Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
LLOGARITE VETEN PARA SE TË LLOGARITESH!

Llogaria është pjesë e karakterit të besimtarit
Besimtari, qoftë edhe në nivelet më të larta të mundshme të besimit, prapë e ndien vetëllogaritjen si diç të nevojshme. Në komentim të ajetit:
Betohem në shpirtin që është shumë qortues!“ (el-Kijame, 2)
...Hasan Basriu ka thënë: “Nuk mund të takosh besimtarin etëm se duke e qortuar veten e tij: “Çfarë desha me këtë fjalën time?”, “Çfarë desha me ushqimin tim e çfarë me pijen time?” ndërsa mëkatari nuk çan fare kokën – nuk e qorton veten e tij.”
Fuqizimi i kësaj ndjenje në Ramazan
Vetëllogaria është një ndjenjë e përhershme tek besimtari, por, sikur në Ramazan ajo fuqizohet dhe më shumë. Kjo, me gjasë për shkak të natyrës së Ramazanit, ku epshi, egoja, smira, inati, mëri, hasmëria janë në kufijtë më minimal të mundshëm.
Llogaria, për të gjithë
Kush ta llogarit veten e tij?
Besimtari apo mëkatari? Apo që të dy? A ka dikush që bën përjashtim? A ka ndokush që nuk ka nevojë të llogarit veten e tij?
Jo, të gjithë kanë nevojë ta llogarisin veten e tyre. Të gjithë njerëzit bëjnë mëkate dhe që të gjithë ata kanë nevojë për pendim. Të gjithë, po kështu vdesin dhe merren në pyetje nga Allahu, andaj nevoja për llogari mbetet e pranishme tek çdo individ. Allahu thotë:
O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj All-llahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë All-llahun, e s'ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni! 19. E mos u bëni si ata që e harruan All-llahun, e All-llahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit. “ (el-Hashr, 18-19)
Ibni Kethiri, duke komentuar këtë ajet, zbulon dy kuptime shumë mësimdhënëse:
1)     Në koment të pjesës “...dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër...” thotë: “Llogariteni veten para se të llogariteni dhe shikoni se çfarë veprash të mira keni deponuar për Ditën e Kthimit dhe prezantimit para Zotit tuaj.”
2)     Ndërsa në koment të “...e s'ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni!” thotë: “Dijeni se Allahu është i njoftuar për të gjitha veprat dhe punët tuaja. Atij nuk i fshihet asgjë dhe nuk i humbet, e madhe apo e vogël qe.”
Omeri [Allahu qoftë i kënaqur me të!] ka thënë:
حاسبوا أنفسكم قبل أن تحاسبوا، فإنه أهون لحسابكم، وزنوا أنفسكم قبل أن توزنوا، وتزينوا للعرض الأكبر، يَوْمَئِذٍ تُعْرَضُونَ لَا تَخْفَى مِنْكُمْ خَافِيَةٌ
Llogariteni veten, para se të llogariteni, ngase kështu është më lehtë për llogarinë tuaj. Mateni veten, para se të mateni dhe zbukuroheni për paraqitjen e madhe (për të cilën dëshmon me ajet): “Atë ditë ju do të ekspozoheni (para Zotit), duke mos mbetur fshehtë asnjë sekret juaji.” (el-Hakkah, 18).”
Llogaritja, si lehtësim
Llogaritja, siç tha Omeri [Allahu qoftë i kënaqur me të!], është lehtësim për ne. Sot kemi mundësinë të llogarisim veten, të përmirësojmë gabimet, të shkarkohemi nga barra. Ky është veprimi që duhet ta bëjmë si besimtarë. Kjo paraqet pjekurinë tonë. Nuk ka njeri të pagabime, por ky nuk është justifikim për të qenë i shkujdesur nga pendimi. Sa fjalë të bukura ka thënë Hasan Basriu: “Besimtari mbizotëron mbi veten e tij. Ai e llogarit veten për Allahun. Në Ditën e Kiametit llogaria do t’iu jetë lehtësuar atyre që e kanë llogaritur veten në këtë botë, ndërsa do t’iu vështirësohet atyre që këtë çështje e kanë marrë pa e llogaritur mirë.”
Kur ta llogarisim veten
Llogaritjen duhet ta bëjmë çdoherë, por, për të patur efektet e duhura, është mirë ta programojmë në dy raste:
1)     Para fjalës dhe veprës
Çfarë dua të them ose të bëj? Kjo që dua ta them ose ta bëj a është në përputhje me fenë? A do të ndëshkohem nëse flas ose veproj kësisoj? Sa jam i sinqertë? Ë lidhje me këto kemi porositë fetare. Thotë Allahu:
...e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askë".“ (el-Kehf, 110)
Ndërsa Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
من أحدث في أمرنا هذا ما ليس منه فهو رد
Kush shpik diç në këtë çështjen tonë, që nuk është pjesë e saj, ajo (i) është e refuzuar.” (Buhariu dhe Muslimi.)
2)     Pas fjalës dhe veprës
A thua kjo që thashë apo bëra, është e qëlluar apo jo? A kam bërë mire që fola këtë fjalë dhe veprova këtë vepër? Allahu përshkruan të këtillë besimtarët në kaptinën që thirret me po këtë emër ‘el-Mu’minune’ (beismtarët), ajeti 60:
Dhe,ata të cilët japin (sadaka-zeqatë) nga ajo që u është dhënë, pse dinë se do të kthehen te Zoti i tyre, andaj zemrat e tyre i kanë të frikësuara.”
Për  çka ta llogarisim veten?
Për çdo gjë. Për çdo fjalë dhe vepër tonën, ngase të gjitha këto shënohen tek Allahu për tu llogaritur. Thotë Allahu:
Dhe vihet libri (i veprave), e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dhe thonë: "Të mjerët ne, ç'është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?", dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme - prezente, e Zoti yt nuk i bën padrejt askujt.“ (el-Kehf, 49)
Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.“ (Kaf, 18)
E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. 8. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.“ (ez-Zelzele, 7-8)
Malik ibn Dinari ka thënë: “Allahu e mëshiroftë njeriun, i cili i drejtohet vetes: A nuk je fajtor për këtë?! A nuk je fajtor për këtë?!…”
Në fakt, të parët e kanë llogaritur nefsin sikur të ishte ortak në tregti. Mejmun ibn Mehrani ka thënë: “Robi nuk do të jetë i sinqertë nëse nuk e llogarit veten më ashpër qe që bëjnë ortakët për njëri tjetrin në tregti. Mu për këtë thuhet, nefsi është sikur ortaku tradhtar, nëse nuk e llogarit, ta merr pasurinë. ”
Të parët kanë aplikuar forma të “vrazhda” të edukimit. Ata kanë shpikur forma dhe mënyra interesante të llogaritjes së tyre. Vehb ibn Munebbihi ka thënë: “Pata vendos që sa here të përgojoj, të agjëroj, por ma mundi, ngase përgojoja dhe agjëroja. Kështu, vendosa (ta ndryshoj metodën) sa herë që përgojoj, e jap një dërhem lëmoshë. Nga dashuria e madhe për paranë, e braktisa përgojimin.”
Llogarite veten edhe për Ummetin
Jemi në muajin Ramazan, tash kur ringjallet ndjenja për të ndihmuar të tjerët dhe për tu solidarizuar me ta. Llogarite veten se çfarë ke bërë për myslimanët? Jo vetëm me ata që ndanë të njëjtin fshat apo qytet, por për tërë myslimanët. Si e ke arsyetuar pamundësinë tënde për të përkrahur ata që janë shtypur? Sa ke qenë afër me zemrën tënde me ata? Sa të kanë lotuar sytë për ata? Përkujto se muslimanët janë si një trup, që po rastisi një pjesë e tij të ndiejë dhimbje, shqetësohet i tërë trupi. Sa je shqetësuar ti për myslimanët?
Pra, llogarite veten edhe për këtë gjë!
Çka të ndihmon ta llogarisësh veten
Ndoshta gjëja më e dobishme në këtë aspekt është të ndalesh dhe të shikosh në rezultatet e llogarisë ose mos llogarisë. Paramendo nëse bën llogaritje dhe pendohesh për gabimet, e meriton Xhnnetin, ndërsa nëse vazhdon, shkon në ferr, si do ta ndieje veten? Ka thënë Ibrahim et-Tejmi: “Imagjinoja sikur jam në Xhenent dhe po ha nga pemët e tij dhe po pi na lumenjtë e tij. pastaj imagjinova sikur jam në Xhehennem dhe po ha nga zekkumi (pemë në Xhehennem), po pi nga uji i ndyrë ndërsa në qafë kam prangat dhe zinxhirët. I thashë nefsit tim: O nefes! Cilën gjë e do ti? Më tha: ua të kthehem në dynja dhe të bëj vepra të mira!  Thashë: Po ti je në të, je i sigurt, andaj puno!”
Përfundim
Llogaria është e pashmangshme por edhe vështirë e përballueshme
Sikur ditët e Ramazanit, kalojnë dhe ditët e jetës. Shumë shpejt vjen fundi. Njeriu, siç na mëson Allahun, do të dëshironte të kthehej prapë në këtë botë që të përmirësonte veprat, të bënte atë që duhej bërë dhe t’i shmangej të ndaluarave, por, atëherë gjithçka do të merr fund. Thotë Allahu:
E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: "O Zoti im, më kthe, 100. Që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova!" Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.“ (el-Mu’minune, 99-100)
Me vdekjen. Kapitulli i veprave merr fund. Ato tani do të vlerësohen. E, vetëm ky vlerësimi është i rëndë se lëre më edhe vuajtja e pasojave. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
مَنْ حُوسِبَ يَوْمَ الْقِيَامَةِ، عُذِّبَ» فَقُلْتُ: أَلَيْسَ قَدْ قَالَ اللهُ عَزَّ وَجَلَّ: {فَسَوْفَ يُحَاسَبُ حِسَابًا يَسِيرًا} [الانشقاق: 8]؟ فَقَالَ: لَيْسَ ذَاكِ الْحِسَابُ، إِنَّمَا ذَاكِ الْعَرْضُ، مَنْ نُوقِشَ الْحِسَابَ يَوْمَ الْقِيَامَةِ عُذِّبَ،
Kush llogaritet në Ditën e Kiametit, ndëshkohet. Aisheja (gruaja e tij, rrëfen e thotë): i thashë: Po, a nuk ka thënë Allahu: “Ai do të llogaritet me një llogari të lehtë,” (el-Inshikak, 8)?! Po, -iu përgjigj, dhe shtoi se- kjo nuk është llogaria por prezantimi, ngase kush llogaritet në Ditën e Kiametit, ndëshkohet.”
Për ta kuptuar se çka është prezantimi dhe çka llogaria, do t’i referohemi mësuesit tonë, Muhammedit [alejhis salatu ves selam], i cili shpjegon se me ‘prezantim’ synohet paraqitja e veprave dhe falja e kryesit të tyre nga Allahu. Njeriu do të del para Allahut, por Allahu do ta fal, ngase po ta llogariste për çdo vepër, askush nuk do të hynte në Xhennet. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Omeri hadithin në të cilin Allahu i flet robit të Vet, e kur ky i fundit të pranojë veprat – mëkatet, atëherë Allahu e fal. I thotë, siç qëndron në hadith:
ولكن سترتها عليك في الدنيا وأغفرها لك اليوم
...por, Unë t’i kam mbuluar këto mëkate në dunja dhe sot po t’i fali!
Ky është prezantimi i veprave ndërsa llogaria është tjetra. Ajo është e vështira. Ajo që e shqetëson njeriun më së shumti. Ajo, që do t’i lehtësohej njeriut vetëm nëse e llogarit veten në këtë botë.
Llogariteni veten, pendohuni dhe drejtohuni kah Allahu me zemra të pastra se Ai na fal të gjithëve!


VIDEOS / YOUTUBE
Edukimi seksual i femijeve Depresioni Lutja Perfitime nga istigfari
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013