Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
PËRMASAT KULTURORE TË UDHËPËRSHKRIMEVE – RECENSIM I LIBRIT ’14 DITË NË KOSOVË’ TË AUTORIT ABDUL AZIZ KASIM

PËRMASAT KULTURORE TË UDHËPËRSHKRIMEVE  – RECENSIM I LIBRIT ’14 DITË NË KOSOVË’ TË AUTORIT ABDUL AZIZ KASIM

 

[Hyrje]

Udhëtimet janë pjesë e pandarë e jetës së njeriut. Nuk është thjesht kërkesa për të përmbushur nevojat jetësore bazë ajo që ka shtyrë njeriun të udhëtojë, por edhe kureshtja për tu njohur me njëri tjetrin, gjegjësisht me kulturat, traditat dhe përvojat e ndryshme të njëri tjetrit. Ky dallim kulturor, siç na mëson Kur’ani[1] është pasuri të cilën njerëzit duhet ta shkëmbejnë ndërmjet vete. Së këndejmi, për të realizuar këtë objektivë, natyrshëm kanë lindur udhëtimet, të cilat me kalimin e kohës, kanë evoluar në përshkrime me vlera të veçanta gjeografike, historike, kulturore por edhe letrare.  
Image may contain: Sedat Gani Islami

Pikërisht për shkak të këtyre vlerave dhe rëndësisë që ato kanë në formimin shpirtëror[2], intelektual[3] dhe kulturor, (udhë)përshkrimet vazhdojnë ta luajnë rolin e tyre edhe sot, kur teknologjia ka arritur këtë zhvillim që ka. Udhëtimet vazhdojnë të hapin rrugë dhe shtigje të cilat lehtësojnë lidhjen kulturore ndërmjet popujve edhe sot, bile, ato, siç do të shprehej një studiues, janë pengesë para globalizimit kulturor, i cili mëton të shkrijë kulturat në një dhe jo të zhvillojë marrëdhënie reciproke ndërmjet tyre.

Se udhëtimet sot kanë këtë rëndësi flet edhe libri të cilin po e promovojmë, pra libri i mikut të Kosovës, Abdul Aziz Kasimit ’14 ditë në Kosovë.’

 

[Të dhëna për librin]

Titulli: 14 ditë në Kosovë 18 prill – 1 maj 2018 (14 يوما في كوسوفا 18 أبريل – 1 مايو 2018)

Autor: Abdul Aziz Kasim

Botues: Rijad: Mektebetu err-Rrushd, 2019

Faqe: 336, B5.

 

[Elementet dalluese të udhëpërshkrimit ’14 ditë në Kosovë’]

Libri udhëpërshkrues i Abdul Aziz Kasimit është i veçantë, për disa shkaqe:

1)      Motivi human dhe fetar

Autori ka një rrëfim me Kosovën. Ka qenë i angazhuar në formacionet humanitare gjatë luftës, andaj, duke qenë dëshmitar i asaj drame tragjike, dëshira për tu kthyer prapë në Kosovë për të parë nga afër fatin e një populli të përvuajtur ka ekzistuar gjithnjë tek ai. Shto kësaj edhe faktin se me ne ndanë të njëjtën fe, andaj lidhja kalon në dimensione tejet të veçanta. Kjo e ka shtyrë autorin që librin t’ia dedikojë Besartës, vajzës së komandantit Adem Jashari, e cila i shpëtoi masakrave për të ngelë si dëshmitare e kësaj barbarie dhe këtij gjenocidi ndaj një populli t pafajshëm.   

2)      Stili i veçantë i të shkruarit

Për shkak të natyrës dhe misionit, udhëpërshkrimet nuk janë specialitet i çdokujt. Në fakt, ka disa kushte që duhet plotësuar ai që dëshiron të merret me shkrime të kësaj natyre. Ekspertët kanë përmendur formimin profesional, respektivisht aftësinë dhe shkathtësinë e shkrimtarit për të përshkruar, sepse një udhëpërshkrues duhet të jetë shkrimtar dhe etnograf[4], dhe udhëtimet, në mënyrë që përshkrimet të jenë produkt i asaj që ka parë përjetuar nga afër shkrimtari[5]. Këto dy kushte i gjejmë të pranishme tek autori, i cili, me profesion është gazetar dhe shkrimtar me përvojë të gjatë. Aftësia e tij për të përshkruar ngjarjet është e mahnitshme. Librin e ka ndarë në 14 pjesë, sipas ditëve të vizitës, në të cilat ka trajtuar ngjarje të ndryshme, që, ndonjëherë duke u thelluar në lexim të japin përshtypjen se dita e tij zgjat me dekada ose edhe shekuj. Autori zgjedh që secilën ditë ta hap me një thënie, si çelës i çështjeve që do të trajtojë brenda saj. Ditën e parë e hap me një thënie, që në fakt flet për temën dhe mesazhin e librit në tërësi: “Bota është sikur libri. Ai që nuk udhëton, do ta lexojë vetëm një faqe të këtij libri.” Pastaj, për ta dëshmuar anën letrare, që e ka specialitet, autori përdor vargje poetike, në të shumtën e rasteve të marra nga poetë shqiptarë. Kur të jemi tek përshkimet ka diçka të veçantë tek stili i autorit. Ai nuk i vështron sheshet dhe monumentet, siç bën një vizitor i rëndomtë. Ai mundohet ta bëjë secilën nga këto sheshe ose monumente të flet e të rrëfejë për veten, të zbulon atë që fsheh.  E shohim ndërsa shëtit në shesh të Prishtinës, kujton protestat e shqiptarëve të cilët kanë shfrytëzuar këtë shesh për të kërkuar të drejtat e tyre. Nga përshkrimi, autori të jep përshtypjen se nuk është thjesht një përshkrues por njëri nga ata që i është bashkuar turmës dhe bashkë me ta brohorit e kërkon të drejtat. Kjo ka rëndësi të veçantë sepse, siç shprehet Sejjid Hamid Sejjaxh, përshkrimet duhet bërë në atë mënyrë që të ndikojë tek thellë tek njeriu.., në mënyrë përmbledhja e ngjarjeve të jetë joshëse dhe atraktive[6].   

Si element tjetër i këtij stili të lartë të sharkimit është dhe gjithëpërfshirja. Duke qenë se udhëpërshkrimet janë si të thuash burime të përgjithshme në të cilat përfshihen aspekte të ndryshme historike e kulturore, brenda kopertinave të këtij libri autori arrin të përmbledhë shkëlqyeshëm historinë, traditat, kulturën dhe personalitetet tona emblematike.

3)      Paanshmëria

Autori, ndonëse është mik dhe dashamir i shqiptarëve, në shkrim i përmbahet rreptë kritereve, andaj vlerësimin e ngjarjeve, ndodhive, dukurive e bën mbi bazën e kritereve, jo emocioneve.     

 

[Misioni imazhndreqës i këtij udhëpërshkrimi]

Autori është shumë korrekt. Përvoja e tij e gjatë me udhëtimet e ka bërë që, siç shprehet edhe vet, të ketë kujdes të shtuar në udhëtime. Tregon se përshtypjet e tij fillestare para nuk kanë qenë ato që i ka fituar më pas. Duke qenë se vinte në një vend që nuk e njihte, kishte rezervat e veta, veçmas pas përvojave të hidhura që kishte me vizitat në vende të ish-BRSS-së. Në fakt, nuk ishte vetëm siguria por edhe bindje tjera bazë. P.sh., siç tregon autori në botën arabe për ne është besuar se jemi turq të mbetur nga perandoria osmane, pra jo se jemi popull autokton, se kemi gjuhën dhe traditat tona që na dallojnë nga të tjerët. Qëndrimi nga afër me kosovarët e bën që të ndryshojë për të mirë përshtypjet dhe informatat, dhe këtu qëndron edhe rëndësia e udhëpërshkrimeve  dhe vizitave në kohën tonë. Në fakt, ai, me misionin prej zbuluesi kulturor, arrin të shënjojë tipare që neve na dallojnë nga të tjerët, si: besa, mikpritja,  modestia, mirënjohjen.

Duke folur për Kosovën, ai nënvizon edhe diçka të rëndësishme sa i përket jetës fetare, respektivisht angazhimin e BIRK për të parandaluar rrymat e huaja në Kosovë, për çka nuk kursehet nga fjalët miradije për myftiun e Kosovës, Naim ef. Tërnavën.

Por autori nuk dëshiron të përmirësojë vetëm perceptimet e arabëve për ne, por edhe tona për arabët. Ndërsa përmend angazhimin e madh humanitar të Arabisë Saudite dhe EBA, ai shfrytëzon rastin që të tregojë se rrymat ekstreme nuk janë ato që përfaqësojnë arabët.

 

[Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave dhe ofrimi i këshillave dhe ideve]

Libri i Abdul Aziz Kasimit i shërben fund e krye shkëmbimit të kulturave dhe përvojave. Ndërsa flet për vakëfet në Kosovë, ai na ofron një shembull se si mund të avancojmë me vakëfet, që të kalojmë me to nga burime konsumuese në burime gjeneruese.

Autori, duke folur për veprimtarinë fetare në Kosovë, evidenton disa pika, në të cilat fshihet sekret i madh i suksesit. Më qartë, reputacionin dhe angazhimin vetëmohues të institucioneve fetare, në njërën anë, dhe thjeshtësinë dhe modestinë e lidershipit fetar, i sheh të rralla, andaj edhe duke u bazuar në këtë, propozon që Kosova ta ketë primatin në rajon edhe në arsimin e lartë, respektivisht të mos mjaftojë me një fakultet por ta ketë një universitet për tërë rajonin. 

 

[Përfundime]

Në fund, ndërsa po e përmbyll këtë fjalë timen, dua ta falënderoj autorin për këtë libër madhështor. Ai nuk është thjesht një guidë turistike por edhe një ambasador yni në botën arabe, i cili do të përmirësojë shumë nga përshtypjet dhe informatat e gabuara që qarkullojnë për Kosovën dhe shqiptarët. Nga kjo perspektivë, libri shërben si referencë edhe për studiuesit, siç thotë autori, të cilët mund të gjejnë të dhëna të sakta për vendin tonë. 

Po kështu, edhe thirrja e autorit për të kontribuar ne, për historinë, figurat dhe personalitetet tona, me shkrime në arabisht, duhet parë si kërkesë me rëndësi, pasi që kështu ne promovojmë historinë tonë në mënyrë të verifikuar.

Edhe një herë, në emër të të gjithë neve, popull e institucione, faleminderit shumë për këtë libër dhe këtë miqësi të sinqertë!

Zoti iu begatoftë me mirësi dhe suksese të pafundme!

   

 



[1]Në arabisht: 14 يوما في كوسوفا 18 أبريل – 1 مايو 2018.

[2] Shih: Kur’ani: 40: 21.

[3] Sipas një shkrimtari francez të shek.. XVIII, udhëpërshkrimet janë shkollat më të rëndësishme të formimit intelektual. Shih: Husejn Muhammed Fehim, Edeb err-rrihlat, (Kuvajt: Alem el-marifeh nr. 138, 1989), f. 17.

[4] Shih: Husejn Muhammed Fehim, Edeb err-rrihlat, op. cit., f. 9.

[5] Ali Afifi Gazi, Kitabat err-rrehhaleh masdarun tarihij, (Rijad: Kitab el mexheleti el-arabijjeh 262, 2018), f. 13.

[6] Shih: Sejjid Hamid Sejjaxh, Mishvar kutub err-rrihleh kadimen ve hadithen, (Kajro: Mektebet Garib li-t-tibaah), f. 7.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013