Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
ELHAMDULILAHI - VLERA DHE KONCEPTI

ELHAMDULILAHI - VLERA DHE KONCEPTI

 

Hyrje

Përmendja e Allahut -dhikri ka pozitë dhe rëndësi të veçantë në fe. Në Kur’an dhe Sunnet ka tekste të shumta që flasin për vlerën e dhikrit. Sa për ilustrim, Allahu për ata që e përkujtojnë thotë:

﴿فَاذْكُرُونِي أَذْكُرْكُمْ﴾

Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime)...” [Bekare: 152]

Ndërsa Pejgamberi Muhammed , njeriun që e përkujton Allahun dhe tjetrin që nuk e përkujton, e sjell në shembullin e të gjallit dhe të vdekurit.

»مثلُ الَّذي يذكُرُ ربَّه والَّذي لا يذكُرُ ربَّه مثلُ الحيِّ والميِّتِ«

Shembulli i atij që e kujton Zotin e vet dhe tjetrit që nuk e kujton Zotin e vet është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.” Transmeton Buhariu.

Dhikri, duke qenë se ka këtë rëndësi, ka forma të shumta, të cilat na shërbejnë për pothuajse çdo gjë në jetën tonë: dhikr për zgjim, dhikr për namaz, dhikr për ushqim, dhikri për dalje nga shtëpia, dhikri për udhëtim, dhikr për punë, dhikri për kthim, dhikr për gjumë, dhikr për falënderim, dhikr për ngushëllim....Ajo që është me rëndësi është se këto forma të transmetuara të dhikrit përmbajnë kuptime të veçanta të cilat i bëjnë më të rëndësishme se të jenë refrene që përsëriten.

Një nga këto forma të dhikrit është dhe thënia ‘elamdulilah’ të cilën e themi shpesh dhe për raste të ndryshme, gëzimi e hidhërimi. E se çfarë vlere ka dhe cilat janë disa nga kuptimet dhe domethëniet e saj, do të mësojmë në këtë shkrim.

 

1. VLERA E ‘ELHAMDULILAH’-IT

Si formë e përkujtimit të Zotit dhe falënderimit ndaj Tij, ‘elhamdulilah’ ka vlerë të madhe. Është mënyrë që Zoti e pëlqen prej robit kur ky i fundit e falënderon me të[1]. Në fakt, falënderimi i Allahut me këtë shprehje është traditë e përcjellë pejgamber pas pejgamberi[2]. Elhamdulilah-i është shprehja me të cilën edhe banorët e Xhennetit e falënderojnë Allahun:

﴿وَقَالُوا الْحَمْدُ لِلَّـهِ الَّذِي صَدَقَنَا وَعْدَهُ وَأَوْرَثَنَا الْأَرْضَ نَتَبَوَّأُ مِنَ الْجَنَّةِ حَيْثُ نَشَاءُ ۖ فَنِعْمَ أَجْرُ الْعَامِلِينَ

Ata do të thonë: “Lavdi Allahut, që përmbushi premtimin e Vet e na dha në trashëgim Xhenetin, ku të vendosemi si të duam!” Sa i mrekullueshëm është shpërblimi i atyre që kanë punuar drejt!” [Zumer: 74][3]

Këtu mbase qëndron arsyeja pse kjo fjalë është ndër më të dashurat për Allahun dhe fjala që peshon rëndë në peshoren e veprave në Ditën e Llogarisë[4]. Madje, referuar sahabiut të nderuar, Husajnit, ‘hammadunët’ (falënderuesit) janë robërit më të mirë të Allahut në Ditën e Llogarisë[5].

Por, nuk është madhështore vetëm vlera e kësaj fjale, janë edhe domethënia dhe përmbajtja e saj.

 

2. DOMETHËNIA E ‘ELHAMDULILAH’ -IT SI KONCEPT

2.1. Falënderim dhe jo vetëm

Hamd’-i shpreh një lloj falënderimi të veçantë për Allahun, ‘falënderim i cili bëhet duke ia atribuuar të falënderuarit (Allahut) tiparet e përsosurisë si dhe duke ia shprehur dashurinë.[6]

Pra, janë dy elemente, pa të cilat nuk realizohet dot falënderimi:

1)     Përsosuria e Allahut, dhe

2)     Dashuria për Të.

Përshkrimi i Zotit me tipare të përsosmërisë nënkupton edhe:

1)     Përsosurinë në qenie, krijimtari, ligje dhe gjykime.

-         Allahu është i përsosur. Askush nuk është sikur Ai. Allahu nuk ka fillim dhe nuk ka mbarim. Ai nuk ka prind dhe nuk është prind i askujt. Nuk ka nevojë për askënd ndërsa të gjithë kanë nevojë për Të. Ai është i gjallë, vigjilent, i ditur, i fuqishëm, toka dhe qiejt janë në dorën e Tij, vepron si të dojë. Allahu është i falënderuar edhe nëse të gjithë e mohojnë. Për këtë shkak, Allahu në Kur’an e ka falënderuar Veten për të na treguar se mirënjohja ose mosmirënjohja jonë ndaj Tij nuk çojnë aspak peshë.

-         Kush mund të krijojë si Allahu? A nuk kemi parë qiejt dhe tokën, diellin dhe hënën, erërat dhe stuhitë, detet dhe lumenjtë? A nuk kemi shikuar në veten tonë? Kush mund të krijojë një njeri?! Shkencëtarët në Francë arritën që të punojnë një zemër artificiale e cila kryen çdo funksion të mundshëm që kryen edhe një zemër normale, me përjashtim të një funksioni: përjetimit. Ia transplantuan një njeriu dhe ai rroi për më shumë se dy muaj por nuk përjetoi kurrë as gëzim dhe as hidhërim. Këtë ndjesi, që është jetë, ia dhuron vetëm Allahu. Pra lëvizja nuk është jetë, përjetimi është jetë. Shkencëtarët i dhanë lëvizjes por jo jetën. Jetë jep vetëm Allahu.

-         Kush mund të ligjësojë si Allahu? Kur’ani është libër i pagabueshëm. Është i shpallur nga Allahu, i Gjithëdijshmi. Është libër që përmban normat më të mira dhe udhëzimet më të dobishme.

-         Allahu është bujar dhe i drejtë: bujar me besimtarët, i drejtë me mëkatarët. Pra, në asnjë rrethanë, përshkrimi i gjykimeve të Zotit nuk del jashtë këtyre dy perimetrave: nëse fal, fal me bujarinë dhe mëshirën e Vet; nëse ndëshkon, ndëshkon me drejtësinë e Vet.

Ndërsa dashuria për Allahun nënkupton lidhjen e sinqertë të besimtarit me Zotin e vet. Besimtarët e duan Allahun dhe Allahu i do besimtarët. Për këtë shkak, ‘elhamdulilah’-i është shprehje me të cilën veçohen besimtarët. Pra, në kohën kur shumë njerëz i mohojnë të mirat e Tij dhe nuk e falënderojnë, besimtarët e falënderojnë.

﴿وَقَالُوا الْحَمْدُ لِلَّـهِ الَّذِي هَدَانَا لِهَـٰذَا وَمَا كُنَّا لِنَهْتَدِيَ لَوْلَا أَنْ هَدَانَا اللَّـهُ﴾

“...ata thonë: “Falënderojmë Allahun që na udhëzoi për këtë (për iman, për punë të mira, na hoq zilinë, na futi në Xhennet), pse sikur të mos na drejtonte Allahu, ne nuk do të dinim të udhëzohemi.” [A’rafë: 43]

2.2. Falënderim që shprehet me adhurim

Në kuptim të hamd-it disa dijetarë kanë thënë se bëhet fjalë për falënderimin që shtynë besimtarin ta bëjë si rezultat i të mirave që Allahu i jep. Të mirat e Allahut janë të pakufishme ndaj edhe falënderimi për to[7]. Por ky falënderim nuk është thjesht fjalë goje. Është falënderim që merr trajtë adhurimi duke iu nënshtruar dhe bindur Allahut, respektivisht duke çuar në vend urdhëresat e Tij dhe duke iu shmangur ndalesave të Tij.

2.3. Falënderim në çdo gjendje dhe pajtim me caktimet e Allahut 

Hamd-i që, fillimisht nënkupton përshkimin e Allahut me tiparet e përsosurisë, nënkupton po kështu se ajo që Allahu ka caktuar për ne është më e mira dhe gjithsesi në dobinë tonë. Për këtë shkak, besimtari nga çdo gjendje në jetë, përfiton. Nëse i ndodhë një e mirë, e falënderon Allahun, gjë që meriton prej saj shpërblim. Nëse i ndodhë një e ligë, bën durim, për çka shpërblehet[8]. Këtu qëndron sekreti i lutjeve të Pejgamberit Muhammed në të cilat falënderimi shprehet në çdo rast

»الحمدُ للَّهِ الَّذي بنِعمتِهِ تتمُّ الصَّالحاتُ«

Falënderimi i takon Allahut me mirësinë e të Cilit plotësohen të mirat![9]

» والحمدُ لله على كلِّ حالٍ«

“...Falënderimi i takon Allahut në çdo rast!...[10]

2.4. Reflektimi në karakterin dhe sjelljet e besimtarit

Hamdi nënkupton, përveç tjerash, se Allahu është edhe falënderues, respektivisht shpërblyes për ata që punojnë e angazhohen. Allahu thotë në Kur’an:

﴿وَمَا كَانَ اللَّـهُ لِيُضِيعَ إِيمَانَكُمْ

“...Dijeni se Allahu nuk ua humb besimin tuaj (d.m.th. namazin që keni falur nga Kudsi)...” [Bekare; 143]

﴿فَاسْتَجَابَ لَهُمْ رَبُّهُمْ أَنِّي لَا أُضِيعُ عَمَلَ عَامِلٍ مِّنكُم مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَى

Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër...” [Ali Imran: 195]

Së këndejmi, besimtari që e di se ka Zotin që nuk ia humb mundin:

1)     Motivohet edhe më shumë për të bërë vepra të mira

2)     Motivohet për t’iu bërë mirë njerëzve pavarësisht në ia dinë ata apo jo, sepse mjafton që Allahu ia vlerëson ato, dhe

Motivohet për mirësjellje dhe falënderim ndaj njerëzve të mirë duke marrë për bazë veprimet e Allahut me neve: Allahu nuk na i humb veprat andaj as besimtari nuk ua harron njerëzve të mirat.

 

Përmbyllje

Për fund, pasi që mësuam diç nga vlera dhe kuptimet e kësaj fjale të madhe, nuk mund të mos themi:

﴿...الْحَمْدُ لِلَّـهِ الَّذِي هَدَانَا لِهَـٰذَا وَمَا كُنَّا لِنَهْتَدِيَ لَوْلَا أَنْ هَدَانَا اللَّـهُ﴾

“...Falënderojmë Allahun që na udhëzoi për këtë, pse sikur të mos na drejtonte Allahu, ne nuk do të dinim të udhëzohemi.” [A’rafë: 43]

 

 

 

 



[1] Në hadith qëndron: ‘Allahu i Madhëruar ndahet i kënaqur kur robi han një ushqim ose pinë një pije dhe e falënderon për të.’ Transmeton Ibn Maxheh ndërsa Albani e ka saktësuar këtë hadith.

[2] Ademi a.s. kur teshtiu, e falënderoi Zotin duke thënë ‘elhamdulilah’; Nuhu a.s. e falënderoi me ‘elhamdulilah’ kur e shpëtoi nga zullumqarët [Kur’ani: Mu’minunë: 28]; Ibrahimi a.s. për evladët në pleqëri [Kur’ani: Ibrahim: 39]; Davudi dhe Sulejmani a.s. për mirësitë e dhëna atyre [Kur’ani: Neml: 15], Muhammedi a.s. siç do të përmendim raste gjatë shtjellimit të temës.

[3] Shih edhe ajetet; A’rafë, 43, dhe Fatir, 34.

[4] Imam Muslimi në Sahihun e tij ka regjistruar dy hadithe me këtë kuptim: ‘...Elhamdulilahi e mbush epshoren’ dhe ‘Tek Allahu fjalët më të dashura janë katër: subhanAllah, elhamdulilah, la ialhe il-laAllah dhe Allahu ekber.’

[5] E transmeton Ahmedi ndërsa Albani e ka saktësuar.

[6] Ky punim është bazuar në shpjegimet e librave në vijim: Taberiu, Muhammed bin Xherir, Xhamiu-l-bejan fi te’vili el-Kur’an, ver. Ahmed Muhammed Shakir, (Bejrut: Muessesetu-rr-rrisale, 2000), 5/570; Ibn Kethir, Ismail bin Umer, Tefsiru el-Kur’ani el-adhim, ver. Muhammed Husejn Shemsuddin, (Bejrut: Dar el-kutub el-ilmijje, 1419 h.), 1/538; Bejhakiu, Ebu Bekir Ahmed bin el Husejn, Kitab el-esma ve-s-sifat, verifikim dhe plotësim me shënime: Abdullah bin Muhammed Hashidi, (Xhidde: Mektebetu Sevadi, 1993), 1/160; Sa’di, AbduRrahman, Tejsiru-l-Kerimi-rr-Rrahman fi tefsiri kelami-l-Mennan, (Bejrut: Muessesetu-rr-rrisale, 2000), fq. 412; Uthejmin, Muhammed bin Salih, Tefsiru-l-fatihati ve-l-bekareti, (Saudi: Dar Ibn Xheuzi, 1423h.), 1/9. 

[7] Kur’ani, Ibrahim: 34.

[8] Hadithin e transmeton Muslimi.

[9] Transmeton Ibn Maxheh ndërsa Albani e vlerëson për të saktë (hasen).

[10] Albani në Sahihu-l-mevarid, 2002, e konsideron të saktë (sahih).


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013