Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
NATA E KADRIT DHE SADAKAJA E FITRIT

[Hyrje]

Dalëngadalë po i afrohemi fundit të Ramazanit, këtij muaji të bekuar e fisnik, atmosfera shpirtërore e të cilit sjell një ndryshim pozitiv në nivel individual e shoqëror. Ramazani që nga dita e parë ofron mundësi të shumta shpërblimi, falje, afrimi tek Allahu. Është muaji që ofertat për ta fituar Xhennetin i ka të hapura gjatë gjithë kohës. E tash, kur po afrohet koha e ndarjes me të, Ramazani ofron shpërblimin më të madh, atë të Natës së Kadrit, që konsiderohet shpërblimi jetësor, e mira më e madhe që mund ta fitojë një besimtar. Kështu, hutben e kësaj dite të madhe të xhumasë, nuk kemi si të mos ia kushtojmë kësaj nate të bekuar, respektivisht vlerës dhe rëndësisë së saj.

 

[Nata e Kadrit]

Nata e Kadrit është nata e mirësive, nata në të cilën Allahu e filloi shpalljen e Librit të Tij, Kur’anit. Adhurimi në këtë natë kap vlerën e adhurimit të njëmijë muajve. Në Kur’an, Allahu na flet për këto karakteristika të kësaj nate e thotë:

﴿إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ ﴿١﴾ وَمَا أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْرِ ﴿٢﴾ لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ ﴿٣﴾ تَنَزَّلُ الْمَلَائِكَةُ وَالرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمْرٍ ﴿٤﴾ سَلَامٌ هِيَ حَتَّىٰ مَطْلَعِ الْفَجْرِ ﴾

Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. 2. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? 3. Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. 4. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. 5. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” [Kadr: 1-5]

Muhammedi a.s., ka thënë: “Kush falet në Natën e Kadrit, me besim dhe vetllogari, do t’i falen mëkatet e mëparshme.” (Buhariu dhe Muslimi)

Nata e Kadrit quhet me këtë emër për shkak të ‘kadrit’ vlerës dhe pozitës që ka dhe për shkak se në këtë natë bëhet caktimi vjetor i tërë asaj që do të ndodhë brenda një viti. Duke na folur për këtë të fundit, Allahu thotë:

﴿فِيهَا يُفْرَقُ كُلُّ أَمْرٍ حَكِيمٍ﴾

Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë.” [Duhan: 4]

Për këtë shkak, angazhimi për këtë natë dhe në këtë natë duhet të jetë i madh, sepse është mundësia më e madhe e jetës sonë. Ajshja r.a., transmeton ta ketë pyetur Muhammedin a.s., se nëse Zoti do ta bekonte për këtë natë, atëherë çfarë lutje të bënte? Pejgamberi a.s., i kishte thënë: Thuaj: Allahumme inneke Afuvvun tuhibbu el-afve fa’fu anni! O Allahu im, Ti je Falës, e do faljen, andaj më fal mua! 

 

[Sadakaja e Fitrit]

Fundi i Ramazanit nuk sjell vetëm shpërblimin shpirtëror. Ramazani është muaj edhe i lëmoshës. Bile, për shkak të madhështisë së muajit, lëmosha në Ramazan konsiderohet të jetë më e mira. Muhammedi a.s. ka thënë: “Lëmosha më e mirë është në Ramazan.” (Tirmidhiu) Këtu mbase qëndron shpjegimi pse Pejgamberi , që gjithmonë ishte bujar, në Ramazan e shtonte bujarinë edhe më shumë.

Lëmosha e Ramazanit dallon nga lëmoshat e rëndomta për shkak të normës dhe efektit. Ibn Abbasi r.a., transmeton: “Pejgamberi  a.s., e obligoi zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin (nga gabimet eventuale në agjërim) dhe si ushqim për meskinët. Kush e jep para namazit është zekat i pranuar ndërsa kush e jep pas namazit, ajo mbetet lëmoshë e rëndomtë.

Pra, sadakaja e fitrit është:

-          obligim
-          jepet për ta pastruar agjëruesin nga gabimet e mundshme dhe të paqëllimta gjatë agjërimit
-          jepet për ta gëzuar një të varfër që edhe ai të mos ndihet keq ditën e festës kur të gjithë kremtojnë përfundimin e muajit të adhurimit.

 

Të nderuar vëllezër,

Siç e dini, Bashkësia Islame e Kosovës, me institucionet e saja administrative dhe arsimore, funksionon edhe falë këtij kontributi që besimtarët tanë dhurojnë çdo vit, andaj, edhe kësaj radhe apelon tek të gjithë ju që këtë kontribut ta jepni në këshillat lokalë të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, për të vazhduar bashkërisht rrugën tonë drejt sukseseve, veçmas në fushën e arsimit dhe edukimit fetar. Me këtë rast duam t’iu kujtojmë se Bashkësia Islame vazhdon të jetë zëri juaj më besnik dhe dora juaj e zgjatur tek të varfrit. Nëpërmjet organeve tona humanitare, shoqatës ‘Bereqeti’ me theks të veçantë, ne ndihmojmë me mijëra e mijëra familje çdo vit. Kështu, ndihma juaj materiale që ofroni në këtë fundramazan, qoftë me sadakatul fitrin, qoftë me zekat, do të nënkupton një përforcim të radhëve tona në fushën e humanizmit dhe të jetës e arsimit fetar.

 

Për fund,

Për ta përmbyllur Ramazanin suksesshëm na u dashka të angazhohemi në dy fusha, shpirtërore dhe shoqërore, andaj t’i shfrytëzojmë këto ditë që kanë ngelur në namaz, lexim të Kur’anit, lutje, dhënie të lëmoshës, në mënyrë që fundi i Ramazanit të na gjejë të falur e shpërblyer nga Allahu!


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013