Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
TRE MËSIME NGA FESTA E KURBAN BAJRAMIT (Hutbeja 2021)

Të nderuar vëllezër besimtarë! Kurban Bajrami është njëra nga dy festat kryesore të myslimanëve. Në Kur’an dhe Sunnet[1] është quajtur dita e haxhit të madh, sigurisht për shkak të vlerës dhe rëndësisë që ka. Kurban Bajrami është një festë e cila bie në dhjetë ditët më të mira të vitit, vjen pas ditës së Arafatit, ditës e cila është festë në vete, është në muaj të shenjtë, dhe lidhet për kryerjen e një rituali fetar, haxhillëkut, që siç e dini është shtylla e pestë e fesë. Nga këtu, kjo festë nuk ka si të mos jetë gëzim për ne sikur që mësimet e saja nuk kanë si të mos jenë madhështore. Në këtë hutbe, nga mësime të shumta të kësaj feste, do të përzgjedhim vetëm tri, si më kryesoret, dhe të cilat na duhen sot, nesër dhe deri në vdekje. Vëllezër besimtarë! [Mësimi i parë: Ripërtëritja e lidhjes me Allahun xh.sh.] Mësimi i parë dhe absolutisht më i rëndësishëm që marrim nga kjo ditë e madhe ka të bëjë me Zotin, respektivisht me konceptin tonë për Zotin: Si e besojmë Zotin? Çfarë cilësish i përshkruajmë? Cili është mendimi ynë për Të? Siç e dini, feja jonë islame predikon monoteizëm të pastër. Allahun e besojmë si Një dhe të Vetëm, Absolut, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim, që as nuk lind, as nuk është i lindur, dhe që askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë![2] Ky koncept për Zotin manifestohet praktikisht në këtë ditë. Kryerja e ritualeve të haxhillëkut ndryshe nga periudha e injorancës, dhe therja e kurbanit për Zotin, janë demonstrim praktik i këtij besimi të pastër. Janë, me fjalë tjera, zbërthim në praktikë i motos islame: ﴿ قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ ‎﴿١٦٢﴾‏ لَا شَرِيكَ لَهُ ۖ وَبِذَٰلِكَ أُمِرْتُ وَأَنَا أَوَّلُ الْمُسْلِمِينَ ﴾‏ “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. 163. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”.” [En’amë: 162-163] Pra, festa e Kurban Bajramit na thërret që Allahun ta besojmë ashtu siç Ai kërkon: Një dhe i Vetëm, Absolut, larg përshkrimeve që i bëjnë idhujtarët. Na thërret po kështu që t’ia kushtojmë adhurimin me të gjitha format dhe mënyrat e tij: namaz, lutje, therje të kurbanit dhe çdo gjë tjetër. Kjo është ajo që e dallon këtë ditë. Kurban Bajrami është dita në të cilën njeriu çlirohet nga çdo gjë përveç Allahut xh.sh. Ky është mesazhi që kjo festë i përcjell vazhdimisht shpirtit, ky është virtyti që kjo festë dëshiron ta mbjell në shpirtrat tanë. Xhematlinj të nderuar! [Mësimi i dytë: Bukuritë e fesë] Mësimi i dytë që marrim nga kjo festë ka të bëjë me bukuritë dhe mirësitë e kësaj feje, prej të cilave do të veçoja vetëm sa për ilustrim: Përsosmërinë e fesë, shpërblimin për veprat, dhe barazinë. Në ditët e haxhit, Allahu xh.sh., shpalli ajetin përmbyllës të misionit të Pejgamberit Muhammed ﷺ: ﴿ الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلامَ دِيناً ﴾ “… Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe…” [Maide: 3] Në këtë ajet, Allahu xh.sh., po na tregon se feja, të cilën e ka zgjedhur për ne, është e përsosur, e atillë që na shërben për udhëzim në çdo gjë që na duhet deri në amshim. Për këtë shkak, Pejgamberi Muhammed ﷺ në porositë e haxhit lamtumirës, mbajtjen për Kur’anit dhe Sunnetit e cilësoi si garanci të vetme të udhëzimit të drejtë: “Në mesin tuaj kam lënë dy gjëra, nëse iu përmbaheni, kurrë nuk do të devijoni: Kur’anin dhe Sunnetin!” Mirësi tjetër e fesë është shpërblimi i madh për veprat. Është ana ndoshta më joshëse dhe tërheqëse e fesë. Sado që njeriu të jetë mëkatar, shpresa në faljen e Allahut nuk duhet të shuhet. Haxhillëku, përfundimin e të cilit e shënon kjo festë, në fakt nënkupton pastrim të tërësishëm nga mëkatet. Pejgamberi Muhammed ﷺ ka thënë: “Kush kryen haxhillëkun në përputhje me rregullat, do të kthehet në shtëpi (i pastër nga mëkatet) sikur ditën kur e ka lindur nëna.” Pastrimi nga mëkatet është plotësimi i dhuntisë së Allahut ndaj nesh. Një mirësi tjetër e theksuar e fesë në këtë ditë është barazia islame dhe kriteri i vlerësimit të njerëzve. Veshja e ihramit nga të gjithë haxhilerët, pavarësisht racës, kombit, gjuhës, pozitës, nënkupton barazim fizik para Zotit. Me fjalë tjera, nuk janë rrobat, paratë, pozitat ato që na bëjnë më të mirë por është zemra, janë veprat dhe vlerat, është devotshmëria, siç thotë Allahu xh.sh: إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِنْدَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ “…e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat)…” [Huxhurat, 13] Vëllezër të nderuar! [Mësimi i tretë: Aspekti solidar në Islam] E keni vënë re se si Islami dy festat kryesore i ka lidhur edhe me detyrime materiale: Fitër Bajramin me sadakanë e fitrit ndërsa Kurban Bajramin me therjen e kurbanit. Cila është urtësia? Nëse i kthehemi Kur’ani, do të mësojmë se Allahu xh.sh., nuk ka nevojë për mish dhe as për gjak dhe asgjë nga këto nuk arrijnë tek Ai. لَن يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَاؤُهَا وَلَكِن يَنَالُهُ التَّقْوَى مِنكُمْ “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj…” [Haxh, 37] Atëherë, pse ta therim kurbanin? Cila është urtësia? Duke qenë se kjo festë është shoqërore, atëherë askush prej shoqërisë në këtë ditë nuk duhet të ndihet i privuar. Bëhemi bashkë dhe ndajmë me njëri-tjetrin të mirat që na i ka dhënë Allahu xh.sh., për ta dëshmuar vëllazërinë fetare por edhe për ta përjetuar festën bashkërisht. Si vëllezër që jemi, duhet ta perceptojmë njëri-tjetrin si një trup i vetëm, mu ashtu siç na ka mësuar Muhammedi ﷺ. Kjo ndodhë vetëm kur interesohemi për njëri-tjetrin dhe ndajmë bashkërisht gëzimin dhe hallet. Pra, nuk bëhet fjalë thjesht për ndihmë materiale por për vëllazëri, për harmoni, për shkrirje në njëri-tjetrin. Muhammedi ﷺ na ka mësuar se ne nuk mund të besojmë plotësisht përderisa nuk e përjetojmë këtë lidhje në këtë nivel, përderisa nuk ia dum njëri-tjetrit atë që duam për vete. Mu për këtë shkak, Muhammedi ﷺ ka përzgjedhur që në këto ditë t’i shpallë luftë të hapur çdo gjëje që i jep trajtë tjetër këtyre raporteve, me theks të veçantë kamatës dhe fajdesë. Të dashur vëllezër! [Përmbyllje] Këto tre mësime që përfituam nga kjo festë madhështore janë mësime jetësore. Ato na duhen gjithmonë por më së shumti në kohë sprovash e fatkeqësish. Tani që jemi duke u ballafaquar ende me pandeminë covid-19, këto mësime duhet të jenë më të theksuara dhe më të pranishme në jetën tonë. Me besimin në Zot, me respektimin e ligjit të Zotit, dhe me solidaritetin me njëri-tjetrin tejkalojmë çdo vështirësi. Këto tri tipare janë ato që dallojnë ende shoqërinë tonë. Edhe pse jemi në këtë situatë të vështirë, populli ynë ka dëshmuar se është ndër popujt më solidarë në botë për të mos thënë më solidari. Të vazhdojmë t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit sepse kështu na qëndron pranë edhe Allahu xh.sh. Allahun e lus që çdo adhurim, lutje, sakrificë dhe punë të hajrit që kemi bërë të na i pranojë. E lus po kështu që këto ditë festive të jenë gëzim, paqe, mirësi e shëndet për të gjithë ne! Urime festa të gjithëve! [1] Shih: Kur’ani: Teube, 3. Shih hadithin e Ibën Omerit r.a., në Sunenin e Ebu Davudit, nr. 1945. [2] Shih: Kur’ani: Ihlas, 1-4.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013