Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
MUHAMMEDI A.S. SHËMBËLLTYRA QË I DUHET NJERËZIMIT

MUHAMMEDI A.S. SHËMBËLLTYRA QË I DUHET NJERËZIMIT

Muhammedi a.s., dhuratë hyjnore për njerëzimin

Në kohën para lindjes së Muhammedit a.s., shoqëria njerëzore po përjetonte periudhën më të errët në histori. Përmbysja e vlerave që kishte filluar shumë kohë më parë dukej se tani po ndodhte me ritëm të përshpejtuar. Vlerat dhe virtytet ishin shkrumbuar. Për këtë, me të drejtë historianët dhe studiuesit atë kohë e quajnë koha e xhahilijetit. Kriteret mbi bazën e të cilave funksiononte shoqëria ishin si një lak në fyt që nga dita në ditë sa vinte e shtrëngohej më shumë duke e ngulfatur pothuajse për vdekje çdo vlerë e virtyt. Në rrethana të këtilla më së paku kishte vend për shpresën se gjërat do të ndryshojnë ndonjëherë për të mirë. Në këto rrethana Allahu do të shfaqë mëshirën e Tij karshi njerëzimit duke i dërguar   një pejgamber, të fundit, i cili për mision do të ketë vlerat shpirtërore, shoqërore e humane. Ai arriti nga hiri të ndërtojë një shoqëri të vlerave dhe virtyteve. Nga kjo perspektivë, dërgimi i tij ishte edhe dhuratë prej Allahut. Allahu thotë:  

﴿لَقَدْ مَنَّ اللَّـهُ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ إِذْ بَعَثَ فِيهِمْ رَسُولًا مِّنْ أَنفُسِهِمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِهِ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَإِن كَانُوا مِن قَبْلُ لَفِي ضَلَالٍ مُّبِينٍ﴾

“Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të Dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kur’anin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar.”[Ali Imran: 164]

Këtë gëzim një poet arab e shpreh me vargun në vijim:

Ajo që më bën të mburrem dhe më jep krenari

Aq sa qiejt me këmbë dua ta shkel

Përfshirja ime në fjalën Tënde ‘O robërit e Mi!’

Dhe që Ahmedin na e çove pejgamber

Në fakt, ndryshimet me Muhammedin a.s. kishin filluar që nga lindja e tij. Janë disa ngjarje dhe ndodhi që paralajmërojnë se me lindjen e kësaj krijese të pastër, këtij njeriu të madh, këtij reformatori të pashoq, njerëzimit po i kthehej krenaria ndërsa vlerave botëkuptimet e tyre të vërteta. Prej këtyre ngjarjeve do të doja të veçoj:

  • Luftën e Ebrehesë ose Vitin e Elefanitit siç njihet në histori, i cili shënon fillimin e fundit të politeizmit, dhunës, tiranisë...
  • Fikjen e zjarreve të Persisë, si shenjë tjetër e shuarjes së politeizmit...
  • Ndriçimin e pallateve të Basrasë si shenjë se besimi monoteist do të ndriçojë botën...
  • Lirimin e skllaves që dha myzhde për lindjen e tij si myzhde për lirimin e të gjithë skllevërve...

Këto dhe shenja tjera paralajmëronin ardhjen e atij që do të ishte mëshirë për botët mbarë. Kështu e përshkruan Zoti në Kur’an:

﴿ وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِلْعَالَمِينَ﴾

“E Ne të dërguam ty (Muhammed) mëshirë për të gjitha krijesat.” [Enbija: 107]

 

Personaliteti i Muhammedit a.s.

Muhammedi a.s. ishte shembull dhe model. Ka figura të shumta që në një aspekt janë shumë të suksesshëm ndërsa në aspekte tjera janë dështakë të vërtetë. Kjo nuk ka ndodhur me Muhammedin a.s. Fjalët dhe veprat e tij janë të shkrira në njëra tjetrën. Ai është shembulli më i lartë dhe modeli më i përsosur për besimtarët:

-          nëse flasim për besimin, ishte më i sinqerti,

-          nëse flasim për adhurimin, ishte më i përkushtuari

-          nëse flasim për moralin, ishte më i moralshmi, bile Kur’ani e ka ngritur në shkallët më të larta:

﴿وَإِنَّكَ لَعَلَىٰ خُلُقٍ عَظِيمٍ﴾

“Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!” [Kalem: 4]

Gruaja e tij, Ajshja r.a., moralin e tij e përmblodhi me pak fjalë e tha: “Morali i tij ishte Kur’ani.”

  • nëse flasim për drejtësinë, ishte më i drejti
  • nëse flasim për familjen, ishte më i miri
  • nëse flasim për bujarinë, ishte më bujari,
  • nëse flasim për trimërinë, ishte më trimi,
  • nëse flasim për modestinë, ishte më modesti,
  • nëse flasim për faljen, ishte më toleranti,
  • nëse flasim për mëshirën, ishte më i mëshirshmi,
  • nëse flasim për këshillat, ishte më i miri në këshillim,

Për çfarëdo të mire që të flasim, ai ishte në ballë çdoherë. Për këtë, Kur’ani na mëson se personaliteti i tij ishte dhe mbetet përjetësisht shembulli ynë i përkryer dhe modeli ynë përsosur:

﴿لَّقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّـهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِّمَن كَانَ يَرْجُو اللَّـهَ وَالْيَوْمَ الْآخِرَ وَذَكَرَ اللَّـهَ كَثِيرًا﴾

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” [Ahzab: 21]

Këto tipare bënë që Muhammedi a.s. të shihej i këtillë edhe nga jomylsimanët. Ja se si shprehet shkrimtari i madh francez Alphonse de Lamartine: “Kush mund të merr guximin e ta krahasojë gjenialitetin e ndonjë figure të lartë të historisë moderne me atë të Profetit Muhammed? Këta të famshëm kanë prodhuar armë, kanë vënë ligje e kanë themeluar perandori por krenaria që kanë fituar ka vdekur pothuajse para se të kenë vdekur vetë ata, ndryshe nga ky burrë, Muhammedi, i cili jo vetëm që ka udhëhequr ushtri, ka vënë ligje, ka themeluar perandori, ka udhëhequr popuj e dinasti, por edhe ka drejtuar miliona njerëz që atëbotë ishin hiq më pak se 1/3 e botës. Dhe jo vetëm kaq. Ai i ka dhënë fund idhujve, feve, ideve dhe besimeve të kota....Duke marrë në konsideratë të gjithë parametrat e madhështisë njerëzore, dua të pyes: A ka njeri më të madh se Muhammedi?”

Ngjashëm shprehet edhe shkrimtari anglez, i njohur për famë botërore, Thomas Carlyle: “Fanatikët dhe ateistët pretendojnë se -kinse- Muhammedi me veprimtarinë e tij ka synuar famën, krenarinë dhe pushtetin. Jo, betohem në Zot, kurrë! Në zemrën e këtij burri të madh, të mbushur plot mëshirë, mirësi, dhembshuri, urtësi, arsye, nuk kishte vend për ide materialiste dhe as për qëllime karrieriste.”

 

Si ta kuptojmë misionin e Muhammedit a.s. sot?

Nevoja për misionin e Muhammedit a.s. dhe mësimet e tij ndihet edhe sot, mu ashtu siç është ndier në të kaluarën. Koha moderne ka avancuar me gjithçka, vetëm me njeriun jo. Vlerat humane nuk janë më pak të rrezikuara se në xhahilijet. Materializmi i ka betonuar ato, i ka ngulfatur, ua ka lënë vetëm pamjen. Kjo nënkupton që përkujtimi i Muhammedit a.s. nuk duhet të ngelë thjesht si një komemoracion sepse për ne ai nuk është i vdekur dhe aq më pak i harruar. Përkujtimi i Muhammedit a.s. është ndryshe nga përkujtimi i figurave tjera. Historia njerëzore ka nxjerrë heronj, shkencëtarë, dhe artistë të shumtë por me asnjërin nuk qëndron puna si me Muhammedin a.s. Për ne, Muhammedi a.s. është i nevojshëm në çdo ditë e mbase në çdo moment. Nëse fjalët dhe veprat e tij janë fe, atëherë sa na duhet feja, na duhet edhe ai. Allahu na mëson:

﴿قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ﴾

“Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” [Ali Imran: 31]

Andaj, kjo ditë përkujtimi në radhë të parë duhet të na shërbejë për të përforcuar fuqishëm lidhjen tonë me të, e pastaj për të rishikuar strategjitë dhe planet tona për të përcjellë mesazhin e tij tek njerëzimi. Ia kemi borxh botës prezantimin e tij, prezantimin e mësimeve dhe këshillave të tij.  Në to fshihet sekreti i suksesit të tij. Bota ka nevojë për të, shoqëria njerëzore pa dallim ka nevojë për të. Janë perëndimorët me theks të veçantë ata që e kanë parë misionin e tij nga kjo perspektivë. Gëte ka thënë: “Hulumtova në histori për një shëmbëlltyrë të lartë për njeriun, të cilën e gjeta në profetin Muhammed.” Bernard Shaw thotë: “Sa shumë nevojë ka bota për një njeri që mendon sikurse Muhammedi! Klerikët e shekujve të mesjetës, si rezultat i injorancës dhe fanatizmit të tyre, patën dhënë një imazh të shëmtuar të fesë së Muhammedit. Ata konsideronin se ai ishte armik i krishterimit, por unë, pas shfletimit rreth këtij burri, jam mahnitur dhe kam përfunduar se ai jo që nuk është armik i krishterimit, përkundrazi, ai është shpëtues i njerëzimit. Unë mendoj se sikur ky burrë sot të merrte në dorë çështjet e botës bashkëkohore, do t’i zgjidhte problemet duke siguruar paqe dhe lumturi, gjëra që aq shumë i ëndërron njerëzimi”.

Pra, bota perëndimore nuk e njeh Muhammedin a.s. sepse janë të keqinformuar. Ata kanë nevojë të informohen nga burime të besueshme. Ne jemi ata që në emër të besimit, përgjegjësisë dhe dashurisë karshi Muhammedit a.s. duhet ta marrim përsipër këtë detyrë të rëndësishme dhe këtë mision të madh.


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013