Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
ESENCA E DASHURISË PËR ALLAHUN ﷻ

Në sistemin edukativ islam, dashuria për Allahun xh.sh., zë vend të rëndësishëm. Kjo për shkak të pozitës që ka në strukturën e besimit por edhe efekteve edukative që prodhon. Dashuria për Allahun xh.sh., është bazë e besimit dhe detyrim fetar të cilit nuk mund t’i iket. Përveç kësaj është edhe fuqi shpirtërore e cila vë në lëvizjen gjymtyrët e trupit sepse çdo lëvizje që ndodhë në këtë ekzistencë i detyrohet një dashurie, e pëlqyer apo urryer qoftë[1].

Dashuria për Allahun xh.sh., është një ndër çështjet fetare më të keqinterpretuara, pasojat e së cilës nuk janë për tu nënvlerësuar. Duke e zhveshur nga principet, pra nga elementet konceptuale, dhe duke e tkurrur vetëm në emocion, dashuria për Allahun xh.sh., iu ka shërbyer mëkatarëve si argument për të justifikuar mëkatet e tyre dhe për më keq vazhdimin me to. Së këndejmi, nevoja për shtjellim të vazhdueshëm të dashurisë për Allahun xh.sh., esencës dhe efekteve të saj, është e madhe. Dijetarë myslimanë e kanë trajtuar gjerë e gjatë në punime kapitale dhe kanë ofruar shpjegime të cilat meritojnë të përsëriten mbrëmje e agim.

Një shpjegim të bukur, të qartë dhe përmbledhës e ka bërë edhe dijetari i mirënjohur, Ibën Rexheb Hanbeliu. Në tefsirin e tij, duke interpretuar ajetin 24 nga kaptina Teube[2], thotë:

محبة الله لا تتم إلا بطاعته ولا سبيل إلى طـــاعته إلا بمتابعة رسوله ﷺ .

Dashuria për Allahun përmbushet vetëm nëpërmjet bindjes ndaj Tij ndërsa rrugë tjetër që të çon tek bindja ndaj Tij përveç pasimit të të Dërguarit të Tij nuk ka.

 

DY TREGUES TË DASHURISË SË VËRTETË TË ROBIT PËR ALLAHUN XH.SH.

Dashuria për Allahun xh.sh., sipas shpjegimit të Ibën Rexhebit, është koncept i cili parasheh lëvizjen drejt asaj që Allahu xh.sh., e do. Ibën Rexhebi përmbledh dy elemente të cilat janë bazë dhe dëshmi e kësaj dashurie. E para është bindja ndaj Allahut xh.sh., dhe veprimi sipas fjalëve dhe porosive të Tij. Kjo, para së gjithash, për shkak të thelbit të dashurisë, i cili parasheh lëvizjen në drejtim të atij ose asaj që e do. Mungesa e këtij elementi dashurinë e paraqet vetëm pretendim, jo të vërtetë. Ibn Kajjimi ka bërë një përshkrim figurativ të esencës së dashurisë për Allahun xh.sh., i cili meriton çdo lëvdatë, ka thënë: Dashuria është pemë në zemër, rrënjët e së cilës janë nënshtrimi ndaj të dashurit, trungu i së cilës është njohja e Tij, degët e së cilës janë droja (frika) prej Tij, gjethet e së cilës janë turpi prej Tij, frutat e së cilës janë bindja ndaj Tij, ndërsa uji me të cilin ujitet është dhikri i Tij. Nëse dashurisë i mungon ndonjë prej këtyre gjërave, atëherë ajo është e mangët[3].

Dashuria për Allahun xh.sh., është edhe identitet që besimtarin e dallon nga të tjerët, dhe si e këtillë nuk ka si të mos jetë koncept i cili reflekton. Allahu xh.sh., thotë:  

﴿وَمِنَ النَّاسِ مَن يَتَّخِذُ مِن دُونِ اللّهِ أَندَاداً يُحِبُّونَهُمْ كَحُبِّ اللّهِ وَالَّذِينَ آمَنُواْ أَشَدُّ حُبًّا لِّلّهِ﴾

“E nga njerëzit ka të atillë që në vend të Allahut besojnë idhujt, që i duan (i madhërojnë) ata, sikur (që besimtarët e vërtetë e duan) Allahun, po dashuria e atyre që besuan Allahun është shumë më e fortë...” [Kur’ani: Bekare: 165]

Pra, përderisa të tjerët i duan zotat e tyre të rremë, ne e duam Zotin tonë të vërtetë, madje shumë më shumë, më pastër me të përkushtuar se të tjerët. AbduRahman Sa’di duke veçuar elementet dalluese të dashurisë së besimtarit për Allahun xh.sh., thotë se besimtarët e kanë dashur Atë që meriton të duhet në të vërtetë, Atë dashuria e të Cilit praqet devotshmërinë e robit, lumturinë dhe shpëtimin e tij[4].   

Treguesi i dytë i kësaj dashurie është pasimi i sunnetit të Muhammedit a.s. Sunneti ka një rëndësi të dyfishtë:

-          Është test i dashurisë për Allahun xh.sh.,

-          Është rruga që duhet ndjekur për ta manifestuar bindjen dhe nënshtrimin ndaj Allahut xh.sh.

Më qartë, disa njerëz në kohën e Muhammedit a.s., kishin pretenduar se e donin Allahun xh.sh. Për ta testuar këtë pretendim të tyre, Allahu xh.sh., shpalli këtë ajet:

﴿ قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ اللهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ ﴾

“Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu të ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja...” [Kur’ani: Al Imran: 31]

Pasimi i Muhammedit a.s., është parakusht që një vepër duhet ta plotësojë që të jetë e pranuar tek Allahu xh.sh., ndryshe, siç qëndron në hadith çdo vepër e bërë në shpërpushej me sunentin është e refuzuar. Kjo për arsye se ndjekja e çdo rruge tjetër pos asaj të sunnetit konsiderohet epsh ose devijim dhe lajthitje. Allahu xh.sh., thotë:

﴿ فَإِن لَّمْ يَسْتَجِيبُوا لَكَ فَاعْلَمْ أَنَّمَا يَتَّبِعُونَ أَهْوَاءهُمْ

“E nëse ata nuk të përgjigjen ty, atëherë dije se ata ndjekin vetëm dëshirat e veta,...” [Kur’ani: Kasas: 50]

AbduRrahman Sa’di duke e komentuar këtë ajet shpjegon se refuzuesit nuk po braktisin pasimin e Muhammedit a.s., pse kanë gjetur një të vërtetë ose një udhëzim që do ta ndjekin, por thjesht për shkak të epsheve të tyre[5].

Kështu, nëse e duam Allahun xh.sh., atëherë kjo dashuri duhet të jetë e vërtetë dhe të reflektojë, të na bëjë të bindur ndaj fjalës së Tij dhe pasues besnikë të të Dërguarit të Tij.

 



[1] Ahmed bin Abdul Halim bin Tejmije, Mexhmu el-fetava, ver. shk. AbduRrahman bin Muhammed bin Kasim, (Medine: Kompleksi Mbreti Fehd për botimin e Mus’hafit, 1995), 10/49.

[2] Tarik bin Ivedullah bin Muhammed, Tefsiru Ibni Rexheb el-Hanbelij, (Rijad: Dar el-Asimeh, 2001), 1/497.

[3] Muhamemd bin Ebi Bekir bin Ejjub bin Kajjim el-Xheuzijje, Reudatu el-muhibbine ve nuz’hetu el-mushtakine, (Bejrut: Dar el-kutub el-ilmije, 1983), f. 409.

[4] AbduRrahman bin Nasir bin Abdullah es-Sa’di, Tejsiru el-Kerimi err-Rrahman fi tefsiri kelami el-Mennan, ver. AbduRrahman Luvejhak, (Bejrut: Muessesetu err-risale, 2000), f. 79.

[5] Shih: AbduRrahman es-Sa’di, Tejsiru el-Kerimi err-Rrahman fi tefsiri kelami el-Mennan, vep. cit., f. 617.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013