Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
HUTBEJA E TË DREJTAVE TË PUNËTORËVE

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

 

Të nderuar vëllezër besimtar!

Subhanallah! Jetojmë në kohën kur sprova, të cilës Muhammedi, alejhi’s selam ia kishte frikën për ummetin e vet, është bërë realitet. Hadithi: “Çdo ummet ka sprove ndërsa sprova e ummetit tim është pasuria”([1]), është parathënia e kësaj hutbeje, e cila, për shkak të kohës dhe rrethanave, i kushtohet punëtorëve, festa e të cilëve është pas pak ditësh. Kjo festë, për shkak të shkeljes se të drejtave të tyre, ka marrë karakter, jo festiv, por demonstrues. Andaj, për të mos humbur kohën shumë, meqë sot është e xhuma dhe vlera e kësaj dite është mbi ditët tjera, do të futemi në temë duke e lutur Allahun të na bekojë për sukses!

Të nderuar besimtarë!

Puna në Islam

Puna në Islam është edhe adhurim. Mundi që bën njeriu për fitimin e furnizimit të familjes është padyshim formë adhurimi, për të cilin Allahu shpërblen. Madje, puna, është ajo që ruan nderin e njeriut. Hadithi i Muhammedit, alejhi’s selam: “Dora e lartë (që punon e fiton) është me e mirë se ajo e ulëta (qe lyp e nuk punon)”([2]), ndalon decidivisht përtacinë dhe dembelinë. Çfarëdo që të jetë ajo, është më e mirë se sa të mos punosh fare. Muhammedi, alejhi’s selam thotë:“Që dikush të marrë udhë në mal e të ngarkoje barrëdrurësh mbi shpinë, e pastaj ta shesë që të blej ushqim dhe të jap sadaka, është më mirë se sa ta shtrij dorën para njerëzve”. ([3])

Madje, nuk ka vend për arsyetim për arsye se edhe pejgamberët e Allahut, njerëzit më të zgjedhur, kanë punuar, jo vetëm si afaristë por edhe si punëtorë. A nuk ka thënë Allahu i madhëruar për Musain, alejhi’s selam: “Ai (Shuajbi) tha: Unë dëshiroj të martoj ty me njërën prej këtyre dy vajzave të mia, me kusht që të më shërbesh tetë vjet, e nëse i plotëson dhjetë, ai është vullneti yt, e unë nuk dëshiroj të rëndojë ty, e në dashtë All-llahu, ti do të gjesh te unë mirëkuptim!" 28. Ai (Musai) tha: "Kjo le të mbetet mes meje e teje, e cilindo afat që do ta kryej nga këta të dy, nuk do të ketë përgjegjësi për mua. Për këtë që po themi All-llahu është garant”. ([4])

Jo vetëm Musai, por edhe pejgamberët tjerë, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ta, punonin.

Të nderuar vëllezër!

A) Parime të përgjithshme rreth punës

1. Puna është e drejte e secilit individ ndërsa shtetit i mbetet sigurimi i saj. Nuk mund të paramendohet një shtet nëse qytetarëve të vet nuk ua siguron mundësitë për mirëqenien e tyre materiale. Shtetet që sot për ambicie e aspirata shtazarake të disa liderëve famëkeq popullin e shndërrojnë në parazit nuk mund të quhen shtete.

2. Favorizimi, ne bazë të pasurisë, familjes, etj, nuk duhet të jetë prezent. Të gjithëve duhet ofruar mundësia e punësimit, e sidomos atyre që, profesionalisht, janë më të përgatitur. Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “Kush merr përsipër udhëheqjen e myslimanëve në diç dhe emëron ndonjë njeri ndërsa në ummet ka më meritor se ai, ai e ka tradhtuar Allahun dhe të dërguarin e Tij”([5]).

Një gjë të tillë e shihte si shenjë e afrimit të shkatërrimit të botës. Kur qe pyetur për këtë moment, ai pati dhënë këtë përgjigje: “Kush çështja t’i lihet atij që nuk është fare i denjë për të, atëherë prite shkatërrimin (Kijametin)”. ([6])

3. Shansi për punë nuk d.t.th. që çdokush ta ushtrojë çfarëdo detyre që vjen për dore. Jo, secili kryen atë pune që është i caktuar, edhe sipas natyrës për të. Pejgamberi, alejhi’s selam, tha: “Punoni, kryeni obligimet tuaja, çdokush është i lehtësuar për atë që është krijuar”([7]).

4. Puna, çfarëdo që të jetë, me kusht që të jetë e lejuar, nuk bën të përbuzet. Davudi, alejhi’s selam ishte farkëtar, Nuhu, alejhi’s selam ndërtonte anije-ishte zdrukthëtar, Musai, alejhi’s selam, ruante delet, madje Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “Allahu nuk dërgoi asnjë pejgamber që të mos ketë ruajtur delet. A edhe ti o i dërguari i Allahut?!- e pyetën me habi. Po, banorëve të Mekkes ua ruaja delet për disa karate (pjese dinari apo dërhemi)”([8]).

Muslimanë te dashur!

B) Detyrat e punëtorit

1. Kryerja e punës siç është më së miri pa bërë mashtrime. Sheddad b. Evsi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam, ka thënë: ”Allahu dëshiron që kur ndonjëri prej jush të bëjë diç, ta përsosi atë (sa të ka mundësi)”. ([9])

2. Të mos iki nga puna. Ibrahim b. Ed’hemi kishte shkuar me një njeri të punojë, dhe ne mbrëmje, kur morën shpërblimin e punës, blenë bukë për të ngrënë por Ibrahimin e kaploi vaji. Perse qanë- e pyeti shoku i tij. Ne e morëm hakun tonë por nuk di a ia kemi dhënë hakun edhe punëdhënësit- tha Ibrahimi. Nuk ngrëni fare bukë prej atij fitimi.

Nëse ky tregim sado pak merret parasysh, atëherë ai do ta ndërgjegjësoje çdo punëtor për punën e vet.

c) Të drejtat e punëtorit

1. Të ruhet nderi dhe dinjiteti i tij, pa i bërë padrejtësi. Islami, njeriut, para së gjithash, ia përkujton lidhjen e tij me punëtorin në vijën vertikale. Thotë Allahu: S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër".([10]) Ndërsa Pejgamberi alejhi’s selam ka thënë: "Vëllezërit tuaj, (janë) shërbëtorët tuaj…"([11]).

Ndryshe, pasojat e kësaj, jo vetëm në këtë, por edhe në botën tjetër, janë shumë të mëdha.

2. Puna të mos e largojë nga adhurimi. Është e drejtë të kërkojë nga punëdhënësi që puna assesi të mos e largoj nga namazi. Allahu duke përshkruar besimtarët e sinqertë, punëdhënësit në këtë rast, thotë: “Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet. 38. (ata i luten) që All-llahu t'i shpërblejë më së miri për atë që punuan dhe për t'ua shtuar të mirat nga Ai. All-llahu e dhuron pa masë atë që do”. ([12])

3. Të mos ofendohet duke e thirrur me emra të këqij apo etiketime. Nëse Islami ia ka ndalur muslimanit që robin apo robëreshën ta thërras me këtë emër, atëherë si është puna që punëtori i lirë të ofendohet me emra të këqij. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: " Le të mos thotë askush prej jush: Robi im, robëresha ime, sepse që të gjithë jeni robër te Allahut dhe të gjitha gratë janë robëresha të Allahut por le të thotë: Djaloshi im, vajza ime"([13]).

4. Të mos e ngarkojë me çka nuk mundet. Allahu një gjë të tillë e ka urryer edhe për adhurime e lëre më për punë tjera. Punëdhënësi nuk bën ta ngarkojë punëtorin me punë, që fizikisht, nuk mund t’i përballojë. Kur Shuajbi e mori Musain, alejhima’s selam, në punë, i tha: “...e unë nuk dëshiroj të rëndojë ty...”. ([14])

Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Mos i ngarkoni me çka nuk munden; nëse e bëni këtë, atëherë ndihmojuni"([15]).

5. Të mos ngarkojë me detyra të ndaluara, si prostitucion, alkool, etj.

6. T’i jepet pagesa me kohë([16]). Për çdo punë ka shpërblim andaj Islami duke mos dashur t’i shkelet e drejta asnjërës palë, sikur që porositë punëtorin të jetë i sinqertë në raport me punën, po kështu porositë edhe punëdhënësin që punëtorit t’ia jep hakun. Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “Jepjani punëtorit hakun ende pa u tharë djersa e tij”. ([17])

7. Sigurimi. Punëdhënësi e ka obligim qe punëtorin ta sigurojë punëtorin e tij. Sigurimi bëhet në atë mënyrë që nëse në të gjallë është sprovuar me ndonjë sëmundje apo është plakur, sigurohet ai dhe familja e tij, sikur që sigurohet familja e tij, nëse janë të paaftë për punë, edhe pas vdekjes se tij. Këtë barrë përsipër e merr shteti nëpërmjet organizimit që bën në raport me organizatat punëdhënëse. Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë: “Kush lë pas vete pasuri pas vdekjes, ajo i takon trashëgimtarëve të tij, ndërsa kush lë trashëgimtar të varfër (të paaftë për punë), barrën e përkujdesjes e marrim ne”. ([18])

Xhemat i nderuar!

c) Obligime reciproke

Në përmbyllje të kësaj ligjërate modeste, edhe punëtorit por edhe punëdhënësit ia përkujtojmë një rregull profetik, që ta kanë si mostër gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, dhe i cili është([19]):“Nuk ka dëmtim dhe as dëmtim reciprok”.

Pra, nëse njëra palë sillet keq, nuk është mënyra e duhur që e keqja të kthehet me të keqe, por nëpërmjet mënyrave dhe formave legjitime, të kërkohet e drejta. Mjafton që Allahu do të na gjykojë të gjithëve!

25-4-2008,

Vushtrri

 

 

 

 

[1] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani në Sahihu’t Tirmidhijj, 1905, e ka cilësuar autentik.

[2] Transmetim unanim.

[3] Hadithi është autentik. Shih: Sahihu’l xhamii, 5040.

[4] el-Kasas, 26-28.

[5] Këtë hadith e transmeton Hakimi edhe pse disa thonë se kjo është fjalë e Omerit dhene Abdullahut, birit të vet. Shih: http://www.islamweb .net/ver2/ library/BooksCat egory.php? idfrom=2&idto=5&bk_no=41&ID=3.

[6] Hadithi është autentik. Shih: Sahihu’l xhamii, 826.

[7] Muttefekun alejhi.

[8] Buhariu.

[9] Hadithi është hasen. Shih: Sahihu’l xhamii, nr. 1880.

[10] el-Huxhurat, 10.

[11] Sahihul Buhari, Kitabul Itk.

[12] en-Nur, 37-38.

[13] Sahihu Muslim, Kitabul Edeb, Bab: Hukmu Itlaki Lafdhati: El Abdu Vel Emetu

[14] el-Kasas, 27.

[15] Sahihul Buhari, Kitab: El Iman, Bab: El Measi Min Emril Xhahilijje

[16] www.daawa.maDocs3ou mal.doc

[17] Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani në recensimin e këtij libri hadithesh, nr. 2443, e ka cilësuar autentik.

[18] Buhariu

[19] www.qaradawi. net, 8.1.2008, tema: El-Alakatu bejne’l ummali ve erbabi’l ameli fi dav’i’sh sher’i’l islamijj.


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013