Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
TIRANIA E TREGUT KOSOVAR

Edhe pse paraja dhe devijimi pas saj janë një prej gjërave me të cilat, me tekst fetar([1]), do të sprovohen pjesëtarët e ummetit të Muhammedit, alejhi’s selam, megjithatë, aktualiteti ynë kosovar sikur të bën të bindesh se më së shumti ne paskemi fat nga kjo sprovë. Duke harruar hallet me energjinë elektrike dhe mungesën e ujit të pijshëm që ka pjesa më e madhe e Kosovës, njerëzit këto ditë merren me hallin e kafshatës së gojës. Ngritja drastike dhe e qind për qind e çmimit të miellit ka shkaktuar avari në sistemin ekonomik familjar të kosovarëve të varfër. „Të jetosh me një social prej 50 eurosh dhe të njëjtën kohë ta kesh çmimin e miellit po kaq, vërtetë është mahnitëse për të keq“ – shtojnë shumë social-ista të Kosovës. Asnjëri prej tyre nuk di se çfarë do të bëj. Tash për tash janë në një huti dhe konfuzion që përveç mëshirës prej Allahut e pastaj ndihmave prej bamirësve nuk gjejnë alternative tjetër për mbijetesë.
Ky shkrim nuk është shkrim gazetaresk, jo, është një zë buçitës, që një musliman dëshiron ta përcjell nga zemrat e trishtuara nga varfëria e deri tek zemrat e sëmura dhe trazuara të të gjithë atyre që për përftime personale shfrytëzojnë situatën e rëndë ekonomike dhe shkelin brutalisht kafshatën e gojës së bashkatdhetarëve të tyre. Vet natyra e këtij shkrimi më pat detyruar moralisht ta bëj një shkrim të tillë para disa muajsh me titull „Fitimi hallall dhe fitimi haram“, por meqë tani si dukuri është rikthyer prapë dhe atë me një agresivitet edhe më të theksuar, ndjeva nevojën që prapë me pak fjalë të flas për rrezikun e saj si dukuri e shëmtuar, qoftë në sferën psikike të njerëzve qoftë edhe në atë sociale.
Sa i përket anës psikike, kjo dukuri para së gjithash ndjenjën për vëllazëri e shkatërron ngase i varfëri kur sheh padrejtësinë, vrazhdësinë dhe ngurtësinë shpirtërore të të pasurit ai bindet se vëllazëria qenka vetëm fjalë fjalori dhe asgjë më tepër.  Motivi për kontribut për interes të përgjithshëm zhduket automatikisht për arsye se derisa klasa e varfër shkelet nga e pasura aty më nuk ka interes të përgjithshëm por ka hall personal. Mu për këtë, Islami në mënyrë të prerë ndalon çdo formë keqpërdorimi të djersës së tjetrit. Thotë Allahu:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لا تَأْكُلُوا أَمْوَالَكُمْ بَيْنَكُمْ بِالْبَاطِلِ إِلَّا أَنْ تَكُونَ تِجَارَةً عَنْ تَرَاضٍ مِنْكُمْ
O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete...”. (en-Nisa, 29)
وَلا تَأْكُلُوا أَمْوَالَكُمْ بَيْنَكُمْ بِالْبَاطِلِ وَتُدْلُوا بِهَا إِلَى الْحُكَّامِ لِتَأْكُلُوا فَرِيقاً مِنْ أَمْوَالِ النَّاسِ بِالْإِثْمِ وَأَنْتُمْ تَعْلَمُونَ
Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, e as mos u paraqitni me te (me ryshfet) te gjykatësit për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve, kur ju e dini (se pa të drejtë po e hani atë)”. (el-Bekare, 188)
Islami njeriut ia përkujton parimin e prejardhjes së përbashkët, pra prej një njeriu, të të gjithë njerëzve dhe se më i miri prej tyre është ai që më së shumti kontribuon për të mirën e njerëzimit. Nuk mund të paramendohet muslimani, i cilësuar në Kur’an si vëlla i muslimanit([2]), të keqpërdorë statutin e vëllait të tij musliman të varfër. Aq shumë është ndaluar kjo saqë edhe dëmtimi në fitim e lëre më në kafshatë të gojës është cilësuar i ndaluar. Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
لا يبع بعضكم على بيع بعض
Le te mos shesë askush mbi shitjen e vëllait te tij”. (Muslimi)
Më konkretisht, nuk lejohet te shkosh tek dikush, i cili ka blerë një gjësend e t’i thuash eja se unë ta shes me çmim tjetër ose ai gjësend, për ta shitur ti mallin tënd, i thua se nuk vlen. Nuk di, ndoshta sekreti i thënies së Muhammedit, alejhi’s selam se:
من غش فليس منا
Kush na mashtron neve nuk është prej nesh”.
....qëndron pikërisht këtu.
Prej marrëdhënieve të ndaluara në Islam dhe që konsiderohen shumë tendencioze për keqësim të raporteve në mes muslimanëve është edhe Ihtikari, fenomeni më famëkeq i kohës. Mu për këtë ka thënë Muhammedi, alejhi’s selam:
لا يحتكر إلا خاطئ
Askush, përveç gabimtarit, nuk bën ihtikar“. (Muslimi)
Ihtikari është fenomeni i fshehjes së artikujve apo gjërave që kanë nevojë njerëzit dhe mos shitja e tyre derisa të ngritet çmimi për shkak të pakësimit të atij artikulli apo gjësendi. Ihtikari në një formë reflekton dashurinë për vetveten dhe anashkalimin e të drejtës së tjerëve.
Islami cakton që pasuritë të mos mbesin peng në duart e një shtrese por të qarkullojnë në duart e njerëzve të të gjitha shtresave:
كي لا تكون دولة بين الأغنياء منكم
(Atë që All-llahu nga banorët e vendeve (jobesimtare) ia dha pa luftë të dërguarit të vet, ajo i takon All-llahut, të dërguarit të afërmve, jetimëve, të varfërve, kurbetçinjve. Kështu veprohet) Që ajo të mos ndahet ndërmjet pasanikëve tuaj...“. (el-Hashr, 7)
Ihtikari nuk është vetëm në ushqim por edhe në çdo gjë që ka nevojë njeriu për të. Ka thënë Ibni Tejmije: “Nëse njerëzit kanë nevojë për të mbjellat, qëndisjet apo ndërtimin e një grupi njerëzish, kjo gjë për ta bëhet obligative duke i detyruar prijësi ta kryejnë atë punë, nëse ata shfaqin të kundërtën, me një çmim të zakonshëm si kompensim të punës së tyre. Këta njerëz nuk kanë të drejtë të kërkojnë nga njerëzit shumë më të madhe se sa çmimi i zakonshëm sikur që njerëzit nuk kanë të drejtë të mos ua japin hakun apo tua japin çmimin më të vogël se sa atë të zakonshmin”.
Deponimi dhe ruajtja nuk është ihtikar ngase Pejgamberi, alejhi’s selam depononte apo ruante furnizimin një vjetor të familjes së tij.
Ihtikari i ndaluar është me kushtet vijuese:
§  Të jetë prej gjërave për të cilat njerëzit kanë nevojë të patjetërsueshme. Nëse është prej gjërave që konsiderohen si luks, p.sh. deponimi i ndonjë lloji veturash apo rrobash, jo të domosdoshme, ajo nuk është ihtikar.
§  Që blerja e artikujve të jetë në një kohë kur njerëzit kanë nevojë për të e më pas të bëhet ruajtja e tyre dhe mos shitja derisa të rritet çmimi shumë. Ndërsa nëse e blen një send në një sezone kur gjëra të tilla ka mjaft e pastaj e deponon për ta shitur në një sezone tjetër sipas çmimit të tregut por pa bërë marrëveshje me tregtarët për ta rritur çmimin, atëherë kjo nuk konsiderohet ihtikar([3]).
Prej llojeve të ihtikarit modern është edhe mos lejimi i sjelljes së ndonjë artikulli në vend vetëm se nëpërmjet personit apo kompanisë së veçantë, që persona apo kompani tjera nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, dhe këta persona apo kompani janë ata që vendosin për çmimet e këtyre gjërave([4]).
Ihtikar, në një formë apo tjetër, konsiderohet pengimi i ndonjë malli të nevojshëm për njerëz edhe nëse nuk bëhet deponimi për shitje më të shtrenjtë, siç ndodhe sot në botë ku disa vende të pasura për të mos rënë në tregun botëror çmimi i grurit e hedhin atë në det e nuk ua japin njerëzve([5]). Kjo gjë bie ndesh me atë që urdhëroi Allahu:
وأحسنوا إن الله يحب المحسنين
... dhe bëni mirë, se me të vërtetë All-llahu i do bamirësit“. (el-Bekare, 195)
Ndërsa ne sferën sociale, përveç që kjo dukuri përhap varfërinë në masë të madhe, ajo paralel me të ndikon edhe në shtrirjen e vjedhjes dhe hajnisë. Zakonisht vendet e varfra janë destinacione të shumë tregtive të ndaluara, të shumë lojërave të fatit e të shumë besëtytnive tjera. Ndoshta kjo dukuri nuk është aspak më e rrezikshme se sa dukuria e pengimit nga lindja e fëmijëve me pretekst të kushteve ekonomike, gjë, fetarisht e ndaluar. Nuk flas këtu për planifikim familjar por për rrezikun permanent të ummetit nga pakësimi i pjesëtarëve të tij dhe anashkalimi i porosisë së Muhammedit, alejhi’s selam për shtim.
Nuk mund ta përfundoj këtë artikull pa zbuluar një fenomen të rrallë të shqiptarëve. Ne jemi populli që më së shumti në botë kemi shpresa. Ndoshta iu duket pak qesharake por shpresa se mungesës së energjisë elektrike do t’i vjen fundi, mungesës se ujit do t’i vjen fundi, pagat do të rriten, shëndetësia do të përmirësohet, pavarësia do të vjen këtë vjeshtë, këtë pranverë, këtë qershor, këtë dhjetor, tash e sa vite është përherë e freskët. Ndoshta këtë shpresë nuk do ta shuajnë as vitet (dekadat) e ardhshme sidomos kur populli fatkeq qeveriset nga njerëz famëkeq.
Me shprese se energjia elektrike, uji i pijshëm, pavarësia, punësimi, zhdukja e varfërisë, edukimi, vetëdijesimi do të na vijnë së shpejti, këtë apo shekujt e ardhshëm, unë ngushëlloj vëllezërit e mi dhe i porosis për durim dhe vendosmëri.


[1] Imam Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibni Hibbani në Sahihun e tij transmetojnë se Muhammedi, alejhi’s  selam ka thënë: „إن لكل أمة فتنة وإن فتنة أمتي المالÇdo popull është sprovuar me diç ndërsa sprova e ummetit tim është pasuria“. Ka thënë Albani në Xhamiu’t Tirmidhijj, 2336, hadithi është autentik.

[2] S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë All-llahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti). (El-Huxhurat, 10) 

[3] Shkëputur pjesërisht nga një hutbe e mbajtur më: 14 Muharrem 1428 nga Muhammed Salih el-Munexh-xhid me titull: Ngritja e çmimeve dhe ihtikari.

[4] Ibid

[5] Ibid 


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013