Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
KONCEPTI ISLAM PERKITAZI ME BESIMIN NE PEJGAMBERIN ISA a.s.

Të nderuar vëllezër besimtarë! Një ndër shtyllat e besimit është besimi në pejgamberë. Në pamundësi që njeriu të orientohet në rrugën e drejtë vetvetiu, Allahu xh.sh., i dërgoi pejgamberë, të cilët e udhëzuan dhe drejtuan për në këtë rrugë. Besimi në pejgamber është kusht për pranimin e besimit në tërësi. Pra, ai që beson Allahun xh.sh., por mohon pejgamberët, konsiderohet sikur të mos e ketë besuar as Allahun xh.sh. Po kështu kush i beson disa pejgamberë ndërsa i mohon disa të tjerë konsiderohet sikur t’i ketë mohuar të gjithë. Besimi në pejgamberë ka disa detaje që duhen marrë me po aq përkushtim sa besimin në tërësi. Në hutben e kësaj xhumaje do të flasim për besimin tonë përkitazi me pejgamberin Isa a.s., për të mësuar praktikisht për rëndësinë e këtyre detajeve. Lindja e tij pa baba provokoi qasje ekstreme rreth origjinës së tij. Disa e quajtën fëmijë të paligjshëm ndërsa disa të tjerë e hyjnizuan duke e quajtur zot ose i biri i Zotit. Detajet që mësojmë në Kur’an janë mesi ndërmjet këtyre dy qasjeve ekstreme, janë shpjegimet më të ekuilibruara dhe gjithsesi më të mirat. Në këtë hutbe do të shpalosim disa nga këto detaje. Të dashur vëllezër! [Lindja e Isait a.s., pa baba nuk provon hyjninë e tij] Isai a.s., ka lindur pa baba. Kështu ka qenë vullneti i Zotit. Kur Xhibrili a.s., shkoi tek Merjemja që t’i jepte lajmin, ajo u çudit paksa, sepse, si do të lindte kur nuk ishte e martuar dhe as që kishte pasur kontakt me ndonjë njeri (Kur’ani: Merjem: 20-21)?! Kur’ani na sjell edhe një argument tjetër përkitazi me atë se si krijimi i Isait a.s., pa baba nuk është argument se ai është hyjnor. Allahu xh.sh., thotë: ‏ إِنَّ مَثَلَ عِيسَىٰ عِندَ اللَّهِ كَمَثَلِ آدَمَ ۖ خَلَقَهُ مِن تُرَابٍ ثُمَّ قَالَ لَهُ كُن فَيَكُونُ ‎ “Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë.” [Al Imran: 59] Në këtë ajet kur’anor, Allahu xh.sh., na mëson se Isai a.s., nuk mund të konsiderohet hyjnor sepse shembulli i tij, nga aspekti i krijimit pa baba, është sikur shembulli i Ademit a.s., bile ky i fundit është krijuar pa baba e pa nënë, andaj, përderisa ai nuk është konsideruar hyjnor, atëherë as Isai a.s., i cili vetëm babanë nuk e ka, nuk meriton të quhet hyjnor. إِنَّمَا الْمَسِيحُ عِيسَى ابْنُ مَرْيَمَ رَسُولُ اللَّهِ وَكَلِمَتُهُ أَلْقَاهَا إِلَى مَرْيَمَ وَرُوحٌ مِنْهُ “…Mesihu – Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia ka dërguar Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) nga Ai…” [Nisa: 171] Shprehjet fjalë dhe shpirt në ajet nuk nënkuptojnë assesi se Isai a.s., është hyjnor. Dijetarët myslimanë kanë dhënë këto shpjegime për këto dy shprehje: Fjala (el-kelime) është urdhri i Allahut “Kun: bëhu! Pra, Isai a.s., nuk është fjala por produkti i fjalës. Ai është krijuar prej saj por vet nuk është fjala. Shpirti (err-rruh). Isai a.s., nuk është pjesë e Zotit, i pastër qoftë nga ajo që politeistët ia përshkruajnë! Shpirti i është atribuuar Allahut vetëm si nder, ashtu siç i është atribuuar Qabeja, për të cilën thuhet Shtëpia e Zotit. Kjo formë e besimit është qenësore në dëshminë islame. Pra, pa të, nuk mund të bëhesh myslimane. Ubade bin Samiti r.a., transmeton se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kush dëshmon se nuk ka zot përveç Allahut, Një dhe të vetëm; se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij; se Isa është rob dhe i dërguar i Tij, është fjala e Tij që e hodhi tek Merjemja dhe shpirt prej Tij; se Xheneti është i vërtetë, se Xhehenemi është i vërtetë, Allahu do e fus në Xhennet pavarësisht veprave që ka bërë.” (Buhariu dhe Muslimi) Xhematlinj të nderuar! [A ka pretenduar Isai a.s., ndonjëherë se është Zot?] Isai a.s., nuk ka pretenduar kurrë se ka qenë i biri i Zotit ose Zoti. Madje, fjalët e para që ka thënë ka qenë pranimi se ai është thjesht njeri porse dallon prej të tjerëve për shkak të pejgamberisë. قَالَ إِنِّي عَبْدُ اللَّهِ آتَانِيَ الْكِتَابَ وَجَعَلَنِي نَبِيًّا “Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet.” [Merjem: 30] E se është njeri Kur’ani na mëson edhe për zhvillimin e tij si gjithë njerëzit tjerë. Pra, Isait a.s., ka ngrënë, ka pirë, ka bërë gjumë, ka punuar si gjithë të tjerët (Maide: 75; Furkan: 20). Duke qenë se Zoti nuk ha, nuk pi, nuk flenë, atëherë Isai a.s., që i bën këto gjëra, është dëshmi se është njeri. Madje, edhe mrekullitë që i kishte dhe të cilat ishin të veçanta, deklaronte se ishin prej Allahut xh.sh. وَأُحْيِي الْمَوْتَىٰ بِإِذْنِ اللَّهِ ۖ ‏ “…dhe i ngjall të vdekurit me lejen e Allahut…” [Al Imran: 49] Përtej kësaj, Isai a.s., nuk pajton me askënd që i jep atij atribute hyjnore, madje në Ditën e Llogarisë do të distancohet nga çdokush që i ka dhënë atribute hyjnore (Maide: 116-117). Të dashur besimtarë! Një çështje tjetër që na mbetet ta mësojmë në këtë hutbe është edhe vdekja e Isait a.s.? A e kanë mbytur Isanë a.s., siç pretendohet? Çfarë na mëson Kur’ani për këtë? Nëse e shpalosim librin e Allahut xh.sh., do të vërejmë se Isai a.s., nuk ka vdekur e aq më pak të jetë mbytur. Isai a.s., është ngritur tek Zoti dhe se, në fund të kohës, pra kur kjo botë të jetë afër për tu shkatërruar, ai do të kthehet. Allahu xh.sh., dhe i Dërguari i Tij, Muhammedi a.s., na sjellin detaje rreth kësaj. Përkitazi me mosmbytjen e tij, Allahu xh.sh., thotë: ‎ وَقَوْلِهِمْ إِنَّا قَتَلْنَا الْمَسِيحَ عِيسَى ابْنَ مَرْيَمَ رَسُولَ اللَّهِ وَمَا قَتَلُوهُ وَمَا صَلَبُوهُ وَلَٰكِن شُبِّهَ لَهُمْ ۚ وَإِنَّ الَّذِينَ اخْتَلَفُوا فِيهِ لَفِي شَكٍّ مِّنْهُ ۚ مَا لَهُم بِهِ مِنْ عِلْمٍ إِلَّا اتِّبَاعَ الظَّنِّ ۚ وَمَا قَتَلُوهُ يَقِينًا ‎﴿١٥٧﴾‏ بَل رَّفَعَهُ اللَّهُ إِلَيْهِ ۚ وَكَانَ اللَّهُ عَزِيزًا حَكِيمًا ‏ “(Janë mallkuar për shkak) dhe për fjalët e tyre: “Ne e vramë Mesihun – Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut”. Por, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur. Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij, me siguri që gjenden në dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë vrarë, 158. por, Allahu e ka ngritur pranë Vetes. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.” [Nisa: 157-158] Pra, armiqtë kanë mbytur dikë që iu është dukur si Isai a.s., por jo vet Isanë a.s. Kështu, Isai a.s., nuk u mbyt por u ngrit për tu rikthyer prapë. Sa ishte në mesin e njerëzve, paralajmëroi se pas tij do të dërgohej një pejgamber me emrin Ahmed (Kur’ani: Saf: 6). Në fakt, me ngritjen e tij përmbyllet edhe misioni që kishte kështu kur të kthehet prapë do të gjykojë me Islam. Pejgamberi Muhammed a.s., ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, është afruar koha kur i biri i Merjemes (Isai a.s.) do të zbresë si udhëheqës i drejtë, do ta thyejë kryqin, do ta mbysë derrin, do ta aplikojë xhizjen kurse pasuria do të shtohet aq shumë saqë nuk do të ketë nevojtarë për të.” (Buhariu) Po kështu ka thënë: “Si do të jetë gjendja juaj kur në mesin tuaj të zbresë i biri i Merjemes ndërsa imami është nga radhët tuaja.” (Buhariu dhe Muslimi) Pra, Isai a.s., do të zbret dhe do të falet pas imamit nga radhët e ymetit të Muhammedit a.s., që flet për vlerën e këtij ymeti por edhe për këtë se Isai a.s., do të gjykojë me Islam. Vëllezër besimtarë! Nuk kam mundur të gjejë fjalë më të mira për ta përmbyllur këtë hutbe se ato që vet Isai a.s., i ka thënë: ‎ إِنَّ اللَّهَ رَبِّي وَرَبُّكُمْ فَاعْبُدُوهُ ۗ هَٰذَا صِرَاطٌ مُّسْتَقِيمٌ ‏ “Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, andaj adhurojeni Atë. Kjo është rruga e drejtë!”” [Al Imran: 51]


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013