Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
PËRKUJTIM RRETH VLERËS SË DHJETË NETËVE TË FUNDIT TË RAMAZANIT, SADAKASË SË FITRIT DHE 140 VJETORIT TË LIDHJES SË PRIZRENIT

PËRKUJTIM RRETH VLERËS SË DHJETË NETËVE TË FUNDIT TË RAMAZANIT, SADAKASË SË FITRIT DHE 140 VJETORIT TË LIDHJES SË PRIZRENIT

08.06.2018

Të dashur vëllezër!

[Vlera e dhjetë ditëve të fundit dhe Natës së Kadrit]

Kemi hyrë në pjesën e tretë dhe të fundit të Ramazanit, pjesë kjo që konsiderohet të jetë më e rëndësishmja në këtë muaj. Në këto dhjetë ditë për besimtarët ofrohen mundësi të shumta dhe të rralla për nga vlera. Në këto dhjetë net është edhe Nata e Kadrit, e cila është natë e bekuar, në të cilën ka filluar shpallja e Kur’anit; është natë e përcaktimeve vjetore, natë në të cilën adhurimi vlerësohet shumëfish, natë në të cilën zbresin melekët në tokë me mëshirën dhe faljen e Zotit, natë e sigurisë, paqes dhe shpëtimit nga të ligat, natë në të cilën falen mëkatet e mëparshme. Allahu duke na folur për vlerën e kësaj nate thotë:

﴿ليلةُ القدرِ خيرٌ من ألفِ شهر

Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!” [Kadr: 3]

Pejgamberi Muhammed ka thënë: “Kush falet Natën e Kadrit me besim (në Allahun) dhe llogaritje (në shpërblimin e Tij), i falen mëkatet e mëhershme që ka bërë.[1]” Po kështu na ka porositur që të lutemi në këtë natë për të na u falur mëkatet. Transmetohet se Aisheja r.a. kishte kërkuar nga Pejgamberi që t’ia mësonte një lutje të cilën do ta thoshte në rast se bekohej për Natën e Kadrit. Ai i tha: “ Thuaj: Allahumme, inneke Afuvvun, tuhibbul afve, fa’fu anni – O Zoti im, Ti je Falës, e do faljen, andaj më fal mua![2]

Nëse kemi parasysh këto mirësi të Natës së Kadrit, atëherë e kuptojmë përse Pejgamberi Muhammed i kushtonte rëndësi të veçantë. Aisheja r.a. tregon se kur vinte dhjetëshi i fundit i Ramazanit, Pejgamberi i ngjallte netët me namaz, lutje, dhikr, këndim të Kur’anit, zgjonte familjen e tij prej gjumi dhe angazhohej shumë me adhurime[3]. Madje, për të qenë edhe më i përkushtuar në adhurim, Pejgamberi e kalonte kohën në I’tikaf.

Andaj, duke marrë shembull dhe model Pejgamberin Muhammed , edhe ne duhet të japim  maksimumin në adhurim, me shpresën që Allahu të na bekojë për këtë natë të madhe dhe të na i falë mëkatet!

 

Besimtarë të respektuar!

[Vlera e Sadakasë]

Ramazani është muaj i cili i jep vlerë gjërave. Ka vepra të shumta që janë të mira e të preferuara të bëhen çdoherë porse bërja e tyre në Ramazan i bënë edhe më të veçanta. Një nga këto vepra është edhe lëmosha. Pejgamberi Muhammed ka thënë: “Lëmosha më e mirë është në Ramazan![4]” Këtu mbase qëndron shpjegimi pse vetë Pejgamberi , që ishte gjithmonë bujar, në Ramazan e shtonte bujarinë. Një nga ato lëmoshat më të veçanta që jepen në Ramazan është edhe lëmosha ose sadakaja e fitrit, e cila jepet për të pastruar agjërimin nga lëshimet e mundshme dhe për ta gëzuar një të varfër. Siç e dini, Bashkësia Islame e Kosovës, me institucionet e saja administrative dhe arsimore, funksionon edhe falë këtij kontributi që besimtarët tanë dhurojnë çdo vit, andaj, edhe kësaj radhe apelon tek të gjithë ju që këtë kontribut ta jepni në këshillat lokalë të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, për të vazhduar bashkërisht rrugën tonë drejt sukseseve, veçmas në fushën e arsimit dhe edukimit fetar. Me këtë rast duam t’iu kujtojmë se Bashkësia Islame vazhdon të jetë zëri juaj më besnik dhe dora juaj e zgjatur tek të varfrit. Nëpërmjet organeve tona humanitare, shoqatës ‘Bereqeti’ me theks të veçantë, ne ndihmojmë me mijëra e mijëra familje çdo vit. Kështu, ndihma juaj materiale që ofroni në këtë fundramazan, qoftë me sadakatul fitrin, qoftë me zekat, do të nënkupton një përforcim të radhëve tona në fushën e humanizmit dhe të jetës e arsimit fetar.

 

Xhematlinj të nderuar!

[140 vjetori i Lidhjes së Prizrenit]

Ramazani është muaj i shënimit të disa ngjarjeve madhore, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë e myslimanëve dhe jo vetëm. Këtë vit ka rastis që në Ramazan të jetë njëqindedyzet vjetori i një ngjarje dhe ndodhie me peshë të rëndësishme kombëtare, Lidhjes së Prizrenit. Më 10 qershor bëhen 140 vite nga mbajtja e këtij takimi të rëndësishëm gjithëkombëtar, në të cilin vihen themelet e shtetësisë shqiptare. Duke parë rrezikun që i kanosej trojeve tona nga shtetet fqinje dhe mungesën e vullnetit të Fuqive të Mëdha për të bërë zgjidhje të drejtë, figura të ndritura dhe emra të mëdhenj të kombit tonë u bashkuan me qëllimin e gjetjes së mundësive për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe sigurimin e autonomisë administrative të trojeve tona. Lidhja e Prizrenit konsiderohet një lëvizje e vërtetë e gurit të historisë, një hap para për arsimimin në shqip, një moment që nxjerr emra të mëdhenj në shesh, si: Ymer Prizreni, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Isa Boletini, Sylejman Vokshi, Haxhi Zeka, vëllezërit Frashëri, Idriz Seferi, etj. Lidhja e Prizrenit është histori e gjallë, histori që flet. Mbajtja e saj në xhami, organizimi i saj nga prijës fetarë, mbështetja në mënyrë financiare dhe logjistike nga Porta e Lartë, dhe vendimi që feja islame të ngel si formë organizimi e jetës flasin për lidhjen ndërmjet fesë dhe vatanit, vërtetojnë kontributin historik të hoxhallarëve në ruajtjen e kombit, shpalosin rolin shumëdimensional fetar, edukativ, arsimor dhe kombëtar të xhamive, vërtetojnë bashkëjetesën e shqiptarëve ‘muhamedanë e të tjerë’ në një vend si vlerë dhe virtyt të kultivuara nga feja, si dhe i japin përgjigje të gjithë atyre që fenë e shohin si pengesë të zhvillimit kulturor, shkencor e politik të vendit. Andaj, duke marrë shkas këtë përvjetor të njëqindedyzet të kësaj lidhje të bekuar kombëtare, ne i bëjmë apel liderëve tanë politikë që të trasojnë rrugët e paraardhësve të tyre, figurave emblemë të shtetësisë sonë, të cilët fenë dhe kombin i kanë parë si dy gjërave që jo vetëm që mund të ecin bashkë, por edhe të pandashme në rrugën e formimit shtetëror dhe kulturor të vendit tonë.



[1] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

[2] Transmeton Tirmidhiu.

[3] Transmeton Muslimi.

[4] Transmeton Tirmidhiu.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013