Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
PO SHKON EDHE KY VIT

Autor: Muhammed Husejn Ja’kub
Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI
Vushtrri, Kosovë, 22.12.2008
 
 
Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar kurse përshëndetjet tona qofshin mbi Muhammedin, familjen, shokët dhe tërë pasuesit e tij!
Unë, sinqerisht, nuk e di se sa herë lejohet një nxënës dështak ta përsëris provimin gjatë një viti shkollor apo akademik? Edhe pse jemi në fund të periudhës së parë të vitit shkollor aktual, pyetja ime nuk ka të bëjë fare me këtë. Arsyeja e kësaj pyetjeje qëndron në atë se meqë jemi në fund të vitit islam dhe është koha e rezultateve të vitit që po e lëmë pas, të shohim sa herë dështuam me Allahun e Madhëruar? Sa herë u rrezuam në provim tek Allahu i Madhëruar?
Tashmë kur viti po merr frymëmarrjet e tij të fundit dhe jemi në pritje të një viti të ri hixhrijj, në këtë ligjëratë do të fokusohemi në dy gjëra si boshte kryesore të temës sonë:
1. Shfrytëzimi i vitit të kaluar, dhe
2. Vizioni për vitin e ri.
***
1. Shfrytëzimi i vitit të kaluar.
Gjënë e parë që njeriu has në momentin kur fillon llogarinë është kalimi i kohës shpejt, gjë  e dëshmuar në hadithin e Pejgamberit, alejhi’s selam: 
لا تقوم الساعة حتى يقبض العلم، وتكثر الزلازل، و يتقارب الزمان...
Kiameti nuk do të ndodhë derisa të mos mbetet më dituri, të shtohen tërmetet dhe të shkurtohet koha”[1].
Në koment e kësaj fjale “Jetekarebu’z zeman”, është thënë: Koha shkurtohet aq shumë saqë viti kalon sikur të ishte muaj, muaji sikur një javë, javën si ditë, ditën si orën, orën si çast, etj.
Natyrisht se ky fakt ndërlidhet me një element tjetër, që është dëshpërues. Fjala është për dëshmitë që janë ngritur kundër nesh. Mos shfrytëzimi i vitit dhe humbja e shanseve për përfitim të sevapeve sigurisht se përbën në vete një element shqetësues dhe rrjedhimisht edhe dëshpërues. Ja disa nga këto shanse të lëshuara:
- Çdo natë zbret Allahu i Madhëruar. Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam:
إِذَا مَضَى شَطْرُ اللَّيْلِ أَوْ ثُلُثَاهُ يَنْزِلُ اللَّهُ تَبَارَكَ وَتَعَالَى إِلَى السَّمَاءِ الدُّنْيَا فَيَقُولُ هَلْ مِنْ سَائِلٍ يُعْطَى هَلْ مِنْ دَاعٍ يُسْتَجَابُ لَهُ هَلْ مِنْ مُسْتَغْفِرٍ يُغْفَرُ لَهُ حَتَّى يَنْفَجِرَ الصُّبْحُ
Kur të mbarojë gjysma e natës apo 2/3 e saj, zbret Allahu i Madhëruar në qiellin e dynjasë (ashtu siç i takon Atij) dhe thotë: A ka ndonjë lypës që t’i jap, a ka ndonjë lutës që t’i përgjigjem, a ka ndonjë kërkues falje që t’ia fal mëkatet. Vazhdon kështu derisa të zbardh agimi”[2].
Si e shfrytëzove këtë shanse ti? A e dhe këtë provim me Allahun apo jo? Apo, çdo natë u rrezove nga ky provim? Çdo natë fjete, madje nëse u zgjove, bëre mëkate duke shikuar gjëra të ndaluara...
Çdo ditë…Mirësitë e Allahut të Madhëruar ndaj teje ishin të panumërta. Shanset për faljen e mëkateve ishin me dhjetëra qindra. Muslimi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
إِنَّ اللَّهَ عَزَّ وَجَلَّ يَبْسُطُ يَدَهُ بِاللَّيْلِ لِيَتُوبَ مُسِيءُ النَّهَارِ وَيَبْسُطُ يَدَهُ بِالنَّهَارِ لِيَتُوبَ مُسِيءُ اللَّيْلِ حَتَّى تَطْلُعَ الشَّمْسُ مِنْ مَغْرِبِهَا
Allahu i Madhëruar shtrin dorën e Tij gjatë natës që ta fal gabimtarin e ditës, dhe shtrin dorën e Tij gjatë ditës që ta fal mëkatarin e natës. Kjo (shanse është) deri të lind dielli nga perëndimi”.
A veprove për ta kënaqur Allahu e Madhëruar kur para vete pate aq shume mundësi. Më konkretisht:
- A agjërove Ditën e Ashurasë që të të falen mëkatet e vitit të kaluar. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
" صِيَامُ يَوْمِ عَاشُورَاءَ إِنِّي أَحْتَسِبُ عَلَى اللَّهِ أَنْ يُكَفِّرَ السَّنَةَ الَّتِي قَبْلَهُ
Kam shpresa se agjërimi i Ditës së Ashures falë mëkatet e vitit të kaluar"[3].
- A agjërove nafile, qoftë edhe një ditë. A ke dëgjuar se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
مَنْ صَامَ يَوْمًا فِي سَبِيلِ اللَّهِ بَعَّدَ اللَّهُ وَجْهَهُ عَنْ النَّارِ سَبْعِينَ خَرِيفًا
Kush agjëron një ditë për hire të Allahut, Allahu ia largon fytyrën nga zjarri 70 vjet larg”[4].
Madje nëse agjërove, agjërove me mëkate - fjalë të ndyta, kështu që mbete pa sevape.
- Falja e xhumave. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thene:
الصَّلَاةُ الْخَمْسُ وَالْجُمْعَةُ إِلَى الْجُمْعَةِ كَفَّارَةٌ لِمَا بَيْنَهُنَّ مَا لَمْ تُغْشَ الْكَبَائِرُ
Pesë namazet ndërmjet vete dhe xhumaja deri në xhuma, shlyejnë mëkatet ndërmjet tyre nëse nuk janë kryer mëkate të mëdha”[5].
Allahu të jep shanse që nuk të japin në shkolla e universitete. Në Ramazan, në çdo ditë falen mëkatet nga agjërimi, çdo natë falen mëkatet nga namazi, çdo natë ke shansin për lirim nga zjarri, Natën e Kadrit pate shansin jetësor që të shlyesh të gjitha mëkatet, a shfrytëzove këtë?
A fale namazet, ato që më së shumti të afrojnë tek Allahu i Madhëruar?
A dhe zekatin, atë që do të luftoheshe nëse nuk e jep?
Tashmë jemi ende në muajin e haxhit dhe ti, për arsye që nuk di janë apo jo të justifikuara, nuk bëre haxhin. “Nuk më dhanë vizën, nuk pata para, nuk e nuk...”. Më lejo të të shpjegoj diç. Pak para haxhit, respektivisht, në dhjetë ditët para tij, ditë që vepra e mirë është më e dashur madje edhe se xhihadi, që është më i mirë se haxhi. Më thuaj, çfarë bëre në këto dhjetë ditë që nuk pati nevojë as për vizë, as për para, as për udhëtim?
A vizitove Allahun e Madhëruar? Po, dëgjo prapë, a vizitove Allahun e Madhëruar? Dëgjo çfarë thotë Muhammedi, alejhi’s selam: “Vërtet Allahu i Madhëruar do të thotë Ditën e Kiametit: “O njeri, isha i sëmurë dhe nuk më vizitove!” Njeriu atëherë do të përgjigjet: “O Zoti im, si do të vizitoj Ty, kur Ti je Zot i gjithë botëve?” All-llahu do të thotë: “A nuk e ke ditur se filan robi im ishte i sëmurë dhe nuk e ke vizituar? A nuk e di se sikur ta kishe vizituar me siguri do të më kishe gjetur Mua te ai. O njeri, kam kërkuar prej teje ushqim, por nuk më ke dhënë”. Njeriu do të përgjigjet: “O Zoti im, si do të jap unë Ty ushqim, kur Ti je Zot i gjithë botëve?” All-llahu do të thotë: “A nuk e ke ditur që robi im ka kërkuar prej teje ushqim e ti nuk i ke dhënë? A nuk e ke ditur se sikur t'i kishe dhënë ushqim do të më kishe gjetur Mua te ai. O njeri, Unë kam kërkuar prej teje të më japësh ujë, por ti nuk më ke dhënë të pijë!” Njeriu do të thotë: “O Zoti im, si do të jap unë Ty ujë, kur Ti je Zot i gjithë botëve?” All-llahu do të thotë: “Ka kërkuar robi im ujë prej teje e ti nuk i ke dhënë. Sikur t'i kishe dhënë ujë atij, do të më kishe gjetur Mua te ai!”[6].
Këto ishin shanset që lëshove ndërsa tani llogarit mëkatet që bëre. Vitin e kaluar sa herë të ikën namazet? Nuk agjerove as Ramazanin. Festove Shën Gjergjin, festën e Nevruzit, festën e Vitit të Ri, madje qysh tani ke vendosur ta festosh këtë vit të ri gregorian që është pas pak ditësh. Bëre këtë e atë dhe fare nuk të ra ndërmend që të pendohesh.
Edhe nëse agjërove Ramazanin dhe fale namazin, megjithatë duket se ishin vetëm formale. Kjo ngase, nëse njeriu arrin ta lirojë veten e vet nga zjarri në Ramazan d.t.th. të bekohet që me kurrë, të paktën mëkatet e mëdha, nuk do t’i bëjë, ndërsa ti, ti dëshmove të kundërtën.
Nejse, të kthehemi prapë tek shanset, dhe të pyesim diç. Nëse në shkollë rrëzohesh madje edhe humb vitin për shkak të rënies në 3-4 provime, e ndoshta edhe humb tërësisht të drejtën e mësimit në atë shkollë, a thua vallë nëse ke rënë në kaq shumë provime me Allahu e Madhëruar, si do të jetë puna jote?
Prapë, nejse, do të mendoj mirë për ty, do të mendoj se ke kaluar disi, kështu që në vazhdim, ja:
2. Vizioni për të ardhmen.
Meqë ende ke jetë, përkujto fjalën e Allahut dhe zbatoje atë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ اتَّقُواْ اللّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلاَ تَمُوتُنَّ إِلاَّ وَأَنتُم مُّسْلِمُونَ
O ju që besuat, kini frikë All-llahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!”[7].
Kështu, pa humbur kohë fare, fillo me:
1. Pendim.
E di se kushtet e pendimit janë tri dhe e para e tyre është: Largimi nga mëkatet menjëherë. Megjithatë, ajo që unë synoj këtu, është diç që ka shumë lidhshmëri me këtë por që është diç tjetër. Fjala është për vdekjen dhe befasinë e saj. Për ta kuptuar këtë më mirë dhe për ta mësuar rëndësinë e saj, do ta përkujtoj hadithin e atij qe vrau 100 veta dhe kërkoi rrugëdalje[8]. Ky njeri kur mësoi për zgjidhjen e problemit, u udhëzua të shkonte në një vend tjetër dhe ta lëshonte vendin ku jetonte ngase ishte i keq. Rrugës, e më konkretisht në mes të saj, e zuri vdekja. Melaiket diskutuan se a bën pjesë në grupin e mëkatarëve apo të shpëtuarve. Nëpërmjet gjykimit të një meleku, i cili propozoi të matej distanca në mes vendit prej ku është nisur (vendit të keq) dhe vendit ku synon të shkojë (vendit të mirë) dhe cilit vend i është afruar më shumë të bëhej prej tyre, u arrit zgjidhja. Melekët panë se ai për shumë pak distancë ishte më afër vendit të mirë. Pyetja është: Çka nëse ky njeri do të vonohej vetëm 5 minuta në pendim dhe të mos nisej, cilit grup do t’i takonte? Thotë Allahu i Madhëruar:
إِنَّمَا التَّوْبَةُ عَلَى اللّهِ لِلَّذِينَ يَعْمَلُونَ السُّوَءَ بِجَهَالَةٍ ثُمَّ يَتُوبُونَ مِن قَرِيبٍ فَأُوْلَـئِكَ يَتُوبُ اللّهُ عَلَيْهِمْ وَكَانَ اللّهُ عَلِيماً حَكِيماً
Pendim i pranueshëm te All-llahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë të keqen me mosdije shpejt pendohen; të tillëve All-llahu ju pranon pendimin, se All-llahu është më i dijshmi, më i urti”[9].
2. Mbajtja për parimeve fetare. Thotë Allahu i Madhëruar:
لَا إِكْرَاهَ فِي الدِّينِ قَدْ تَبَيَّنَ الرُّشْدُ مِنَ الْغَيِّ فَمَنْ يَكْفُرْ بِالطَّاغُوتِ وَيُؤْمِنْ بِاللَّهِ فَقَدِ اسْتَمْسَكَ بِالْعُرْوَةِ الْوُثْقَى لَا انْفِصَامَ لَهَا وَاللَّهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ
 Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson të pavërtetat e i beson All-llahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. All-llahu është dëgjues i dijshëm[10].
Ajo që vërejmë në këtë ajet kur’anor është domosdoshmëria e besimit të pastër, e përparësuar nga një pikë interesante që veç përmendëm: pastrimi nga mëkatet. Allahu i Madhëruar po thotë që së pari të zhvishemi nga adhurimi i tagutëve (çdo gjë që adhurohet ne çfarëdo forme a mënyre përveç Allahut të Madhëruar) e pastaj kur territori i zemrës të pastrohet, duhet mbjellë besimin.
3. Nënshtrimi tërësisht Allahut të Madhëruar, siç qëndron në Kur’an:
‏ومن أحسن دينا ممن أسلم وجهه لله وهو محسن
Kush ka fe më të mirë se ai që sinqerisht i është bindur All-llahut dhe, duke qenë bamirës...”[11].
Ndryshe, përvetësojmë cilësitë e hipokritëve, të cilët Allahut të Madhëruar nuk i nënshtrohen ashtu siç Ai kërkon prej nesh.
Askë sikur Allahu e Madhëruar nuk duhet ta duash. Askujt sikur Allahut të Madhëruar respekt nuk duhet t’i bësh. Për asgjë sikur për Allahun e Madhëruar nuk duhet te sakrifikosh. Asfarë punë pa synim kënaqësinë e Allahut të Madhëruar nuk duhet ta bësh. Mu për këtë, pjesa e fundit që përmendëm nga citati sipër ishte:
3. Bamirësia, jo vetëm në kuptim të ndihmës e solidarizimit me njerëz por edhe në kuptim të kryerjes së detyrave dhe obligimeve ndaj Allahut të Madhëruar perfekt. Ta falësh namazin me kujdes, ta bësh agjërimin konform rregullave, dhikrin, respekto prindërit shumë, leximin e Kur’anit bëje mirë, me një fjalë të porosisim, “Ta adhurosh All-llahun sikur ta shohësh, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty”[12].
I nderuari lexues!
Nëse sot arrin të llogarisësh veten dhe ke mundësinë e përpilimit të këtyre projekteve të punës, dije se ndoshta pas një viti nuk do ta kesh këtë mundësi, dhe në vend të zbatimit të tyre, do të lexosh listën e veprave të mira e të këqija, që bëre. Thotë Allahu i Madhëruar:
اقرأ كتابك كفى بنفسك اليوم عليك حسيباً
Lexo librin tënd, mjafton të jesh sot vetë llogaritës i vetvetes”[13].
Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, familjen, shokët dhe pasuesit e tij!
 
 
 
 


[1] Buhariu.

[2] Muslimi.

[3] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Shejh Albani në recensimin e Sunenit të Ibni Maxhes, 1738, ka thënë se është autentik.

 

[4] Buhariu.

[5] Muslimi.

[6] Muslimi.

[7] Ali Imran, 102.

[8] Nga Ebu Seid Sa'd ibn Malik ibn Sinan el-Hudrij r.a. përcillet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Moti para jush ka qenë një njeri që ka vrarë nëntëdhjete e nëntë veta, ka pyetur për njeriun më të dijshëm në botë. Atë e udhë­zuan te një murg (prift). Shkon te murgu e i thotë se ka vrarë 99 veta, andaj a ka për të tevbe (mëshirë prej Allahut dhe falje). Murgu i thotë se për të nuk ka tevbe. Ky e vret edhe murgun dhe me të i plotëson njëqind të vrarët. Pastaj vazhdon të kërkojë njeriun më të ditur në botë, e udhëzuan te një dijetar. Ky pasi e gjen i tregon se ka vrarë 100 njerëz dhe e pyet edhe këtë se a ka për të tevbe? Dijetari i tha: “Po! E cili është ai që mund të ndërhyjë ndërmjet tij dhe tevbes së tij? -Shko në atë vend dhe në atë vend, aty banojnë njerëz të cilët e adhurojnë All-lla­hun edhe ti adhuroje All-llahun me ta dhe mos u kthe kurrë në vendin tënd, sepse është vend i keq”. Njeriu u nis për në vendin e adhu­rimit të All-llahut dhe kur arriti në gjysmë të rrugës i erdhi vdekja. Atëherë lindi grindja në mes en­gjëjve të mëshirës dhe engjëjve të dënimit. Engjëjt e mëshirës thanë: “Ai deri këtu ka ardhur i penduar për mëkatet me zemër të drejtuar kah All-llahu i Madhërishëm”. Kurse engjëjt e dënimit thanë: “Asnjëherë më parë nuk ka bërë mirë”. Atëherë këtyre engjëjve u vjen një engjëll tjetër në formë të njeriut e këta e morën për gjykatës që të gjykojë se cilët kanë të drejtë. Ky u thotë: “Matni në mes dy vendeve (vendit të adhurimit dhe atij të mëkateve), e më afër cilit vend të jetë, atij vendi edhe i takon”. Engjëjt e matën hapë­sirën në mes dy vendeve dhe konstatuan se i penduari ishte më afër vendit që synonte, andaj e morën engjëjt e mëshirës”. (Muttefekun alejhi)

[9] En Nisa, 17.

[10] El Bekare, 256.

[11] En Nisa, 125.

[12] Muslimi.

[13] El Isra, 14.


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013