Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
DUKURIA E TRAFIKIMIT TË QENIEVE NJERËZORE DHE DUKURIA E LYPJES SI FORMA TË SHKELJES SË RËNDË TË TË DREJTAVE DHE TË DINJITETIT NJERËZOR

HYRJE

Ndër dukuritë negative nga të cilat është prekur shoqëria jonë, janë edhe trafikimi i vajzave për qëllime prostitucioni dhe lypja në rrugë, gjegjësisht shfrytëzimi i njerëzve dhe detyrimi i tyre për të lypur në rrugë. Ato nga viti në vit sa vijnë e bëhen me shqetësuese. Statistikat tregojnë për rritjen e tyre. Më e keqja qëndron në atë se të përfshirë në këto dukuri, veçmas në këtë të lypjes në rrugë, janë edhe prindërit.

Së këndejmi, ne, si institucione fetare, me përgjegjësinë që kemi para Allahut, pastaj para njerëzve, si dhe në bashkëpunim me institucionet relevante të vendit tonë, kemi trajtuar dhe trajtojmë në vazhdimësi në xhamitë tona dukuri të cilat na rrezikojnë të gjithë. Këtë të xhuma, duke marrë shkas edhe Ditën Evropiane Kundër Trafikimit të Njerëzve (18 tetor 2019) që ka rastisur të jetë sot, kemi pranuar me kënaqësi t’i përgjigjemi thirrjes për bashkëpunim dhe t’u bashkëngjitemi kampanjave që luftojnë këto dukuri.

 

  1. DUKURIA E TRAFIKIMIT TË VAJZAVE

Ruajtja e nderit dhe e dinjitetit njerëzor është kërkesë hyjnore. Si krijesë e dalluar nga Zoti (Isra: 70), njeriu duhet të trajtohet ndershëm dhe me sjellje të lartë. Këtu mbase qëndron arsyeja pse Islami i ka vënë vetes për mision realizimin e pesë objektivave kryesorë në jetën e njeriut, një ndër të cilët është dhe ruajtja e nderit. Në anën tjetër, cenimin e këtij objektivi e ka konsideruar njërin ndër mëkatet më të mëdha. Prostitucioni është mëkat që nuk rrezikon vetëm moralin, por edhe besimin. Allahu në Kuran na urdhëron që të shmangim çdo rrugë që mund të na çojë te prostitucioni:

وَلاَ تَقْرَبُواْ الزِّنَى إِنَّهُ كَانَ فَاحِشَةً وَسَاء سَبِيلاً

“Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.” [Isra: 32]

Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ndodh që njeriu të bëjë prostitucion e gjatë asaj kohe të jetë besimtar…” [Buhariu]

Në këtë kërcënim nuk hyjnë vetëm ata që ushtrojnë praktikisht këtë vepër të fëlliqur, por edhe gjithë të tjerët që në një formë ose tjetër i kontribuojnë asaj. Le ta dinë se të tillët, nëse mund t’u shpëtojnë dënimeve të ligjit në këtë botë, në botën tjetër nuk kanë për t’i shpëtuar dënimit.

إِنَّ الَّذِينَ يُحِبُّونَ أَن تَشِيعَ الْفَاحِشَةُ فِي الَّذِينَ آمَنُوا لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ وَاللَّهُ يَعْلَمُ وَأَنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ

“Ata që dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. Allahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini.” [Nur; 19]

Si do të ndiheshin këta njerëz, nëse e shfrytëzuara për prostitucion do të ishte nëna, gruaja, vajza apo motra e tij?!

Në një hadith qëndron se një djalosh kishte kërkuar leje nga Pejgamberi a.s., që të ushtronte marrëdhënie të paligjshme me vajza të huaja. Pejgamberi a.s. iu drejtua: A pranon që dikush ta bëjë këtë me nënën tënde?- e pyeti. Jo – iu përgjigj. As njerëzit nuk duan që dikush t’ua çnderojë nënat –ia ktheu Pejgamberi a.s. Pastaj e pyeti nëse pranonte një gjë të tillë për vajzën, gruan, hallën dhe tezen e tij, dhe në të gjitha rastet përgjigjja ishte negative. Kështu, nëse nuk do që të tjerët ta çnderojnë nënën, vajzën, motrën, hallën, tezen, as ti mos ua çndero atyre ato.” [Transmeton Ahmedi]

 

  1. DUKURIA E LYPJES

Dukuria tjetër që rrënon nderin dhe karakterin është ajo e lypjes. Ne jemi dëshmitarë se si kjo dukuri kohëve të fundit është shndërruar në biznes. Njerëz me qëllime të ulëta shfrytëzojnë të tjerët, djem e vajza, të vjetër e të rinj, e madje edhe fëmijë, që të lypin. Lypja është njollë në karakterin e njeriut, veçmas të besimtarit. Allahu duke i përshkruar besimtarët e sinqertë na tregon se janë aq shumë të përmbajtur nga lypja me gjithë varfërinë që kanë saqë, dikush që nuk i njeh, mund t’i llogarisë pasanikë (Bekare: 273). Kjo për shkak se lypja shkatërron krenarinë dhe dinjitetin. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Lypësi vazhdon së lypuri derisa të dalë para Allahut në Ditën e Llogarisë kur do të mbetet pa asnjë copë mishi në fytyrë.” [Buhariu]

Imam Neveviu ka shpjeguar se “mbetja e fytyrës pa mish” interpretohet si humbje e nderit dhe krenarisë, si poshtërim dhe përbuzje, derisa ka cituar edhe dijetarë të tjerët, të cilët interpretimin e bëjnë tekstualisht duke thënë se, përderisa e ka shitur fytyrën, pra nderin dhe krenarinë dhe ka pranuar ta shtrijë dorën pa pasur nevojë, në këtë botë, atëherë në botën tjetër dënimin do ta ketë sipas llojit të veprës. Më saktë, ringjallet para Zotit ndërsa fytyrën e ka të zhveshur nga mishi. E tëra kjo si dënim për veprën e shëmtuar që ka bërë.

Nga këtu, nëse lypja urrehet, atëherë ajo që duhet bërë është puna, madje çfarëdo që të jetë ajo me kusht që të jetë hallall. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Më mirë është që dikush prej jush ta marrë litarin dhe të sjellë (nga mali) një barrë me dru të ngarkuar në shpinë, që ta shesë dhe me të cilën Allahu t’ia mbrojë fytyrën, sesa t’ua shtrijë dorën njerëzve e që i japin ose e refuzojnë.” [Buhariu]

Ndërsa flasim për lypjen dhe punën, duhet të sjellim ndërmend edhe dy gjëra:

  • Papërgjegjësinë e prindërve të cilët shtyjnë fëmijët e tyre të lypin e kërkojnë në rrugë. Me këtë ua shkatërrojnë jetën dhe të ardhmen e tyre. Prindërit duhet t’i përgatitin për jetë fëmijët dhe t’ua tregojnë rrugën e vërtetë që duhet ta ndjekin, atë të punës, jo atë të lypjes. Hakim bin Kajs bin Asimi citon babanë ta ketë porositur në prag të vdekjes: “Biri im, merru me tregti (puno që të fitosh), sepse puna është stimulim për të ndershmin dhe të bën të mos kesh nevojë për shpirtvoglin.” Pra, puna përveç sigurimit të jetesës, të garanton edhe dinjitetin dhe krenarinë.
  • Gjendjen e rënduar sociale që mbretëron në vendin tonë, e cila na thërret për solidaritet.

Solidaritetin me njerëzit në nevojë, Kurani e ka quajtur hua që ia japim Allahut, e paramendoni çfarë shpërblimi mund të kemi nëse i japim hua Allahut.

مَنْ ذَا الَّذِي يُقْرِضُ اللَّهَ قَرْضًا حَسَنًا فَيُضَاعِفَهُ لَهُ أَضْعَافًا كَثِيرَةً وَاللَّهُ يَقْبِضُ وَيَبْسُطُ وَإِلَيْهِ تُرْجَعُونَ

“Kush është ai që i huazon Allahut një hua të mirë e Ai t’ia shtojë atij shumëfish Atë? Allahu shtrëngon (varfëron) dhe çliron (begaton) dhe kthimi juaj është vetëm te Ai.” [Bekare: 245]

 

PËRFUNDIM

Në përfundim të kësaj hytbeje, duam të jua themi dy porosi të vlefshme për luftimin e dukurisë së lypjes:

  • Të kemi kujdes për edukimin e fëmijëve ne si prindër, pasi që, siç tregojnë të dhënat që kanë organet e sigurisë, për shumë raste të lypjes në rrugë, fajtorë po gjenden edhe vetë prindërit.
  • Siç po na porositin intitucionet e sigurisë që lypsarëve mobilë të mos u japim para, le t’u japim për të ngrënë e për të pirë e për t’u veshur, por jo para, sepse këto (në të shumtën e rasteve) përfundojnë në xhepat e trafikantëve.

 

 

(Version i rishikuar nga Krzesia e BIRK, Zyra e Kryeimamit)


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013