithatë, pasurinë formalisht ua ka përshkruar edhe robërve te Tij, si nder për ta dhe begati e Tij ndaj tyre. Allahu ua dha këtë epitet për arsye se njerëzit janë mekembesit e Tij ne toke, dhe mu për këtë tha: “(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: "Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!" Ata thanë: "A do të vëshë në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!" Ai tha: "Unë di atë që ju nuk e dini!” (Bekare, 30)

Sipas ajetit, Islami ia lejoi njeriut te drejtën e pronësisë individuale. Ngjashëm me këtë thotë Allahu: “Bonjakëve (jetimëve) jepuani pasurinë e tyre (kur të rriten).” (Nisa, 2) Po ashtu ka thënë: “Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë ata hanë atë që mbush barkun e tyre zjarr dhe do të futen në zjarrin e xhehenemit.” (Nisa, 10)

Islami përcaktoi qe e drejta individuale për pronësi te jete e shenjte. Thotë Pejgamberi : “Vërtet, gjaqet dhe pasuritë tuaja janë te shenjta për ju sikurse shenjtëria e kësaj dite, ne këtë muaj dhe ne këtë vend.”

Islami po ashtu ka paraparë ndëshkim për atë, që nuk respekton këtë te drejte dhe shkel te drejtën e tjetrit, dhe mu për këtë është ligjësuar edhe kodi penal për vjedhje. Thotë Allahu: “Vjedhësit dhe vjedhëses prejuani duart, si shpagim i veprës që bënë, (kjo masë është) dënim nga Allahu. Allahu është i fuqishëm, ligjdhënës i urtë.” (Maide, 38) Islami edhe pse pranon te drejtën e pronësisë, ai, megjithatë, e rregullon dhe sistematizon atë me një mori kushtesh dhe normash, prej te cilave:

1) Nga aspekti i zhvillimit te se drejtës individuale pronësore, Islami kushtëzon qe ajo te zhvillohet nga një shkak apo arsye e ligjshme. Shkaqet e ligjshme te pronësisë individuale janë:

§  Mbizotërimi mbi një pasuri te lejuar, si: gjuetia, ringjallja e tokës se vdekur, etj.

§  Aktet dhe marrëveshjet, si: shitblerja, dhurata, qiradhënia/marrja, etj.

§  Trashëgimia.

2) Kushtet e pronësisë për vazhdimin dhe zhvillimin e saj. Këto vihen ne theks ne te drejtat dhe obligimet e vena nga Allahu ne pasurinë e njeriut, si: dhënia e zekatit, shpenzimi për familje. Këto kushte po ashtu vihen ne theks edhe ne zhvillimin e mëtejmë te pronësisë, ngase islami ka caktuar rrugët e shumimit te pasurisë, si: tregtia, bujqësia, etj.

3) Kushtet e harxhimit te pasurisë. Nevoja e maturisë gjate shpenzimit te pasurisë. Thotë Allahu: “وَكُلُوا وَاشْرَبُوا وَلا تُسْرِفُوا إِنَّهُ لا يُحِبُّ الْمُسْرِفِينَ hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin)”. (A’raf, 31) Kjo sasi e caktuar është sa iu përket gjerave te lejuara, ndryshe, shpenzimi për gjerat e ndaluara, qofte pak apo qofte shume, është rreptësishtë i ndaluar.

4) Marrja e pronësisë ne rast nevoje dhe për hire te interesit te përgjithshëm. Në këtë rast, interesit te përgjithshëm i epet përparësi ndaj atij individual por pronarit individual i behet kompensimi i drejte. P.sh.: nëse njeriu ka një toke, neper te cilën patjetër duhet ndërtuar një rruge, por pronari nuk pranon ta shesë as për çmimin me te larte. Ne këtë rast, qeveria ndërhyn, e merr token, për hire te interesit te përgjithshëm, djersa pronarit individual, ia bën kompensimin material pe rate pjese te tokës se marre.

3.3. E drejta e trashëgimisë

Prej parimeve te aprovuara ne legjislacionin islam është edhe e drejta e trashëgimisë, e cila para se gjithash është e bazuar edhe ne natyrshmëri, drejtësi dhe respektim te dëshirës se pronarit. Sistematizimi i trashëgimisë ne islam është bere ne mënyrë perfekt dhe shume te drejte. P.sh.: djalit i është caktuar dyfishi i asaj qe i është caktuar vajzës, siç thotë Allahu: “Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra.” (Nisa, 11)

Kjo për arsye se nevojat materiale te mashkullit janë me te mëdha sesa ato te femrës. Derisa femra e ka te sigurte furnizimin sa te jete ne shtëpi te babait, ndërsa djali jo, ajo po ashtu e ka te sigurte edhe ne shtëpinë e burrit, ndërsa mashkulli është ai, qe duhet te shpenzoje. Pra vetvetiu shihet se është drejtësi qe mashkullit t’i caktohet një dyfish i këtillë.

 

4. ARKA SHTETËRORE, BURIMET DHE SEKTORËT E SAJ SHPENZUES

Arka shtetërore i ngjan një depoje te përgjithshme, ku deponohen te gjitha te ardhurat materiale te shtetit, dhe nga e cila shpenzohet për te gjitha obligimet dhe detyrat e shtetit. Ai, i cili udhëheq këto te ardhura dhe te dala është udhëheqësi, i cili këtë pasuri duhet ta trajtoje sikurse pasurinë e tij dhe atë ne baze te rregullave dhe parimeve fetare. Burimet e pasurisë janë te ndryshme, prej tyre:

1)      Zekati që është burim, i cili ka një tretman te veçante, qe e bën te dalloje nga te gjitha te tjerat. Kjo për faktin se ai, është i caktuar si për nga burimi po ashtu edhe për kah shpenzimi i tij. Zekati iu obligohet katër burimeve kryesore, te cilat janë: kafshët, paratë, bujqësia dhe pemëtaria si dhe mallrat e tregtisë. Ndërsa destinimet e tij janë te përmendura ne Kur’an: “Allahu caktoi obligim që lëmosha (zeqati etj.) t'ju takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s'kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve), në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet.” (Teube, 60).

2)      Xhizja, e cila është takse për koke njeriu, dhe e cila iu obligohet jomyslimaneve, te hyre nen mbrojtjen e shtetit islam.

3)      Haraçi, i cili obligohet për toka, te cilat janë nen kontrollin e shtetit islam, dhe te cilat myslimanet, pas çlirimit te tyre, ua lënë ne dore pronareve te tyre jomuslimane qe t’i punojnë ato. I pari qe kishte obliguar haraçin ka qene Omer b. Hattabi, prijësi i dyte i myslimaneve pas vdekjes se Muhammedit .

4)      1/10, e cila është takes e lidhur me kalimin e tregtisë neper shtetin islam, dhe e cila merret ne hyrje dhe dalje.

5)      1/5 e plaçkave te luftës. Destinimet e tij janë te përcaktuara me ajet kur’anor: “Ju (besimtarë) ta dini se një e pesta e asaj që e fituat, nga ndonjë send, i takon (përkujtuesve të) Allahut, të dërguarit të Tij, të afërmve të tij (të dërguarit), jetimave, nevojtarëve dhe atyre në mërgim, (ky është përcaktimi i Zotit), nëse keni besuar Allahun.” (Enfal, 41) Pejgamberi, alejhi selam te drejtën e Allahut dhe te tij e shpenzonte për interesin islam ndërsa pjesët tjera i ndante sipas nevojës, qe kishin njerëzit e këtyre kategorive, duke filluar nga me i rëndësishmi e kështu me radhe dhe duke mos ndare barazi, por sipas nevojës.

6)      Fej’i, i cili iu vie muslimaneve pa luftë. Ajetet, 7-10, te kaptinës Hashr([1]) tregojnë se nga ky burim merret 1/5 e tij dhe ndahet pese sektorëve ne mënyre te barabarte. Një pjese i takonte Pejgamberit , pjesa tjetër te afërmeve (bijve të Hashimit, bijve të Abdul Muttalibit, bijve të Menafit), pjesa e trete jetimeve dhe nevojtareve, pjesa e katërt miskineve dhe pjesa e peste udhëtarëve, te cilët mbesin ne rruge pa para. Ndërsa sa iu përket 4/5 te mbetura, dijetareve kane ndare dy mendime:

§  iu ndahet ushtrisë,

§  shfrytëzohet për interes te përgjithshëm.

7)      Burime tjera. Këtu hyjnë pasuritë, te cilat nuk kane pronar te caktuar, si: ai qe vdes ndërsa nuk ka trashëgimtar, sendet e gjetura, qe nuk dihet se te kujt janë, etj.

 

Marrë nga një cikël ligjëratash nga lënda “En Nudhum El islamijjeh”, në “University Brunei Darussalam.”

10-7-2006, e hënë

Vushtrri, Kosove

 

([1]) Atë që Allahu nga banorët e vendeve (jobesimtare) ia dha pa luftë të dërguarit të vet, ajo i takon Allahut, të dërguarit të afërmve, jetimëve, të varfërve, kurbetçinjve. (Kështu veprohet) Që ajo të mos ndahet ndërmjet pasanikëve tuaj. اka t'ju japë Pejgamberi, atë merrnie, e çka t'ju ndalojë, përmbanju dhe kini frikë Allahun, se Allahu është ndëshkues i ashpër. 8. (Ajo pronë) U takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe prej pasurisë së tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë prej Allahut, dhe që ndihmojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, të tillët janë ata të sinqertit. 9. Edhe ata që përgatitën vendin (Medinen) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin tek ata dhe nuk ndiejnë në gjoksat e tyre ndonjë nevojë (për zili a tjetër) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve), madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për te, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar. 10. Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: "Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i butë, mëshirues!"


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013