Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
SËMUNDJET NGJITËSE NGA PERSPEKTIVA E KREDOS ISLAME

Hyrje

Përhapja e koronavirusit në Kinë fillimisht e më pas në shumë vende të botës natyrshëm ka ngjallur edhe debate të ndryshme përkitazi me të. Në qarqe fetare diskutohet më shumë për anën shpirtërore dhe lidhjen e saj me përhapjen e fatkeqësive, në mesin e të cilave edhe epidemitë sikur kjo e koronavirusit. Më qartë, flitet për pasojat e mëkateve dhe ndikimin e tyre në shfaqjen e sëmundjeve të tilla. Allahu xh.sh., thotë:

﴿وَمَا أَصَابَكُم مِّن مُّصِيبَةٍ فَبِمَا كَسَبَتْ أَيْدِيكُمْ وَيَعْفُو عَن كَثِيرٍ﴾

Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai u falë.” [Shura: 30]

Përtej kësaj ane edukative, neve si besimtarë, na intereson edhe aspekti doktrinar.

  • Si t’i trajtojmë epidemitë dhe cila është lidhja e tyre me kaderin?
  • A guxojmë të thirremi në kader (se pa thënë Zoti asgjë nuk ndodhë) dhe të mos ruhemi, apo të ruhemi nga ngjitja e kësaj sëmundje?
  • Nëse ruhemi, ruajtja e nënkupton mohim të kaderit?
  • A ka shërim për sëmundjet ngjitëse?

Janë çështje, konsideroj, parësore për tu ditur, për shkak të lidhjes së tyre të drejtpërdrejtë me besimin.

 

Po të parën, kush e infektoi?

Sëmundjet ngjitëse janë fakte. Në i shohim praktikisht njerëzit dhe kafshët tek infektohen nga njëri tjetri, përkatësisht njëra tjetra. Pra, virusi bartet dhe ngjitet. Por, këtu ka një çështje që, neve si besimtarë, na intereson fillimisht:

Kush e shkaktoi i pari virusin?

Nga erdhi?

Cili është burimi i tij?

Do të doja, para se të ofrojmë shpjegimet, t’i referohemi një hadithi autentik, të përcjellë nga Ebu Hurejre r.a., dhe të shënuar në dy koleksionet e sakta të haditheve, Buhariut dhe Muslimit. Ka thënë Pejgamberi a.s.: 

لا عَدْوَى ولا صَفَرَ ولا هامَةَ

فقالَ أعْرابِيٌّ: يا رَسولَ اللَّهِ، فَما بالُ إبِلِي، تَكُونُ في الرَّمْلِ كَأنَّها الظِّباءُ، فَيَأْتي البَعِيرُ الأجْرَبُ فَيَدْخُلُ بيْنَها فيُجْرِبُها؟

فقالَ: فمَن أعْدَى الأوَّلَ؟

Nuk ka sëmundje ngjitëse, nuk ka (asgjë që muajin) safer (e bën ogurzi) dhe as nuk ka zog ham (që paralajmëron të keqen).

Një beduin tha: O i Dërguari i Allahut, po çfarë është puna me devetë e mia, të cilat kur janë në rërë (shkretëtirë) duken si drerë, e kur bashkohet me to ndonjë deve e zgjebosur, i infekton?!

Po të parën, kush e infektoi?!- e pyeti Pejgamberi a.s.

Në këtë hadith, Pejgamberi a.s., po flet për besëtytni në popull. Në mesin e tyre, besëtytni e llogariti edhe bindjen se sëmundja ngjitet. Në shpjegimin që ofron, qëllimi i tij është se efekti ngjitës i një sëmundje varet nga mundësia që i është dhënë nga Allahu xh.sh. Pra, nuk ka diçka që mund të ngjitet vetvetiu nëse më parë Allahu xh.sh., nuk i ka lënë këtë mundësi. Për këtë shkak, këtij beduinit që e pyeti duke i thënë se, faktikisht, devetë e tij sëmureshin për shkak të përzierjes me devenë e zgjebosur, iu përgjigj duke i thënë se kush ishte ai që kishte zgjebosur devenë e parë?[1]   

Ajo që për neve ka rëndësi akaidologjike këtu është besimi se asgjë pa caktimin e Allahut xh.sh., nuk ndodhë, dhe asgjë/askush nuk mund të bëjë dëm ose dobi vetvetiu por nga mundësia që Allahu xh.sh., i jep më parë. 

 

Njeriu nuk e vë Zotin në sprovë; Zoti njeriun po

Pavarësisht këtij fakti se, asgjë pa lejen e Allahut xh.sh., nuk ndodhë, besimtari duhet të ruhet nga sëmundjet ngjitëse. Në porositë profetike, besimtarët porositen që as mos të shkojnë si të sëmurë tek të shëndoshët, por as si të shëndoshë tek të sëmurët. 

1.        

لا يُورِدَنَّ مُمْرِضٌ علَى مُصِحٍّ

Të mos dërgohet i sëmuri tek i shëndoshi.[2]

2.      

إِذَا سَمِعْتُمْ بِهِ بِأَرْضٍ فَلاَ تَقْدَمُوا عَلَيْهِ، وَإِذَا وَقَعَ بِأَرْضٍ وَأَنْتُمْ بِهَا فَلاَ تَخْرُجُوا فِرَاراً مِنْهُ.

Nëse dëgjoni për të (murtajën)se ka ndodhur në një vend, mos shkoni atje. Nëse jeni në një vend ku ka ndodhur ajo, mos u largoni prej tij.[3]

3.      

وفِرَّ مِنَ المَجْذُومِ كما تَفِرُّ مِنَ الأسَدِ

Ik nga i prekuri nga lebrosa ashtu siç ikën nga luani.[4]

 

Ajo që duhet të kuptojmë nga këto porosi profetike është se sëmundjet ngjitëse barten nga njëri tek tjetri, andaj, as i sëmuri nuk duhet të del që t’i infektojë të tjerët, por as i shëndoshi nuk duhet të shkojë tek i sëmuri që të preket me virus e pastaj t’i infektojë të tjerët. Është kjo që sot po e quajnë izolim, futje në karantinë. Nga perspektiva islame, besimtari nuk duhet t’i hyjë këtyre sprovave me idenë (jo bindjen) se veç çfarë e ka shkruar Allahu ndodhë. Ky botëkuptim nënkupton përmbysje të botëkuptimeve të vërteta fetare. Si? Transmetohet se djalli i mallkuar i paskësh thënë Isait a.s.: Kërce nga kodra se pos asaj që ka thënë Allahu, nuk ndodhë! Isai a.s., iu përgjigj me bindjet dhe dijen prej Pejgamberi: Or i mallkuar, njeriu nuk e vë Zotin në sprovë, por Zoti është Ai që e vë njeriun në sprovë.

Këtu qëndron arsyeja pse Allahu në Kur’an na urdhëron që të mos veprojmë asgjë që mund ta rrezikojë jetën dhe shëndetin tonë.

﴿وَلَا تُلْقُوا بِأَيْدِيكُمْ إِلَى التَّهْلُكَةِ﴾

“...e mos hidhni veten në rrezik...” [Bekare: 195]

Ibn Haxher el-Askalani, pasi komenton hadithin e dytë, që përmendëm më lartë, vjen në përfundim se ikja nga vendi ku është përhapur murtaja nuk është pjesë e pesimizmit ose bindjeve që ndeshen me fenë.[5]

 

Nuk ka sëmundje që nuk ka ilaç

Pavarësisht sa mund të jenë të rrezikshme, sëmundjet nga prizmi fetar janë të shërueshme. Pejgamberi a.s., ka thënë:

تَدَاوَوْا فَإِنَّ اللَّهَ عَزَّ وَجَلَّ لَمْ يَضَعْ دَاءً إِلاَّ وَضَعَ لَهُ دَوَاءً غَيْرَ دَاءٍ وَاحِدٍ الْهَرَمُ

Mjekohuni sepse Allahu nuk ka sëmundje që nuk i ka lënë edhe ilaçin, përveç pleqërisë.[6]

Nga kjo perspektivë, kërkimi i shërimit nga kjo dhe sëmundjet tjera ngjitëse, fetarisht është edhe i kërkuar, veçmas kur kjo mund të ketë efekt të dëmshëm për të tjerët.

Për fund, përveç konstatimeve se:

  • Asgjë pa lejen dhe caktimin e Allahut xh.sh., nuk mund të ndodhë
  • Ikja nga vendet/njerëzit e prekur me sëmundje nuk bie ndesh me kaderin
  • Ekzistimi i ilaçit për çdo sëmundje

...do të doja të sjell ndërmend edhe anën edukative të fesë në këto sëmundje. Pse ato ndodhin, shkak janë mëkatet, si ato mund të largohen, përgjigje është pendimi. Aliu r.a., ka thënë:

ما نزل بلاء إلا بذنب، ولا رُفع بلاء إلا بتوبة

Nuk ka bela që ka ndodhur e që shkak të mos jetë mëkati. Nuk ka bela që është larguar e që shkak të mos jetë pendimi.[7]

Të pendohemi të gjithë që Allahu xh.sh., të na ruajë dhe shpëtojë nga këto sëmundje!



[1] Shih: Ibn Haxher el-Askalani, Ahmed b. Ali, Fet’h el-Bari, (Bejrut: Dar el-ma’rifeh, 1379 h.), 10/242; En-nevevi, Jahja b. Sheref, El-minhaxh sherhu Sahihi Muslim bin Haxhaxh, (Bejrut: Dar ihjai etturath el-arabij, ed. 2, 1392 h.), 14/217; Hattabi, Hamad b. Muhammed, Mealim es-Sunen, (Halep: El-matbaatu elilmijjetu, 1932), 4/233.

[2] Buhariu (5771).

[3] Buhariu (5397), Muslimi (2219).

[4] Buhariu (5707).

[5] Shih: Ibn Haxher el-Askalani, Fet’h el-Bari, vep. cit., 10/186-187.

[6] Ebu Davudi (3855). Albani e ka saktësuar.  

[7] Thënie e cila i atribuohet Aliut r.a. Shih: Ibn el-Kajjim, El-xhevab el-kafi, 1/46.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013