Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
Platformë që garanton epërsi shoqërore

Këshilla e Amër bin Asit r.a.: Platformë që garanton epërsi shoqërore Këshilla e radhës është ajo e Sahabiut të nderuar, Amër bin Asit r.a. Është e veçantë për mënyrën se si ai e interpreton një tekst fetar. Imam Muslimi shënon në Sahih (nr. 2898) hadithin e Musteurid bin Sheddadit r.a., në të cilin qëndron se Pejgamberi ﷺ ka thënë: »تَقُومُ السَّاعَةُ والرُّومُ أكْثَرُ النَّاسِ« “Kiameti do të ndodhë ndërsa romakët përbëjnë shumicën e njerëzve.” Kur Amri r.a., e dëgjoi këtë hadith, iu drejtua Musteuridit r.a.: Ke kujdes se çfarë je duke thënë! Musteuridi r.a., ia ktheu: Po e them atë që e kam dëgjuar nga Pejgamberi ﷺ! Kur Amri r.a., u bind se ajo që kishte dëgjuar ishte e vërtetë dhe se këtë po ia konfirmon vet transmetuesi, tha diçka, mbase edhe nga përvoja me të huajt: » لَئِنْ قُلْتَ ذلكَ، إنَّ فيهم لَخِصالًا أرْبَعًا: إنَّهُمْ لأَحْلَمُ النَّاسِ عِنْدَ فِتْنَةٍ، وأَسْرَعُهُمْ إفاقَةً بَعْدَ مُصِيبَةٍ، وأَوْشَكُهُمْ كَرَّةً بَعْدَ فَرَّةٍ وخَيْرُهُمْ لِمِسْكِينٍ ويَتِيمٍ وضَعِيفٍ، وخامِسَةٌ حَسَنَةٌ جَمِيلَةٌ: وأَمْنَعُهُمْ مِن ظُلْمِ المُلُوكِ« Nëse e thua këtë (e konfirmon këtë hadith), atëherë kjo (fakti se përbëjnë shumicën e banorëve të tokës) ndodhë për shkak të katër cilësive që kanë: 1) janë njerëzit më të mençur në sprova, 2) janë njerëzit që këndellen më së shpejti nga fatkeqësia, 3) janë njerëzit që kundërsulmojnë më së shumti pas disfatës, 4) janë më të mirët për skamnorët, jetimët dhe të dobëtit, dhe 5) e pesta, e mirë dhe e bukur: dhe janë njerëzit më të mbrojtur nga padrejtësia e mbretërve (pushtetarëve) të tyre. Siç mund të shohim, Amri r.a., i ka bërë një interpretim interesant këtij hadithi të Pejgamberit ﷺ. Një paralajmërim fetar për të ardhmen (shenjat e Kiametit), Amri r.a., nuk e ka interpretuar nga aspekti doktrinar fetar, sepse bindja dhe besimi i tij në tërë atë që është konfirmuar nga Pejgamberi ﷺ është e padiskutueshme, siç edhe mund të vërehet, sikur që nuk e ka interpretuar as si teori filozofike, sepse debatet e këtilla nuk është se prodhojnë ndonjë gjë konkrete. E ka interpretuar nga aspekti sociologjik, respektivisht ka përmendur rregulla sipas të cilave mundësohet jo vetëm epërsia shoqërore në kuptim të ngritjes së standardit jetësor pore dhe vazhdimësia e saj. Arsyeja pse romakët, me të cilët synohen perëndimorët në përgjithësi, e të krishterët evropianë në veçanti, janë më të shumtë në shifër se të tjerët, ka të bëjë me mënyrën e tyre shoqërore të jetesës, respektivisht me rregulla dhe parime të cilat i kanë të shndërruar në etikë dhe kulturë dhe falë të cilave sot e sundojnë botën. Që të jemi korrekt, këtu nuk bëhet fjalë për doktrina fetare. Pra, fakti që Amri r.a., po i lëvdon evropianët e krishterë nuk ka të bëjë me principe e praktika që këta të fundit i kanë përfituar nga feja e tyre por me rregulla universale sipas të cilave njerëzit sundojnë botën. Ndryshe, se Islami është fe e vetme e pranuar tek Allahu xh.sh. (Kur’ani: Al Imran: 19; 85), është diçka që nuk kontestohet, e aq më pak nga dikush si Amri r.a. Madje, në interpretimin e tij ka thirrje për ne që, duke u nisur nga fakti se këto principe dhe praktika promovohen dhe mbështeten nga feja jonë, me dëshmitë që do tua shoqërojmë shpjegimeve të këtyre cilësive në vazhdim, duhet t’i kemi të parët. Ne jemi më meritorë se të tjerët që t’i aplikojmë këto rregulla dhe standarde jetësore. Le t’i shohim këto pesë tipare një nga një e pastaj ta përmbyllim këshillën me disa mësime të nxjerra prej saj! 1. Maturia dhe durimi [إنَّهُمْ لأَحْلَمُ النَّاسِ عِنْدَ فِتْنَةٍ -Njerëzit më të mençur në sprova]: më të mençurit, më durimtarët dhe më të maturit, nuk veprojnë pa i konfirmuar gjërat. Nuk nguten dhe nuk zemërohen që të ndërmarrin veprime të cilat mund të kenë pasoja, veçmas nëse bëhet fjalë për veprime të cilat mund t’iu kushtojnë njerëzve me jetë. Sprova, luftëra apo çfarëdo qofshin ato, nuk i çorientojnë. I analizojnë gjërat dhe i mendojnë mirë para se të ndërmarrin veprime të caktuara. Kjo nuk nënkupton se janë përherë kështu dhe se nuk iu ndodhë që përjetojnë kriza që i çorientojnë porse nuk vazhdon gjatë dhe ata, siç edhe do të shpjegojmë më poshtë, këndellën. Ky tipari i maturisë, durimi, vetëpërmbajtje, veprimit të mençur (ar. el-hilm) është tipar të cilin e do Allahu xh.sh. Pejgamberi ﷺ, siç qëndron në Sahihun e Muslimit (nr. 17), i kishte thënë Sahabiut Eshexh Abd el-Kajsit: »إِنَّ فِيكَ خَصْلَتَينِ يُحِبُّهُمَا اللَّه: الْحِلْمُ وَالأَنَاة « “Ti i ke dy tipare që Allahu xh.sh., i do: maturinë dhe vetëpërmbajtjen.” A nuk na ka mësuar Allahu xh.sh., që, në raste të këtilla, të verifikojmë gjërat para se të ndërmarrim ndonjë veprim (Kur’ani: Huxhurat: 6) dhe t’i referohemi autoriteteve (Kur’ani: Nisa: 83) që të mos shkaktojmë probleme edhe më të mëdha. 2. Planifikimet dhe strategjitë [وأَسْرَعُهُمْ إفاقَةً بَعْدَ مُصِيبَةٍ -Këndellen më së shpejti nga fatkeqësia]: kanë njohuritë, përvojat dhe zgjidhjet më të mira për të dalë nga krizat dhe problemet. Pavarësisht fatkeqësive që iu ndodhin, ata e marrin veten, punojnë dhe angazhohen, duke ndryshuar për të mirë, thuajse asgjë nuk iu ka ndodhur. A nuk është parim dhe kulturë islame që të luftohen krizat e fatkeqësitë me strategji. Pejgamberi ﷺ kur ndodhnin kriza, veçmas ekonomike, i nxiste besimtarët që të aplikojnë modele të suksesshëm në menaxhimin e tyre, jo të dorëzohen e të nënshtrohen para tyre. Ua ofronte, sa për shembull, modelin e fisit esharij (Buhariu, nr. 2486; Muslimi, nr. 2500), të cilët kur kishin kriza bëheshin bashkë dhe ndanin në mënyrë proporcionale atë që kishin. Po kështu, nxitja që feja ka bërë për të duruar në raste të këtilla. P.sh., në Kur’an, në kaptinën Bekare, ajetet 155-157, Allahu xh.sh., thotë: ‎﴿ وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ ‎﴿١٥٥﴾‏ الَّذِينَ إِذَا أَصَابَتْهُم مُّصِيبَةٌ قَالُوا إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ ‎﴿١٥٦﴾‏ أُولَٰئِكَ عَلَيْهِمْ صَلَوَاتٌ مِّن رَّبِّهِمْ وَرَحْمَةٌ ۖ وَأُولَٰئِكَ هُمُ الْمُهْتَدُونَ ‎﴿١٥٧﴾‏ “...Prandaj, përgëzoji të duruarit, 156. të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” 157. Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” 3. Vullneti dhe vendosmëria [وأَوْشَكُهُمْ كَرَّةً بَعْدَ فَرَّةٍ -Njerëzit që kundërsulmojnë më së shumti pas disfatës]: nuk pajtojnë me humbjen dhe as nuk thyhen emocionalisht kur humbasin. Dështimin nuk e shohin si fund. Angazhohen menjëherë që të ndërmarrin sulm për ta kthyer atë që e kanë humbur ose fituar atë që nuk ia kanë arritur herën e parë. nëse ata e bëjnë ndërsa me këtë nuk synojnë kënaqësinë e Allahut xh.sh., si të dëshpërohemi ne, e të pajojmë me dështimin, kur Allahu xh.sh., na thotë: ‎﴿ وَلَا تَهِنُوا وَلَا تَحْزَنُوا وَأَنتُمُ الْأَعْلَوْنَ إِن كُنتُم مُّؤْمِنِينَ ‎﴿١٣٩﴾‏ إِن يَمْسَسْكُمْ قَرْحٌ فَقَدْ مَسَّ الْقَوْمَ قَرْحٌ مِّثْلُهُ ۚ وَتِلْكَ الْأَيَّامُ نُدَاوِلُهَا بَيْنَ النَّاسِ وَلِيَعْلَمَ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا وَيَتَّخِذَ مِنكُمْ شُهَدَاءَ ۗ وَاللَّهُ لَا يُحِبُّ الظَّالِمِينَ ‎﴿١٤٠﴾‏ “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë. 140. Nëse ju ka goditur ndonjë plagë, edhe popullin (armik) e kanë goditur të tilla plagë. Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Allahu nuk i do keqbërësit.” [Al Imran: 139-140] 4. Drejtësia sociale dhe humnaizmi [وخَيْرُهُمْ لِمِسْكِينٍ ويَتِيمٍ وضَعِيفٍ -Më të mirët për skamnorët, jetimët dhe të dobëtit]: janë të mirë me ta, iu ndihmojnë, i përkrahin. Mjafton të shikoni në sistemet e tyre sociale dhe shëndetësore për tu bindur se si parimin islam të nderimit të njeriut. A nuk do të duhej ne të jemi të parët kur kemi zekatin dhe sadakanë, kur kemi tërë ato porosi për përkujdesjen për jetimët, gratë e veja, të varfrit?! 5. Nuk e durojnë padrejtësinë [وأَمْنَعُهُمْ مِن ظُلْمِ المُلُوكِ -Njerëzit më të mbrojtur nga padrejtësia e pushtetarëve]: qoftë, duke e refuzuar padrejtësinë, respektivisht duke u çuar kundër pushtetarëve të cilët bëjnë shkelje e ushtrojnë dhunë, qoftë nga drejtësia e vet pushtetarëve. A nuk do ë duhej ne të ishim të parët, kur feja na ka treguar se t’ia themi të vërtetën pushtetarit të padrejtës është xhihad? A nuk do të duhej ne të ndiqnin shembujt e të parëve tanë, Omerit r.a., i cili kënaqej kur kishte kritikë dhe i cili i dha botës njërin ndër shembujt më të përkryer të drejtësisë? *** Si përmbyllje, do të doja ta ripërsëris se këto parime janë universale, kushdo që ndërton platformën me to dhe i aplikon në praktikën e tij, e siguron këtë epërsi. Ibën Tejmije, në Mexhmu el-Fetava (28/63) ka cituar një grup dijetarësh të kenë thënë: “Allahu xh.sh., do ta ndihmojë shtetin e drejtë, edhe nëse nuk besojnë, dhe nuk do ta ndihmojë shtetin e padrejtë, edhe nëse janë myslimanë.” Mësimet të përfituara nga kjo këshillë: Përkushtimi i Sahabeve r.a., për të përcjellë vetëm hadithet e verifikuara. Besimi i paluhatshëm në tërë atë që e ka thënë Pejgamberi ﷺ dhe interpretimi i mundshëm i tërë asaj që ai ka thënë e ka paralajmëruar. Rëndësia e përgatitjes së dyfishtë: shpirtërore e fizike, për sfidat me të cilat ballafaqohemi. Kushtëzimi i epërsisë shoqërore me aplikimin të platformave sociale të cilat garantojnë lirinë, mirëqenien dhe mbi të gjitha ruajnë dinjitetin njerëzor. Sikur myslimanët, si ithtarë të fesë së vërtetë e cila ka absolutisht platformën më të mirë, ta zbatonin atë, do të ishin të parët. Historia e ka dëshmuar këtë.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013