Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
NDIHMA DHE SOLIDARITETI NË KOHË KRIZASH

HYRJE

Tema që do ta shtjellojmë në këtë hutbe ka të bëjë me solidaritetin në kohë krizash. Siç e dini, fatkeqësitë prodhojnë fatkeqësi. Përhapet një sëmundje ndërsa nuk është vetëm shëndeti ai që rrezikohet por edhe mirëqenia. Kufizimet në lëvizje, pengesat në furnizim, pamundësia për punë dhe angazhim, shkaktojnë kriza ekonomike. Për këtë shkak, në kohë të tilla kërkohet funksionalizimi i aspektit human dhe solidar.

Për ne si besimtarë, angazhim solidar ka rëndësi të veçantë pasi që:

  • reflekton vëllazërinë e vërtetë fetare. Allahu xh.sh.[1], dhe i Dërguari i Tij, Muhammedi a.s., na kanë treguar se ne jemi vëllezër të njëri tjetrit dhe se kjo vëllazëri duhet të tejkalojë formalitetet për të marrë trajtë konkrete. Më saktë, duhet të shkrihemi në njëri tjetrin, veten ta shohim tek tjetri, ta bashkëndjejmë dhimbjen me njëri tjetrin[2];
  • tregon dhe mat nivelin tonë të fetarisë. Që ta dimë se sa jemi fetarë, duhet të shikojmë se me çfarë punësh merremi. Muhammedi a.s., ka thënë: “Njeriu më i mirë është ai që më i dobishmi për njerëzit.[3]
  • shpërfaq mirësitë e fesë sonë e cila humanizmin dhe ndihmën në fatkeqësi e sheh si pikëtakim të njerëzimit, pavarësisht dallimeve që mund të kenë në fe, racë, gjuhë, etj.  

 

Solidariteti material

Ndihma që ne mund të japim si besimtarë në kohë të këtilla nuk është thjesht diçka me të cilën ne ia largojmë urinë a etjen dikujt por një vepër e cila ndikon edhe në ruajtjen e moralit dhe vlerave të shoqërisë[4]. Pra, ne duke dhënë ndihma, shoqërinë e mbajmë të bashkuar dhe të lidhur për vlerave.

Për këtë shkak, kërkesat e njerëzve që na drejtohen në kohë të këtilla, nuk duhet shikuar si diçka që na bezdis, si diçka që na shqetëson, sepse, ata që ndihmojnë në kohë të këtilla janë të përzgjedhurit e Allahut xh.sh. Aliu r.a. ka thënë: “Allahu i ka krijuar disa njerëz për të tjerët, të cilët i ka bërë bajraktarë të tyre dhe adresë të mirësisë. Tek ata drejtohen njerëzit në kohë nevoje. Ata janë të sigurtit në Ditën e Llogarisë.[5]

Pra, nëse dikush drejtohet tek ti, dije se ti je i përzgjedhur nga Allahu. Halid el-Kasri ka thënë: “...Dijeni se kërkesat e njerëzve drejtuar juve janë mirësi e Allahut ndaj jush, andaj, mos u bezdisni prej tyre...[6]

Një prej formave se si mund të ndihmojmë njerëzit është dhe puna e borxheve. Pejgamberi a.s., na ka treguar se ata që ua shtyjnë njerëzve borxhet, pra ua lehtësojnë gjendjen, do të jenë të lehtësuar prej Allahut xh.sh., dhe për më tepër, çdo ditë që ua shtyjnë afatin njerëzve, do t’iu llogaritet si ditë lëmoshe[7].  

Se çfarë vlere ka një angazhim i këtillë, mund të mësojmë nga Kur’ani, i cili paranë tonë që e japim për të varfrit, e konsideron si hua ndaj Allahut xh.sh.

﴿ مَّن ذَا الَّذِي يُقْرِضُ اللَّـهَ قَرْضًا حَسَنًا فَيُضَاعِفَهُ لَهُ أَضْعَافًا كَثِيرَةً ﴾

Kush është ai që i jep hua Allahut – hua të bukur, e që Ai ia kthen shpërblimin shumëfish?...” [Kur’ani: Bekare: 245]

Kush mund të na shpërblejë më mirë se Allahu xh.sh., i Cili një sadaka, qoftë edhe në madhësinë e një kokrre hurme, e shndërron në madhësi të një kodre. Muhammedi a.s., ka thënë:

مَن تَصَدَّقَ بعَدْلِ تَمْرَةٍ مِن كَسْبٍ طَيِّبٍ، ولَا يَقْبَلُ اللَّهُ إلَّا الطَّيِّبَ، وإنَّ اللَّهَ يَتَقَبَّلُهَا بيَمِينِهِ، ثُمَّ يُرَبِّيهَا لِصَاحِبِهِ، كما يُرَبِّي أَحَدُكُمْ فَلُوَّهُ، حتَّى تَكُونَ مِثْلَ الجَبَلِ

“Atij që prej fitimit hallall jep lëmoshë sa një hurmë, ndërkohë Allahu e pranon vetëm hallallin, Allahu do t’ia pranojë me të djathtën e Tij, pastaj pronarit të saj ia rrit atë siç e rrit dikush prej jush mëzin, derisa (shpërblimi) të bëhet sa kodra.[8]

Nga këtu, njëri nga gjeneratat e para, Jahja b. Muadhi, ka thënë: Nuk di farë (kokërr) tjetër që peshon sa kodrat e dynjasë përveç (kokrrës së) lëmoshës.

 

Solidariteti moral

Fetarisht, pamundësia për të bërë mirë materialisht, nuk nënkupton tërheqjen nga angazhimi për të mirën kolektive. Angazhimi ynë në kohë të këtilla është dhe moral. Pejgamberi a.s., na ka mësuar se lëmosha nuk manifestohet vetëm materialisht por edhe moralisht. Më drejtë, nëse në kohë të këtilla:

  • e udhëzon një të paudhëzuar, e një këshillon një gabimtar, e ndalon një të keqe që mund të përhapet, atëherë ke shpërblim të madh.
  • nëse dikujt ia kumton një lajm të gëzueshëm, pra përhap shpresë e optimizëm, ke bërë një vepër të cilën Muhammedi a.s., e ka klasifikuar si veprën më të mirë.
  • nëse lutesh për dikë që është sprovuar sepse lutja në distancë ka efekt pranimi tek Allahu xh.sh. Sahabiu i nderuar, Ebu Derda r.a., ka thënë: “Unë kërkoj falje në sexhde për shtatëdhjetë vëllezër të mi, duke e përmendur secilin veç e veç me emër dhe mbiemër.[9]

Krahas këtyre, ka edhe diçka tjetër që na duhet ta kemi parasysh shumë. Përmbajtja nga ajo që mund ta provokojë xhelozinë dhe hasedin e vëllezërve dhe motrave tona të prekura nga fatkeqësia. Të kursehemi nga prezantimi i luksit në këtë kohë kur njerëzit e kanë brengë sigurimin e kafshatës së gojës. Sufjan bin Ujejne ka thënë: “Ka qenë një njeri që thoshte: Unë urrej të vishem me rroba të reja nga frika që të më sheh fqinji im dhe të më përgojojë e kështu të bëjë mëkat.[10]

 

 -------------------------------------------------------

[1] Shih: Kur’ani: Huxhurat: 10.

[2] Shih hadithin e shënuar nga Buhariu dhe Muslimi: “Nuk ka besuar plotësisht askush përderisa për vëllain e vet të mos e dojë atë që e do për vete!”

[3] Shih Essilsiletu essahihah, nr. 906.

[4] Pejgamberi a.s., në hadithin e tre vetave që i zuri nata në shpellë dhe që nuk mund të dilnin prej saj për shkak të një guri të madh që kishte rënë dhe ua kishte bllokuar daljen, përmend edhe rastin e një gruaje të ndershme, të cilën gjendja e rëndë ekonomike e kishte shtyrë të shkonte dhe ta shiste trupin e saj përkundër asaj se nuk ishte e pandershme. Allahu e kishte mbrojtur nga kjo e keqe duke e udhëzuar njeriun të cilit i kishte shkuar në derë për ndihmë...Po kështu edhe hadithi tjetër i dhënies së lëmoshës një gruaje të pandershme e që ishte interpretuar si mënyrë e parandalimit të shthurjes dhe degjenerimit moral. Shih: Buhariu, nr. 1421.

[5] Muhammed bin Ali bin Mejmun en-Nersi, Thevabu kadai havaixhi-l-ihvan, fq. 80.

[6] Thealebiu, El-Letaif ve-dh-Dharaif, fq. 131.

[7] Shih: Essilsile essahihah, 1/170.

[8] Hadithin e shënon Buhariu në Sahih, nr. 1410.

[9] Tarihu Bagdad, 13/132.

[10] Imam Ahmedi, Ez-Zuhd, fq. 437.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013