Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
PËRKUJDESJA SHËNDETËSORE SIPAS PIKËPAMJES ISLAME

PËRKUJDESJA SHËNDETËSORE SIPAS PIKËPAMJES ISLAME[1]

 

HYRJE

Rëndësia e shëndetit në Islam

Përkushtimi i fesë për shëndetin është i madh për shkak të lidhjes së tij, fillimisht me objektivat kryesore të saj, e më pas edhe me aplikimin e saj në jetë. Dijetari i madh, Gazaliu, duke folur për pesë objektivat e fesë, përkujdesjen për qenien e njeriut ku bën pjesë edhe shëndeti fizik, e radhit si objektiven e dytë, menjëherë pas objektives së besimit. Këtu mbase qëndron edhe arsyeja pse feja ka përshkruar si mëkate të mëdha gjërat që e cenojnë këtë objektivë. Këtu qëndron edhe arsyeja pse feja kur flet për shëndetin flet si për një mirësi dhe dhunti parësore në jetën e njeriut. Në një prej thënieve të Pejgamberit Muhammed a.s., qëndron: “Njerëzit nuk ua dinë vlerën dy mirësive: shëndetit dhe kohës së lirë.” [Buhariu] Madje, shëndetin e ka radhitur si mirësinë kryesore në një rast kur radhit atë që quhet e tërë bota e njeriut: “Kush gdhin në mëngjes ndërsa e ka shëndetin, sigurinë familjare dhe ushqimin për atë ditë, është sikur ta ketë tërë botën.” [Tirmidhiu]

Duke qenë se për shëndetit varen edhe jeta publike dhe fetare, atëherë feja shëndetit fizik i ka kushtuar rëndësi të madhe. Në Kur’an [2:247], Allahu, duke na folur për mbretin Talut, tregon se arsye e përzgjedhjes së tij ishin kapacitetet intelektuale dhe fizike. Këtë e gjejmë dhe në mësimet e Pejgamberit Muhammed a.s., i cili thotë: “Besimtari i fuqishëm është më i mirë se besimtari i dobët, edhe pse që të dy janë të mirë.” [Muslimi] 

Për shkak të kësaj rëndësie, feja na tregon se shëndeti do të jetë prej gjerave të para që Allahu do ta merr në pyetje njeriun për të: “A nuk ta kemi bërë trupin të shëndoshë?!”- do t’i drejtohet Zoti robit, siç na mëson Muhammedi a.s. [Tirmidhiu]

 

SHËRIMI, SI KONCEPT

Nga këtu, feja kërkon që shëndetit t’i kushtohet rëndësi. Ballafaqimin me sëmundje e sheh si çështje nga e cila dilet duke u mjekuar. Në një prej thënieve të tij, Pejgamberi Muhammed a.s., na mëson: “Mjekohuni sepse Allahu, i Lartmadhëruar qoftë, nuk ka lënë sëmundje të cilës nuk i ka lënë shërim, përveç një sëmundje, pleqërisë.” [Ebu Davudi]

Pra, besimtarët janë të nxitur ta kërkojnë shërimin, sepse ai ekziston. Ikja nga shërimi, veçmas nëse sëmundjet janë epidemike, është mëkat. 

 

PARANDALIMI I SËMUNDJEVE

Në metodologjinë fetare, rëndësi të madhe në mjekim ka edhe parandalimi. “Parandalimi është më i mirë se mjekimi!” –është moto të cilën feja e ka ngritur qysh moti dhe e ka promovuar në metodologjinë e saj. Sa për ilustrim, do të doja të veçoja disa hapa parandalues sa i përket sëmundjeve:

  1. Përkujdesjen për pastërtinë, të cilën e ka përshkruar të rëndësishme si nga ana fetare (gjysma e fesë), si nga ana shëndetësore. Pejgamberi Muhammed a.s., përkujdesjen për shëndetin trupor- pastërtinë e konsideron natyrshmëri. Në një prej thënieve të tij qëndron: “Pesë gjëra i përkasin natyrshmërisë –pra gjendjes siç Zoti kërkon të jetë njeriu-: në mesin e tyre përmend edhe prerjen e thonjve.” [Buhariu dhe Muslimi] Po kështu përmend pastrimin e dhëmbëve, të cilin, po të mos ishte mëshira ndaj njerëzve, do ta kushtëzonte pesë herë në ditë. Natyrisht, në kuadër të pastërtisë, hyn edhe pastrimin i ambientit brenda dhe jashtë shtëpisë, e që ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndet. 
  2. Përkujdesjen për mënyrën e të ushqyerit. Allahu në Kur’an na mëson: “Hani e pini por mos e teproni...” [7:31] Ngrënien e pakontrolluar feja e konsideron si shkak për shumë sëmundje. Figurativisht, mbushjen e barkut Pejgamberi a.s., e konsideron si enën më të keqe që mund të mbush njeriu. [Tirmidhiu].
  3. Ushtrimet fizike – sporti.
  4. Largimin nga të infektuarit. Është porosi fetare që, për të shmangur përhapjen e një sëmundje, të infektuarit të mos shkojnë tek të shëndoshët. Pejgamberi Muhammed a.s., ka thënë: “Një i sëmurë (me sëmundje ngjitëse) le të mos shkojë tek një i shëndoshë.” [Muslimi]
  5. Aplikimi i masave parandaluese. Fetarisht, pikë kyçe në luftimin e sëmundjeve, morale apo fizike qofshin, është parandalimi. Kjo për shkak të shmangies nga pasojat e tyre. Nisur nga këtu, gjejmë se feja kur flet për disa sëmundje shoqërore, urdhëron apriori largimin prej tyre [Kur’ani: 17:32]. Këtë e gjejmë dhe në aspektin e shëndetit fizik. Disa dijetarë myslimanë kanë thënë: “Nëse shkenca moderne ka arritur të zbulojë metoda të parandalimit të sëmundjeve, atëherë aplikimi i tyre nga aspekti i të drejtës fetare është i obliguar.

 

MJEKIMI

Përdorimi i secilit bar dhe ilaç që, parimisht nuk paraqet ndalesë fetare, është porosi fetare. Në një prej thënieve të tij, Muhammedi a.s., ka thënë: “Mjekohuni o robër të Allahut, por vetëm ikni ilaçeve të ndaluara.” [Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxheh.]

 

 



[1] Fjalim i mbajtur në tryezën me rastin e Ditës Botërore të Imunizimit e organizuar nga OJQ-SHMGGRM Mitrovicë, e mbështetur nga Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Vushtrrisë, 11.11.2019.

 


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013