Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
DITËT E TESHRIKUT

1) Përse quhen me këtë emër? 2) Vlera e Ditve të Teshrikut 3) Rregullat përkatëse të Ditëve të Teshrikut 4) Ditët e Teshrikut dhe përkujtimi i Xhennetit   Hyrje Në vazhdën e ligjëratave të parapara për sezonin e ritualit të haxhit, ndër tjera, kemi paraparë të flasim edhe për vlerën e këtyre ditëve madhështore, të cilat Allahu xh.sh., i ka veçuar nga ditët tjera. Allahu xh.sh., thotë: ﴿وَرَبُّكَ يَخْلُقُ مَا يَشَاءُ وَيَخْتَارُ مَا كَانَ لَهُمُ الخِيَرَة﴾ “Zoti yt krijon çka të dojë dhe zgjedh kë të dojë, atyre nuk u takon zgjedhja…” [Kasas, 68] Për të qenë ligjërata sa më e dobishme, si përkujtim, do të bëjmë dy tri fjalë edhe për ditën e parë të kurban bajramit. Dita e parë e Bajramit është dita e haxhit të madh, ditë prej ditëve më të mira të vitit, siç thotë Pejgamberi ﷺ: « إِنَّ أَعْظَمَ الْأَيَّامِ عِنْدَ اللَّهِ تَبَارَكَ وَتَعَالَى يَوْمُ النَّحْرِ ثُمَّ يَوْمُ الْقَرِّ » “Vërtet, dita më e madhe tek Allahu është dita e therjes pastaj dita e vendosjes . “ Bazuar në këtë, kjo ditë është më e madhe se sa dita e Fitër Bajramit, dhe për arsye se në këtë ditë krahas namazit të bajramit kryhet edhe riti i therjes së kurbanit. Duke përfituar nga rasti, do të doja tua kujtoj besimtarëve se kurban bajrami nuk është bajrami i vogël por bajrami i madh. Bajrami është festa jonë me citat fetar, dhe kjo, krahas tjerash, nënkupton se Islami si fe ka rregulluar dhe sistemuar edhe jetën festive të njeriut. Lejohet dëfrimi në Bajram, lejohet gëzimi por jo shthurja morale, jo dëfrimi i pakontrolluar. Pejgamberi Muhammed ﷺ ka thënë: « إِنَّ اللَّهَ قَدْ أَبْدَلَكُمْ بِهِمَا خَيْرًا مِنْهُمَا يَوْمَ الْأَضْحَى وَيَوْمَ الْفِطْرِ » “Allahu ua ka ndërruar këto dy ditë me dy më të mira: Ditën e Fitër Bajramit dhe Ditën e Kurban Bajramit. ” Sot ekskluzivisht do t’i përkushtohemi ditëve të teshrikut, këtyre ditëve festive që pasojnë ditën e parë të kurban bajramit. PËRSE QUHEN ME KËTË EMËR? Ditët e Teshrikut janë tri ditët vijuese pas ditës së parë të Kurban Bajramit, respektivisht janë dita e 11-të, e 12-të dhe e 13-të e muajit dhul hixhe. Se pse janë quajtur me këtë emër, dijetarët kanë dhënë disa shpjegime:  Quhen kështu ngase mishi i kurbaneve vendoset në diell për t’u tharë.  Kurbani nuk theret derisa të lind (teshrik) dielli.  Namazi i Kurban Bajramit nuk falet derisa të lind dielli, dhe meqë këto ditë pasojnë ditën e parë të Kurban Bajramit, janë quajtur me këtë emër.  Është thënë se quhen me këtë emër ngase arabët para Islamit thoshin: (“أشْرِقْ ثَبِير كَيْمَا نُغِير - أي ادخل أيها الجبل في الشروق لكي ندفع للنَّحْر) Hyn oj kodër nën rrezet e diellit që të nxitojmë për therjen e kurbaneve. Pra nga kjo frazë është huazuar emërtimi i këtyre ditëve . Këtyre ditëve iu thuhet edhe ejjamu Mina - Ditët e Mina-së. VLERA E TYRE Në vazhdim, do të shpalosim vlerën e këtyre ditëve, duke iu referuar citateve kur’anore dhe profetike: Ditët e teshrikut janë tri ditët vijuese pas ditës së parë të Kurban Bajramit. Ato janë të synuara në ajetin kur’anor: ﴿ وَاذْكُرُوا اللَّهَ فِي أَيَّامٍ مَّعْدُودَاتٍ ﴾ “Allahun përmendeni në ditët e caktuara (në ditët e bajramit)…” [Bekare, 203] Ato janë festë për ne, siç thotë Muhammedi ﷺ: « يوم عرفة ويوم النحر وأيام التشريق عِيدُنا أهلَ الإسلام، وهي أيام أكل وشرب » “Dita e Arafatit, dita e parë e Kurban Bajramit, ditët e teshrikut janë festa jonë, ithtarëve të Islamit; ato janë ditë ngrënie dhe pijeje. ” Këto ditë janë ditë për therje të kurbanit, i cili ekskluzivisht duhet të jetë vetëm për Allahun. Thotë Allahu xh.sh.: ﴿ قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ ﴾ “Thuaj: "Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve.” [En’amë, 162] Therja e kurbaneve aspak nuk korrespondon me shpifjen që i bëhet Islamit se kinse ai nuk ka mëshirë ndaj kafshëve. Allahu, sikur që ka krijuar njeriun ka krijuar edhe kafshën, dhe ka sqaruar se sikur që mëshira e Tij kaplon atë që kujdeset për kafshë po kështu ndëshkimi i Tij përfshin atë që është i vrazhdë ndaj tyre. Ebu Hurejre r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Një njeri duke udhëtuar në një rrugë e kaplon etja e madhe, e gjen një pus, zbret në të dhe pi ujë. Pastaj del nga pusi dhe has një qen me gjuhë të nxjerrë jashtë që han baltë nga etja. Njeriu thotë: “Këtë qen e paska kapluar etja siç më pat kapluar edhe mua më parë”. Pastaj njeriu zbret në pus dhe mbush këpucën e vet me ujë, pastaj e kap me gojë derisa ngjitet lartë dhe i jep të pijë qenit. Allahu për këtë e falënderon dhe ia fal mëkatet.” (Shokët i) Thanë: “O i Dërguari i Allahut, edhe për kafshët kemi shpërblim?” (Pejgamberi ﷺ) Tha: “Në gjithçka që ka mëlçi të lagur ka shpërblim. ” Në një transmetim të Buhariut dhe Muslimit (ku kjo ngjarje theksohet më gjerësisht), theksohet: “Një ditë një qen u soll rreth pusit, pasi që etja e kishte kapluar për vdekje. Atë e sheh një lavire dhe horre prej izraelitëve e cila e zbathi këpucën e saj dhe me të i dha ujë qenit derisa e ngopi; për këtë vepër iu falën mëkatet”. E shihni, Allahu fali mëkatet e një prostitute vetëm e vetëm se ajo tregoi kujdes për një kafshë. Por, siç thamë, nëse për përkujdesjen për kafshët ka shpërblim, për keqtrajtimin e tyre ka ndëshkim. Ibën Umeri r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Një grua do të dënohet për shkak të maces. E ka mbyllur në shtëpi derisa ka ngordhur, e për këtë do të hyjë në zjarr. As nuk e ka ushqyer, as nuk i ka dhënë ujë kur e ka mbyllur, as nuk e ka lëshuar që të vetushqehet me zvarritësit dhe insektet e tokës. ” Kurbani është një simbol nënshtrimi absolut për Allahun duke dhënë edhe gjënë më të çmuar, dhe nëse Ibrahimi a.s., ka qenë i gatshëm që për Allahun ta therë edhe djalin e tij, Ismailin a.s., atëherë a thua vallë ne nuk jemi në gjendje që për Allahun ta therim një kurban. Përfundimisht, Allahu sqaron se: ﴿ لَنْ يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلا دِمَاؤُهَا وَلَكِنْ يَنَالُهُ التَّقْوَى مِنْكُمْ كَذَلِكَ ﴾ “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj...” [Haxh, 37] - Këto ditë edhe pse festë megjithatë sikur festat tjera janë adhurime. Allahu i Madhëruar ka thënë: ﴿ وَيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ فِي أَيَّامٍ مَعْلُومَاتٍ ﴾ “…dhe që ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi)…” [Haxh, 28] Pejgamberi ﷺ ka thënë: « أيام التشريق أيام أكل وشرب، وذكر لله » “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënie, pijeje dhe përmendjeje të Allahut .” RREGULLAT PËRKATËSE TË KËTYRE DITËVE 1) Ndalohet agjërimi i këtyre ditëve Nuk lejohet agjërimi i tyre ngase Muhammedi ﷺ ka thënë: “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënie, pijeje dhe përmendjeje të Allahut .” Ibën Omeri dhe Aisheja r.a., transmetojnë se Pejgamberi ﷺ nuk i ka dhënë leje askujt të agjërojë këto ditë përveç haxhiut që nuk ka mundësi të therë kurban . Transmetohet se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar të agjërohen gjashtë ditë gjatë vitit: tri ditët e teshrikut, ditën e fitër bajramit, ditën e kurban bajramit, dhe ditën e xhuma, që është e veçuar nga ditët tjera . Ka ndaluar të agjërohet një ditë para ramazanit, ditën e kurban bajramit, ditën e fitër bajramit dhe tri ditët e teshrikut . 2) Dhikri Pejgamberi ﷺ ka thënë: « أيام التشريق أيام أكل وشرب، وذكر لله » “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënie, pijeje dhe përmendjeje të Allahut .” Urtësia e tekbirit në këto ditë, siç potencon Hitabiu, është për faktin se pabesimtarët në periudhën paraislame kurbanet e tyre i thernin në emër të putave dhe idhujve të tyre ndërsa ne, nëpërmjet shqiptimit të tekbirit, shprehim besimin tonë të pastër se këtë rit, sikurse çdo gjë tjetër, e kryejmë vetëm për Allahun e Madhëruar. Në lidhje me dhikrin këto ditë, Allahu i madhëruar thotë: ﴿ فَإِذَا قَضَيْتُمْ مَنَاسِكَكُمْ فَاذْكُرُوا اللَّهَ كَذِكْرِكُمْ آبَاءَكُمْ أَوْ أَشَدَّ ذِكْراً ﴾ “E kur t'i kryeni detyrat tuaja, përmendeni Allahun sikurse i përkujtoni prindërit tuaj, bile përmendeni edhe më forte…” [Bekare, 200] Këshilli i Përhershëm për Fetva, përkitazi me dhikrin në këto ditë, ka lëshuar këtë deklaratë: Në festën e Kurban Bajramit ligjësohet tekbiri i pakushtëzuar dhe ai i kushtëzuar. I pakushtëzuar është tekbirit në çdo kohë prej fillimit të muajit dhul hixhe e deri në ditën e fundit të bajramit ndërsa i kushtëzuari është vetëm pas namazeve farz duke filluar nga namazi i sabahut të Arafatit e deri në ikindinë e ditës së tretë dhe të fundit të teshrikut. Forma e tekbirit është: Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-la Allah, vAllahu ekber, Allahu ekber ve lil-lahi’l hamd! 3) Ditë të therjes Pejgamberi ﷺ ka thënë: « كل أيام التشريق ذبح » “Të gjitha ditët e teshrikut vlejnë për therje .” Bazuar në këtë, ditët e therjes së kurbanit janë katra: dita e parë e kurban bajramit dhe tri ditët e teshrikut. 4) Duaja Allahu xh.sh., thotë: ﴿ فَإِذَا قَضَيْتُمْ مَنَاسِكَكُمْ فَاذْكُرُوا اللَّهَ كَذِكْرِكُمْ آبَاءَكُمْ أَوْ أَشَدَّ ذِكْرًا فَمِنَ النَّاسِ مَنْ يَقُولُ رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا وَمَا لَهُ فِي الْآخِرَةِ مِنْ خَلَاقٍ وَمِنْهُمْ مَنْ يَقُولُ رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الْآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ أُولَئِكَ لَهُمْ نَصِيبٌ مِمَّا كَسَبُوا وَاللَّهُ سَرِيعُ الْحِسَابِ﴾ “E kur t'i kryeni detyrat tuaja, përmendeni Allahun sikurse i përkujtoni prindërit tuaj, bile përmendeni edhe më fortë. Ka disa prej njerëzve që thonë: "Zoti ynë, na jep Ti neve në këtë botë"! Për të nuk ka asgjë në botën tjetër. 201. E, ka prej tyre asish që thotë: "Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr"! 202. Të tillët e kanë shpërblimin nga ajo që e fituan. Allahu është i shpejtë në llogari.” [Bekare, 200-202] Dijetarët e kanë preferuar shumë thënien e kësaj lutjeje gjatë ditëve të teshrikut. 5) Preferohet shtrimi i drekave apo darkave për miq, shok, të afërm, të varfër, etj. Ibni Tejmije ka thënë: Tubimi i njerëzve për ushqim në ditët e fitër dhe kurban bajramit si dhe në ditët e teshrikut është sunnet. Kjo është moto e Islamit, që si sunnet-traditë na e la Muhammedi ﷺ! DITËT E TESHRIKUT DHE PËRKUJTIMI I XHENNETIT Ndalimi i agjërimit në këto ditë pas veprave të mira gjatë dhjetë ditëshit të parë të dhul hixhes dhe dëfrimit të lejuar në to pas riteve të haxhit reflekton gjendjen e besimtarit në këtë botë. Tërë jeta në këtë botë është udhëtim pikërisht siç është haxhi. Dynjaja është kohë e ihramit të besimtarit nga ndalesat dhe epshet; ai që bën durim në këto ditë dhe largohet nga epshet në haram, kur të përfundojë udhëtimi i jetës së tij dhe të rrijë në Mina të dëshirave, ai do të pastrohet nga mëkatet dhe tërë jeta e tij do të jetë sikurse ditët e Minasë: gëzim, ngrënie, pije dhe përkujtim të Allahut. Mu për këtë, banorëve të Xhennetit iu thuhet: ﴿ كُلُوا وَاشْرَبُوا هَنِيئاً بِمَا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ ﴾ “(U thuhet) Me të mirë hani e pini, për atë që vepruat mirë.” [Tur, 19] Përmbledhje e mësime: Ai që sot agjëron ndaj epsheve të tij, iftar do të bëjë nesër pas vdekjes së tij! Ai që ngutet dhe kënaqësinë e ndaluar e praktikon, ai privohet nga kënaqësitë e Xhenetit. Andaj të vendosim: Duam të agjërojmë - heqim dorë nga të këqijat sot për tu shpërblyer nesër apo duam sot të dëfrehemi e nesër të përjetojmë pikëllimin?! Dashtë Zoti e festat tona bëhen të kësaj natyre dhe me moto e mësime të ngjashme!


VIDEOS / YOUTUBE
Tre gjera per jete te lumtur Tri mekatet qe rrezikojne besimin Qe te na duan Allahu dhe i Derguari i Tij Tri aminet
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013