Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
KËSHILLA FETARE PËR RRITJEN E SIGURISË NË TRAFIK

KËSHILLA FETARE PËR RRITJEN E SIGURISË NË TRAFIK

 

Të dashur vëllezër besimtarë!

Një nga problemet me të cilat po ballafaqohemi si shoqëri është edhe mungesa e sigurisë në trafik. Vetëm këtë vit (janar-qershor) janë shënuar mbi shtatëmijë aksidente të cilat kanë marrë jetën e mbi 50 (pesëdhjetë) personave ndërsa kanë lënë me lëndime mbi 5600 (pesëmijë e gjashtëqind) të tjerë[1]. Rasti i shuarjes së një familje të tërë, familjes Sadikaj nga Suhareka[2], për të cilët e lusim Allahun t’i ketë mëshiruar, na ka prekur të gjithëve dhe na ka detyruar që ta trajtojmë këtë problematikë më seriozisht. Aksidentet në trafik janë bërë dukuri vrasëse. Sipas autoriteteve, shkaktarë kryesorë të tyre janë pakujdesia, shkelja e rregullave të komunikacionit, tejkalimi i shpejtësisë me theks të veçantë, vozitja nën ndikimin e alkoolit, etj. Me një fjalë, faktori njeri është shkaktari kryesor, andaj, duke u nisur nga obligimi ynë fetar e qytetar për të kontribuar për të mirë në shoqëri, veçmas kur dihet se viti 2018 nga organet qeveritare është shpallur si vit i sigurisë në trafikun rrugor, hutben e kësaj xhumaje do t’ia kushtojmë sigurisë në trafik si kontribut konkret në fushatën e vetëdijesimit dhe sensibilizimit për rritjen e sigurisë në trafik.   

 

Besimtarë të nderuar!

Dijetarët dhe shkollarët myslimanë, duke parë shtimin e aksidenteve nga dita në ditë, janë marrë me këtë problematikë dhe, duke iu referuar teksteve dhe rregullave fetare[3], kanë nxjerrë një kod rregullash e udhëzimesh[4], pjesë të të cilit do t’i prezantojmë sot para jush në këtë hutbe:

1)      Respektimi i shenjave të trafikut është detyrim që, përderisa nuk bie ndesh me fenë, duhet respektuar patjetër. Respektimi i këtyre rregullave nënkupton ruajtjen e jetës për vete dhe për të tjerët. Për këtë shkak, feja na urdhëron që të mos i ekspozohemi rreziqeve që mund të na kushtojnë me jetë. Allahu thotë:

﴿وَلَا تُلْقُوا بِأَيْدِيكُمْ إِلَى التَّهْلُكَةِ

“...mos e çoni veten tuaj në shkatërrim...” [Bekare: 195]

Ruajtja e jetës, siç dihet, është një ndër pesë objektivat kryesore të fesë. Për këtë shkak, dënohet rëndë cenimi i saj, qoftë ndaj vetvetes, qoftë ndaj të tjerëve[5].

2)      Shoferi është përgjegjës për dëmin që e shkakton nga pakujdesia dhe shkelja e rregullave. Për këtë shkak, kërkohet maturi. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Jini të matur dhe mos u ngutni sepse nuk është mirësi të ngutni.”[6] Në koment të hadithit qëndron se nuk duhet ngutur kafshën ose mjetin e udhëtimit, pra nuk duhet vozitur me shpejtësi të madhe[7].

3)      Shoferi duhet patjetër të jetë i pajisur me leje të vozitjes.

4)      Rruga nuk është pronë individuale që dikush të ketë të drejtë ta uzurpojë, ngushtojë, devijojë.

5)      Ndalohet ndërmarrja e veprimeve që mund të shkaktojnë aksidente, si: prishja e rrugës, hapja e gropave, etj. Kjo ndalesë vlen edhe kur ndërhyrja në rrugë bëhet për qëllime të mira por që nuk vendosen shenjat paralajmëruese. Për këtë shkak, përkujdesja për rrugën është prej pjesëve të besimit dhe prej lëmoshës, derisa dëmtimi i saj është mëkat. Pejgamberi a.s. ka thënë:

  • “Besimi është shtatëdhjetë e ca degë: më e larta është dëshmia la ilahe il-laAllah ndërsa më e ulëta është heqja e pengesave nga rruga.”[8]
  • “Largimi i pengesave nga rruga është lëmoshë.”[9]
  • “Kush e dëmton myslimanin, Allahu do ta dëmtojë atë.”[10]
  • “Duhet mallkuar atë që dëmton besimtarët në rrugën e tyre!”[11]

6)      Lejohet gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik, veçmas kur ato janë shkak i shpërfilljes së ndalesave fetare. Jo rrallë ndodhë që aksidentet të shkaktohen pse disa vozitës janë nën ndikimin e alkoolit, kësaj pije të urryer e cila të humb mendjen dhe jetën.

 

Të respektuar xhematlinj!

Nuk janë vetëm rregullat ato që duhen të kihen parasysh por edhe etika. Nga udhëzimet e përgjithshme fetare për etikën në rrugë, dijetarët myslimanë kanë kërkuar që ajo të aplikohet edhe në trafik. Duke iu referuar porosive kur’anore dhe profetike[12] për mirësjelljen dhe buzëqeshjen kur të takohemi me njëri tjetrin, për mos provokimin nga injorantët, për largimin e pengesave nga rruga, kanë kërkuar që në trafik:

  • ta respektojmë njëri tjetrin,
  • të jemi të matur dhe gjakftohtë,
  • të lirojmë rrugën në rast nevoje, 
  • të këshillojmë njëri tjetrin për kujdes në rrugë,
  • të këshillojmë njëri tjetrin për respektim të ngasësve tjerë,
  • të heqim nga rruga gjërat që mund të jenë shkak i aksidenteve,
  • të kemi kujdes veprimet që mund të neveritin të tjerët, etj.

 

Të dashur vëllezër!

Duke përfillur këto rregulla fetare dhe këtë etikë, ne, jo vetëm që do të ruajmë veten dhe të tjerët, do të ruajmë pasuritë tona dhe do të ndërtojmë një shoqëri që respektin e ndërsjellë e ka imazhin më të theksuar, por edhe do të fitojmë kënaqësinë dhe shpërblimet e Zotit. Nëse për mungesë respekti ndaj njëri tjetrit e për kërcënime fizike dhe për pengesa e dëmtime në rrugë janë par  janë paraparë dënime, për respekt e ruajtje të njëri tjetrit dhe për mirësjellje në rrugë janë paraparë shpërblime. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Një njeri kaloi pranë një dege të një peme që kishte rënë në rrugë, të cilën e largoi duke thënë: Pasha Allahun, do ta largoj që të mos i dëmtojë myslimanët. Allahu (e shpërbleu për këtë vepër dhe) e futi në Xhennet.[13][14]

 

(http://indeksonline.net/imamet-kosovare-japin-keshilla-si-te-shmangen-aksidentet-ne-komunikacion-foto/)


[2] Më datën 8.7.2018 pesë anëtarët e familjes Sadikaj që po vinin nga Zvicra për pushime humbën jetën në Duhël.

[3] Sa për ilustrim, shih ajetin 59 nga kaptina Nisa: “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja.”; hadithin e shënuar nga Ibn Maxheh: “Nuk ka dëm dhe as kthim të dëmit me dëm!”;  rregullin: 'Veprimet e pushtetarëve tanë janë të lidhura/kushtëzuara me interesin e popullatës.' Sigurisht, në vënien e rregullave të trafikut ka interes për ne dhe jetët tona.

[4] Shih: vendimin e Akademisë së Fikhut Islam (organ i OKI), nr. 71, fq. 162-163 të marrë në sesionin e tetë, 1414 h;

[5] Shih ajetin 68 nga kaptina Furkan: “...nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë...”, dhe ajetet 29-30 nga kaptina Nisa; “...dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm me ju. 30. Këdo prej jush që e bën këtë përdhunisht dhe padrejtësisht, Ne, pa dyshim, do ta hedhim në zjarr. Kjo është shumë e lehtë për Allahun.”.

[6] Hadithin e shënon Buhariu.

[7] Mubarekfuri, UbejduRrahmani, Mir'atu-l-mefatih sherhu Mishkati-l-Mesabih, (Indi: Universiteti selefit, 1984), 9/154.

[8] Hadithin e shënon Muslimi.

[9] Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

[10] Hadithin e shënojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.

[11] Hadithin e shënon Taberaniu në El-Kebir, nr. 3050.

[12] Sa për ilustrim shih: ajetin 63 nga kaptina Furkan: “Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!”.”; hadithin e shënuar nga Buhariu dhe Muslimi: “Mos qëndroni në rrugë!...Nëse e keni patjetër, atëherë respektojeni kodin e rrugës: ulja e shikimit, shmangia nga dëmtimi i të tjerëve, përshëndetja, dhe urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja.”

[13] Hadithin e shënon Muslimi.

[14] Referenca kryesore: Dr. Musfir bin Ali Kahtani “Fikhu-l-murur ve âdabuhu fi-l-Islam”, http://www.saaid.net/Doat/msfer/2.htm; Muhammed Tekij Uthmani “Kavaid ve emsail fi havadith es-sejr”, http://main.islammessage.com/newspage.aspx?id=4895; Nuh Ali Selman “Mesulijjetu es-saik esh-sherijjeh an havadithi-s-sejr”, http://aliftaa.jo, fetvaja nr. 408, datë 23.12.2009.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013