Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
SOLIDARITETI SHOQËROR VËSHTRUAR SIPAS MËSIMEVE ISLAME

SOLIDARITETI SHOQËROR VËSHTRUAR SIPAS MËSIMEVE ISLAME

 

Dr. Sedat ISLAMI

 

Përmbledhje

Nën ndikimin dominues të globalizimit kulturor, njeriu modern po pëson krejtësisht pavetëdije një transformim emocional, shpirtëror dhe kulturor, i cili po e tëhuajëson atë, në radhë të parë për vetveten, pasi që po i preken identiteti dhe vlerat, e pastaj edhe për shoqërinë dhe rrethin ku jeton, pasi që vetëm fizikisht po i përket atyre. Këtij fakti po i druhen edhe shtete të fuqishme, të cilat janë deklaruar pro globalizimit ekonomik por jo edhe atij kulturor, sepse ky i fundit po shkatërron identitetin dhe po thellon krizën morale. Globalizimi kulturor po e shndërron njeriun në gjithnjë e më pak shoqëror. Interesimi për tjetrin dhe solidarizimi me të si vlera që kanë ruajtur shoqërinë janë në rrënim e sipër. Dhe për më keq, globalizimi kulturor po atakon edhe burimet e këtyre vlerave, ndër të cilat edhe fenë me theks të veçantë, në mënyrë që të përjashtojë çdo ndikim të mundshëm të saj në formimin e vlerave shoqërore. Ky punim merret pikërisht me këtë problematikë, duke u fokusuar në një pikë tejet të ndjeshme, solidaritetin shoqëror. Rëndësia e tij shihet nga perspektiva e fuqisë së mësimeve dhe koncepteve që ofron, të cilat, arrijnë të nxjerrin nga një individ i shpërfillur një qytetar të ndërgjegjshëm. Punimi është i ndarë në dy pjesë: e para trajton raportin globalizëm-kulturë, ndërsa pjesa e dytë trajton solidaritetin në rrafshin moral dhe material. Të gjeturat e punimit konfirmojnë rëndësinë e fesë në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave shoqërore dhe tradicionale dhe, rrjedhimisht, edhe në ruajtjen e identitetit.

 

Fjalët kyçe: solidariteti shoqëror; globalizimi kulturor; feja islame; feja dhe solidariteti; solidariteti moral; solidariteti material.

 


 

HYRJE

 

Globalizimi kulturor është duke u kthyer në një asgjësues kulturash dhe zhdukës të tyre. Prania e tij ka vënë në pikëpyetje ekzistencën e botëkuptimit tradicional të vlerave dhe institucioneve shoqërore. Familja, farefisi, rrethi, janë duke humbur gjithnjë e më shumë fuqinë dhe prestigjin që dikur e kanë pasur. Për pasojë, ‘e mira e përbashkët’, si koncept dhe praktikë tradicionale, është përmbysur nga individualizmi. Pavarësisht se të mirat materiale janë shtuar, hendeku ndërmjet të pasurve dhe të varfërve është thelluar. Gjithnjë e më shumë të pasur me interesim gjithnjë e më të vogël për të varfrit. Vazhdimi i një gjendje të këtillë nuk është se i bën nder dikujt. Për këtë shkak, institucione të ndryshme shkencore janë duke u marrë me hulumtime rreth vlerave shoqërore në kohën tonë[1].

Një nga vlerat e hulumtuara shumë është edhe solidariteti shoqëror. Siç dihet, njeriu nga vet natyra e tij është shoqëror, andaj ka nevojë për të tjerët siç këta të fundit kanë nevojë për të. Por, duke qenë se ka botëkuptime të ndryshme rreth solidaritetit, atëherë kërkohen edhe kontribute tjera, respektivisht ai i fesë. Ky punim ka ardhur pikërisht si një kontribut dhe përgjigje konkrete për solidaritetin nga perspektiva islame:

1)      Çfarë nënkuptojmë me solidaritetin shoqëror nga perspektiva islame?

2)      Cilat janë tiparet dalluese të solidaritetit nga perspektiva islame?, dhe

3)      Cilat janë format e manifestimit të tij dhe objektivat realizimin e të cilave e mëton ky institucion shoqëror islam?

Qëllimi i tij themelor është të zbardh dhe ndriçon konceptin islam për solidaritetin shoqëror, kuptimet e tij të thella, shtrirjen e tij të gjerë dhe aplikimin e tij të lehtë. Solidariteti sipas Islamit nuk është teori e thatë. Nuk është as aplikim formal. Solidariteti përfshin anën shpirtërore dhe materiale. Po kështu ai nuk aplikohet vetëm në raste fatkeqësish por edhe gëzimesh. Ai është, para së gjithash, reflektim i lidhjeve të forta fetare, i vëllazërisë, e pastaj edhe i lidhjeve tjera dhe detyrimeve që rrjedhin prej tyre. Këto janë vetëm disa prej elementeve që dallojnë solidaritetin në Islam. Dhe këtu qëndron rëndësia e këtij punimi, i cili ofrohet si një alternativë e dobishme për të ruajtur dhe kultivuar vlerat tradicionale në këtë kohë të zbehjes së tyre. Metodologjia e ndjekur në punim është përshkruese. Punimi është i shtrirë në dy pjesë kryesore. Në pjesën e parë kemi folur për vlerat shoqërore nën efektin e globalizimit kulturor, ndërsa në të dytën kemi folur për solidaritetin nga perspektiva islame, duke e shpjeguar fillimisht si koncept, për tu ndalur më pas tek dy format e tij kryesore, të shoqëruara edhe me shembuj përkatës.

 

I. GLOBALIZIMI KULTUROR DHE KULTURAT LOKALE

 

Shekujt XX dhe XXI kanë përjetuar një zhvillim të madh teknologjik. Mjetet e transportit dhe teknologjia e komunikimit kanë afruar më shumë se kurrë më parë individët, organizatat, qeveritë dhe shtetet[2]. Kjo ka bërë që kontaktet të jenë më të shpeshta, më të shumta dhe më të ndryshme. Lëvizja e njerëzve dhe mallrave ka shkaktuar një ndryshim, i cili ka prekur pothuajse çdo aspekt të jetës së njerëzve. Është krijuar një klimë e re e cila ka tendencë të bëjë ndryshime rrënjësore, jo vetëm në tregje por edhe në kulturë e tradita, për ta shndërruar botën në një fshat, perëndimor, apo edhe më saktë amerikan. Së këndejmi, jo të gjithë i kanë duartrokitur globalizimit dhe jo të gjithë e kanë pritur mirë. Janë jo vetëm shtetet e vogla dhe të pafuqishme ato që kanë shfaqur frikën nga globalizimi. Kohë më parë, diplomacia greke, franceze dhe kanadeze ankoheshin për efektet shkatërruese të globalizimit kulturor[3].

 

1. ÇFARË ËSHTË GLOBALIZIMI KULTUROR DHE CILI ËSHTË GJYKIMI I SHKOLLARËVE MYSLIMANË PËR TË?

Globalizimi kulturor nënkupton takimin e kulturave dhe traditave të ndryshme botërore. Ky takim nuk është krejtësisht miqësor, pasi që dimensioni kulturor i globalizimit, siç do të shprehej Ragnar Müller, nuk është vetëm sfidues por edhe zhdukës i kulturave lokale nga amerikanizmi kulturor. Laramania dhe diversiteti nën efektin e globalizimit kulturor zhduken për të ardhur një kulturë e re, kulturë botërore e hegjemonizuar[4]. Për këtë shkak, globalizimi është parë më shumë perendimizim (westernizim) i kulturave se sa bashkëpunim me to[5].

Kultura e re globale, e importuar në vendet tjera, është imponuese do të thoshte Dr. Jusuf Kardavi[6]. Ajo po kështu ka efekte asimiluese[7]. Globalizimi mëton një lloj riidentifikimi kulturor, një stil të ri jetese, një modelim sipas mënyrës amerikane. Për pasojë, ajo që dikur ka qenë traditë e një populli sot mund të jetë harruar fare. Këtë “modelim” disa studiues e konsiderojnë, jo vetëm si mjet me të cilin Perëndimi po përhap vlerat liberale perëndimore në tërë botën[8], por edhe një lloj komploti ndaj kulturave tjera[9]. Globalizimi kulturor luftë kulturore, që nënkupton dominimin e kulturës së të fortit ndaj kulturës së të dobëtit[10]. Se çfarë ndikimi ka pushtimi nga aspekti shpirtëror dhe kulturor na flet edhe Ibn Halduni, i cili në Mukaddime, në një kapitull të veçantë, kapitullin 23, thotë: ‘I pushtuari është gjithmonë i dhënë pas pushtuesit duke e pasuar atë në dukje dhe bindje dhe në çdo gjë tjetër. E shkak është se, njeriu, nga vet natyra e tij, beson në përsosmërinë e atij që e ka pushtuar dhe të cilit i është nënshtruar.[11]’ Bile, Dr. Ammare konsideron se nuk është duke ndodhur vetëm përmbysja e kulturave, por edhe e feve. Ai konsideron se globalizimi është duke i krishterizuar myslimanët[12].

Këtë ndryshim, Muhammed Esedi e sheh të rrezikshëm, madje edhe e quan “fe” e cila njerëzve po ua zëvendëson fenë, kulturën, traditat e gjithçka tjetër. Ky ndryshim ndodh nëpërmjet rrugës së kulturës dhe ekonomisë. Tekstualisht thotë: ‘Tempujt e kësaj feje (globalizimit) janë fabrikat e monedhës, kinematë, laboratorët kimikë, sallat e vallëzimit, fabrikat e prodhimit të rrymës, ndërsa priftërinjtë e saj janë financierët, inxhinierët, yjet e kinematografisë, komandantët e industrisë dhe heronjtë e aeroplanëve. [13]

Por, përhapja e globalizimit kulturor nuk ka ndodhur vetëm me teknologji (tv, radio, internet) dhe presionet ekonomike. Disa studiues numërojnë edhe  kërcënimet ushtarake si forma me të cilat globalizimi kulturor është përhapur[14].

 

2. MEGJITHATË, GLOBALIZIMI KULTUROR NUK REFUZOHET TËRËSISHT

Por, globalizimi kulturor –siç thotë Gidensi- është proces i dyanshëm[15], është  diçka të cilën edhe ne mund ta përdorim për t’iu kundërvënë globalizimit kulturor dhe jo vetëm. Globalizmi as nuk është e keqe absolute, as e mirë absolute[16]. Ne, nisur nga roli ynë misionar, globalizimin mund ta vëmë në shërbim të përhapjes së fesë në perëndim[17]. Prof. Dr. Xhafer Shejh Idris, përmend disa gjëra me rëndësi të cilat mund t’i përfitojmë nga globalizimi kulturor, prej të cilave, si më të rëndësishme, do të veçoja:

-          njoftimi me kulturat tjera i domosdoshëm për tua përcjellë fenë dhe për të diskutuar me ta;

-          njoftimi me kulturat perëndimore ka ndikuar që një pjesë e myslimanëve t’i rikthehen fesë seriozisht. Kjo kur kanë kuptuar se në terren gjendja nuk është ashtu siç iu përshkruhet, dhe

-          kulturat perëndimore kanë të mira që nuk mohohen. Refuzimi i tyre nga ana jonë do të ishte veprim i gabuar[18].

Këtë synim e ka edhe ky punim. Globalizimi ka të mira të shumta, ndër të cilat edhe kjo mundësia që të kontaktojmë me të tjerët dhe ta prezantojmë “mallin” tonë. Duke marrë parasysh vlerat humane në rënie, konsiderojmë se ky punim është një shembull i asaj se çfarë mund t’i ofrojmë botës. Në pjesët në vazhdim do ta trajtojmë solidaritetin, si vlerë që po vyshket në shoqëritë perëndimore, për të dëshmuar se vlerat islame i duhen botës moderne.

 

II. ISLAMI PËR SOLIDARITETIN SHOQËROR

 

II.1. PËRCAKTIMI FETAR I KONCEPTIT PËR SOLIDARITETIN

Solidariteti shoqëror -përgjithësisht- nënkupton lidhjet në kuadër të një bashkësie, marrëdhëniet shoqërore që i lidhin njerëzit, që krijojnë raporte të afërsisë, të ndihmës reciproke, të komunikimit konstruktiv, të bashkëndjesisë[19]. Ahmed Umer Hashim, solidaritetin e përkufizon si angazhim kolektiv të atyre që kanë mundësi materiale për të ndihmuar njerëzit në nevojë ose për tua mbuluar detyrimet që ata vet nuk kanë mundësi t’i mbulojnë[20]. Me pak fjalë, solidariteti është përgjegjësia shoqërore e individit[21].

Në Islam, solidariteti dallon si për nga motivi, si për nga format e manifestimit. Motivi për solidaritet është fetar, pra synohet para së gjithash përfitimi i kënaqësisë së Allahut[22], e jo politik e racor. Solidariteti është imazhi lëvizës dhe faktografik i vëllazërisë fetare[23]. Roli i tij në shoqëri, figurativisht, krahasohet me rolin e gjymtyrëve në trup...Solidariteti nuk është bamirësi dhe ndihmë por detyrë dhe përgjegjësiu. Nga kjo perspektivë, solidariteti është obligim që duhet të përmbushet nga të gjithë veç e veç: kryefamiljari me familjen, i pasuri me të varfrin, fqinjin me fqinjin, farefisi ndërmjet vete, i forti me të dobëtin, e kështu me radhë[24]. Solidariteti nuk është krejt vullnetar. Në Islam është i rregulluar shtretërish dhe edhe në mënyrë të obliguar. Shembull për këtë kemi zekatin[25]

Solidariteti është i rregulluar me tekste nga Kur’ani dhe Sunneti. Dr. Hashimi përmend disa sosh prej tyre[26], si:

Ajetet:

-          “...Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi!...” [Maide: 2]

-          Për kohën! 2. Me të vërtetë, njeriu është në humbje, 3. përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” [Asr: 1-3]

Hadithet:

-          Besimtari për besimtarin është sikur godina pjesët e së cilës mbajnë njëra tjetrën.”[27]

-          Shembulli i besimtarëve në dashurinë dhe mëshirën e ndërsjellë është sikur shembulli i një trupi të vetëm, i cili vuan edhe atëherë kur vetëm një gjymtyrë e tij vuan.[28]

-          Nuk ka besuar (plotësisht) ai që për vëllain e vet nuk do atë që do për vete.[29]

Natyrisht, ka edhe tekste tjera të shumta që trajtojnë solidaritetin shoqëror, por këto ishin vetëm sa për ilustrim[30]. Siç mund ta vërejmë, solidariteti ka principe të përgjithshme, të cilat përfshijnë të gjitha aspektet e jetës. Solidariteti nuk ndodhë vetëm në vështirësi, por edhe në gëzime. Myslimani është vëllai i myslimanit dhe me të ndan të mirën dhe të keqen[31].

 

II.2. SOLIDARITETI MORAL

Solidariteti moral nënkupton lidhjen shpirtërore me njëri tjetrin duke ndarë jo vetëm momentet e vështira së bashku por edhe ato të mira. Siç do të shohim, në kuadër të obligimeve ndërmjet besimtarëve është edhe përgjigja në ftesë për gëzim. Nga këtu, solidariteti moral, siç do të shprehej edhe Imam Gazaliu, është fryt i moralit të mirë[32] dhe, rrjedhimisht, edhe imazhi që shpërfaq vëllazërisë e vërtetë fetare dhe lidhjes e kërkuar shoqërore. Me këtë kuptim e manifestim, solidariteti moral është më i rëndësishëm se ai material, jo vetëm për shkak të ndjenjave edhe emocioneve, por edhe anës praktike[33].

Karakteristikë e solidaritetit, qoftë moral, qoftë material, është se ai nuk është i tkurrur vetëm ndërmjet myslimanëve. Format në vazhdim do të na zbulojnë më shumë detaje për konceptin e solidaritetit moral dhe imazhet e manifestimit të tij.

 

II.2.1. Solidariteti me myslimanët

II.2.1.1. Manifestimi i solidaritetit ndërmjet myslimanëve

Baza e solidaritetit moral ndërmjet myslimanëve është lidhja e tyre në baza fetare ose vëllazëria fetare. Në tekste të shumta në Kur’an dhe Sunnet është theksuar kjo vëllazëri, format dhe rëndësia e saj. Allahu thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër,...” [Huxhurat: 10]; “...Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato...” [Enfalë: 63]; “...e të mëshirshëm midis tyre...” Fet’h: 29]. Mustafa Sibai, duke iu referuar ajetit të parë, thotë: ‘Shpallja e ‘vëllazërisë’ nga Kur’ani nënkupton solidaritet jo vetëm në aspektin material por edhe në atë moral...[34]

Pejgamberi Muhammed a.s. ka thënë: “Myslimani është vëlla i myslimanit... [35]”; “Shembulli i besimtarëve në dashurinë dhe mëshirën e ndërsjellë është sikur shembulli i një trupi të vetëm, i cili vuan edhe atëherë kur vetëm një gjymtyrë e tij vuan[36].”; “Nuk ka besuar (plotësisht) ai që për vëllain e vet nuk do atë që do për vete.[37]” Dr. Umer Hashimi duke folur për imazhet e vëllazërisë dhe reflektimin e saj thotë: ‘Vëllazëria fetare parasheh drejtësinë ndërmjet njerëzve, përkrahjen e të dëmtuarit, largimin e brengave dhe fatkeqësive.[38]

Nisur nga këto kuptime të gjera që përfshin solidariteti moral, dijetarë dhe hulumtues myslimanë kanë përmendur disa forma se si manifestohet ky solidaritet[39], disa prej të cilave do t’i veçojmë në vijim: urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja[40]; ndarja e drejtësisë ndërmjet vete; ruajtja e nderit të njëri tjetrit[41]; pajtimi në rast të prishjes; bashkimi dhe uniteti[42]; ikja nga bojkoti i njëri tjetrit – dhënia selam si imazh konkret[43]; ikja nga konflikti fizik dhe lufta me njëri tjetrin; ndihma ndaj vëllait kur është i drejtë dhe i padrejtë[44]; largimi i brengave; mos tallja dhe nënçmimi; falja dhe tolerimi; ikja nga zilia dhe urrejtja; përgjigja në ftesë; ngushëllimi (duke e vizituar në sëmundje, duke ia falur dhe përcjellë xhenazen); mbulimi i të metave në të gjallë dhe pas vdekjes; përcjellja e xhenazes dhe lutja për të, etj.

II.2.1.2. Kategoritë e solidaritetit[45]

Solidariteti nuk është koncept i shthurur. Myslimanit nuk i konsiderohet për burrëri, e aq më pak për fetari, të interesohet për të tjerët, e të braktisë ata që duhet kujdesur në radhë të parë për ta, familjen në këtë rast. Nga këtu, solidariteti i mirëfilltë fillon me familjen, respektivisht me prindërit[46], gruan[47] dhe fëmijët[48], fqinjët[49], farefisin[50], shoqërinë dhe njerëzit në përgjithësi. Secilit i kushtohet hapësirë dhe vëmendje sipas rregullit ‘Jepi atij atë që e meriton.

II.2.2. Solidariteti me jomylsimanët

II.2.2.1. Baza e solidaritetit moral me jomylsimanët

Siç përmendëm, karakteristikë e solidaritetit në Islam, moral apo material qoftë, është se ai nuk është i tkurrur vetëm ndërmjet besimtarëve myslimanë. Natyrisht, kur e themi këtë, nuk kemi për qëllim zhdukjen e dallimeve që ekzistojnë në shprehjen e këtij solidariteti ndaj myslimanëve dhe të tjerëve. Megjithëkëtë, ekzistojnë lidhje të njohura e aprovuara nga feja, të cilat na bëjnë të kultivojmë solidaritetin me jomyslimanët, veçmas atë material. Këto lidhje janë humane[51], familjare[52], farefisnore[53], misionare[54].

II.2.2.2. Manifestimi i solidaritetit moral me jomylsimanët

Solidaritetit moral me jomylsimanët manifestohet në disa forma, si: ndarja e drejtësisë me jomylsimanët, duke mos ua shkelur të drejtat që iu takojnë, dëshirimi i udhëzimit për në rrugën e drejtë, vizita e tyre në rast sëmundje me qëllim që t’iu përfitohet zemra[55]. Pejgamberi a.s., siç shënon Buhariu, kishte vizituar një fqinj të tij çifut, të cilit në momentet e fundit të jetës ia kishte prezantuar fenë dhe ai e kishte pranuar.

II.2.3. Synimet e solidaritetit moral

Besimtari me solidaritetin moral synon fillimisht fitimin e kënaqësisë së Allahut dhe shpërblimin e Tij[56], realizimin e vëllazërisë fetare, e cila është objektivë e kësaj feje[57], forcimin e lidhjeve shoqërore[58], lumturinë dhe mirëqenin[59], dhe udhëzimin në rrugën e Zotit.

 

II.3. SOLIDARITETI MATERIAL

Në Islam anëtarët e shoqërisë kanë edhe detyrime materiale karshi njëri tjetrit. Kjo bën që solidariteti material të mos jetë thjesht bamirësi por edhe detyrim dhe përgjegjësi. Allahu i Madhëruar kërkon nga besimtarët e pasur që të japin nga pasuria që Ai ua ka dhënë. Po kështu na mëson se në pasuritë e të pasurve ka pjesë të caktuar, e cila i takon të varfërve[60]. Nga këto mësojmë se pronar i vërtetë i pasurisë është Allahu ndërsa njeriu është mbikëqyrës andaj duhet të veprojë konform rregullave që i përshkruhen, respektivisht duhet të përmbushë detyrimet karshi të varfërve.

Dijetarët dhe studiuesit myslimanë kanë përshkruar format se si manifestohet solidariteti material, se cilat janë qëllimet e tij dhe cila duhet të jetë etika që duhet përfillur gjatë kohë sa ndihmojmë të tjerët.

Në vazhdim do të ofrojmë një përmbledhje rreth çështjeve në fjalë.

II.3.1. Llojet e solidaritetit material

Siç përmendëm solidariteti ka rëndësi të madhe në fe andaj edhe nuk është lënë krejtësisht çështje vullnetare. Solidariteti material merr trajtë edhe të obliguar. Se si manifestohet vullnetarisht dhe në mënyrë të obliguar, do të mësojmë në vazhdim:

II.3.1.1. Solidariteti vullnetar

Solidariteti vullnetar mund të quhet ndryshe edhe qytetar. Pra, është participim individual dhe krejtësisht i vullnetshëm. Është kjo ajo që e quajmë sadaka (lëmoshë). Në Kur’an dhe Sunnet gjejmë tekste të shumta të cilat na nxisin të japim e të ndihmojmë të tjerët. Në Kur’an Allahu na urdhrin të sillemi mirë me të afërmit[61], pra t’i ndihmojmë, sikur që na tregon se Ai e do lëmoshën dhe e rrit përfitimin e saj[62], në ndërkohë që urren format tjera jolegjitime të përfitimeve, siç është kamata. Po kështu na flet për besimtarët e devotshëm që japin duke synuar fitimin e kënaqësisë së Tij[63]. Edhe Pejgamberi a.s. i ka kushtuar rëndësi të madhe lëmoshës dhe verave të saj duke nxitur për dhënie dhe duke na i përmendur disa prej përfitimeve në botën tjetër[64].

Në Islam është kultivuar një formë e rrallë e lëmoshës që është karakteristikë vetëm e jona. Fjala është për vakëfin, një pronë e lënë për të varfrit dhe për nevoja shoqërore, destinimi i të cilës nuk mund të ndryshohet. Ajo si pronë i dedikohet Alalhut, si përfitim të varfërve dhe nevojtarëve. As nuk mund të shitet dhe as të lihet në trashëgim[65].

II.3.1.2. Solidariteti i obliguar

Ndryshe mund të quhet shtetëror. Në Islam, shteti obligon të pasurit që për të varfrit të ndajnë pjesë të pasurisë që kanë. Është kjo ajo që fetarisht njihet si zekat. Allahu thotë: “Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira!...” [Teube: 103]; “Në pasuritë e tyre ka pasur pjesë për lypësit dhe nevojtarët.” [Dharijat: 19]. Pejgamberi a.s. ka thënë: ‘...bëjua me dije se Allahu ua ka obliguar dhënien e një pjese të pasurisë, e cila merret nga të pasurit dhe iu kthehet të varfërve.[66]

Reshid Rida duke folur për Zekatin dhe rëndësinë e tij në luftimin e varfërisë ka thënë: ‘Islami dallon nga të gjitha fetë me urdhrin për të dhënë Zekatin. Sikur myslimanët ta aplikonin, nuk do të mbetej i varfër në mesin e tyre.[67]’ Zekati i shërben fillimisht luftimit të varfërisë në nivel lokal, e më pas edhe në rrafsh më të gjerë. Imam Gazaliu thotë se nuk bartet zekati nga një vend ne tjetrin[68]. Megjithatë, ka edhe forma tjera me të cilat shprehet solidariteti i detyruar material. Prej këtyre formave do të veçonim dhënien e Sadakatu-l-Fitrit në fund të Ramazanit, therjen e kurbanit për ata që kanë mundësi në Kurban Bajram, shpagimet për gabimet gjatë adhurimeve të caktuara (kefareti), zotimet[69], etj.

 

II.3.2. Kategoritë përfituese 

Në përgjithësi, solidariteti material i detyruar, ose zekati me theks të veçantë, jepet për kategoritë që Allahu i ka përshkuar në Kur’an: “Lëmosha e zeqatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” [Teube: 60]

Solidariteti material është një e mirë që mbulon të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, pavarësisht fesë që kanë. Në fakt, dijetarët myslimanë kanë thënë se zekati i jepet vetëm myslimanëve por janë burime tjera, si lëmosha vullnetare, ajo me të cilën ndihmohen jomylsimanët. 

Nëse do të bënim ndonjë klasifikim të njerëzve që mbulohen nga solidariteti material, vullnetar dhe i detyruar, atëherë një ndarje do të mund të bëhej edhe sipas mënyrave vijuese:

1)      Kategoritë sipas fesë, ky bëjnë pjesë myslimanët dhe jomylsimanët[70].

2)      Kategoritë sipas afërsisë, ku fillohet me ata që e ke për detyrë të kujdesesh materialisht për ta[71], pra familjen[72], pastaj farefisin[73], fqinjët e më gjerë[74].

3)      Kategoritë sipas nevojës, të cilat u përshkuan më lart në ajetin 60 të kaptinës Teube. Këtu hyjnë edhe jetimët, gratë e veja, të moshuarit e varfër, etj.

4)      Kategoritë sipas vendit, e që fillohet së pari me të varfrit lokalë për të vazhduar më pas me të tjerët[75].  

II.3.3. Synimet e solidaritetit material

Solidariteti material në Islam ka synime shumë madhore, prej të cilave do të veonim:

1)      Në radhë të parë, si për çdo vepër tjetër, me të synohet arritja e kënaqësisë së Allahut[76].

2)      Fitimin e shpërblimit sepse, duke qenë në shërbim të krijesave, Allahu të shpërblen. Në Kur’an Allahu e përshkuan këtë si një formë huaje që robi e jep për Zotin e Zoti ia kthen shumëfish: “Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish?...” [Bekare: 245] Natyrisht, huaja është përdorur në kuptimin alegorik, pra, ai që ndihmon robërit e Allahut, ka shpërblimin e Allahut[77]

3)      Përmbushjen e detyrimeve karshi familjes, farefisit dhe shoqërisë.

4)      Përfitimin e zemrave dhe dashurisë. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Sadakaja ndaj të varfrit është njëherë sadaka, ndërsa ndaj të afërmit është dy herë: Është sadaka dhe mbajtje e lidhjeve familjare.[78]

5)      Luftimin e varfërisë. Ndihma solidare nuk përfshin thjesht zgjidhjen e përkohshme të varfërisë por zgjidhjen afatgjate[79].

6)      Luftimin e dukurive që vijnë si pasojë e varfërisë.

7)      Kultivimin e vlerave dhe virtyteve[80]. Për pikat 5, 6 dhe 7 lexo këtë argument. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ka thënë një njeri: Sonte do të kontribuoj me një lëmoshë! Doli me lëmoshën e tij dhe lëshoi në dorën e një hajni. Njerëzit u gdhinë ndërsa flisnin: Natën – mbrëmë i është dhënë lëmoshë një hajni. Tha: O Allahu im! Ty të takon falënderimi për hajnin! Do të jap sonte (prapë) një lëmoshë. Doli me lëmoshën e tij dhe e lëshoi në dorën e një gruaje të pandershme. Të nesërmen njerëzit flisnin se si një gruaje të pandershme mbrëmë i ishte dhënë lëmoshë. Tha: O Allahu im! Ty të takon falënderimi për gruan e pandershme. Sonte (për të tretën herë) do të jap lëmoshë. Doli dhe e lëshoi sadakanë e tij në dorën e një të pasuri. Në mëngjes njerëzit flisnin se si mbrëmë i ishte dhënë sadaka një të pasuri. Tha: O Allahu im! Ty të takon falënderimi për hajnin, gruan e pandershme dhe të pasurin! I erdhi (frymëzimi ose meleku nga ana e Allahut) dhe i tha: Sa i përket lëmoshës sate ndaj vjedhësit, ndoshta me të e ruan nderin dhe e braktis vjedhjen; sa i përket gruas së pandershme, ndoshta e ruan moralin dhe i ikë amoralitetit; sa i përket të pasurit, ndoshta merr mësim dhe shpenzon nga ajo që i ka dhënë Allahu.[81]

8)      Investimi në shkencë dhe dije. Dr. Jusuf Kardavi përmend se juristët myslimanë kanë paraparë ndarjen e zekatit edhe për atë që i përkushtohet dijes në ndërkohë që nuk e kanë paraparë këtë për atë që i përkushtohet adhurimit. Kjo për shkak se adhurimi nuk ka nevojë që t’i përkushtohemi tërësisht, e madje edhe po ta bënim është çështje private, në ndërkohë që dija kërkon përkushtim dhe nuk është private. Për këtë shkak, Dr. Kardavi citon Imam Ebu Hanifen, ta ketë lejuar bartjen e zekatit nga një vend në tjetër, përkundër rregullave, nëse në pyetje është investimi në studentë dhe kërkues të dijes[82].

II.3.4. Etika e solidaritetit material

Në Islam, duke qenë se me solidariteti synohet fitimi i kënaqësisë së Zotit, atëherë gjërat tjera kanë pak rëndësi. Po kështu, me ndihma synohet të ruhet morali i të varfërve dhe privatësia e tyre, e jo të zbulohen. Për këtë shkak preferohet shumë që ndihmat të jepen në fshehtësi. Allahu na mëson: “T’i jepni lëmoshat haptazi, është gjë e mirë, por t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi, është edhe më mirë dhe ju shlyen disa nga gjynahet tuaja. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni.” [Bekare: 271] Kur përmend robërit e sinqertë, përmend se tipar i tyre është dhënia në fshehtësi: “Ne po ju ushqejmë për Allahun, nuk duam prej jush shpërblim dhe as falënderim.” [Insan: 9]

Pejgamberi a.s. aq shumë na ka porositur që ta ruajmë këtë detaj saqë ka thënë që kur të japim ‘...të mos dijë e majta se çfarë dha e djathta[83].’

 

PËRFUNDIM

Pas prezantimit të solidaritetit shoqëror nga perspektiva e fesë islame, si rezultate kryesore dhe të gjetura të rëndësishme të tij, mund t’i veçojmë:

1)      Rolin më aktiv të shoqërive tradicionale në raport me globalizimin kulturor, duke mos lejuar shkrirjen në vorbullën e tij.

2)      Shfrytëzimin e mundësive që ofron globalizimi për të përcjellë vlerat tona tek të tjerët, në mënyrë që globalizimi të jetë proces i drejtë në marrë-dhënie. 

3)      Plasimin e ideve fetare në ambiente të ndryshme, që të dihet se roli i fesë, veçmas në çështje që kanë të bëjnë me lidhjet shoqërore, është i pazëvendësueshëm.



[1] Ky punim është prezantuar në konferencën shkencore të organizuar nga Universiteti Marin Barleti në Shqipëri, në nëntor 2017. 

[2] Ky konstatim është i Antoni Gidensit (Anthony Giddens). Shih: Nuruddin Zimam, “Avlemetu-th-thekafeti – el-mustehil ve-l-mumkin”, Revista El-ulum el-insanijje, Universiteti Biskra, Algjeri, nr.1, nëntor 2001, f. 135.

[3] Shih: Grup autorësh, El-muslimune fi muvaxheheti el-betth-thi el-mubashir, (Rijad: Dar Tuvejk, 2000), f. 42-42.

[4] Shih: Ali Pajaziti, Fjalor i Sociologjisë, (Shkup: Logos-A, 2009), f.212. 

[5] Shih: Ebu Bekir Refik, “Mehatir el-avlemeti ala el-huvijejti eth-thekafijjeti li-l-alemi-l-islamij”, Dirasat – Universiteti Ndërkombëtar Islamik, Chitagong, Bangladesh, vëll, 4, dhjetor 2007, f. 8. 

[6] Po aty, f. 9. 

[7] Shih: Muhammed Ammare, Bejne el-alemijjeti el-islamijje ve-l-avlemeti el-garbijje, (Kajro: Mektebetu El-Imami El-Buhari, 2009), f. 51.    

[8] Shih: Ebu Bekir Refik, “Mehatir el-avlemeti, op. Cit., f. 6. 

[9] Shih: Ali bin Ibrahim Nemle, Haxhisu-l-muamereti fi-l-fikri-l-arabij bjne et-tehvini ve-t-tehvil, (Bejrut: El-merkez eth-thekafij el-arabij, 2009), f. 109-111.   

[10] Shih. Xhelal Emin, El-avlemeh, (Kajro: Dar el-mearif, 2002), f. 48.

[11] Ibn Haldun, Tarihu Ibn Haldun, ver. Halil Shehadeh, (Bejrut: Dar El-Fikr, ed.2, 1988), 1/184.

[12] Shih: Muhammed Ammare, Bejne el-alemijjeti el-islamijje ve-l-avlemeti el-garbijje, op.cit., f. 54.    

[13] Shih: Abdul Kadir bin Muhammed Ata Sufi, Athar el-avlemeh ala akideti-sh-shebab, (Muslim World League: Davetu-l-hakk: v. 23, nr. 215. 1427 h.), f. 13. 

[14] Shih: Xhafer Shejh Idris, Sirau-l-hadarat bejne avlemetin garbijjetin ve ba’thin islamij, (Rijad: Mexhel-letu El-Bejan, 1433 h.), f. 14; Ebu Bekir Refik, “Mehatir el-avlemeti, op.cit., f. 8. 

[15] Shih: George Ritzer dhe Douglas J. Goodman, Teoria sociologjike, për. Grup përkthyesish, (Tiranë: UFO Press, 2008), f. 592. .

[16] Shih: Abdul Aziz Berguth, Esh-shuhud al-hadarij li-l-ummeti el-vesat fi asri-l-avlemeh, (Kuvajt: Ministria e Vakëfeve dhe Çështjeve Islame, 2007), f. 129.

[17] Shih: Ebu Bekir Refik, “Mehatir el-avlemeti , op.cit., f. 7. 

[18] Shih. Dr. Xhafer Shejh Idris, Vesail el-ittisal ve alakatuna bi-th-thekafat el-uhra, op.cit., f. 72-73.

[19] Ali Pajaziti, Fjalor i Sociologjisë, op.cit., f. 603.

[20] Shih: Ahmed Umer Hashim, Et-tedamun fi muvaxheheti et-tehaddijjat, (Kajro-Bejrut: Dar Esh-shuruk, 2001), f.9.

[21] Shih: Sejjid Hashim Mevsevi, En-nidham el-ixhtimaij fi-l-Islam, (Bejrut: Dar esh-shuruk, 1992), f. 52.

[22] Shih: Kur’ani: Insan: 9: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim! 10. Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura.”

[23] Shih: Kur’ani: Enfalë: 62-63:  “Ai të ka forcuar me ndihmën e Tij dhe me besimtarët, 63. duke i bashkuar zemrat e tyre (si një zemër e vetme). Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”

[24] Shih: Sejjid Hashim Mevsevi, En-nidham el-ixhtimaij fi-l-Islam, op.cit., f. 56; 57.

[25] Për më shumë rreth zekatit si ligj që rregullon solidaritetin shoqëror shih: Ahmed Mustafa Hatir, El-hidmetu el-ixhtimaijje – nadhretun tarihijjetun – menahixh el-mumareseh- el-mexhalat, (Aleksandri: El-mekteb el-xhami el-hadith, ed. 2, 1995), f. 45.

[26] Shih: Ahmed Umer Hashim, Et-tedamun, op. cit., f.9.

[27] Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

[28] Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

[29] Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

[30] Shih hadithet: ‘Aq shumë më porositi Xhibrili për fqinjin saqë mendova se do të ma bëjë trashëgimtar.’ [Buhariu dhe Muslimi]; ‘Kush mbulon nevojën e vëllait të vet, Allahu do t’ia mbuloj atij nevojën!’ [Buhariu dhe Muslimi]; ‘Nuk ka besuar në mua ai që flenë ndërsa fqinji i tij është barkzbrazur...’ [Taberaniu]; ‘Unë dhe kujdestari i jetimit jemi bashkë në Xhennet...’ [Buhariu]; ‘Kush kujdeset për gruan e vejë dhe miskinin është sikur luftëtari në rrugën e Allahut ose ai që falet natën dhe agjëron ditën.’ [Buhariu]; ‘...Kur ta rrjepësh kurbanin, fillo me fqinjin tonë çifut...’ [Ebu Davudi dhe Tirmidhiu].

[31] Parafrazuar nga: Ahmed Umer Hashim, Et-tedamun, op. cit., f. 32.

[32] Alevi Ebu Bekir Muhammed Seffaf, Muhtesar Ihjai Ulumi-d-Din, (Xhakarta: Dar el-kutub el-islamijje, 2004), f. 89.

[33]  Pejgamberi Muhammed a.s. ka thënë: ‘Ju nuk mund të tregoheni zemërgjerë me pasuritë  (ndihmat, lëmoshat) tuaja ndaj të gjithë njerëzve (sepse nuk mjaftojnë), por tregohuni zemërgjerë duke u shfaqur fytyrëçelur para tyre dhe duke treguar moral të mirë me ta.’ Hadithi është hasen li-gajrihi. Shih: Sahihu-t-Tergibi ve-t-Terhib, nr. 2661.

[34] Parafrazuar nga: Mustafa Sibai, Ishtirakijjetu-l-Islam, (Egjipt: Eddar el-kavmijje li-t-tibaati ve-n-neshr, ed. 2, pa vit botimi), f. 111.

[35] Hadithin e shënon Muslimi.

[36] Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

[37] Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

[38] Ahmed Umer Hashim, Et-tedamun, op. cit., f. 32.

[39] Shih: Ahmed Umer Hashim, Et-tedamun, op. cit., f. 32 e tutje; AbduRrahim bin Muhammed El-Mugadh-dhevi, Ed-da’vetu ve siletuha bi-l-hajat, (Rijad: Mektebetu-rr-Rrushd, pa vit botimi), f. 222-239; Abdul Aziz bin Muhammed Selman, Min mehasini-d-dini el-islamij, (Botim privat: ed. 3, 1983), f. 10-11; 17; 18.

[40] Shoqëria islame është e ngritur mbi baza fetare andaj prej imazheve më të theksuara të saj është se vazhdimisht e urdhërojnë njëri tjetrin për të mirë dhe e ndalojnë nga e keqja [Shih kaptinën Teube, ajeti: 71]. Se sa e rëndësishme është kjo mësojmë nga një hadithi i njohur profetik, i cili urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja e sheh si organ që garanton ekzistencën e kësaj shoqërie në tokë.

[41] Duke mos ia shkelë nderin familjar por as duke mos e përgojuar.

[42] Si mjet i realizimit të kësaj është edhe namazi me xhemat. Me faljen e namazit me xhemat përfitohet njohja ndërmjet besimtarëve, përforcohen lidhjet, shtohen dashuria, butësia dhe mëshira e ndërsjellë. Ngjashëm trajtohen edhe zekati, agjërimi  dhe haxhi që i shërbejnë kësaj lidhje dhe këtij bashkimi. Shih: Abdul Aziz bin Muhammed Selman, Min mehasini-d-dini el-islamij, op.cit., f. 10-11; 17; 18.

[43] Dhënia selam konsiderohet si formë që tregon se nuk ka bojkot dhe as lëçitje ndërmjet vëllezërve.

[44] Kjo ndihmë manifestohet duke i ndihmuar nëse i bëhet padrejtësi dhe duke i ndihmuar nëse bën padrejtësi, respektivisht duke e ndalur nga padrejtësia.

[45] AbduRrahim bin Muhammed El-Mugadh-dhevi, Ed-da’vetu ve siletuha bi-l-hajat, op.cit., f. 222-239.

[46] Shih urdhrin kur’anor për mirësjellje me prindërit, Isra: 23. Po kështu shih hadithin profetik: ‘Kujt i takon mirësjellja ime së pari? Nënës...Pastaj babait.’ Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

[47] Shih ajetin: Nisa: 19; Tahrim; 6; hadithin ‘Silluni mirë me gratë!...’ Sahihu-l-xhami, nr. 960.

[48] Shih ajetet: Tahrim: 6; Nisa: 11.

[49] Shih ajetin: Nisa: 36; hadithin e shënuar nga Buhariu dhe Muslimi: ‘Xhibrili më porositi aq shumë për fqinjin saqë mendova se do ta caktojë trashëgimtar.’

[50] Shih ajetin: Nisa: 36; hadithin e shënuar nga Buhariu dhe Muslimi: ‘Në Xhennet nuk hyn ai që shkëput lidhjet farefisnore.

[51] Të gjithë njerëzit, në origjinë, janë prej një babai dhe një nëne. Jo vetëm kaq. Besimtari dallohet për nga aktiviteti human që bën. Pejgamberi Muhammed a.s. ka thënë: ‘Njeriu më i mirë është ai më i dobishmi për të tjerët.’ Në këtë angazhim të tij për të qenë i dobishëm nuk është përjashtuar jomyslimani paqësor[51], veçmas nëse marrim parasysh udhëzimin në rrugën e drejtë, si formë e solidaritetit, të cilën patjetër besimtari duhet ta manifestojë me të tjerët. Dijetarët, duke iu referuar ajetit: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.” [Mumtehine: 8] kanë thënë se nuk ka ndalesë që myslimani të sillet mirë me jomyslimanin[51]. Në ajet nënvizohet drejtësia si formë e zhvillimit të raporteve, e që, siç kemi shënuar më lartë, është trajtë e solidaritetit moral. Sigurisht, ka specifika që duhet marrë parasysh me rastin e shprehjes së solidaritetit moral, në mënyrë që të mos veprohet diç që nuk miratohet nga ana e fesë. Shih fetvanë nr. 178077: 'A shpërblehet besimtari nëse ndihmon jobesimtarët.', e publikuar më 22.4.2012 në www.islamweb.net. Në fetva janë edhe të dhënat për hadithin e cituar. Shih edhe: Ismail bin Umer bin Kethir, Tefsiru-l-Kur'ani-l-Adhim, (Rijad: Dar Tajjibe li-n-neshr ve-t-teuzië, ed. 2, 1999), 8/90.

[52] Si imazh konkret i kultivimit të solidaritetit me jomylsimanët është lidhja familjare. Buhariu dhe Muslimi shënojnë hadithin e Esmasë r.a., e cila kishte kërkuar leje nga Pejgamberi a.s. për të mbajtur apo jo lidhjet me të ëmën e saj, e cila atëbotë ishte idhujtarë. Pejgamberi a.s. e kishte lejuar.

[53] Hadithin që e shënuam më lartë për mirësjelljen me fqinjët e që përfshin dhe fqinjin jomysliman.

[54] Besimtari, siç e do për vete udhëzimin, duhet ta do edhe për të tjerët, për këtë shkak duhet t’i thërret në fe. Vet udhëzimi është një nga format e solidaritetit moral.

[55] Ibn Tejmije është pyetur për vizitën e jomyslimanëve dhe ka thënë se lejohet sepse mund të ketë dobi në të, respektivisht vizita të bëhet shkak që të udhëzohet në Islam. Shih: Ahmed bin Abdul Halim bin Tejmije, Mexhmu el-fetava, ver. AbduRrahman bin Muhammed bin Kasim, (Medine Munevvere: Kompleksi Mbreti Fehd për botimin e Kur'anit, 1995), 24/265.

[56] Kush mbulon të metat e vëllait, Zoti ia mbulon të metat atij. Pra, edhe kënaqësi e Zotit, edhe shpërblim prej Tij. Shih hadithin e saktë në Sahihu Ibn Maxhe, 2078.

[57] Përmendëm se afrimi i zemrave të besimtarëve ndërmjet vete, sipas ajetit 63 nga kaptina Enfalë, është meritë e fesë.

[58] Vizitat, ngushëllimet, ndarja e gëzimit me të tjerët fiton dashurinë e tyre. Madje, edhe lidh gjeneratat ndërmjet vete. Shih: Abdul Aziz bin Muhammed Selman, Min mehasini-d-dini el-islamij, op.cit., f. 10-11.

[59] Shoqeritë ku ka soldiaritet janë më të lumtura dhe më pak vuajnë nga urrejtja, smira, inati.

[60] Shih ajetet: “...jepuni diçka nga pasuria juaj, të cilën ju ka dhuruar Allahu...” [Nur: 33]; “Në pasuritë e tyre ka pasur pjesë për lypësit dhe nevojtarët.” [Dharijat: 19]; dhe hadithin: ‘...bëjua me dije se Allahu ua ka obliguar dhënien e një pjese të pasurisë, e cila merret nga të pasurit dhe iu kthehet të varfërve.’ Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

[61]Silluni mirë me fqinjin e afërt dhe atë të largët.” [Nisa: 36].

[62]Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë.”[Bekare: 276]

[63]Ata që japin nga pasuria e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.”[Bekare: 274]; “Ne po ju ushqejmë për Allahun, nuk duam prej jush shpërblim dhe as falënderim.” [Insan: 9].

[64] Shih disa nga tekstet: “Kur të gatuash gjellë, shtoji ujë më shumë që t`i japësh dhe fqinjit tënd.” Hadithin e shënon Muslimi.; “Kur njeriu vdes , i ndërpriten veprat e tij, përveçse nga tre gjëra: sadakaja e rrjedhshme...” Hadithin e shënon Muslimi.; “Cili është islami më i mirë? Tha: “ T`i ofrosh ushqim dikujt...” Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Aisheja r.a., siç transmeton Tirmidhiu në Sunen, rrëfen se kishin therur një dele ndërsa Pejgamberi a.s. pasi që kishte urdhëruar të shpërndahej lëmoshë për hir të Allahut, e kishte pyetur Aishen: “Çfarë ka mbetur prej saj? Asgjë, me përjashtim të një krahu – iu përgjigj Aisheja. Paska mbetur e tëra, me përjashtim të atij krahu – ia ktheu ai.[64]” Abdullah in Mes’udi r.a., siç shënon Buhariu në Sahihun e tij, transmeton se Muhammedi a.s. ka thënë: “Cili prej jush e ka më të dashur pasurinë e trashëgimtarit të vet se sa pasurinë personale? O i Dërguari i Allahut, nuk ka njeri që të mos e dojë pasurinë e vet më shumë – iu përgjigjën. Atëherë, pasuria e tij është ajo që e jep ndërsa pasuria e trashëgimtarit është pasuria që e lë -tha.” Tirmidhiu transmeton në Sunen nga Ebu Kebshe el-Ennemariu r.a. se ai ka dëgjuar Pejgamberin r.a. duke thënë: “Për tri gjëra iu betohem dhe ua them një hadith, andaj mbajeni në mend: Pasuria e robit nuk pakësohet nga lëmosha!…” Albani thotë se hadithi është sahih – autentik.; “Një dërhem është më i vlefshëm se njëqind mijë dërhem. Sahabët të habitur thanë: E si është e mundur kjo? Tha: “Një person kishte vetëm dy dërhemë, e dha sadaka njërin prej tyre, ndërsa një tjetër shkoi tek pasuria e tij e shumtë, mori prej saj njëqind mijë dërhem dhe i dha sadaka.” Hadithin e shënon Nesaiu ndërsa Albani e konsideron hasen.

[65] Për më shumë, shih: Ahmed Mustafa Hatir, El-hidmetu el-ixhtimaijje, op.cit., f. 47-48.

[66] Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

[67] AbduRrahim bin Muhammed El-Mugadh-dhevi, Ed-da’vetu ve siletuha bi-l-hajat, op.cit., f. 67.

[68] Shih: Muhammed Xhemaluddin Kasimi, Tehdhibu meuidhati-l-mu’minine, (Aleksandri: Dar Ibn Haldun, pa vit botimi), f. 46.

[69] Për më shumë, shih: Ahmed Mustafa Hatir, El-hidmetu el-, op.cit. f. 46-47.

[70] Më parë kemi shpjeguar për këtë çështje tek solidariteti moral. 

[71] Pejgamberi a.s. ka thënë: “Fillo me ata që i ke nën përgjegjësi.” Hadithin e shënon Nesaiu ndërsa Albani e konsideron të saktë.

[72] Pejgamberi a.s. ka thënë: “...Më i miri i këtyre dinarëve është dinari që njeriu shpenzon për familjen.” Hadithin e shënojnë Muslimi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh.

[73] Pejgamberi a.s. ka thënë: “Sadakaja ndaj të varfrit është njëherë sadaka, ndërsa ndaj të afërmit është dy herë: Është sadaka dhe mbajtje e lidhjeve familjare.” Hadithin e shënon Buhariu.

[74] Për më shumë shih: Ahmed Umer Hashim, Et-tedamun, op. cit., f. 11.

[75] Po aty, f. 11.

[76] “...jepuni diçka nga pasuria juaj, të cilën ju ka dhuruar Allahu...” [Kur’ani: Nur: 33]; “Ne po ju ushqejmë për Allahun, nuk duam prej jush shpërblim dhe as falënderim.” [Kur’ani: Insan: 9]

[77] Shih: Ebu A’la Mevdudi, Parimet e Islamizmit, përktheu: Vehbi Sylejman Gavoçi, (Tiranë: Komiteti i Bashkuar Kuvajtian për Bamirësi, 2000), f. 160.

[78] Hadithin e shënon Buhariu.

[79] Për më shumë rreth kësaj shih mendimet e juristëve myslimanë të cituara nga Dr. Kardavi në veprën e tij ‘Fikhu-z-Zekat’ f. 560-570,

[80] Abdul Aziz bin Muhammed Selman, Min mehasini-d-dini el-islamij, (op.cit., f. 11.

[81] Albani në Sahihul xhamië e vlerëson autentik. Shih për më shumë: Ebu A’la Mevdudi, Parimet e Islamizmit, op.cit, f. 160.

[82] Jusuf Kardavi, Fikhu-z-Zekat, (Bejrut: Muessesetu-rr-Rrisale, ed. 2, 1973), f. 560-561; 569-570. Në faqet 856-878 mund të gjeni më shumë rreth objektivave të Zekatit.

[83] Hadithin e shënon Buhariu. 


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013