Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
SOLIDARITETI NË KOHË KRIZASH SI VLERË ISLAME – AKTIVITETI HUMANITAR I BIK

[ROLI SOLIDAR I FESË]

Nuk ka dyshim se feja ka një rëndësi të madhe për individin dhe shoqërinë. Kjo për shkak të karakteristikave madhështore të mësimeve dhe porosive me të cilat disponon. Forma se si feja lidh ndërmjet vete pjesëtarët e shoqërisë është pothuajse e magjishme. Individët shkrihen në njëri-tjetrin, shndërrohen në pasqyrë ku shohin njëri-tjetrin, për më tepër, shndërrohen në një trup i cili gëzimin e dhimbjen i ndan bashkërisht. Ja si na e përshkruajnë Kur’ani dhe Sunneti këtë lidhje:

﴿إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ إِخْوَةٌ ﴾

Me të vërtetë, besimtarët janë vëllezër...” [Kur’ani: Huxhurat: 10]

Pejgamberi a.s., ka thënë: “Besimtari për besimtarin është sikur godina pjesët e së cilës mbajnë njëra tjetrën.[1]”; “Shembulli i besimtarëve në dashurinë dhe mëshirën e ndërsjellë është sikur shembulli i një trupi të vetëm, i cili vuan edhe atëherë kur vetëm një gjymtyrë e tij vuan.[2]”; “Nuk ka besuar (plotësisht) ai që për vëllain e vet nuk do atë që do për vete.[3]

Nga këtu, angazhimi për njëri-tjetrin, për mirëqenien e njëri-tjetrit, për lehtësimit e problemeve me të cilat ballafaqohen njëri-tjetri, është përtej çdo përshkimi të mundshëm. Kush është në ndihmë të vëllait, Allahu është në ndihmë të tij. Në disa tekste fetare, ky lloj shërbimi është përshkuar tejet interesant.

Në hadithin kudsij të cilin e shënon Imam Muslimi në Sahihun e vet, qëndron se Allahu xh.sh., do t’i thotë robit në Ditën e Kiametit:

-“O robi Im, isha i sëmurë e nuk më vizitove.

-E si të të vizitoj Ty, kur Ti je Zoti i botëve?!- ia kthen robi.

-Atëherë Allahu do t’i thotë: “A nuk e ke ditur se filan robi Im ka qenë i sëmurë, sikur ta vizitoje atë, do të më gjeje tek Ai.

-Pastaj do t’i thotë: “O robi Im, isha i uritur, nuk më ushqeve.

-E si të të ushqej  Ty, kur Ti je Zoti i botëve?!- ia kthen robi.

-Atëherë Allahu do t’i thotë: “A nuk e ke ditur se filan robi Im të kërkoi ta ushqeje ndërsa ti nuk e bëre këtë, po ta ushqeje, do të më gjeje tek ai.”...[4]

Për më tepër, të jesh në shërbim të njerëzve, është përzgjedhje hyjnore. Ja si e përshkruajnë të parët tanë këtë. Aliu r.a., ka thënë: “Allahu i ka krijuar disa njerëz për të tjerët, të cilët i ka bërë bajraktarë të tyre dhe adresë të mirësisë. Tek ata drejtohen njerëzit në kohë nevoje. Ata janë të sigurtit në Ditën e Llogarisë.[5]” Halid el-Kasri ka thënë: “…Dijeni se kërkesat e njerëzve drejtuar juve janë mirësi e Allahut ndaj jush, andaj, mos u bezdisni prej tyre[6]

Kjo ka bërë që dhënësi (i pasuri) ta sheh veten më të nevojshëm për të dhënë se marrësi (i varfri) për të marrë. Dhënia e pasurisë nuk është konceptuar si harxhim, por si deponim. Ta japësh pasurinë për Allahun xh.sh., d.t.th., ta ruash atë në një vend ku nuk mund të preket nga dora e askujt. Për më tepër, është trajtuar si hua që i jepet Allahut xh.sh. 

﴿ مَّن ذَا الَّذِي يُقْرِضُ اللَّـهَ قَرْضًا حَسَنًا فَيُضَاعِفَهُ لَهُ أَضْعَافًا كَثِيرَةً ﴾

Kush është ai që i jep hua Allahut – hua të bukur, e që Ai ia kthen shpërblimin shumëfish?…” [Kur’ani: Bekare: 245]

Veçori tjetër e këtij solidariteti është moskufizimi i tij vetëm me besimtarët myslimanë. Ekzistojnë dhe lidhje tjera, si ato të gjakut, që parashohin solidaritetin edhe me ithtarët të feve tjera.

 

[KONTRIBUTI SISTEMATIK I BIK NË KËTË FUSHË]

Bashkësia Islame e Kosovës, si njëri ndër institucionet më të mëdha dhe me shtrirjen më të gjerë në vend, përgjatë gjithë historisë së ekzistimit të saj, është munduar që me çdo gjë që ka poseduar: kuadro, infrastrukturë, mjete materiale, të jetë në shërbim të vendit,. Është detyrë fetare dhe kombëtare. Marrë parasysh rrethanat këto tre dekadat e fundit, angazhimi i BIK-ut ka qenë në nivele të larta, veçmas në aspektin humanitar. Si para luftës, si gjatë saj, si pas saj, Bashkësia Islame e Kosovës është angazhuar maksimalisht për popullatën, angazhim këtë që e vazhdon edhe sot e kësaj dite. Falë ndihmës së Zotit e pastaj kontributit tuaj, këtij angazhimi çdo ditë e më shumë jemi duke i dhënë karakter institucional. Më saktë, një mekanizëm humanitar që e kemi pasur në kuadër të BIK, e kemi avancuar në mënyrë institucionale duke e bërë një prej shoqatave humanitare më të fuqishme në vend dhe rajon. Ndihmat tona për popullatën në nevojë janë të përhershme, pra jo vetëm gjatë ditëve festive por gjatë gjithë vitit.

Për ta dëshmuar këtë angazhim tonin, në këtë hutbe, do tua prezantojmë në vija të trasha një raport pune të shoqatës sonë humanitare, shoqatës “Bereqeti”: 

 

[RAPORTI I PËRGJITHSHËM I SHOQATËS BEREQETI]

Ø  Janë ndërtuar më shumë se 300 shtëpi ndërsa janë rinovuar 40 sosh.

Ø  Çdo vit, në Kosovë dhe rajon shpërndahen së paku 10.000 (dhjetëmijë) pako ushqimore dhe higjienike.

Në bashkëpunim me shtete mike, Turqinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, dhe SHBA-të, nga viti 2014, kemi shpërndarë 43,550 pako ushqimore dhe higjienike.

Ø  BIK, në bashkëpunim me institucione fetare e shtetërore në Turqi, ka dërguar për shërim mbi 400 qytetarë. Me këtë rast, janë mbuluar të gjitha shpenzimet e tretmanit mjekësor, udhëtimit dhe akomodimit.

Ø  Me inventar dhe veshmbathje për nxënës, janë ndihmuar më shumës e 70 shkolla në Kosovë dhe verilindje të Shqipërisë.

Ø  Janë organizuar aksione për të ndihmuar të prekurit nga fatkeqësi natyrore

Ø  Çdo vit, gjatë muajit të Ramazanit, ofrohen iftare për familjet në nevojë. Vetëm në kryeqytet, numri i përfituesve nga kjo pako shkon në 100o agjërues për ditë.

Ø  Për të zbukuruar festat edhe më shumë, Bereqeti për çdo festë ka shpërndarë me mijëra e mijëra dhurata për vogëlushët dhe vogëlushet tona.

Ø  Janë ndihmuar institucione të përkujdesjes shëndetësore, si: Shtëpia e Pleqve në Prishtinë, Strehimorja në Prizren, etj., duke iu siguruar ushqime dhe gjëra tjera të nevojshme.

Ø  Që nga viti 2008, në disa komuna kemi ofruar ushqim ditor (bukë) për 400 persona.

Ø  Gjatë dimrit bëhet furnizimi i 1000 familjeve me dru për ngrohje.

Ø  Çdo vit ndahen 40 bursa për nxënës e studentë, ndërsa për jetimë në Gjilan dhe Podujevë ndahen 250 bursa mujore.

Ø  Kemi nxitur bashkëpunimin ndërfamiljar, duke dhënë mundësinë që familjet e pasura të marrin në përkujdesje direkte familjet në nevojë. Tanimë janë 120 familje që ndihmohen në baza mujore.

Ø  Të nisur nga parimi i humanizmit, kemi dërguar ndihma edhe në vende të largëta, të prekura nga fatkeqësi të ndryshme ose vende të cilat vuajnë nga varfëria e madhe, siç është rasti më i freskët me dërgimin e veshmbathjeve në Benin. 

 

[FALËNDERIM]

Të dashur vëllezër,

Ky rrugëtim solidar e humanitar pa ndihmën tuaj nuk do të ishte i mundur. Sekreti i këtij suksesi fshihet, pas ndihmës së Allahut, në përgjigjen tuaj pozitive ndaj thirrjeve tona për solidarizim, për çka ne dhe populli, secilin prej jush, për çfarëdo ndihme që keni ofruar, sado solide qoftë, ju falënderojmë dhe e lusim Allahun xh.sh., që tua kthejë të mirat shumëfish!

Ky rrugëtim ynë nuk mbaron këtu. Të shtyrë nga etika fetare, kemi dashur vetëm t’ju falënderojmë dhe tua konfirmojmë gatishmërinë për ta vazhduar këtë rrugë e këtë mision me besnikërinë më të madhe. Nuk ka ndjenjë më të mirë se të jesh në shërbim të fesë e atdheut!



[1] Hadithin e shënojnë Buhariu, nr. 6026; 6027, dhe Muslimi, nr. 2585.

[2] Hadithin e shënojnë Buhariu, nr. 6011, dhe Muslimi, nr. 2586.

[3] Hadithin e shënojnë Buhariu, nr. 13, dhe Muslimi, nr. 45.

[4] Hadithi nr. 2569.

[5] Muhammed bin Ali bin Mejmun en-Nersi, Thevabu kadai havaixhi-l-ihvan, fq. 80.

[6] Thealebiu, El-Letaif ve-dh-Dharaif, fq. 131.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013