Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
HUTBEJA E FITËR BAJRAMIT 2021

[Besimtarë të nderuar!] Sot po ndahemi nga një mik i shtrenjtë, nga një mysafir i çmuar, me të cilin për tridhjetë ditë me radhë ndoqëm një kurs ndryshimi shpirtëror, moral e fizik. Një kurs vetëdijesimi i cili na aftëson për jetë më të mirë shpirtërore, për sjellje më të mira me të tjerët, për kujdes më të madh ndaj shëndetit. Nga kjo perspektivë, ndarja me këtë mik është moment që na shkakton emocione të përziera: mërzitemi pse ndahemi prej tij, gëzohemi për përfundimin e tij me sukses, sepse kështu na mëson Allahu xh.sh., dhe i Dërguari i Tij. ﴿ قُلْ بِفَضْلِ اللَّهِ وَبِرَحْمَتِهِ فَبِذَٰلِكَ فَلْيَفْرَحُوا هُوَ خَيْرٌ مِّمَّا يَجْمَعُونَ ﴾‏ “Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më mirë se ajo që grumbullojnë ata”.” [Junus: 58] Pra, sot i gëzohemi adhurimit, i gëzohemi përfundimit me sukses të një detyrimi madhështor fetar siç është agjërimi. Pejgamberi a.s., na ka treguar se ky moment është moment gëzimi për ne: “...Agjëruesi ka dy gëzime: gëzim kur të bëjë iftar (bajram) dhe gëzim kur ta takojë Allahun xh.sh....” [Buhariu: 1904; Muslimi: 1151.] [Të nderuar vëllezër besimtarë!] Ky është bajrami i parë që e falim që nga koha kur është shfaqur covidi-19. Vitin e kaluar, as bajramin e Ramazanit dhe as atë të Kurbanit, nuk patëm mundësi t’i falim në xhami. Sot, kur ndihemi pak më të lirë dhe na është dhënë mundësia të takohemi bashkë në xhami për ta falur këtë bajram, në radhë të parë duhet të shprehim falënderimin dhe konsideratën tonë për Allahun xh.sh., e pastaj për të gjithë ata që në një ose mënyrë tjetër kanë punuar dhe po punojnë që t’i kthehemi normalitetit sa më parë. [Të nderuar besimtarë!] Në çdo fatkeqësi fshihen mësime e urtësi. Kështu qëndron puna edhe me pandeminë covid-19. Ajo na ka dhënë mësime të mëdha dhe shumë të rëndësishme. Në radhë të parë na ka dhënë mësimin e shpresës, mësimin se pas vështirësisë vjen lehtësimi. Allahu xh.sh., thotë: ‎﴿ فَإِنَّ مَعَ الْعُسْرِ يُسْرًا ‎﴿٥﴾‏ إِنَّ مَعَ الْعُسْرِ يُسْرًا ‎ ﴾‏ “E, me të vërtetë, me vështirësi – arrihet në lehtësi, (5) me të vërtetë, me vështirësi – arrihet në lehtësi (lumturi)!” [Sherh: 5-6] Ishim të mbyllur totalisht, të shkëputur fizikisht nga njëri me tjetrin, me frikë e pasiguri, ndërsa sot kemi filluar ta shohim dritën në fund të tunelit më qartë se kurrë më parë. Fundi i kësaj pandemie me lejen e Allahut do të jetë shpejtë sepse kështu është ligji i Zotit ose thënë më mirë mëshira e Tij me ne! Pandemia na ka konfirmuar praktikisht një dimension të fesë, atë të bashkëveprimit të saj me ne dhe jetën tonë pavarësisht gjendjes a rrethanave. Në fakt është dhe dimension i madhështisë së kësaj feje, e cila nuk është e mbyllur, e ngurtë, por e gjallë, e lehtë, fe e cila na ofron zgjidhje për çdo problem të jetës sonë. ‎﴿ وَمَا جَعَلَ عَلَيْكُمْ فِي الدِّينِ مِنْ حَرَجٍ ۚ ﴾‏ “...dhe nuk ju ka bërë juve në fe kurrfarë vështirësie...” [Haxh: 78] Nëse na janë mbyllur xhamitë, e tërë toka e Allahut është xhami, kudo që falemi, e kemi kryer obligimin. Nëse na është pamundësuar falja në xhemat, jemi falur në shtëpi, sepse Allahu nuk e ngarkon robin përtej mundësive dhe se prej nesh kërkon të veprojmë vetëm aq sa kemi mundësi. Allahu xh.sh., thotë: ﴿فَاتَّقُوا اللَّهَ مَا اسْتَطَعْتُمْ ﴾ “Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni,...” [Tegabun: 16] Siç kanë shpjeguar dijetarët myslimanë, Allahu xh.sh., zbatimin e urdhrave të Tij dhe shmangien nga ndalesat e ka lidhur me mundësi. Ky ajet na mëson se çdo detyrim që njeriu nuk mund ta përmbushë për shkak të pamundësisë bie. Njeriu e kryen atë që ka mundësi, siç na ka mësuar Pejgamberi a.s.: “Kur t’iu urdhërojë me diç, kryejeni sa të keni mundësi!” Mësim tjetër që kemi marrë nga pandemia është nevoja për njëri-tjetrin, respektivisht solidariteti moral dhe material ndërmjet nesh. Ky mësim në Ramazan vetëm sa është formësuar dhe përsosur. Besimtarët janë sikur një trup i cili funksionon si tërësi. Nëse një gjymtyrë e këtij trupi lëngon, lëngon i tërë trupi. Me fjalë tjera, mirëqenia dhe harmonia shoqërore arrihen vetëm atëherë kur ne, si pjesëtarë të kësaj shoqërie, shndërrohemi në një trup të vetëm, ia duam njëri-tjetrit atë që duam për vete dhe e urrejmë për njëri-tjetrin atë që e urrejmë për vete. “Besimtari për besimtarin është pasqyrë!” – thoshte Pejgamberi Muhammed a.s. Por jo vetëm solidariteti është mësim shoqëror që marrim nga pandemia. Është dhe kuptimi i lirisë së shprehjes dhe veprimit. Pandemia na ka mësuar se ndonjëherë liria e ndonjë individi mund të përbëjë rrezik për shoqërinë mbarë. Është pra ai kuptimi sipas të cilit e drejta e dikujt për të vepruar mbaron atje ku cenohet e drejta e tjetrit. Së këndejmi, pandemia është thirrje për tu kujdesur për interesin shoqëror, për mirëqenien e përgjithshme, për kolektivin, ndryshe, të gjithë mund të jemi viktima të kësaj “lirie.” Pejgamberi Muhammed a.s., e ka shpjeguar shumë bukur këtë çështje në një prej haditheve të tij, në të cilin, në formë figurative na tregon se sa rrezik të madh shoqëror paraqet lënia e njerëzve për të vepruar si të duan. Nu’man bin Beshiri r.a., përcjell se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Shembulli i atij njeriu që nuk shkel urdhrat e Allahut në krahasim me ata që i cenojnë ato, është si shembulli i atyre të cilët hodhën short për vendet e tyre në anije: disa zunë vendet lart dhe disa zunë vendet poshtë. Kur këta të dytët (që ishin poshtë) kishin nevojë për ujë, duhet që të ngjiteshin lart për të sjellë ujë (dhe kjo i shqetësonte të tjerët), kështu që (menduan dhe) thanë: 'Të hapim një vrimë këtu në pjesën tonë të anijes (dhe të marrim ujë) duke mos i shqetësuar ata që janë sipër/ Kësisoj pra, në qoftë se njerëzit e pjesës së sipërme do t'i linin ata poshtë të lirë të bënin atë që donin, atëherë të gjithë do të shuheshin duke u mbytur, por, në qoftë se do t'i ndalonin ata, atëherë të dyja palët do të shpëtonin.” [Buhariu, 2493] [Të dashur dhe të respektuar besimtarë] Fakti se njeriu është shoqëror nga vet natyra nënkupton që jeta shoqërore duhet të udhëhiqet sipas një rendi dhe një ligji. Respektimi i ligjit nënkupton jetë dhe siguri për të gjithë. Ndryshe, pasojat mund t’i vuajmë të gjithë. Më lejoni të shprehem drejtpërdrejtë, respektimi i masave të parapara nga autoritetet tona duhet të vazhdojë, sepse vetëm kështu mund ta tejkalojmë këtë pandemi me sa më pak pasoja. Për fund, më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri t’iu urojë festën e Fitër Bajramit, me lutjen që Zoti këtë festë ta shndërrojë në gëzim e lumturi për të gjithë ne. Festofshim bajramet tjerë të lirë në shëndet, mirëqenie e begati!


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013